Prof. Dr. Adem Harxhi: Shoqëria shqiptare është tepër e frustruar, kur flitet për marrëdhëniet seksuale

    915
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Adem Harxhi: Ja pse duhet zhvilluar edukimi seksual nëpër shkollat tona

    Bën nxehtë dhe lagështirë. Prindërit nuk janë në shtëpi. Genta, këndon në radio dhe shtrati është gati. Puthje, përkëdhelje, dhe unë ç’kopsita kopsën e parë të bluzës së saj. Ndonëse, nuk bëjmë interkursë dhe seks oral, por, gjithsesi, është seks. Pamja, puthjet me buzët e nxehta dhe prekjet me gishtat e paduruara, në vendet që kisha zbuluar, e rritën nivelin e eksitimit. Me puthje pasionante, largova sutjenin dhe futa duart nëpër zinxhirin e hapur të pantallonave. Duke fërkuar trupat e veshur të njëri-tjetrit, arritëm pikën orgasmike të një ekstaze adoleshente”

    -Këto janë fragmente nga letra e një të riu. Atëherë ky është seksi i adoleshentëve?

    Ky është seksi i adoleshentëve, përpara se ata të angazhohen në seks oral dhe në interkursën vaginale. Sot, për shumë nga ju, fërkimet dhe përkëdheljet e jashtme, nuk janë më problem.

    Ju shpesh, në variante të ndryshme pyesni: “A jam unë normal?”.

    Për mua, që dëshiroj t’u ndihmoj me gjithë zemër, normale në marrëdhënien seksuale është, gjithçka, që ju të dy e përcaktoni si të tillë. Çdo gjë që dy të rinj bien dakord të bëjnë seksualisht, është normale! Mos e refuzoni kënaqësinë seksuale! Dëshira  për seks (epsh) të përgjegjshëm, është e shëndetshme dhe normale. Ajo u jep forcë për afeksion të ndershëm dhe për gëzim. Mos e etiketoni epshin si mëkat e as si diçka që t’i trembeni. Përfitoni prej tij. Energjitë e mrekullueshme që çliron tek juve seksi, le t’u shërbejnë si inkurajim për lojën  intime.

    Njerëz të lumtur janë ata, që e trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë. Kjo e vërtetë e padiskutueshme, merr vlera të mëdha, veçanërisht, në marrëdhëniet tuaja seksuale.  Këtë mos e harroni kurrë!

    Disa prej jush, shqetësohen për gjëra, që i perceptojnë si probleme seksuale. Ka djem që shqetësohen dhe e quajnë jo normale prishen (ejakulacionin) e shpejtë. Derisa ka kaq shumë djem, që vuajnë nga prishja e shpejtë, kjo dukuri duhet pranuar si diçka që u ndodh fillestarëve dhe që do të korrektohet, duke fituar eksperiencë seksuale. Kur jeni në ankth, lidhur me seksin dhe marrëdhëniet tuaja, përpiquni t’i zëvendësoni mendimet negative, me mendime pozitive dhe racionale. Mendimet e shtrembra lidhur me seksin dhe marrëdhëniet, janë të pashëndetshme. Kur gjërat nuk u shkojnë ashtu siç ju i prisnit, ju fajësoni veten ose partnerin. Por mos harroni, se kur përpiqeni të lexoni  mendimet e atyre me të cilët takoheni, ju mund të gaboni. Ju, shpesh, arrini në konkluzione të pabazuara (“Unë e di që ai, ose ajo, nuk dëshiron të dalë me mua”). Ju gaboni kur mendoni vetëm bardh e zi dhe harroni se, gjithherë, ka edhe gri e hije midis tyre. Sapo, të hiqni dorë nga këto mendime të shtrembra e të ngurta, emocionet, vetëbesimi dhe jeta seksuale, do të balancohen e do të shëndoshen.

    -Por thuhet se ka shqetësime për fantazitë seksuale?

    Adoleshentët i shqetësojnë fantazitë seksuale. Disa duan të dinë nëse ato janë normale. Të tjerë janë të çoroditur, sepse nuk dinë nëse duhet ose jo, të përdorin materiale eksplicite seksuale për të fantazuar dhe masturbuar. Pa asnjë dyshim, gjithçka, këtu është normale. Ju duhet të dini të bëni ndryshimin midis fantazive dhe realitetit. Shumë nga ju, dinë ta bëjnë këtë dhe kënaqen me fantazitë. Ata flakin mërzinë dhe rritin eksitimin dhe orgazmat. Mos u ndjeni fajtorë prej fantazive tuaja! Gjithçka është normale, kur nuk dëmton veten, ose të tjerët. Përpiquni të jeni të lumtur, të shëndetshëm dhe të përgjegjshëm. Në vendin tonë, ashtu si dhe në vende të tjera ku ka shumë tabu seksuale, punët e seksit nuk shkojnë mirë. Seksi oral, interkursa para martesës, masturbacioni dhe homoseksualiteti, të gjitha, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë më të stigmatizuarat. Edhe pse situata ka ndryshuar, ka akoma “puritanë”, ose që hiqen si të tillë. Pavarësisht, gabimeve që janë bërë lidhur me seksualitetin në këto njëzet vjet, duhet pranuar, se shoqëria shqiptare ka hedhur hapa të mira drejt seksualitetit të shëndetshëm. Ndonëse, sot, shoqëria jonë ka më shumë tolerancë për çka njerëzit bëjnë dhe besojnë seksualisht, akoma, ka njerëz që mendojnë se duhet të ketë norma seksuale, të pranuara nga të gjithë. Personalisht, nuk mendoj kështu. Ne jemi unikë, gjithkush me personalitetin e tij dhe nuk mund të gëzojmë të gjithë në të njëjtën mënyrë, sikur të ishim dhentë e një kopeje. Shumë të tjerë, e përcaktojnë “normalen”, me ç’ka bën shumica e njerëzve, ose si e mendon shumica një akt seksual “normal”. Kjo nuk ka kuptim. Kjo të heq mundësinë të jesh vetvetja dhe të bësh zgjedhjet e tua personale në morinë e opsioneve, që ka jeta e gjithsecilit. Deri sa kemi besime fetare dhe vlerësime e opinione social-politike të ndryshme, pse seksi duhet të jetë një përjashtim? Pse ai duhet të jetë njësoj e uniform për të gjithë? Pse ai duhet të jetë “normal”? Kur fjala është për seksin dhe marrëdhëniet personale, vëmendja e juaj duhet të përqendrohet në mënyrën si të pakësoni shqetësimet dhe si të rritni kënaqësinë dhe mirëqenien e shëndetshme. Askush, nuk ka as arsye e as të drejtë, të stigmatizojmë  zgjedhjet që juve bëni.

    -Kur një sjellje seksuale bëhet anormale?

    Kur pjesëtarëve të një grupi të caktuar shoqëror, u mbushet mendja, se ata janë të vetmit që duhet ta kontrollojnë seksin. Në këtë rast, etiketimet “anormale” për seksin, nuk do të kenë të mbaruar.  Me etiketën “anormale”, ata do të quajnë çdo lloj sjellje seksuale që nuk e aprovojnë, ose që kërcënohen prej saj. A është anormale, kur një adoleshent shkel atë që seksualisht pritnin prej tij prindërit dhe shokët? Unë them Jo! A është anormal seksi midis dy të rinjve, që nuk shqetëson të tjerët? Jo! A është anormal seksi që nuk pranon konformizmin? Jo! Ne të gjithë duhet bëjmë zgjedhjet tona seksuale! Anormale dhe e pashëndetshme është kur shtypen dëshirat seksuale natyrale të dikujt, ose kur dikush orvatet të imponojë dëshirat tij, mbi të tjerët. Cilido qoftë definicioni për normalen, ju duhet të dini, se nuk është normale kur seksin, vazhdimisht, e bëni një problem! Etiketimet negative, siç janë seks anormal, i sëmurë, i çuditshëm, ose mëkatar, janë shumë herë më të dëmshme për ju, nga sa vetë seksi që do të provoni. Seksi, u bën të njihni veten dhe e rrit personin tuaj. Ai është pjesë e qenies tuaj, plotësisht, e gjallë dhe e gëzuar. Është normale të kënaqeni me ndjenjat tuaja erotike dhe të keni të njëjtat dëshira me ata që ndjejnë si ju. Djemtë edhe vajzat ndjehen të pasigurtë, kur do të shkojnë në takim me një shok, ose një shoqe. Edhe atëherë kur ju mendoni se jeni një flirtues i mirë, ju përsëri nguroni të dilni në takim. Ju shqetësoheni se mos u flakin. Ju jeni në ankth, sepse nuk dini në do të jeni i pranuar dhe i pëlqyer. Është normale të jesh unik e i veçantë në takim . Mendoni sa e mërzitshme do të ishte sikur të gjithë të ishim njësoj! Mos u shqetësoni. Gjithkush, mund të flaket e refuzohet ndonjëherë. Por ka shumë herë të tjera, që ju do të gjeni tek njëri-tjetri gjëra të përbashkëta. Kimia seksuale, bën që ju të tërhiqni njëri-tjetrit, të bëheni miq dhe të takoheni. Ju keni “kimi seksuale”, kur tërhiqeni drejt njëri- tjetrit nga nuhatja, ose nga era e personit tjetër. Sinjalet për nuhatjen quhen feromone (pheromones). Tërheqja e ndërsjellë midis dy të rinjve shkaktohet nga kombinimi i këtyre tri faktorëve:

    -Feromoneve

    -Hormonet që vërshojnë në gjakun tuaj

    -Forca magjike e ndjenjave tuaja të uritura.

    Siç e shikoni, në tërheqjen midis dy të rinjve, gjithçka, është natyrale dhe normale.

    -Por ka shumë diskutime për eksitimin seksual që ndjehet gjatë nuhatjes?

    Flokët e trupit përmbajnë erën tuaj, krejtësisht, unike dhe kur tërheqja me anë të nuhatjes është e fortë, ajo, zakonisht, është e ndërsjellë. Eksitimi seksual që ndjeni gjatë nuhatjes është pjesërisht i ndërgjegjshëm dhe pjesërisht i pandërgjegjshëm. Ju duhet të shpjegoni se pse, ndonjëherë, ndjeni kërkesën urgjente për t’u fërkuar, për t’u përkëdhelur dhe që ta përpini njëri-tjetrin me epsh të pa rezistueshëm. Do të ishte një kaos i vërtetë, sikur çdo dashnor i mundshëm t’u eksitonte po njësoj. Nuk ka dyshim, që pamja, personaliteti, humori, interesat dhe vlerat që keni janë me shumë rëndësi, por nuhatja, është ajo që ndez epshin shtazarak. Kafshët kanë feromone, ashtu keni edhe ju. Ndërkaq, hollësitë specifike se si feromonet e njerëzve ngucin epshin, janë akoma çështje në diskutim shkencor. Ka të dhëna shkencore të besueshme që tregojnë, se uria për feromone është, pikërisht, dëshira e tërbuar për një dashnor të caktuar. Për shumë njerëz ju nuk ndjeni tërheqje intensive, madje, shumë prej tyre nuk u tërheqin fare. Pse ndodh kjo?  Sepse ata nuk kanë erën që ju tërheq të bëheni bashkë, si dy magnete të fuqishme. Akte seksuale normale, të shëndetshme dhe natyrale, janë ato për të cilat ju jeni të përgjegjshëm dhe të dy keni rënë dakord t’i bëni. Shumica e mendimeve, e ndjenjave dhe e sjelljeve tuaja seksuale, janë normale. Ndryshe nga shumë vende të përparuara të Evropës, ku seksi dhe seksualiteti janë më të shëndetshëm, tek ne, shumica e njerëzve mendojnë se kënaqësia erotike u takon të rriturve dhe ajo duhet provuar në martesë.

    Kur them këtë, nuk mendoj se djemtë dhe vajzat 13 vjeçare, janë gati për të bërë më shumë se vetëm masturbacion dhe puthje të lehta. Por njoftimet e organeve kompetente për përfshirjen e të rinjve të këtyre moshave në aktivitete seksuale të mirëfillta, janë tronditëse. Këshilla ime për këta adoleshentë të rinj është: Prisni të rriteni edhe ca. Ju, duke u rritur do të provoni më shumë. Mos u nxitoni! Jepini vetes shansin të mësoni për kënaqësitë e seksit gradualisht, natyralisht dhe pa telashe. Mësimet për seksin, duhet të jenë pjesë e gëzuar e rritjes tuaj.

    -Po si duhet të bëhet sot seks-edukimi në shkollë?

    Seks-edukimi në shkollë, nuk duhet të bëhet as i shtrembëruar e as i kufizuar. Seks-edukimi që bëhet sot u mohon të drejtën për të njohur seksualitetin tuaj. Nuk ka kuptim, që të moshuarit t’u mbulojnë me turp dhe ju të ndjeheni fajtorë për seksin. Mësimet moralizuese, që synojnë ta fshehin seksin nën qilim, nuk janë të moralshme. Ju me të drejtë jeni në ankth kur pyesni: A  jemi seksualisht normalë? Ankthi juaj e ka burimin tek fakti që seksi për shumë kohë ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sekret i vogël i pistë, i censuruar nga të rriturit dhe institucionet e tyre.

    Edukimi seksual në shkollën tonë, nuk ka profil të përcaktuar. Askush, nuk mund të thotë, në se tek ne bëhet edukim seksual instruktiv, që u mëson nxënësve të gjitha sekretet e këndshme të jetës seksuale dhe si të mbrohen nga rreziqet që ka seksi i pasigurtë, apo bëhet edukim seksual “vetëm abstinencë”, ku mësohen vetëm rreziqet e seksit.

    Metoda e edukimit seksual “vetëm abstinencë”, është represive, është një lloj censure. Ajo u  mëson:

    Të mos bëni seks deri në martesë.

    Të mos hapeni e të bisedoni me prindërit.

    Këshillon të vendosen filtrat për të bllokuar kompjuterët.

    Jep informacion të gabuar lidhur me efektivitetin e kondomeve.

    E shikon seksin siç shikon violencën seksuale, si dy të këqija të barabarta.

    Këto të gjitha janë shenja të censurës së pashëndetshme, ndërkohë, që ju keni nevojë për informacion seksual të kujdesshëm dhe për këshilla. Po të mos informoheni dhe të bëni  ashtu si gjeneratat e mëparshme, ju do të rriteni të frikësuar, obsesivë dhe të paditur. Mbani mend: Dija është forcë, por në punët e seksit, dija është superforcë.

    -Seksi në vetvete nuk është i rrezikshëm, por kur është i rrezikshëm?

    E rrezikshme është kur e trajtojmë atë si të tillë.  Jo vetëm për ju që jeni duke u rritur, por edhe për të rriturit, censurimi i informacionit seksual është i rrezikshëm. Ai i bën ata obsesivë për të gjitha pyetjet dhe “në qoftë se-të” që lidhen me seksin. Programet e edukimit seksual “vetëm abstinencë”, në mënyrë të sforcuar, u ushqejnë me ideologjinë fetare, që dënon masturbacionin, abortin, kontracepsionin dhe homoseksualitetin. Dhe … kjo bëhet në një kohë e në një vend, ku shteti është i ndarë nga feja dhe kur dihet, se kjo formë edukimi vë në rrezik shëndetin tuaj seksual.

    Mësuesit, profesorët, prindërit, fetarët dhe gjithë të tjerët, që duan të jenë të besueshëm prej jush, duhet të jenë të ndershëm me ju, me aventurat dhe intimitetet tuaja. Që të jenë të balancuar në këtë punë, ata, duhet të jenë më të çliruar dhe me më shumë humor, lidhur me takimet dhe jetën tuaj seksuale. Nga pyetjet dhe interesimi i të rinjve në blogun “seksologu.com”, kam arritur në këtë konkluzion: “Të rritesh seksualisht në Shqipëri, është sikur ecën në një fushë të minuar, ku vetëm pak shpëtojnë të padëmtuar”. Askush nuk pret që ju të gjithë të bëni të njëjtat zgjedhje. Shoqëria duhet të përkrahë pluralizmin e zgjedhjeve tuaja. Pluralizmi nuk është kundër pikëpamjeve morale. Ai pranon edhe abstinencën seksuale, por, për ata që e pëlqejnë dhe duan ta zbatojnë atë.

    -Thuhet se suedezët, i përgatisin të rinjtë për seks dhe nuk i pengojnë ta gëzojnë seksin..

    Suedezët e shohin interkursën seksuale të adoleshentëve, si një eksperiencë natyrale, midis të barabartëve. Seks-edukimi në Suedi, është seks-pozitiv, objektiv dhe i drejtpërdrejtë. Si rezultat, ata, kanë më pak shtatzëni të padëshiruara dhe më pak sëmundje infektive seksuale (SIS), krahasuar me shumë vende të përparuara të botës. Seks-edukimi i Finlandës, është i ngjashëm me atë të Suedisë. Seks-edukimi i kujdesshëm dhe informimi i pa paragjykuar, i ndihmon moshatarët tuaj finlandezë, të bëjnë zgjedhje të shëndetshme. Dhe..e dini çfarë ndodh? Adoleshentët finlandezë, mesatarisht, e fillojnë interkursën seksuale, një vit më vonë nga adoleshentët e shumë vendeve të tjera të përparuara, përfshi dhe Amerikën. Edhe ju, adoleshentët shqiptarë, ashtu si të rinjtë e Suedisë dhe Finlandës, meritoni që edukatorët tuaj të jenë të ndershëm dhe të hapur për problemet seksuale me ju. Ju nuk keni nevojë për predikime, që nuk i besoni dhe nuk i zbatoni.

    Kur them se nuk është mirë të shtypen dëshirat tuaja erotike,  kam parasysh edhe faktin që kultura jonë, në këto njëzet vjet tranzicion, ka marrë drejtim jo të duhur seksual. Në pak vite ne deshëm të bënim atë që vende të tjera e bënë për dekada. Në këtë ngut u bënë gabime. Ja pse në kushtet tona aktuale, ju dhe edukatorët tuaj, duhet t’i rimendoni dhe t’i rishikoni këto gabime. Duhet të përcaktoni se çfarë është seksi dhe çdo të thotë seksi për ju. Është fakt që adoleshentët dhe të rinjtë, sot, angazhohen në akte të shumta dhe të ndryshme seksuale. Ju vazhdimisht jeni të ekspozuar ndaj sjelljeve dhe motiveve që kanë formën e një gare seksuale. Ju futeni në këtë garë kur takoheni me një, ose me shumë njerëz. Ju takoni shokë e shoqe për të cilët ndjeni emocionalisht. Por ju takoni e bëni seks edhe me të tjerë, për të cilët nuk keni asnjë ndjenjë emocionale. Ju takoheni me partnerë që i keni vetëm për përfitime seksuale. Është zgjedhja juaj, gjithashtu, të mos përfshiheni në asnjërën nga këto akte seksuale (abstinenca), ose të hiqni dorë, vetëm, prej disave. Është krejtësisht normale që ta shprehni afeksionin dhe dashurinë nëpërmjet seksit, ashtu siç është normale ta gëzoni seksin, vetëm, si kënaqësi. Për t’u ndjerë më mirë me veten tuaj, ju duhet të kuptoni dhe të pranoni seksualitetin tuaj. Për të pasur mendje të shëndoshë, ju duhet të keni ndjenja pozitive për veten. Njerëzit me vetë-besim të lartë, bëjnë zgjedhje më të mira dhe u rezistojnë presioneve të shokëve, që i nxisin për sjellje rigide dhe të papërshtatshme. Mirëqenia juaj psiko-emocionale varet nga zgjedhjet që ju do të bëni dhe nga këto zgjedhje varet e sotmja dhe e ardhmja juaj.