Prof. Assoc. Ilia Larti/ Etika duhet të zërë vend në vijën e sjelljes së çdo  punonjësi të policisë së shtetit

    493
    Sigal

    Të qenit e etikës prezent në vijën e sjelljes të çdo individi, është shumë e rëndësishme, si kudo dhe në çdo rast, por sidomos gjatë marrjes së vendimeve, për zgjidhjen e dilemave, bërjes së analizave, bërjes dhe ribërjes së “kodeve të etikës”, është një domosdoshmëri për çdo profesion, përfshi dhe atë të policimit. Në këtë aspekt, është një kërkesë e kohës sa dhe e nevojshme që ata që merren me fushën e moralit, specialistët, drejtuesit dhe çdo punonjës policie tjetër me përvojë, sikurse dhe ta ndjejë veten të aftë të kontribuojë në fushën e etikës (filozofisë morale), duhet të shprehë mendimet e tija. Kjo do të jetë patjetër një angazhim mjaft produktiv për të përfshirë mendimin më bashkëkohor në këtë fushë, sepse ndërthurjen e saj me përvojën më të mirë e më të suksesshme, nga jeta dhe veprimtaria në zgjidhjen e detyrave policore me shërbime pro aktive në interes të qytetarëve, do të ndikojë së tepërmi për t`ju siguruar atyre rend dhe qetësi si dhe për t`ju garantuar liritë dhe të drejtat që jua jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Është sa detyrim por edhe angazhim, sidomos për drejtuesit e Policisë së Shteti, të cilët duhet të jenë “etaloni” i sjelljeve dhe qëndrimeve etiketisht sa më të drejta në marrëdhënie me vartësit e tyre dhe qytetarët, pa bërë veçime në gjykimet dhe qëndrimet ndaj tyre. Drejtuesit duhet të njohin dhe kuptojnë mirë si dhe sa dhe drejt, rolin e etikës dhe sidomos, menaxhimin e saj, në mënyrë që të jenë të aftë të lartësojnë më tej të qenit e tyre sa më etik, në jetën dhe veprimtarinë e përditshme, sa vetjake, familjare, shoqërore dhe atë policore, si nga ana e përcjelljes së kulturës dhe edukatës qytetare, por dhe duke qenë sa më profesionalë në zgjidhjen e dilemave dhe sidomos në marrjen e qëndrimeve apo vendimeve.

     “Thesarin” apo “diamantin” që ka një drejtues e pasuron apo e shton atë nëpërmjet sjelljes dhe kuptimit njerëzor, i cili identifikohet me të qenit etik. Ai e përcjell të qenit etik, nëpërmjet kthjelltësisë së arkitekturës trunore, infrastrukturës së pasur shpirtërore. Sigurisht, parë kjo, me tërësinë e sigurimit të performancës sa më të plotë dhe sa më të  pastër, drejt një prirjeje fisnikërie sa më të virtytshme, për të bërë vetëm të mira në interes të njerëzve me të cilët punon dhe jeton, të çdo qytetari dhe gjithë komunitetit ku kryen detyrën dhe shërben.

     Në mënyrë kategorike nuk mund të fitohet respekti duke shkelur normat e të sjelljes dhe marrja e qëndrimeve etike jo të drejta. Duke filluar nga mos respektimi i vartësve, komunikimi me ta pa takt, përcjellja me egoizëm e arrogancë e mendimeve dhe urdhrave si dhe e mos përmbajtjes së vetes për të reaguar me gjakftohtësi, për gjetjen e rrugëve sa më të arsyeshme për arritjen mirëkuptimit reciprok. Pra, shkurt, kjo ka të bëjë me bërjen e të tjerëve për vete, sigurisht sa dhe i të qenit i devotshëm dhe gjithmonë në krye për realizimin e detyrave të përbashkëta, në interes të komunitetit.

     Kuptohet, një drejtues nuk do të jetë kurrë i suksesshëm dhe i respektuar në qoftë se ai: Iu bërtet vartësve të vet me vend e pavend, i ofendon, manifeston hapur mosbesimin ndaj tyre, tregohet i pa përmbajtur në komunikim dhe vendimmarrje. Në këtë mënyrë ai, për veç përbuzjes dhe mos respektit merr dhe reagimet e urrejtjes, here në mënyrë të fshehtë dhe here në mënyrë të hapur dhe nuk do të vonojë dhe drejtpërdrejta, apo ballë për ballë.

    Këto sjellje dhe qëndrime tregojnë se: Ky prototip drejtuesi, ka nivel të ulët intelektual, paaftësi drejtuese, organizuese, nuk di të dalë përtej vetes, nuk di të mendojë ndryshe dhe nuk ka aftësinë të vlerësojë dhe marrë në konsideratë idetë e të tjerëve.

     Ndërsa ai drejtues që shmang dhe nuk manifeston këto sjellje dhe qëndrime të tilla, është në gjendje: Të menaxhojë veten me anën e të qenit etik, duke vënë në qendër të vëmendjes së tij, njohjen përvetësimin dhe zbatimin e ligjit në mënyrë tepër rigoroze dhe për çdo atakim dhe mospërputhje di të reagojë nëpërmjet ndryshimit të stilit dhe metodës së punës.

     Në këtë aspekt, drejtuesi me patjetër duhet: Të njohë vartësit e tij imtësisht, duke filluar nga vlerat intelektuale, nivelin profesional, figurën morale, gjendjen e tij familjare, shoqërore, ekonomike dhe sociale e të tjera. Në këtë sens drejtuesi duhet që të mos nënvleftësojë individualitetin,  temperamentin, karakterin, autoritetin, personalitetin, gjendjen shëndetësore, vetitë e veçanta personale si dhe për të qenë reagues i drejtpërdrejtë ndaj të metave dhe dobësive që shfaqin apo manifestojnë ata individë që punojnë dhe zgjidhin detyra bashkë me ta.

     Sigurisht, drejtuesi që të bëhet i besueshëm dhe të ndiqet e mbështetet nga vartësit e tij, duhet të tregojë praktikisht:  Të qenit i  përkushtuar, kërkues dhe i përgjegjshëm ndaj detyrës dhe profesionit. Të manifestojë vullnetin, guximin, sakrificën, të qenit të vëmendshëm sa dhe angazhimin qytetar për të bërë llogaridhënie transparente dhe në mënyrë të vazhdueshme përpara qytetarëve dhe përfaqësuesve të tij, duke filluar nga hallkat më të vogla e deri te ato më të larta të pushtetit vendor.

     Drejtuesi, patjetër duhet të pranojë, vlerësojë dhe marrë në konsideratë e me kurajë: Vërejtjet dhe dobësitë, por edhe të shprehë qartë se si do të reagojë dhe ndërtojë punën për të eliminuar defektet dhe dobësitë e konstatuara dhe të bëra prezent. Të dijë të ndërthurë mirë përvojën më të mirë dhe të suksesshme, me idetë dhe arritjet më bashkëkohore dhe më progresiste, parë këto në sensin sa më etik dhe të frymës iluministe.

     Ata drejtues (eprorë apo superiorë), që nuk i shohin vartësit (ndihmësit), si një vete, pra si njerëz, në sensin e kuptimit njerëzor, ku të metat t`i quajnë  përgjegjësitë e tyre dhe sukseset t`i ndajë me vartësit, gjithmonë do ta kenë të vështirë të udhëheqin e drejtojnë me kompetence dhe të ndiqen me dashamirësi nga njerëzit me të cilët punojnë. Kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari, nuk do të vonojë të humbasë besimin e vartësve, pra ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkatërrojnë “diamantin” e krijuar me shumë sakrifica për një kohë të gjatë  me duart e tyre. Në çdo kohë dhe situatë, kur ata drejtues nuk do të kuptojnë dhe vlerësojnë të vërtetën, kur diamanti i tyre (sjellja, kuptimi njerëzor, qëndrimi etik e të tjera) fillon të thërrmohet, kjo situatë apo gjendje, fatkeqësisht dëmton dhe godet jo vetëm drejtuesit, por dhe  vartësit e tyre, ku patjetër kjo ndikon dhe reflekton në prishjen e imazhit të shërbimit dhe gjithë organizatës policore. Ndjeshëm ndikon në komunitet  opinioni dhe imazhi i organizatës policore, kur punonjësi i policisë si person publik i kthen në bindje të qëndrueshme teorike dhe shprehi praktike të vetëdijshme, rregullat e jetës së përditshme dhe normat e etikës profesionale policore. Cilësitë morale të një punonjësi policie i ngre vlera shpirtërore, pra të qenit e tij sa më objektiv dhe human, duke arritur të zgjidhë dilemat apo konfliktet midis qytetarëve me sa më me drejtësi dhe vërtetësi, nëpërmjet ndershmërisë profesionale, sjelljeve humane dhe duke pasur për bazë zbatimin e ligjit dhe vetëm të ligjit. Drejtuesi duhet të ketë njohje të thellë dhe kontroll absolut mbi kapacitetet, aftësitë natyrale, vlerat morale, gjendjen fizike për secilin vartës (ndihmës) dhe mbi këtë bazë duhet të përzgjedhë, propozojë dhe emërojë, specialistët dhe profesionistët më të mirë si pas prirjeve dhe përvojës së suksesshme në zgjidhjen e detyrave në përgjithësi dhe ato të policimit në veçanti.