Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/ NATO-s simbol i lirisë dhe i demokracisë

684
Vendet e Evropës Perëndimore dhe aleatët e tyre në Amerikën e Veriut në vitet 1945-1949, shikonin në politikën e BRSS dhe anëtarëve të saj nevojën e rindërtim ekonomik. Por qeveritë e vendeve perëndimore u shqetësuan kur vrenin se BRSS nuk po pakësonte forcat ushtarake sipas Kartës së OKB, por luftonte për t’i shtuar dhe sofistikuar armët luftarake. Midis viteve 1947-1949, mjaft ngjarje politike po vreheshin si në Norvegji, në Greqi, në Turqi dhe në vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Grusht shteti i qershorit 1948 në Çekosllovaki dhe bllokada e Berlinit i sollën ngjarjet në pikën më të lartë të krizës. Hapi i parë në këto kushte, në rindërtimin e pasluftës dhe që pati rëndësi të madhe historike ishte Traktati Brukselit të vitit 1948. Ai paraqiste modelin e sigurisë pas lufte të Unionit Perëndimor. Nënshkrimi i traktatit të Brukselit në mars 1948 shënoi vendosmërinë e pesë shteteve të Evropës Perëndimore; Belgjikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Holandës dhe Luksenburgut, për zhvillimin e një sistemi të përbashkët mbrojtjeje dhe të forcimit të lidhjeve ndërmjet tyre, për t’u ruajtur nga çdo kërcënim komunist. SHBA dhe Kanadaja vazhduan negociatat për krijimin e një Aleance të vetme Euro-Atlantike, të bazuar në sigurinë dhe angazhimet e ndërsjellta midis Amerikës së Veriut dhe Evropës. Për të marrë pjesë aktive në këtë organizëm në fillim u ftuan Danimarka, Islanda, Norvegjia, Portugalia dhe Italia. Këto negociata çuan në nënshkrimin e Traktatit të Uashingtonit më 4 prill të vitit 1949 dhe krijimit të një sistemi të përbashkët sigurie të bazuar mbi Partneritetin midis 10 vendeve evropiane (Belgjikë, Danimarkë, Francë, Holandë, Islandë, Itali, Angli, Luksenburg, Norvegji, Portugali), si dhe SHBA dhe Kanada. Aleancës i shtohen dhe dy anëtarë të rinj, në vitin 1952, Turqia dhe Greqia duke u bërë me 14 anëtarë. Ndërsa në vitin 1955 në futet RF Gjermane, në vitin 1982 Spanja bëhet anëtare e saj. Në vitin 1999 NATO-s iu bashkuan dhe tri shtete të Evropës Lindore, Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, duke e bërë numrin e anëtarëve 19. Në mars 2004 në Aleancë futen 6 anëtarë të rinj, Lituania, Estonia, Letonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovenia, duke e çuar kështu në 25 shtete numrin e Aleancës. Në prill 2009 u bënë anëtare të rinj Shqipëria dhe Kroacia. Aleanca e Atlantikut të Veriut u themelua mbi bazën e një traktati midis shteteve anëtare, ku secila prej tyre është futur lirisht pas një debati publik dhe procesi të duhur parlamentar. Ky traktat mbroj të drejtat e tyre individuale, sikundër ka dhe obligimet e tyre ndërkombëtare në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, angazhon çdo anëtar për të ndarë rreziqet dhe përgjegjësitë ashtu, si dhe të mirat e sigurisë kolektive, dhe kërkon prej secilit prej tyre të mos futen në ndonjë tjetër angazhim ndërkombëtar që mund të jetë në konflikt me Traktatin. Qëllimi themelor i NATO-s është të ruajë lirinë dhe sigurinë e të gjithë anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake në përputhje me Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe me parimet e Kartës së OKB-së. Ajo, që prej themelimit të saj, ka punuar për themelimin e një rendi paqësor të drejtë dhe të qëndrueshëm në Evropë të bazuar mbi vlera të përbashkëta të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të pushtetit ligjor. NATO mishëron lidhjen transatlantike me të cilën siguria e Amerikës së Veriut është e lidhur përgjithmonë me sigurinë e Evropës. Parimi fundamental i Aleancës është angazhimi i përbashkët dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë midis shteteve anëtare, i bazuar në pandashmërinë e sigurisë së tyre. Solidariteti dhe kohezioni brenda Aleancës sigurojnë se, asnjë vend anëtar nuk detyrohet të mbështetet vetëm në përpjekjet e veta kombëtare duke u marrë me sfidat themelore të sigurisë. Traktati i Atlantikut të Veriut i 4 prillit 1949, si bazë legale dhe kontraktuese për Aleancën, u themelua në kuadër të Nenit 51 të Kartës së OKB-së, që rikonfirmon të drejtën e natyrshme të shteteve të pavarura për mbrojtje individuale dhe kolektive. Sikundër theksohet në këtë Traktat, qëllimi i aleatëve është të “çojnë më tej marrëdhëniet paqësore dhe miqësore në rajonin e Atlantikut të Veriut”. Ajo është një organizatë ndërqeveritare në të cilën vendet anëtare ruajnë sovranitetin dhe pavarësinë e plotë të tyre. 
Rruga e Shqipërisë për në NATO
Shqipëria është bërë anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut që në qershor 1992. Ajo përkrahu Iniciativën e Partneritetit për Paqe (PfP) në janar 1994 dhe nënshkroi Dokumentin Kuadër më 23 shkurt 1994, duke u bërë vend anëtar i Partneritetit për Paqe. Më 22 shtator 1994 paraqiti Dokumentin e Prezantimit në të cilën përcaktohen fushat, përmasat dhe niveli i pjesëmarrjes në bashkëpunim me NATO-n. Dokumentat e mësipërm përbënë bazën e hartimit të Programit Individual të Partneritetit për vitet 1995-1997, programet individuale speciale NATO – Shqipëri për vitet 1997-2000.
Programi i Partneritetit Individual (IPP) u zhvillua në përkrahje të programeve kryesore që burojnë nga rishikimi i mbrojtjes. Ky përforcon vazhdimësinë e procesit të ristrukturimit dhe ka synuar gjithmonë në rritjen e aftësive operacionale të FA. Prioritetet kryesore të mbrojtjes nga viti 2002 -2009 janë fokusuar në zhvillimin e një strategjie ushtarake kombëtare, të shoqëruar nga një strukture organizimi, e orientuar në nivel të lartë profesionalisht, me një numër më të vogël të FA, adaptimin e konceptit të trajnimit të forcës, një sistem menaxhimi personeli dhe një sistem menaxhimi burimesh.
Kështu Programi i Partneritetit Individual (IPP), vetëm për vitin 2002 ka synuar në tri çështje kryesore bashkëpunimi si: në ndihmën e Shqipërinë në ristrukturimin e FA, nën kontrollin demokratik të autoritetit civil sipas planit afatgjatë të implementimit, në sigurimin dhe përkrahjen në fusha të interesit të NATO-s dhe Shqipërisë, dhe dhënien më shumë përmbajtje marrëdhënieve me PfP në një afat kohor më të gjatë. Qëllimi kryesor për NATO-n dhe Shqipërinë në këtë IPP për vitin 2002 ishte në arritjen e rezultate konkrete në demonstrimin e efektet pozitive të PfP. Shqipëria ka marrë pjesë dhe në Procesin e Planifikim – Rishikimit që nga viti 1996 dhe në vazhdim. Ndërsa për vitin 2000 u pranuan 53 Objektiva Partneriteti. Në nëntor 1999 Shqipëria paraqiti Planin e Veprimit për anëtarësim duke u bërë një nga 9 vendet aspirante për anëtarësim në Aleancë. Në 1 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në strukturën e NATO-s.
Krenarë për anëtarësimin
U mbushen 6 vjet që historia e Shqipërisë u pasurua dhe me një datë të rëndësishme në historinë e saj. Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, më 1 prill 2009, shënon padyshim një ngjarje që historia i numëron për rëndësinë e tyre. Në këtë ditë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO mirënjohja u shkon të gjithë atyre që e mundësuan këtë arritje. Në radhë të parë, mirënjohja u përket të gjithë qytetarëve të vendit, popullit shqiptar, i cili në harmoni dhe vokacionin e përhershëm evropian mbështeti në mënyrë plebishitare, projektin e integrimit euroatlantik të vendit. Ai afirmoi kështu, pa asnjë ekuivok, si një ndër kombet më euroatlantikë, pas rënies së perdes së hekurt. Mirënjohje u shkon të gjitha kombeve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, që e mbështetën projektin e madh të integrimit të Shqipërisë dhe mundësuan që siguria e Shqipërisë të shndërrohet edhe në një çështje e tyre. Mirënjohje e respekt meritojnë të gjithë ata shqiptarë, Forcat e Armatosura, administrata shtetërore, shoqëria civile, politika pa dallim që realizuan në praktikë reformat e mëdha, të cilat ishin parakusht për anëtarësimin. Mirënjohjeje shkon ndaj popullit e qeverisë së SHBA. Natyrisht, mirënjohja ndaj NATO-s nuk kufizohet vetëm tek anëtarësimi. Mirënjohja shqiptare ndaj NATO-s lidhet ngushtë me rolin jetik që aleancë e madhe e lirisë luajti në shuarjen e luftërave të reja në Ballkan dhe veçanërisht në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës…
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, zgjidhi një prej problemeve kryesore që na ka shoqëruar këto 103 vite si shtet i pavarur, problemin e sigurisë. Anëtarësimi në NATO shënoi fillimin e një procesi po kaq të rëndësishëm, procesin e integrimit të plotë, që çdo vend i sapo-anëtarësuar duhet të kryejë. Ky proces, përfshiu transformimin e Forcave tona të Armatosura në fushat doktrinare, organizative, stërvitore/trajnuese, pajisjeve, personelit dhe burimeve, duke i bërë ato më të ndërveprueshme me simotrat e tyre në Aleancë. Ky procesi është udhëhequr dhe monitoruar nga Komanda e Aleancës për Transformim (ACT) dhe ka përfunduar me çertifikimin e integrimit të plotë në tetor 2013…
Sigal