Prof. Dan Mattsson Stockholm: Shqipëria, Shqiponja e Ballkanit

    421
    Ne ishim një grup i vogël të rinjsh nga Suedia që na lindi dëshira për të vizituar vendin e Shqiponjave, ashtu siç e kishim lexuar në librat e Ismail Kadaresë, por vështirësitë ishin të mëdha. Për t’u futur në Shqipëri, qoftë dhe si një vizitor i thjeshtë, duheshin bërë shumë procedura në ambasadën shqiptare. Shqipëria ishte vendi më i mbyllur në Europë dhe ne nuk dinim shumë për këtë, por ishim të interesuar të dinim më shumë për këtë vend të bukur buzë detit Adriatik, me alpet e manitëshme, me liqenin “Orhida” në Pogradec, një nga liqenet e rrallë dhe nga më të pastërit në botë, ku uji i tij i kristaltë thuhet se buron nga mali i Thatë dhe derdhja e tij krijon lumin Drin, që simbas poetit shqiptar Lasgush Poradeci, “Përshkon mes për mes Shqipërinë”. Për të ardhur si turist në Shqipëri ishte shumë e vështirë, sistemi i juaj nuk lejonte këdo që shprehte dëshirën për të vizituar, apo pushuar disa ditë buzë detit Adriatik, apo Jonian. E vetmja mënyrë për të ardhur dhe vizituar Shqiperine ishte futja apo anëtarësimi në shoqatën e miqësisë Suedi-Shqipëri për të mundësuar ardhjen si turist në grup. Ne ishim një grup prej dhjetë të rinjsh e të rejash, që u nisëm në veren e vitit 1981 nëpërmjet Budapestit drejt vendit të Shqiponjave, siç dhe kishim dëgjuar dhe lexuar për të, natyrisht linja e Tiranës me botën ishte vetëm një herë në javë. Budapest-Tiranë dhe kthim. Kureshtia e madhe na kishte bërë që diçka donim të shikonim në këtë vend të izoluar, ku historia na kish mësuar se ishte ndoshta i vetmi vend në botë që nëpër shekuj kishte nxjerrë dhe krenohej me heronjtë e vet. Gjithashtu ishte i vetmi vend në Europe çlirua nga pushtuesit, pa arritur ndërhyrja e SH B A apo Rusisë dhe Anglisë. Natyrisht, etja jonë e madhe ishte të shikonim nga afër historinë, vendlindjen dhe kalanë e heroit kombëtar shqiptar, por dhe dashamirësinë e shume vendeve dhe kombeve perendimore, Heroin Kombetar Shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeun. Megjithëse kishim udhëtuar dhe vizituar shumë vende të lindjes Komuniste, udhëtimi për në Shqipëri kishte emocionet e veta, një vend shumë pak i njohur dhe i pa eksploruar nga ne të rinjtë perëndimorë. Zeri i spikeres në autopolant se jemi mbi teritorin e Shqipërisë na bëri të kthejmë të gjithë sytë dhe të shohim të manitur nga lat vendin e shqiponjave për të cilin kishim mundur të lexonim dhe të njiheshim nëpërmjet aktiviteteve dhe shoqatës së miqësisë Suedi-Shqipëri, që nuk ishte aspak shoqatë politike, por një shoqatë që kultivonte ndjenjat e mirënjohjes dhe dashamirësisë ndërmjet vendeve dhe popujve europiane, të paktën për ne të rinjtë që kërkonim të njiheshim me historinë e vendeve të Ballkanit perëndimor në Suedi. Malet e larta, mbi të cilat po udhëtonim na mbushen me një lloj emocioni, gjithçka nga lartësia ishte e bukur. Së bashku me ne në këtë avion udhëtonin dhe një grup shqiptarësh emigrantë të vjetër nga SHBA, të cilet na çuditën me brohorimat e tyre, sapo zbritëm në aeroport ” Rroftë shoku Enver Hoxha”, gjë që për ne ishte një mënyrë ndoshta dashurie apo një lloj frike e pa njohur, sepse në asnjë vend të botës, ku kishim udhëtuar nuk na kish ndodhur ky fenomen, por shoqëruesja shqiptare na sqaroj se këta ishin emigrantë të vjetër shqiptare, miq të Partisë së Punës dhe shokut Enver Hoxha, ata kishin ardhur për t’u takuar me udhëheqësit e lartë të partisë dhe të afërmit e tyre në Shqipëri. Menjëherë na akomoduan në Hotel Adriatik në qytetin e Durrësit, ku na respektuan dhe shërbyen në një mënyrë të shkëlqyer dhe miqësore, aty për herë të parë ne po njihnim bujarinë dhe miqësinë e pastër të popullit shqiptar. Nga shikimi i ditëve të para ne kuptuam një të vërtetë që na gëzoj por dhe na hidhëroj. Shqipëria ishte një vend shumë i bukur, me njerëz të shkëlqyer. Por ishte shumë e varfër dhe nën diktaturë. Në grupin tonë kishim dhe një grua shkrimtare suedeze, e cila kishte qëndruar disa ditë në shtëpinë e Kadaresë, ajo na mundësoi një takim me këtë shkrimtar të madh dhe human. I madhi Kadare. Ne e njihnim vetëm nëpërmjet librave të tij shumica të përkthyer në gjuhë të ndryshme, por në Shqipëri dhe pikërisht në Hotel Adriatik, ku ai erdhi dhe na takoi së bashku me bashkëshorten e tij Z. Elena Kadare, ne patëm mundësinë ta takonim të bisedonim nga afër për disa orë me të. Zoti Kadare na dhuroi dhe librat e tij në hotel Adriatiku, ku në ishim akomoduar. Në vizitat tona në muzetë e Shqipërisë Tiranë, Krujë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Durrës, Vlorë ne njohëm nga afër përpjekjet dhe luftërat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, Ne pamë nga afër vendet arkeologjike, që nga Pellazgët dhe Ilirët, Muzeun e prijësit ushtarak dhe politikan, heroit të shqiptarëve, të madhit Gjergj Kastrioti deri tek plaku i urtë Ismail Qemali, ngritja e flamurit Shqiptar dhe shpallja e Pavarësisë në Vlorë, kjo na bëri të ndiheshim dhe më shumë krenarë për këtë vend të vogël, të varfër, por shumë të bukur. Ne vizituam afërsisht gjithë Shqipërinë, u pritëm nëpër universitete, shkolla, kampe pionerësh, aksione, ferma, koooperativa, ndërrmarrje bujqësore dhe industriale. Ne vizituam dhe Kombinatin Metalurgjik, një gabim i madh i Shqipërisë së asaj kohe në këtë investim të pa menduar, i cili binte ndesh me kodrat, taracat e gjelbëruara me ullinj, mandarina dhe portokalle, mollë, kjo ishte e kundërta e tymit të zi të Metalurgjikut dhe jo vetëm bukuria e Jugut, por dhe një investim origjinal që ja vlente të bëhej në atë vend të bukur dhe të vogël. Ne qëndruam dhe pamë Gjirokastrën dhe kalanë e saj në mal, u njohëm me historinë shekullore të këtij qyteti dhe kësaj kalaje, me Argjironë që u hodh nga bedenat për të mos ju dorëzuar pushtuesve, Parisin e vogël, siç na e thanë në Korçën Plakë, rrugët me kalldrëm dhe pastërtinë e pa fund të këtij qyteti me kulturë, qytetin e vogël, por përrallor të Pogradecit buzë liqenit shekullor “Ohrida” provuam dhe peshkun e famshëm Koran, fshatin e bukur Lin, fushën e Domosdovës, ku thuhej se Skënderbeu kish bërë një luftë të madhe me turqit, Kalanë e Petrelës, Muzeun Kombëtar, Krujën e bekuar, Lezhën dhe varrin e Skënderbeut, Kalanë e Shkodrës, ku mësuam dhe historinë e murit që ndërtohej ditën dhe prishej natën, nusen e re të murosur dhe murin që pikonte qumësht, Durrësin e vjetër me kalanë e tij, Fierin dhe Apolloninë, Butrintin. Gjithçka në Vendin e Shqiponjave ishte një histori, sa e vërtetë dhe përrallore, që çdokush do e kishte zili. Shqipëria ishte një vend i bukur, me njerëz të mrekullueshëm, duart dhe forca e shqiptarëve kishte ndërtuar në një vend të vogël gjithçka. Natyrisht ne nuk dinim pjesën tjetër, atë të diktaturës së proletariatit, që ishte instaluar në Shqipëri, ne nuk dinim burgosjet, vrasjet, internimet, persekutimet, të gjitha këto ne pak a shumë i mësuam pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri. Ne nuk e dinim se shumë nga ata që luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit, mbas çlirimit përfunduan nëpër burgjet politike, sigurisht ne nuk e dinim se ata që mendonin kundër apo ndryshe sistemit komunist, të drejtuar nga Enver Hoxha, ishin pushkatuar, dënuar dhe internuar, gjithashtu ne nuk e dinim se shumë vepra industrial, apo shfrytëzim minierash misterioze ishin ngritur, apo shfrytëzoheshin pikërisht këta kundërshtarë të regjimit komunist. Ne na shpjeguan se gjithçka ishte ngritur me duart e arta të rinisë dhe popullit shqiptar nëpër aksionet vullnetare. Në Shkodër ne pamë dhe vizituam një kishë që ishte kthyer në Pallat Sporti gjë e rrallë në botën perëndimore, ne ndoqëm dhe një ndeshje vojlebolli në atë kishë tashmë e kthyer në palestër sportive. Por ajo që ne na bëri me shumë përshtypje në vendin tuaj ishte se: Megjithë varfërinë dhe kushtet e vështira, ju shqiptarët ishit një popull besnik, mikpritës, i zgjuar, dhe i kulturuar. Ajo vizitë e jona dhe takimet me të rinjtë, studentët dhe kooperativistët për ne mbetën të paharruara, fotot e asaj vizite janë jo vetëm nëpër familjet e grupit që vizitoi Shqipërinë, por ato u botuan dhe në mediat e asaj kohe në Suedi. Ne, unë personalisht jam dhe mbetem një mik i Shqipërisë dhe i popullit të vogël, por krenar shqiptar, historia e juaj është një histori e përzier me krenari për gjithçka që kini bërë për vendin tuaj. Sigurisht, falë dhe mikut dhe nxënësit tim që takova ne Stokolm Urim Gjatës ne do ta vizitojmë përsëri me shumë kënaqësi vendin e Shqiponjave. Ju kini ndryshuar dhe kini bërë shumë ndryshime në rrugën tuaj të demokracisë, por unë do ju uroja që zakonet shqiptare,. si besa, mikpritja dhe dashuria të mos ndryshonin kurrë. Ato janë një resus për gjithë botën perëndimore. Prof. Dan Mattsson Stockholm.

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf në datë 15.12.2015
    Sigal