Prof.Assoc. Edlira HAXHIYMERI:“Sa herë flasin intelektualët, politika duhet të marrë kohën e nevojshme edhe të dëgjojë”

    487
    Sigal

    Intervistë me lektoren e Punëve Sociale, Prof.Assoc. Edlira HAXHIYMERI

    Në rubrikën e sotme të Shkencave Sociale kemi të ftuar një pedagoge me përvojë të gjatë në Universitetin e Tiranës dhe mjaft aktive në jetën socio-politike të vendit. Bëhet fjalë për Prof. As. Edlira Haxhiymeri. “Nëse ky vend do të ndryshonte një ditë, unë besoj se këtë nuk e bën dot as klasa politike aktuale, as ndërkombëtarët, as integrimi, por vetëm Arsimi”, kështu është shprehur ajo kur e kemi pyetur për cilësinë e sistemit universitar sot dhe mundësitë që i jep ai lektorëve dhe studentëve për të plotësuar pritjet e tyre. Për këtë dhe tema të tjera socio-politike, si dhuna nda grave, integrimi në BE, gjendja e shoqërisë shqiptare, është folur në vazhdim të intervistës.  

     -Prof. Edlira, ju kemi zgjedhur të jeni pjesë e bashkëudhëtimit tonë me personalitetet që kontribuojnë në auditorët e universiteteve shqiptare dhe më gjerë. Sa e nxit sipas jush sistemi universitar shqiptar ngjitjen nga personi te personaliteti?

    Duke ju falënderuar për ftesën, por edhe për hapësirën e krijuar në median tuaj, mund t‘ju them se ndihem e plotësuar në detyrën time si pedagoge në Universitetin e Tiranës. Puna prej më shumë se 25 vitesh në këtë institucion më ka dhënë kënaqësinë e rritjes time profesionale si lektore, kërkuese, koordinatore të disa projekteve lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Ky angazhim ka rritur tek unë ndjeshmërinë për probleme të shoqërisë në zhvillim dhe më ka inkurajuar në angazhime civile dhe politike. Parë në tërësinë e tyre, këto angazhime kanë plotësuar tek unë nevojën për zhvillim.

     2-Në çfarë përpjesëtimi është, sipas jush, raporti titull akademik dhe cilësimi “Personalitet i fushës”?

    Për mendimin tim, në një situatë normale vlerësimesh të kontributeve të personaliteteve në fusha të caktuara, titulli akademik dhe cilësimi si “personalitet i fushës” shkojnë bashkë. Individët kontribuues në fushën akademike bëhen të njohur në mësimdhënie, në fushën e kërkimeve, në prezantimin e rezultateve të punës së tyre në publik, në aktivitete masive për edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut, në qëndrime të tyre lidhur me programe, strategji dhe politika zhvillimore. Të gjitha sa më sipër e bëjnë individin si fitues të titujve akademik ashtu edhe personalitet të fushës. Megjithatë, duhet thënë se jo gjithmonë ndodh kështu. Ka shumë personalitete të jetës universitare që nuk kanë rendur pas titujve akademik, por mbeten personalitete të fushës, ashtu siç ka edhe shumë bartës të titujve akademik që nuk i njeh askush.

     -Si e vlerësoni cilësinë e arsimit të lartë sot? A po i përshtatet ai tregut, i cili thotë: Kërkoj njerëz me diplomë, pavarësisht dijeve!?

    Unë besoj se i përkas atij grupi social që vlerëson dhe beson shumë tek arsimi. Nëse ky vend do të ndryshonte një ditë, unë besoj se këtë nuk e bën dot as klasa politike aktuale, as ndërkombëtarët, as integrimi, por vetëm Arsimi!

    Nga ky këndvështrim mendoj se arsimi tek ne lë shumë për të dëshiruar. Ju pyesni për arsimin e lartë. Arsimi i lartë shpreh gjendjen e përgjithshme të vendit. As më shumë, as më pak. Është një tranzicion 20 e ca vjeçar! Kuptohet që shumë gjëra kanë ndryshuar. Arsimi i lartë është bërë i arritshëm, i mundshëm për grupe dhe shtresa që më parë as nuk mund ta mendonin ndjekjen e arsimit të lartë. Arsimi i lartë është pasuruar me më shumë programe dhe nivele studimi. Shumë prej njohurive që ofrohen në arsimin e lartë janë bashkëkohore dhe të krahasueshme me të shkollave të tjera në rajon dhe më gjerë. Stafi mësimdhënës është rritur profesionalisht falë edhe mundësive për t’u shkolluar jashtë vendit.

    Por, arsimi i lartë vuan mungesën e cilësisë. Duhet të kemi parasysh se një kontingjent studentësh të shkëlqyer largohen nga vendi për t’i vijuar studimet jashtë vendit. Këta i mungojnë auditoreve tona. Vlerësojmë krijimin e mundësinë të tyre për një shkollim më të mirë, por ndjejmë mungesën e tyre. Ka një pjesë studentësh që zgjedhin të studiojnë, të rriten personalisht dhe profesionalisht dhe ata i takojmë çdo ditë në auditoret tona. Ka edhe nga ata që zgjedhin të blejnë një diplomë. Edhe këta e kanë zgjedhjen e tyre. Fatkeqësisht tranzicioni ka krijuar disa modele të shpërfytyruara të arsimit. Në botën e civilizuar, përgjithësisht, liria e veprimit përdoret në funksion të zhvillimit dhe përparimit. Tek ne ka ndodhur e kundërta. Do të ishte investim për përparimin e vendit sikur universitetet private të investonin në krijimin e elitave, siç ndodh në shumicën e tyre. Jeta, tregu i punës, konkurrenca e bëjnë diferencën. Tregu i deformuar i punës aktualisht nuk është një tregues i besueshëm i vlerës së arsimit të lartë. Edhe ky është pjesë e tranzicionit.

               -A mund të themi se shoqëria shqiptare karakterizohet nga një apatizëm social dhe nënshtrim i theksuar nga klasa politike?

    Jam kategorikisht kundër mendimit se shoqëria shqiptare karakterizohet nga një apati sociale! Një sy i kujdesshëm do të vlerësonte diçka tjetër. Shoqëria shqiptare është në hall! Ajo nuk ka mundësi për zgjedhje! Ajo nuk mund të reagojë ndaj problemeve të ndryshme që përjeton pasi çdo reagim i saj përdoret politikisht nga njëri krah i politikës apo nga krahu tjetër. Pikërisht këtë nuk do shoqëria shqiptare. Prandaj hesht. Ajo është e lodhur nga politika. Është e lodhur nga ‘përdorja’. Shqiptarëve ju duhet të zgjedhin midis dy të këqijave. Ju duhet të zgjedhin të keqen më të vogël! Shqiptarët nuk shikojnë shpresë. Nuk kanë alternativë. Nuk kanë besim. Ofertat janë të ngjashme! Madje shpesh kopje të deformuara të njëra-tjetrës. Ndaj ata kanë zgjedhur të heshtin! Po kjo nuk është apati. Kjo nuk mund të quhet as nënshtrim nga  klasa politike. Është fati ynë i keq. Deri kur kështu? Mbase deri sa të shfaqet një ofertë e re që ngjall besim! Shpirti i një populli ushqehet nga besimi dhe shpresa!

     -Ndërtimi institucional-politik i shoqërisë shqiptare, është në avantazh apo disavantazh të femrës shqiptare sot?

    Shoqëria shqiptare mbetet një shoqëri me profil të theksuar maskilist. Në rrjedhojë të saj,  edhe institucionet e politika kanë një profil maskilist. Madje, organizimi institucional dhe politik i shtetit e ka theksuar edhe më shumë këto lloj profili. Në fakt, dy dekadat e fundit janë shoqëruar me ndryshime të thella të legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ngritjen e strukturave përgjegjëse në këtë fushë, pasurimin e politikave me aspekte të barazisë dhe drejtësisë për të gjithë shtetasit etj, por ajo që ndodh në jetën e përditshme është shumë ndryshe nga ajo që shkruhet. Retorika e politikës mbetet flas kur vihet përballë realitetit.

    Për ta ilustruar sa më sipër, do të ndalem vetëm në një moment. Është folur shumë për pjesëmarrjen e gruas në politikë. Më së fundmi, janë arritur shifra optimiste për to. Por, sa e vlefshme është pjesëmarrje e gruas në politikë kur ato (gratë e politikës) më së shumti përdoren prej saj për të goditur njëra-tjetrën. Kam parasysh këtu deputetet femra që akuzojnë deputetet femra të krahut të kundër apo figura femrash të vëna në fokus të akuzave a thua se mbaruan burrat e majmur nga korrupsioni dhe të vetmet që bëjnë ‘krim’ na qenkan gratë e politikës apo gratë e lidhura me politikën!!!

    Ky fakt më përforcon idenë se konstruksioni institucional-politik i këtij vendi do të vazhdojë të vuajë edhe për disa kohë nga ndjenja e nënshtrimit dhe e përdorimit abuziv të gruas!

      -Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në vendin tonë. A flet kjo për patriarkalitet të shoqërisë tonë edhe në shek. XXI?

    Dhuna ndaj gruas është një problem mbarë botëror. Nuk është problem vetëm shqiptar. Ajo ushqehet nga faktorë të ndryshëm. Kultura ka rolin e saj. Faktorë të tjerë si arsimimi, stresi, vështirësitë e jetesës, sëmundjet mendore, ndarja e pushtetit/kontrollit në familje, modeli i familjes, rolet gjinore, diskriminimi gjinor, legjislacioni parandalues dhe penalizues, shërbimet mbështetëse janë të gjithë faktorë që e nxisin ose e parandalojnë këtë fenomen të dhimbshëm të shoqërisë. Natyrisht, modelet që familja shqiptare përcjell janë të ngarkuara me më pak dialog, me më pak hapësirë për t’u rritur dhe zhvilluar në mënyrë të barabartë brenda saj, me më pak përfshirje dhe më pak mbështetje për anëtaret e saj femra. Një kulturë e tillë brenda familjes prodhon modele gjinore të karakterizuara nga pabarazia. Modele të tilla gjinore kur përballen me situata dhe vështirësi në raport me mjedisin jashtë familjes, gjenerojnë dhunë në momente të caktuara.

    Ky realitet na vë të gjithëve përpara përgjegjësisë për një investim sa më afatgjata me qëllim ndryshimin e modelit të funksionimit të familjes sonë.

     -Sa efektive mendoni se janë projekt-strategjitë mbrojtëse nga institucionet shtetërore ndaj grave të dhunuara?

    Më duhet të theksoj se lufta për të eliminuar apo zbutur dhunën ndaj grave në Shqipëri ka një histori të sajën gati 20 vjeçare. Në fillimet e ndryshimeve politike në vend, mbase problemi më i parë social që filloi të diskutohej, ishte pikërisht dhuna ndaj gruas. Asokohe, shumë prej nesh as nuk mund ta pranonin ekzistencën e këtij problemi. Ka kaluar kohë. Publiku është ndërgjegjësuar. Institucionet e kanë pranuar si problem. Legjislacioni ka ndryshuar. Janë ngritur shërbime trajtuese dhe parandaluese. Të mbijetuarat e dhunës marrin shërbime të specializuara dhe mbështeten në forma të ndryshme nga institucione dhe organizata të ndryshme. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Fakti që brenda një viti numërohen disa viktima, gra dhe vajza, të dhunës ekstreme në familje, tregon se gjithçka është bërë deri më tani nuk është e mjaftueshme për të ndaluar dorën kundër gruas. Ajo çfarë është ngritur deri më sot duhet përshëndetur, por hapësira për ndërhyrje nga institucionet publike dhe jopublike është shumë më e madhe.

     -Sa efektive mendoni se është ndërhyrja e intelektualëve në politikë për realizimin e detyrave politike?

    Kontributi i intelektualëve në politikë besoj se do të kishte ndikuar për ta ‘qytetëruar’ politikën tonë. Fatkeqësisht, politika tek ne nuk i duron dot intelektualët. Ajo i ka shpërfillur me kohë ata. Politika tek ne preferon ‘muskuj’ dhe ‘xhepa’. Pra, politika preferon të fortët fizikisht dhe jo të fortët mendërisht.

    Për mendimin tim, sa herë flasin intelektualët, politika, më së paku, duhet të marrë kohën e nevojshme edhe të dëgjojë. Jam e sigurt që diçka do të përfitonte. Kur flasin intelektualët politika nuk duhet të guxojë të përdorë pseudointelektualët kundër tyre. Aq më pak të përdorë individë me koeficient inteligjence nën mesataren, për t’ju kundërvënë. Kjo tregon edhe njëherë se sa pak politika aktuale  i vlerëson intelektualët. Një vend, një komunitet, një organizatë apo një grupim që nuk respekton dhe nuk vlerëson intelektualët e vet, nuk mund të përparojë. Vendet nuk drejtohen nga mendjet e sëmura, por nga mendjet e ndriçuara.

     -Çfarë mendoni për trumbetimin e vazhdueshëm të qëllimit të integrimit të Shqipërisë në BE?

    Personalisht e shikoj procesin e integrimit europian të Shqipërisë si një proces të cilit i jemi bashkëngjitur tash e 22 vjet më parë. Ka qenë një proces i vështirë që ka kërkuar edhe sakrifica nga qytetari  më i thjeshtë deri tek grupimet e forcat politike. Por ndërsa qytetarët i kanë pranuar dhe përjetuar sakrificat (e provon fakti që kanë mbështetur proceset demokratike), politika nuk e ka bërë këtë. Politika e ka përdorur integrimin për përfitime.

    Nëse njëri krah i politikës kërkon ta prezantojë integrimin si produkt të vetin për përfitim politik, krahu tjetër bllokon procesin për të djegur kartën e integrimit të kundërshtarit politik. Asnjëra nga palët nuk është e sinqertë me qytetarin! Kostoja rëndon mbi qytetarin. Përgjegjësia e opozitës në këtë rast është e madhe.

    Përmbushja e ëndrrës shekullore të shqiptarëve është një sfidë më vete po të kemi parasysh se Europës nuk i duhet një nxënës ‘trazovaç’ në klasë.

      – A i duhet shoqërisë tonë të integrohet në një organizëm më të përparuar që të ndërgjegjësohet për rëndësinë e saj socio-politike?

    Natyrisht që shoqërisë sonë i duhet integrimi në një organizëm më të përparuar për të krijuar një vizion të ri, për të projektuar rrugë të reja zhvillimi, për të përcaktuar rregulla të qarta loje dhe për të mësuar modele të reja sjelljeje.

    Kjo është pozitive për këdo. Por klasa jonë politike nuk e preferon këtë gjë. Duket sikur asnjëra nga palët nuk e do një gjë të tillë. Madje, herë- herë, të krijohet përshtypja se të dy palët janë në akord për të mos e çuar Shqipërinë në familjen europiane. Dhe e dini pse? Populli thotë “ujku mjegull do’. Klasa jonë politike kërkon të vazhdojë të qeverisë sipas stilit ‘merr çfarë të marrësh, fito çfarë të fitosh sa pa u futur në Europë’.