Prof.Asoc.Dr.Rrapo Ormeni: “Do të kemi të tjera tërmete në ditët në vijim”

    508
    Sigal

    Flet Prof.Asoc.Dr.Rrapo Ormeni: Lushnje-Elbasan-Dibër, një nga zonat më sizmike të Shqipërisë

    Të tjera goditje tërmetesh pritet të vijojnë në ditët në vazhdim, pasi kjo është ligjësia e tërmeteve me pasgoditje, deri sa ato të shuhen. Kështu është shprehur në një intervistë për “Telegraf” prof. asoc. dr. Rrapo Ormeni. “Kjo është një ligjësi e tërmeteve me pasgoditje. Prandaj kjo zonë ka qenë e rrezikuar nga rënia e këtyre pasgoditjeve deri sa ato shuhen, që do të thotë se në brendësi të tokës të vendoset gjendja e ekuilibrit”, shprehet specialisti i sizmiologjisë Ormeni. Tërmeti i rënë në datën 19 maj me magnitudë 5,2 Rihter, në jug të Belshit, sipas z. Ormeni, ka qenë qoditja kryesore, ndërsa ato që kanë vijuar në datën 20 kanë qenë pasgoditje, sigurisht me magnitudë më të vogël se goditja kryesore. Më tej ai analizon fenomenin, llojin e tërmetit si dhe hartën sizmologjike të Shqipërisë.

    Duke parë vijimësinë e tërmeteve, ju lutem më bëni një ekspoze, përsa i përket fenomenit?

    Data 19 Maj 2014 ora 00h:59m (02h :59m ora lokale), Rrjeti Sizmologjik i Institutit Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Universiteti Politeknik i Tiranës ka regjistruar seri tërmetesh, ku tërmeti i parë ishte me magnitudë  ML = 5.2. Epiqendra paraprake është lokalizuar 6 km në Jug Lindje të Belsh-it, 19 km në Lindje të qytetit të Lushnjës në koordinatat  40.93V; 19.92L. Intensiteti i tërmetit në epiqendër është VII ballë.

    Tërmeti është ndjerë: VI-VII ballë në zonat përreth  Mollas, Gostim, Belsh, Cërrik; VI ballë në qytetin e Elbasanit, Lushnjës, Kuçovës dhe Gramshit; V-VI në qytetet e Beratit, Fierit, Kavajës, Tiranës; IV-V ballë në qytetet Vlorë, Tepelenë, Çorovodë, Pogradec, Krujë. Tërmeti është shoqëruar nga 10 pasgoditje të lokalizuara: Këto pasgoditje kanë magnituda 2.8 deri 4.5 Rihter. Pasgoditja më e madhe ka ndodhur me datën 20 Maj ora 06.43 minuta sipas këtyre të dhënave: Data 20 Maj 2014 ora 04h:35m (06h :35m ora lokale), ML = 4.5(Rihter). Epiqendra paraprake është lokalizuar 9 km në Jug të qytetit Cërrik në koordinatat  40.95V; 20.03L. Intensiteti i saj në epiqendër është 6 ballë. Kjo është ndjerë: V-VI ballë në qytetet e Cërrikut dhe Belshit; V ballë në qytetet e Elbasanit, Lushnjës, Kuçovës dhe Gramshit; IV-V ballë në qytet e Tiranës, Fierit dhe Beratit.  Në ditën e sotme kemi edhe 2 pasgoditje në orët 05h:05m (07h :05m ora lokale) me magnitud Md = 2.8 (Rihter) dhe 11h:21m (13h :21m ora lokale) me magnitud Md = 3.7 (Rihter) e ndjer IV-V ballë në Cërrik e Belash dhe IV ballë në Elbasan, Lushnjë dhe Kuçovë.

     Pse këto tërmete dhe çfarë parashikohet më tej?

    Tërmeti me magnitudë 5.2 Rihter quhet një tërmet mesatar në të cilën futen tërmetet me magnitudë 5 deri 7 Rihter. Ndjeshmëria e tërmetit dhe efekti i tij në objekte ndërtimore në sipërfaqe të tokës përcaktohet nga Intensiteti i tërmetit. Intensiteti i këtij tërmeti në epiqendër është VII ballë (MSK-64). Tërmetet e shkallës VII ballë janë tërmete në të cilat fillojnë dëmtimet në objekte në sipërfaqe pranë zonës epicentrale. Edhe ky tërmet është shoqëruar me dëmtime të lehta në shtëpi dhe objekte pranë zonës epicentrale.

    Pasgoditja më e fortë 4.5 Rihter ka rënë datën 20.05.2014 në orën 06 e 43 minuta më të vogël se goditja kryesore. Kjo është një ligjësi e tërmeteve me pasgoditje. Prandaj kjo zonë ka qenë e rrezikuar nga rënia e këtyre pasgoditjeve deri sa ato shuhen, që do të thotë se në brendësi të tokës të vendoset gjendja e ekuilibrit. Deri sa të arrihej kjo gjendje ekuilibri që do të thotë se do të çlirohet pjesa e energjisë e paçliruar nga goditja kryesore (main-shock), pra do të kemi tërmete të tjerë më të vegjël që ne i quajmë pasgoditje (after shock).

    Pasgoditja e datës 20 maj M=4.5 është e spostuar më në lindje, në lidhje me goditjen kryesore. Shkaku i saj është se çlirimi i energjisë sizmike nga goditje kryesore ka bërë që në një lineament më të afërt të rritet sforcimi i akumuluar dhe si rrjedhojë shkëmbi në brendësi të tokës të mos i rezistojë këtij sforcimi dhe të gjenerojë këtë lëkundje si pasgoditje e tërmetit kryesor.

     Si klasifikohet, me ç’lloj tërmeti kemi të bëjmë në këtë rast?

    Zona ku ka rënë tërmeti bën pjesë në zonën tërthore sizmoaktive Lushnje-Elbasan-Dibër, e cila është një nga zonat më sizmioaktive të ndodhjes së tërmeteve, si përsa i përket shpeshtësisë së tyre, edhe madhësisë së energjisë që çlirojnë. Duke njohur karakteristikat sizmike të kësaj zone marrja e masave për të kryer ndërtime të mira rezistuese minimizon ose eleminon dëmtimin e tyre, si pasojë e tërmeteve të forta. Pra, siç shihet, vendi nuk është i izoluar nga dukuri të tilla, ai përfshihet nga këto dukuri si dhe vendet e tjera të Ballkanit. Tërmetet në zonën Lushnje-Elbasan-Dibër grupohen në katër tipe: Tërmete që shoqërohen nga goditja kryesore dhe pasgoditjet që shoqërojnë deri sa ato shuhen; tërmete me paragoditje që bie paragoditjes kryesore, por më i vogël në energji dhe pasgoditjet që e shoqërojnë; grumbuj tërmetesh, ku është një seri tërmetesh me nivel të përafërt magnitude; tërmete të përberë, ku kemi  disa goditje me magnitudë të dallueshme të përafërt me njëra-tjetrën në hapësirë dhe në kohë. Ky tërmet bën pjesë në tipin goditja kryesore dhe pasgoditjet që shoqërojnë deri sa ato shuhen.

    Pse ndodhin tërmetet

    Tërmeti është një fenomen i brendshëm i tokës tektonike. Korja e tokës është e ndërtuar nga pllaka tektonike të mëdha dhe blloqe të vogla. Brenda saj ndodhin procese të komplikuara. Pra, shkaku i tërmetit është se në brendësi të tokës lëvizjet e masave të saj bëjnë që në materialet shkëmbore që mbushin hapësirat e planeve të thyerjeve të ndodhin akumulime të vazhdueshme të deformimeve relative. Në një moment të dhënë deformacionet arrijnë rezistencën kufitare që materiali shkëmbor nuk e mban më dhe këputet. Ky është pikërisht momenti i ndodhjes së tërmetit, që shfaqet si një frakturë dhe lëvizje e fortë e befasishme, rrëshqitje në kontaktin midis dy blloqeve. Tërmeti konsiderohet si një proces i aktivizimit të një thyerje tektonike. Pasojat e tërmeteve të forta, shfaqen dukshëm deri në sipërfaqe në formën e çarjeve të truallit, shembjeve dhe shkëputjeve horizontale dhe vertikale.

    Harta sizmike e Shqipërisë

    Shqipëria është një ndër vendet më sizmoaktive në Europë. Shumica e tërmeteve të fortë ndodhin në 3 breza sizmikë mirë të përcaktuar, si vijon: a) Brezi tërmetor Joniko-Adriatik në buzën lindore të mikropllakës së Adrias me shtrirje veriperendim-juglindje, b)Brezi tërmetor Peshkopi-Korçë me shtrirje veri-jug dhe c)Brezi tërmetor Lushnje Elbasan-Dibër me shtrirje verilindore. Përcaktimi i zonave sizmogjene ose zonave të burimeve sizmike, siç quhen ndryshe, përbën hapin fundamental në analizën probabilistike të rrezikut sizmik. Zonat e burimeve sizmike përcaktohen si terrene, të cilët kanë tipare të përbashkëta sizmologjike e neotektonike. Pra, zona Lushnje-Elbasan-Dibër është zonë transversale sizmoaktive ashtu si dhe dy zonat gjatësore Joniko-Adriatike dhe zona Korçë-Ohër-Peshkopi paraqiten si zonat më sizmoaktive në vendin tonë në të cilat ndodhin mikrotërmete, tërmete të vegjël dhe tërmete mesatarë. Zona Lushnje-Elbasan-Dibër është një zonë e brendshme tërthore, që përfshin shkëputje normale aktive fragmentare me shtrirje VL, gjatë të cilave janë regjistruar këta tërmete të fuqishëm: 1380 Ms=6.6; 5 shtator 1843 Ms=6.3; 16 gusht 1907 Ms=6.2; 31 mars 1935 Ms=5.7; 12 mars 1960 Ms=5.8; 30 nëntor1967 Ms=6.6 etj. Mekanizmi fokal i tërmetit të 30 nëntorit 1967 dhe tërmetit të 6 shtatorit 2009 kallëzon për gjenerimin e tij nga sforcime horizontale në zgjerim VP-JL. Punimet dhe vlerësimet mbi sizmicitetin mbështeten mbi analiza të thella statistikore që realizohen si aplikime të teorisë së probabilitetit. Rezultatet e studimeve sizmologjike pasqyrohen në materiale  të përmbledhura libra, monografi, kataloge, në hartat e zonimit sizmik, sizotektonik dhe te hazardit sizmik. Këto të dhëna u jepen ndërtuesve që i përdorin për projektim dhe ndërtim.

    Tërmetet vazhdojnë të lëkundin vendin, epiqendra 46 km në jug të Tiranës

    Qytetet kryesore të vendit janë zgjuar përsëri me lëkundje sizmike mëngjesin e djeshëm, të cilat u përsëritën sërish rreth mesditës, duke mbajtur në tension banorët e disa prej qyteteve kryesore të vendit. Lëkundje të lehta tërmeti janë ndjerë rreth orës 06:43 në Tiranë, Elbasan, Berat, Lushnjë, Kuçovë, Fier e Vlorë. Lëkundjet sizmike kanë qenë me magnitudë 4.2 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ka qenë, 46 km në Jug të Tiranës, 25 km në veri të Beratit dhe 14 km në veri të Kuçovës. Edhe në mesditë janë ndjerë sërish lëkundje tërmeti në disa zona të vendit, si në Tiranë, Cërrik dhe Berat. Mësohet se lëkundjet e tërmetit kanë qenë me magnitudë 3.5 të shkallës Rihter, ndërsa epiqendra e tërmetit ka qenë 46 km nga Tirana,13 km nga Cërriku, me një thellësi 2 km.

    DËMET

    Nga verifikimet e Shtabeve të Emergjencave në qarqe të ndryshme mësohet se në Lushnjë është shembur plotësisht një banesë në fshatin Hysgjokaj, ndërsa janë dëmtuar edhe 20 të tjera. Në qytetin e Cërrikut, më i godituri, janë dëmtuar 50 apartamente në tri pallate. Dy shkolla në Belsh dhe një në Bërzhitë të Tiranës kanë pësuar gjithashtu dëmtime. Në Gramsh raportohen 13 banesa të dëmtuara, si dhe një shkollë në komunën Lenie.