Prof.Assoc. Ilia LARTI/ Edukimi me normat etike kulturon qytetarët

    511
    Në këtë kohë, është shumë e vështirë të flasësh dhe të shkruash apo përmendësh fjalën “edukim”, sepse ky term sot për sot mbart “ngarkesa” negative dhe të padrejta, madje mjaft qytetarë që kanë përjetuar të kaluarën, ndjejnë “alergji” nga ky term, sepse iu kujton format e edukimit, plot slogane dhe mërzi.
    Por nga ana tjetër lënia fare pas dore e edukimit me një qëllim dhe këndvështrim të ri, ka sjellë dhe sjell mjaftë mangësi në të sjellit dhe qëndrimit të kulturuar të qytetarit ndaj vetvetes, individit, shoqërisë dhe shtetit.
    Në fakt, termi ”edukim” shpreh konceptet, formimin dhe veprimet praktike, të një qytetari të cilat evidentojnë formimin e kulturuar, sjelljen e qytetëruar, të shfaqurit e mendimit të “urtë” dhe të pjekur, gjatë qëndrimeve në jetën dhe veprimtarinë personale dhe të asaj shoqërore, parë këto në interes të së mirës së përgjithshme.
    Ky term sikurse vihet re nga etimologjia e tij, përmbledh njëkohësisht aspektin intelektual, psikologjik dhe atë moral.
    Për edukimin shprehen shumë filozofë si:
    Rabwleja: Donte të formonte “një kohë të mbushur mirë”
    Montenji: Preferonte “një kohë të formuar mirë”
    Rusoi: Këmbëngulte “për një shpirt njerëzor me norma dhe parime të moralshme”.
    Ogyst Konti: I jepte shumë rëndësi ”krijimit të mendimit, arritjes së formimit dhe kryerjes së veprimeve në interes të individit dhe shoqërisë”.
    Sot qytetërimi modern midis të tjerash kërkon: intelektualitet, profesionalizëm, humanizëm dhe pastërti morale, të cilat arrihen vetëm nëpërmjet edukimit të përgjithshëm, të vazhdueshëm dhe në kërkim të parametrave dhe eksperiencave më pozitive dhe më bashkëkohore të botës moderne.
    Qëllimi i edukimit është fillimisht arsimimi, të përshtaturit në shoqëri dhe si finalitet ka, formimin e një gjykimi të lirë vetjak dhe vënien në evidencë të mendimit të arsyeshëm kolektiv, në interes të së mirës së përgjithshme.
    Pra edukimi, shpreh një proces sa të domosdoshëm po aq dhe të dobishëm për jetën dhe veprimtarinë e njeriut, që ai të bëhet “i miri” i vetvetes dhe ndaj të tjerëve.
    Nëpërmjet edukimit synohet që të strukturoret “infrastruktura shpirtërore” duke pasur për bazë njohjen dhe zbatimin e normave etike parimeve moral, për të arritur drejt vlerave më të spikatura të jetës shoqërore, të nisura këto nga kërkesat më bashkëkohore , të një qytetërimi sa më modern dhe demokratik.
    Në substancë të këtij konteksti, shfaqet ai mendim e veprim aplikativ, për të transformuar parametrat normative “të sjelljes” dhe “të qëndrimeve’ të individit në shoqërinë ku jeton e kontribuon, në “reperë” shpirtërorë të cilët lozin rolin e vetë orientimit të individit në përzgjedhjen e mënyrës, për marrjen e qëndrimeve dhe kryerjen e veprimeve në interes të së vërtetë dhe të së drejtës.
    Në këtë këndvështrim, edukimi është një mënyrë “programimi”, ku shoqëria dhe institucionet e tij synojnë të ndërtojnë, nëpërmjet normave dhe parimeve ato vlera reale, sa ligjore dhe morale që kërkojnë zhvillimet e shoqërisë së përparuar demokratike, me qëllimin për realizuar sa më mirë dhe sa më shpejt, nivelet e mirëqenies dhe lumturisë së synuar.
    Pra synimi dhe qëllimi, për të arritur finalitetin e tij edukimi, konstaton që të krijojë, rruajë dhe përsosë kohezionin shoqëror. Këtu sigurisht bëhet fjalë dhe për sistemin social, të normave morale dhe vlerave, ku ky i strukturon të gjitha marrëdhëniet shoqërore, në nivel individi, grupi dhe të shoqërisë në tërësi.
    Shoqëria në këtë këndvështrim shoqëror, kërkon zyrtarisht që të kihet parasysh dhe të zbatohen kriteret e pranueshme, për t’i parë gjërat në aspektin e aplikimit të normave etike, të cilat ofrojnë zgjidhjen e dilemave, në mënyrë sa më të drejtë, nëpërmjet dallimit: të “së drejtës” nga “e padrejta”, “të vlerësuarin” nga ai “që përbuzet”, “të legjitimuarën”, nga ajo që është ”ilegjitime” tej.
    Në këtë aspekt shoqëria ndërton institucionet e formimit dhe motivimit publik, për të nxitur qytetarë që të kërkojnë e realizojnë normat e etike në interes të së mirës së përgjithshme dhe të mos iu lejohet dhe lëshohet teren veprimeve jo etike, veseve dhe qëndrimeve antiligjore.
    Nëpërmjet aplikimit të normave etike, të cilat ndikojnë në krijimin e parimeve, krijohet mundësia reale për formimin dhe përsosjes e vlerave morale të cilat duke “pushtuar” infrastrukturën shpirtërore” të njeriut, e çojnë atë drejt konsolidimit të plotë të virtyteve të cilat janë:
    -Atdhedashuria
    -Ndershmëria
    -Drejtësia
    -Korrektësia
    -Përkushtimi
    -Përgjegjshmëria qytetare
    -Barazia
    -Paanësia
    -Toleranca e kulturuar
    -Vendosmëria për të mbrojtur të vërtetën.. e tej.
    Bërja realitet e këtyre virtyteve nëpërmjet edukimit të programuar e të përshkallëzuar, do të formojnë, qytetarë dhe njerëz “të mirë”, në të gjitha fushat dhe profesionet.
    Kjo sigurisht që të realizohet dhe çohet më tej kërkon një praktikë të tërë, sa serioze, morale dhe sociale, pra do motivimin real të njeriut të punës, të vlerave dhe të virtyteve, duhet nderuar, respektuar dhe motivuar moralisht dhe materialisht.
    Në këtë aspekt, nuk është mendimi thjesht, për tu vlerësuar dikush, por shoqëria, institucioni, drejtuesi, të cilët të tregojnë vendosmërinë, për të inkurajuar, nxitur e mbështetur, cilindo njeri që është në anën e vlerave dhe virtyteve morale sa të aspektit shpirtëror dhe të atij social.
    Kuptohet që ky arsyetim kërkon që të mos harrohet e ngelet në hije ajo, çka kërkohet për arritjen e treguesve, që të meritohet motivimi.
    Ky këndvështrim kërkon transparencë, pra vlerësimet të mos bëhen apriori, me opinione, orientime dhe nga pozicioni i shoqërisë së sëmurë, të cilat kanë në “shtratin e bashkëjetesës”, psikologjinë e “njëshit” e të “fortit” të bërjes së “gjëmës” të ndërhyrjes për heqjen “qafe” nga puna tej., të cilat “poshtërojnë” vlerat e ngrenë lart “antivlerat”, ku nga këto mendime dhe veprime përfitojnë individët e “shkathët” si: servilët, lajkaxhinjtë, parallinjtë e të tej. Kjo kategori njerëzish dinë të përfitojnë padrejtësisht, në kurriz të atyre që bëjnë punën dhe që dinë të shfaqin me efektivitet forcën e mendimit dhe vetitë më të mira morale për kryerjen e detyrave në interes të shoqërisë.
    Pra, këta individë, nga pozicioni i drejtuesit apo postit që kanë në një institucion, “mbytin” mendimin e arsyeshëm të qytetarit, të anëtarit të grupit, por kanë dhe guximin që të kundërshtojnë arsyetimin kolektiv (treguesi më thelbësor i një shoqërie demokratike), ç‘vleftësojnë mendimin intelektual, përbuzin aftësitë dhe nivelin profesional, ulin dhe ofendojnë të moralshmin, e të tej., dhe krijojnë imazhin se shteti është një “lopë”, që duhet mjelur mirë dhe veçanërisht për interesa vetjake, apo të një grupi të vogël, që ka familjaritetin dhe shoqërinë e sëmurë (nepotizmin) për të shfrytëzuar autoritetin e vendit të punës dhe që ndikon për përfitime personale.
    Në këtë aspekt shfaqen gati hapur si: emërimet e pa merituara, dhënia e posteve pa përmbushur kriteret, duke mos iu përmbajtur kërkesave ligjore e të tej. Këto veprime sigurisht nuk justifikohen, s’mbahet dhe as përgjegjësi, si në aspektin moral dhe atë ligjor, sepse kuptohet, prapa tyre fshihet “ustai”, që shuan apo shkrin çdo tentativë kundërvënieje. Sigurisht, këto atakojnë gjithë opinionin qytetar, por në mënyrë të veçantë, njerëzit e ndershëm që duan të kontribuojnë, me mendimet e tyre intelektuale dhe aftësitë profesionale të cilët kanë të drejtën që të punojnë e kontribuojnë, me figurën e tyre ë pastër morale.
    Sigal