Prof.as.Dr. Dine MERJA/ Pse kaq e varfër Shqipëria jonë e pasur

    505
    Sigal

    Niveli i të ardhurave për frymë të popullsisë në Shqipëri, sipas Eurostatit, është i fundit në Europë krahasuar me statistikat europiane për vitin 2012. Shqipëria renditet e dyta nga fundi, përsa i përket nivelit të të ardhurave mesatare për frymë të popullsisë, në raport me mesataren e 27 vendeve të Bashkimit Europian. Në qoftë se mesatarja e këtyre të ardhurave për vendet e Bashkimit Europian merret e barabartë me 100, atëherë të ardhurat për frymë të popullsisë në Shqipëri janë të barabarta me 30% të tyre. Por e krahasuar me vende të veçanta kjo diferencë është shumë më e madhe. Kështu krahasuar me Zvicrën niveli ynë i të ardhurave është rreth 5 herë më i vogël, me Luksemburgun 9 herë më i vogël etj.

     Po a është e varfër Shqipëria?

    Atdheu ynë një vënd mesdhetar,me pasuri të mëdha mbitokësore e nëntokësore, me fusha pjellore  në të gjithë ultësirën bregdetare,me klime dhe ekologji komplekse mesdhetare, kodrinore e malore,me një rjet të gjërë lumejsh,me pyje dhe parqe natyrale kombëtare,me zona të mrekullueshme turistike,alpinistike dhe gjahu, me plazhe natyrale të mrekullueshme por për klientelizëm shpesh të shpartalluara duke zëvëndësuar rërën dhe gjelbërimin me betonime dhe ndërtime deri buzë detit.Ky vënd relativisht i vogël me pasuri të mëdha ka qënë i bekuar dhe  i shpërblyer si jo më mirë në kohën e formimit gjeologjik dhe gjeotektonik të planetit tonë.Minierat e qymyrit,të hekur-nikelit,të bakrit,kromit,fosforiteve,naftës, gazit,bitumit dhe shisteve bituminoze,me rezerva të rëndësishme të mikrokomponentëve bashkë-shoqërues mineralesh si të floririt,uraniumit etj. janë pasuri më se të mjaftueshme për një nivel të lartë jetik për dy-tre fishin e popullatës ekzistuese të vëndit.

    Vetëm me zhvillimin e prodhimit bujqësor e blegtoral,me peshkimin,me përpunimin bioteknologjik agro-ushqimor,me industrinë e drurit,të xukthit,të bimëve mjekësore dhe etero-vajore,të kulturave ujore,kërmillit,të lëkurëve,leshit,të punimeve artistike etj. pa përmëndur pasuritë nëntokësore, industrinë nxjerrëse e përpunuese,hidroenergjitikën, turizmin,të ardhurat nga transporti ndërkombëtar ajror,tokësor, ujor etj.,populli mund te jetojë së paku mbi nivelin mesatar të vëndeve më të zhvilluara Europiane.Por kjo pasuri kombëtare nga njera anë është keq qeverisur nga rregjime antipopullore,ndërsa nga ana tjetër është vjedhur,shpërdoruar nga vet pushtetarët dhe militantët e tyre ose është rrëmbyer nga të huajt në mënyrë klienteliste me qeveritarët vëndas.Megjithëatë,përsëri pasuritë tona kombëtare natyrore janë aty dhe kërkojnë specialistë dhe qeveritarë të aftë,të pakorruptueshëm, atdhetarë e të përkushtruar për zhvillimin ekonomiko-shoqeror të vëndit,për gjenerimin dhe shfrytëzimin racional të këtyre pasurive në interes kombëtar.

    Zvicra me një sipërfaqe prej rreth 41293 km2 dhe popullsi rreth 7.5 milion banorë as që mund të krahasohet me pasuritë natyrore të vëndit tonë për frymë të popullsisë.Zvicra nuk ka dalje në detë,ndërsa Shqipëria rreth 1/3 e perimetrit të saj është në vijë bregdetare,raporti i teritorit fushor/malorë është në përparësinë tonë,kushtet ekologjike e klimatiko-tokësore mesdhetare janë gjithashtu në favorin tonë,pasuritë minerale komplekse anojnë nga ne,sipërfaqia e tokës për frymë të popullsisë është gjithashtu në favorin tonë(5500 m2 për frymë Zvicra,ndërsa 8200 m2 për frymë Shqipëria) duke theksuar se   Shqipëria ka kushte ekologjike e tokësore më të favorshme se Zvicra(ne ultësirën bregdetare mesdhetare tonë,në kushte natyrale   mund të merren 2-3 prodhime bujqësore në vit,gjë që është e pamundur  për Zvicrën). Shqipëria shquhet për prodhime bujqësore e blegtorale gjithëvjetore,për prodhimin e agrumeve,rrushit,verës, vajit te ullirit,mollëve,arrës,lajthisë gështënjës,të nënprodukteve blegtorale: qumështit,djathit,gjalpit, mishit etj.,ndërsa për kushte të njëjta shërbimi agroteknologjik, rendimenti i prodhimit bujqësor në kushtet ekologjiko-tokësore të Shqipërisë mund të jetë natyrisht më i madh se ai Zviceran.Por megjithë këto përparësi tonat,siç edhe dihet, niveli jetik i popullit Zviceran siç u theksua më lartë është rreth 5 herë më i madh se i yni.

    Por nëse nuk ja arrijmë dot nivelit zviceran,së paku pse vuajmë nga varfëria ?

    1. 1.      Aftësia

    Me mentalitetin tonë dhe cilësinë qeverisëse të vëndit,ndruaj se ky nivel jetik i yni mund të mbetet i tillë edhe për shumë kohë.Gjatë dy dekadave të fundit zhvillimi ekonomiko-shoqëror i vëndit veçanrisht në fushën e  arsimit,shkencës,ndërgjegjes kombëtare,të bujqësisë,industrisë së lehtë dhe agroushqimore,të industrisë minerare-gjeologjike nxjerrëse dhe përpunuese,të çpim-kërkimit të naftës dhe gazit,të prodhimit energjitik etj. janë kryer akte shkatërrimtare si pasojë e politikave të papërgjegjëshme dhe antikombëtare të diktuara nga interesa klienteliste në koordinim me interesa të qeverive e bizneseve të huaja.Mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se vëndi është kthyer disa dekada  mbrapa për shkak të këtyre zhvillimeve,përveç prapambetjes të trashëguar nga rregjimi diktatorial komunist.Të shkatërrosh është shumë lehtë por të krijosh ose të ringresh atë që ke shkatërruar apo ta zhvillosh atë edhe më tej në përputhje me nevojat e vëndit dhe konkurencën ndërkombëtare nuk është e lehtë.Eshte shkatërruar tradita,niveli i arritur,janë mënjanuar dhe larguar specialistët e aftë ,ekspertët dhe shkencëtarët e vërtetë, kundërshtarë dhe opozitarë të këtyre shkatërrimeve.Eshtë bash kjo arësyeja që rregjimet autoritare,klienteliste dhe të korruptuara,vet prapambetja shoqërore nuk i ka qejf,nuk i pranon në qeverisje,i denigron,i largon dhe i anashkalon specialistët e aftë,të pavarur,me integritet moral dhe të pakorruptue- shëm.Por këta specialistë përbëjnë në fakt trurin e një kombi,gishtin tregues të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të një vëndi.Gjatë tre rregjimeve që ka kaluar ky vënd si shtet i pavarur që nga shpallja e pavarësisë: të rregjimit  satrapo-monarkist,diktatorialo-komunist dhe rrumpallo-klientelist, për gjatë rreth 90 vjetëve të fundit,në këtë vënd nuk është vlerësuar madje është luftuar truri i kombit.Në vënd të tij emrohen militantistë partiak,të pa aftë në të gjitha institucionet dhe nivelet qeverisëse.Me sa rezulton,mentaliteti dhe prapambetja drastike shoqërore ka jetuar në simbiozë me këtë lloj zhvillimi. Në opinionin tim,Shqipëria do të mund të ecë në binarë të drejtë vetëm kur të arrihet ndërgjegjësimi popullor dhe qeveritar për të vlerësuar dhe vendosur në krye të punëve trurin e kombit(i cili është i pakët ashtu si truri human apo elementi  kimik fisnik i pa oksidueshëm-floriri), dhe në natyrën e vet,në pjesën dërrmuese të tij ai nuk bëhet partiak.Kur të ndërgjegjësohet e gjithë shoqëria ose pjesa dërrmuese e saj,për të mos u bërë vegël qorre e pushtetarëve,për të mos lejuar vjedhjen e pasurisë publike apo të votës nga pushtetarët apo politikanët,për të kuptuar se e ardhmja e saj lidhet vetëm me vendosjen e shtetit të së drejtës dhe jo nga pushtetarët apo politikanët e pa aftë dhe të korruptuar.Për të mbuluar pa aftësine e militantëve në administratën publike,për ti paisur ata me kartona universitarë formalë,për të rjepur edhe më shumë xhepat e qytetarëve arsim-dashës,si dhe për të mënjanuar presionin eventual publikë të rinisë pa punë gjithëmon në rritje u sajua liberalizimi ekstrem i sistemit të arsimit të lartë, me hapjen e dhjetra universiteteve publike e private të tipit sude, si valvë shkarkimi e trumbetimi duke prodhuar analfabetizmin universitar,rënien drastike të cilësisë,një bombë me pasoja të rënda dhe afat gjata shoqërore dhe shtetërore.Varfëria e madhe materiale dhe shpirtërore përfshiu në këtë katrahurë jo vetëm zyrtarë të korruptuar por edhe mjaft specialistë të aftë të cilët të lënë jasht institucioneve publike dhe për tu punësuar u bënë pjesë e këtij zhvillimi absurd.

    1. 2.      Shkatërrimi

    Pas ndryshimit te rregjimit diktatorialo-komunist,nën slloganin e “çekut të bardhë Amerikan” apo të ngrënies “me lugë të florinjt”, u shkatërrua e gjithë industria e lehtë dhe ushqimore, industria mekanike dhe të gjitha llojet e transportit,u shkatërruan  ose dëmtuan rëndë shumë degë të tjera të industrisë energjitike dhe të naftës,minierat,veprat hidroteknike, ndërmarrjet bujqësore dhe kërkimi shkencor në të gjitha degët e ekonomisë publike.Një investim rreth 50 vjeçar i një populli të tërë,qysh pas luftës së dytë botërore,që kishte shtërnguar rrypat për ngritjen e tyre,u shkatërrua,u vodh ose përvehtësua me vendime qeveritare arbitrare dhe me demagogjinë absurde se ato ishin të vjetra dhe do të bëheshin moderne si në Evropë.Por faktikisht,u mbyll prodhimi vendas dhe ju hapën portat importit për çdo gjë,me fitime prrallore për të huajt dhe qeveritarët tanë të çdo ngjyre dhe me shtrenjtësimin e jetës për popullin,me humbjen e vëndeve të punës për mijra punonjës të mbetur në rrugë ose të emigruar si argat apo lypës jashtë vëndit. Pse nuk u bë një kalim i butë,gradual dhe objektiv i kalimit nga ekonomia e shoqërizuar në atë private,pa prishur,shkatërruar apo grabitur të gjithë pasurinë kombëtare.Kësaj përgjegjësie kombëtare nuk mund ti shmangen “udhëheqësit tanë” demokrat e socialist.Të gjitha këto sipas mendimit tim përbëjnë katastrofën e parë të vëndit për të cilën deri me sot nuk ka dhënë njeri llogari apo përgjegjësi,pavarësisht gjëndjes dhe nivelit skandaloz jetik të popullit për pasojë të kësaj katastrofe.

    Pas ndryshimit të sistemit,shumica e qytetarëve shqiptarë përfshi edhe mua,besuam se vëndi do të ndryshonte për së mbari.Por gradualisht ky besim,kjo shpresë filloi të venitej në raport me veprimet e mëvonëshme të qeverive “demokratike”.Këto qeveri filluan të merrnin një sërë reformash e vendimesh të nxituara,shpesh të ndikuara nga interesa thjesht partiake apo të huaja.Me nofkën dhe nën etiketën e komunistit(ndonëse këta “udhëheqës” kishin qënë më shumë se thjesht komunist),u hoqën nga puna e administratës shtetetërore shumë specialistë të talentuar të vjetër dhe me përvojë shumëvjeçare në shumë fusha të veprimtarisë shtetërore duke i zëvëndësuar ata me militantë partiak,servilë, të nënshtruar,të pa aftë dhe jo specialistë.U nxorr vendimi famëkeq për nxjerrjen në lirim të qindra ushtarakëve me përvojë,por që ishin me moshë mbi 50 vjeçë(qofshin inxhinierë,mjekë,specialistë ushtarakë etj.).Në të gjitha nivelet qeverisëse nga qëndra në periferi u vendosën militantë partiakë që nuk merrnin vesh fare nga detyrat dhe problemet që duhej të zgjidhnin,praktikë kjo që vazhdoi deri sot e kësaj dite.Vëndi konsiderohet si një pronë partiake ku duhet të sundojnë vetëm militantët partiakë dhe përkrahësit e tyre mitingash.Dhe rezultatet e kësaj lloj qeverisje kanë dhënë produktin e tyre gjatë 22 vjetëve “demokraci shqipëtare”, me katastrofa të njëpasnjëshme.Kjo lloj qeverisje për mendimin tim përbën katastrofën e dytë për vëndin për të cilën deri më sot nuk ka dhënë njeri llogari apo përgjegjësi.

    Siç dihet,ngjarjet famëkeqe të 1997 dhe shpërthimi i Gërdecit,janë dy katastrofa të tjera me përmasa kombëtare.Çdo udhëheqës demokrat në të gjithë botën,për dëmet drastike ekonomike dhe njerëzore që shkaktuan këto dy ngjarje,do të kishte dhënë padyshim dorëheqien e parevokueshme nga pushteti dhe politika.Këto katastrofa ndodhën gjithashtu padyshimin më të vogël për keq qeverisjen e vëndit,dhe si pasojë  e dy katastrofave të para që u përmëndën më sipër.Kryeministri pasardhës i Partisë Socialiste,u kërkoi votat Shqipetarëve se do të bënte namin ndaj atyre që shkaktuan katastrofën e 97-tës,por mbasi mori votat,siç dihet,u mor me tjetër gjë,me korrupsionin galopant për të cilin opozita e kohës e akuzoi me te drejtë, ajo u premtoi gjithashtu shqipëtarëve se do të bënte namin ndaj këtyre të korruptuarve dhe se do të punonte me “duar të pastra”.Por kjo ish-opozitë pas marrjes së pushtetit,jo vetëm harroi çfarë kishte premtuar,jo vetëm nuk penalizoi asnjë të korruptuar,por në vënd të “duarve të pastra”,ju fut vet edhe më shumë korrupsionit duke u flijiuar me ish-kryeministrin e korruptuar. Gërdeci, korrupsioni edhe më galopant,përmbytjet,situata edhe më konfliktuale, mungesa e transparencës e ligjit dhe e drejtësisë vazhduan në unison pozitë-opozitë pa ju futur gjëmb në këmbë askujt.

    Pas vendosjes të sitemit “demokratik” një batërdi e madhe i është bërë ekonomisë publike,pronave shtetërore,fushave,pyjeve,kullotave,bregdetit,lumenjëve, kanaleve ujitës-kullues, argjinaturave hidroteknike,shfrytëzimit grabitqar të inerteve,të bimëve mjekësore dhe etero-vajore,të ekosistemit dhe  të gjithëshkaje që një popull i tërë ka shtërnguar rrypat për dekada me radhë në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.Në emër të liberalizimit të tregut dhe të “sistemit demokratik allashqiptarçe”,pa asnjë kriter dhe me simbiozë pushtetar-sekser-batakçilerë u shpërbë e gjithë prona publike kombëtare,për gjatë dy dekadave.

    1. Përmbytja

    Viti 2010 filloi dhe u mbyll gjithashtu me një katastrofë tjetër edhe më të madhe se të parat,me përmbytjet e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.Dëmet kolosale ishin të pallogaritëshme.U përmbytën shtëpitë,të mbjellat,bagëtitë,u shkatërrua mobilimi i tokës,sistemi bonifikues,u shkatërrua struktura,përbërja fiziko-kimike dhe agrokimike e tokave bujqësore,vet pjelloria e saj,që kërkon dekada investimesh për tu rikuperuar.Ngjarje drastike përsëri nën qeverisjen “demokratike”  por edhe për faje  të qeverive të më parshme gjatë 22 vjetëve të fundit që kanë qeverisur me militantë partiakë.Për këtë katastrofë siç dihet deri më sot nuk ka dhënë njeri llogari ose përgjegjësi,ndërsa pasojat katastrofike dhe varfëria ekstreme bien përsëri mbi popullin.Kjo katastrofë ka ndodhur në radhë të parë për të gjithë ato arësye që u përmëndën  më lartë. Ajo ka ndodhur gjithashtu sepse prej dy dekadash nuk është investuar ose janë shpërdoruar fondet për mirëmbajtjen dhe riabilitimin e veprave hidroteknike,të kullimit dhe të shkarkimit të ujrave drejt lumenjeve dhe detrave.Sistemet bonifikuese,hidrovoret,kolektorët, pusetat dhe tubacionet e shkarkimit të ujrave të cilët janë të mbushura ose sklerozuar me mbetje të ngurta në blloqet e banimit dhe lagjet e qyteteve,në rrugët brënda dhe jashtë qyteteve,në komunat,fshatrat dhe fushat,  anë e mbanë vëndit.Në keto drejtime mendoj se jo vetem nuk është punuar fare,por ato janë abandonuar gjatë shumë vitesh.Me letra ndofta janë raportuar si të kryera.Por përmbytjet e vazhdueshme flasin për të kundërtën.Janë kryer ndërtime pa kritere teknike duke bllokuar kanalizimet shkarkuese dhe veprat hidroteknike të disiplinimit të ujrave me kapacitete shkarkuese shumë herë më të mëdha se prurjet e reshjeve.Përmbytje të tilla nuk kanë ndodhur gjatë 50 vjetëve të sistemit totalitar,me veprat hidroenergjitike të të cilit janë përballuar nevojat e vëndit deri më sot. Ne jemi dëshmitare që pranë pallateve ku banojmë,gjatë dy dekadave nuk janë kryer asnjëherë pastrime periodike radikale të sistemit të kanalizizimeve të ujrave të zeza, për pasojë ujrat e reshjeve formojnë vazhdimisht liqene për rreth pallateve për shkak të bllokimit të pusetave dhe tubacioneve shkarkuse nëntokësore,bumi i pallateve të reja i shkarkon ujrat në po ato kanalizime të vjetra të cilat nuk janë parashikuar për të përballuar këto ndërtime.

    Zona e Shkodrës dhe e gjithë Shqipëria,nuk do të përmbyteshin,në atë shkallë katastrofike,në qoftë se do të ishin respektuar masat tekniko-administrative të mirënjohura:

    a). Para se gjithash,një qeverisje me specialiste të aftë “pa dallim feje,krahine dhe  ideje”,pa militantë partiakë nga njëra anë,si dhe një luftë me masa drastike ndaj zyrtarëve të korruptuar,mendoj se do të ishte hapi i parë që duhesh hedhur nga çdo qeveri e mirëfillt  për Shqipërinë.

    b). Të funksiononte dhe të mos ish shkatërruar rjeti hidrometeorologjik i përgjegjëshëm i prognoz-sinjalizimit  gjithë-vjetor për treguesit kryesorë klimatikë,reshjet e shiut,dëborës, prurjet e lëngëta dhe të ngurta të lumenjëve dhe degëzimeve të tyre,në të gjithë rajonet që ushqejnë liqenet e kaskadës mbi lumin Drin dhe lumenjt e tjerë kryesorë të vëndit.Në përputhje me llogaritjen vjetore të prurjeve të ngurta të lumenjve,të ishin marrë masat e nevojshme me paraprita,makropuseta(mikrodiga të prurjeve të ngurta) dhe pastrimin periodik të tyre, për mbrojtjen e kapacitetit ujor të rezervuarëve hidroenergjitik.

    c). Investimet me përparësi në mirëmbajtjen dhe riabilitimin e veprave publike ekzistuese hidroteknike,hidrovore,veprat bonifikuese me rjetin e kolektorëve dhe kanalizimeve të fushave,rrugëve, fshatrave,qyteteve me të gjithë infrastrukturën përkatëse të lagjeve e blloqeve  të banimit brënda qyteteve.

    d). Investimet në hapjen e shtrateve të lumenjëve dhe të riabilitimit të argjinaturave përkatëse                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                          në të gjithë vëndin,veçanrisht në veprat e mëdha hidoteknike.Mos lejimi i ndërtimeve në distanca të caktuara në zonat dhe shkarkimet hidroteknike. Matja e prurjeve të ngurta dhe verifikimi i kapacitetit ujor të rezervuarëve(liqeneve) hidroteknike të hidrocentraleve mbi lumin Drin duhet të ishin kontrolluar gjatë dy dekadave të fundit,gjë që përbën një detyrë imediate për tu kryer sa më shpejt të jetë e mundur,ndryshe mund të rrezikohet inefiçensa ose dalja jashtë përdorimit e tyre.

    e). Angazhimi dhe ndigjimi i këshilltarëve permanent,specialistëve më të aftë dhe me përvojë të vëndit,pa dallime partiake apo simpati personale,pa servilë dhe militantë injorant,nga ana e drejtuesëve të institucioneve kryesore qeverisëse.

          4. Bujqësia

    Veprime të tjera jo më pak shkatërrimtare pasuan vëndin tonë të bekuar a mallkuar nga qeveritë pluraliste.U bënë reforma “demokratike” për shkatërrimin apo përmbysjen e ish-sistemit bujqësor e blegtoral socialist,duke flakur govatën bashkë me ujin e pistë edhe fëmijën brënda saj,sepse ishin gjoja “komuniste”. Me dashje a padashje,me veprime apo mosveprime u nxit sjellja e çdo gjëje nga jasht duke përfshirë edhe të gjitha llojet e perimeve dhe të frutave,që nga qepa,hudhra,speci,domatja e deri agrumet,ullinjt etj. të cilat kanë qënë eksportet tona kryesore në tregun Europian.Emisarët,sekserët-militantë dhe biznesmenët e huaj vërshuan tek burokratët ku zgjidheshin punët në të mirën e tyre.Kreditë dhe taksat publike nuk hidheshin për riabilitimin dhe zhvillimin e prodhimeve vëndase,për mbështetjen e fermerëve por për paralizimin e tyre dhe importin e gjithëshkaje nga jashtë.Pse të mos bëhej një transformim i butë dhe gradual i bujqësisë nga ajo e centralizuar në kooperativa private,duke i mbështetur me kredi e teknologji të re për zhvillimin dhe modernizimin e tyre,duke frenuar emigrimin fshatar për bukën e gojës si argatë në tokat e huaja,por duke i bërë ata zotër të pronave në vëndin e tyre.Pse u bënë shkatërrime dhe përvehtësime personale nga militantët partiakë të ish-mekanikës bujqësore,ofiçinave dhe uzinave mekanike bujqësore në të gjithë teritorin e vëndit,me justifikimin se ishin gjoja për skrap dhe se do t’na dhuroheshin të reja nga të huajt.Kjo ishte një politikë ekonomike shkatërrimtare antikombëtare,për ta lënë vëndin pa vegla dhe mjete pune,duke stimuluar emigracionin refugjat,duke e kthyer vëndin në një tokë të djegur,pa prodhime bujqësore e blegtorale vëndase,duke stimuluar importin e prodhimeve të huaja,ndërsa shqiptarët argat të tyre.Për realizimin e kësaj politike të mbrapsht,u desh largimi i specialistëve të vjetër të bujqësisë,lënia e tyre papunë me nofkën e “komunistit”,u desh abandonimi deri në mbylljen e institucioneve shkencore bujqësore,u desh që edhe materialet mbjellëse(farat dhe fidanët) autoktone apo të seleksionuara në dekada për kushtet ekologjike të vëndit të eliminoheshin për arësye importi pavarësisht vlerës së tyre për kushtet tona.Të gjitha institucionet bujqësore të vëndit u mbushën me militantë partiakë pa kualifikimin dhe eksperiencën e nevojshme. Rezultatet e kësaj politike flasin me gjëndjen e bujqësisë dhe te blegtorisë tonë gjatë 22 vjetëve të fundit.Krahasoni prodhimet bujqësore e blegtorale vjetore gjatë viteve të “demokracisë” me ato parademokratike.Në vënd që të bëhej progres me dyfishimin apo trefishimin e prodhimit vëndas u rrafshua gjithëshka në zero.U shkatërruan mijra hektarë sera diellore dhe me ngrohje të importuara nga jashtë,për prodhimin e perimeve të hershme dhe vargëzimin gjithëvjetor të tij.U shkatërruan mijra hektarë me plantacione moderne të vreshtarisë.U shkatërruan me dhjetra fabrika të reja dhe të konsoliduara në përpunimin agroushqimor.Të gjitha ato ishin pasuri kombëtare,populli kishte shtërnguar rrypat për ngritjen e tyre.Ato mund të privatizoheshin nga personeli inxhiniero-teknik dhe punonjësit e tyre dhe jo të përvetësoheshin për pesë-pare spec në mënyrë korruptive nga burokratët dhe militantët partiakë që nuk kishin fare lidhje me këto vepra kombëtare.Ato fillimisht mbylleshin duke hedhur në rrugë punonjësit,pastaj ripeshin nga brënda,abandonoheshin nga jashtë,çvlerësoheshin për tu shitur me fatura qesharake por me zarfa të majme nën dorë, për ti hapur rrugën tregut të huaj për gjithëshka.Përfundimet tashmë dihen,bujqësia shqiptare një hapësirë e abandonuar sikur nuk ka pas ekzistuar kurrë.Zhvillimi kaotik rural urban i ka sjellë gjithashtu një dëm të pallogaritshëm ekononiko-social fshatrave në mbarë vëndin.Janë kryer ndërtime urbane rurale pa një plan urbanistik të studjuar,me ndërtime të shpërndara në dëm të fondit bujqësor të tokës  dhe të kostos së lartë për urbanizimin socialo-ekonomik të tyre.

    1. 5.       Legjislacioni

    Sistemi politik që u adaptua pas ndryshimit të ish-sistemit komunist në vendin tonë mendoj se është një përshtatje nga ish-rregjimi komunist diktatorial,me fasadë demokratike dhe përmbajtje parti-shtet-diktat.Ky sistem hibrid,me një kushtetutë,legjislacion e kod zgjedhor të huazuar e  të modifikuar në përshtatje me interesat e dy partive që u hodhën në sistem dhe që fituan kredite në zgjedhjet e para të tij,i përligjën ato gjatë dy dekadave e në vazhdim dhe me forcën e kartonëve të jesmenëve të tyre,nuk lejojnë,që të vendosen rregulla e ligje në  bazë të kritereve e parimeve të mirëfillta demokratike.Rrjedhimisht,nga ky lloj sistemi,u përpilua ligji themeltar i shtetit,kushte- tuta dhe të gjitha ligjet e tjera.

    A është kodi zgjedhor ekzistues(guri themeltar i demokracisë) i hartuar mbi kritere e parime demokratike,a mishërohet barazia dhe drejtësia e të gjitha subjekteve që marrin pjesë në votime si votues apo të votuar ? Në mendimin tim,ky kod nuk krijon hapësirë demokratike dhe barazi të subjekteve që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje,për këto arësye:

    (a)-Mbarimi i një legjislature zgjedhore nënkupton se të gjithë ish-subjektet e zgjedhura e kanë mbaruar mandatin e tyre dhe nuk kanë më të drejtë të vendosin për organizimin e zgjedhjeve,caktimin e komisioneve zgjedhore dhe miratimin e përfaqësuesëve të tyre në këto komisione për numrimin e votave të tyre dhe të tjerëve,ndërkohë që kjo e drejtë nuk u jepet edhe subjekteve të tjera pjesëmarrëse në zgjedhje me parti ose paparti qofshin.Mirëpo ky parim demokratik shkelet nga dy partitë e ashtuquajtura “të mëdha” apo “ish-të mëdha”,të cilat e kanë përligjur dhe monopolizuar këtë pabarazi.Atëhere çfarë demokracie dhe barazie para ligjit është kjo ?!!.

     (b)-Në çfarë parimesh demokratike bazohet kodi zgjedhor që u jep të drejtë ish-partive parlamentare të vazhdojnë të drejta dhe kompetenca në organizimin dhe vendosjen e rregullave dhe privilegjeve edhe për zgjedhjet e reja,megjithëse atyre u ka mbaruar mandati zgjedhor,pra janë njëlloj si gjithë të tjerët para sovranit popull.

     (c)-Partitë e ashtuquajtura “të mëdha”,kanë vendosur madje një rregull  zgjedhor “thellësisht antidemokratik” që kandidatët për deputetë të partisë së tyre të caktohen me listë të mbyllur nga vet kryetarët e tyre dhe ti paraqiten Komisionit Qëndrorë të Zgjedhjeve për ti hedhur në votim popullor  këta “jesmenë” të kryetarit. Në qoftë se kjo quhet një “parim demokratik”,atëhere kush quhet parim diktatorial,kult individi apo pushtet personal,nga të cilat e kemi pësuar në të kaluarën e afërt dhe të largët.Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të çdo kandidati nga populli por emrime të deputetëve nga kryetarët e partive për ti qëndruar besnik dhe servilë atij personalisht për pushtet të gjatë dhe të pakufizuar,shkurt “enverizëm i kulluar”.

     (d)-Një kriter tjetër antidemokratik e madje fyes e përbuzës është jo vetëm hartimi i listave të kandidatëve për deputet nga vet kryetarët e partive,por edhe fakti që kryetarët i renditin ata në mënyrë thjesht subjektive në listë,duke ju shkelur dinjitetin dhe të drejtën e barazisë në konkurimin elektoral me zgjedhësit.Sipas këtij vlerësimi personal të kryetarit,njeri kandidat vendoset në krye të listës për ti siguruar votat e para atij,ndërsa tjetrin në fund të saj,për ti dhënë çfarë mund të mbeten dhe nëse do të mbetet ndonjë votë tepër,pra kandidatët janë të dorës së parë,të dytë,të tretë e kështu me radhë,pra njeri kandidat sipas kryetarit del “ekselencë”,ndërsa tjetri “mbushës topi”,që për çudi i kandituari për interesa thjesht materiale-karieriste e ka pranuar edhe vetë këtë lloj “lipe shtogu”.Nga disa qindra kandidatë të propozuar sipas këtij kriteri në fushatën elektorale të 23 qershorit 2013,vetëm një person e refuzoi publikisht këtë lloj përçmimi dhe pranoi të kanditojë vetëm në krye të listës për një subjekt tjetër partiak.Deputetët e dorës së dytë,të tretë etj. mund ta ndjejnë vehten të tillë edhe në parlament,duke qënë gjithëmon jesmenë.

    A nuk do të ishte demokratike,në interes të popullit dhe dinjituoze që kandidatët për deputetë të konkuronin  drejtpërsëdrejti me emër dhe mbiemër në zonën elektorale përkatëse,ku populli do të zgjidhte përfaqësuesin e tij në parlament në bazë të kontratës me të dhe në rast të devijimit të deputetit nga kontrata,populli i zonës ti hiqte mandatin para kohe me votë direkte pa pyetur kryetarët apo partitë ku ai bën pjesë.

    (e)-Një kriter tjetër i kodit zgjedhor ekzistues,që shkel barazinë e konkurimit dhe diskriminon votuesit dhe kandidatët që garojnë jashtë koalicioneve partiake,duke ju shtuar në mënyrë artificiale dhe antidemokratike numurin e votave që duhet të marrë për një mandat deputeti.Kjo diskriminon jo vetëm kandidatin për deputet por edhe të drejtën dhe barazinë e votës për votues të ndryshëm,sepse vota e disa votuesëve ka vlerë më të madhe,ndërsa për disa të tjerë më te vogël,për një mandat deputeti.Pra, sipas kodit ekzistues për mandate të barabarta deputeti, kërkohen sasi të ndryshme votash.

    (f)-Trafikimi i deputetëve duke shkelur premtimet,programin dhe kontratën me zgjedhësit ose mos heqia e mandatit të tij para kohe nga zgjedhësit kur ai nuk angazhohet për realizimin e premtimeve gjatë mandatit të deputetit ose trafikon votën,janë gjithashtu në shkelje të rënda të parimeve demokratike,lidhur me kontrollin e sovranit mbi deputetin apo parlamentin.

    (g)-Zgjedhja,emërimi dhe shkarkimi i të gjithë funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë dhe të shtetit në përgjithësi nga dy partitë e “mëdha”,dhe praktika e dy dekadave të fundit flet më së miri për karakterin parti-shtet-diktat të sistemit politik ekzistues në Shqipëri.Ky sistem nuk mund të prodhojë kurrësesi drejtësi,zhvillim ekonomik dhe mirëqënie shoqërore.

    1. 6.      Epilogu

    Rreth 40 vjetë më parë,një koleg dhe mik imi,pyetjes lidhur me punën ku e kishin degdisur në një Kooperativë Bujqësore Malore të Rrethit Tiranë si intelektual “rebel”,”paparti” dhe i pa dëshirueshëm për rregjimin,me shumë brengë u përgjegj: “Përjetoj mendimet anadollake, drejtuesit analfabet,ullinjt bizantinë,rrushin çelek, veglat e varrit dhe financat qesharake. Kryetari i Kooperativës Bujqësore, kryesia dhe byroja e partisë në kooperativë,janë militantë partiakë me besueshmëri dhe mbështetje të lartë politike por gjysëm-analfabetë, vendosin për gjithëshka,ndërsa  sipas tyre, mua si i vetmi intelektual dhe profesionist atje, më duhet të edukohem dhe të mësoj shumë nga ata dhe kooperativistët”. Ai, sot i ndjerë,ishte një intelektual i shquar,ekselencë, kishte mbaruar studimet universitare me rezultate të shkëlqyera,njëkohësisht në dy profile në ish-Bashkimin Sovjetik.Ai nuk pranoi ofertën e universitetit rus ku studjoi për të qëndruar pedagog atje,por u kthye në atdhe për ti shërbyer vëndit të tij.Ishte një ndër specilistët e parë dhe më në zë në profilin e tij shkencor,ish-pedagog në arsimin tonë të lartë,por që nuk ju përshtat dot mediokritetit dhe sistemit anadollak shqiptar.Veç njohjes tonë,ne përjetuam thuajse të njëjtin fat,por rasti im rezultoi edhe më tronditës.Nga pedagog dhe punonjës shkencor në universitet,kisha mbaruar studimet pasuniversitare në Akademinë e Shkencave jashtë shtetit, në fushën e Kimisë dhe Fizikës Bërthamore,themelues i ish-Institutit të Fizikës Bërthamore që nga guri themeltar, më degdisën puntor në Kantjerin e Ndërtimit të Uzinës së Naftës në Ballsh,vetëm sepse punoja me pasion shkencor e profesional në interes të vëndit dhe nuk i nënshtrohesha mediokritetit dhe servilizmit  të rregjimit.Kjo konsiderohej si “egoiste”,”mëndjemadhësi”, ”teknokratizëm” dhe  “nostalgji” ndaj shkencës perndimore,gjë për të cilën duhej që të riedukohesha në gjirin e klasës punëtore sipas sahanlëpirësve rreth e rrotull dhe urdhërit të kupolës partiake.Në përgjigje të këtyre masave  arbitrare,dorëzova teserën e anëtarit të PPSH,në qershor të 1972,duke i dalë ballë për ballë mediokritetit  dhe militantëve të ish-diktaturës enveriste. Zëmërimi dhe tërbimi shtazarak dhe anadollakllëku i kupolës parti-shtet dhe i shërbëtorëve të tyre “intelektualë” rrotull meje,më   degdisën fillimisht si mësues në Shkollën e Mesme në Ballsh dhe më pas punëtor në Kantjerin e Ndërtimit të Uzinës së Naftës,si gjithmon me urdhër nga lart.Këtu ishte sjellë njëkohësisht  një intelektual tjetër nga Tirana, i cili kishte mbaruar studimet universitare në ish-Bashkimin Sovjetik,inxhinier ndërtimi dhe ish-zv.Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i degëdisur gjithashtu në Ballsh familjarisht,me gruan ruse,dhe dy vajza të vogëla,si drejtor i Kantjerit të Ndërtimit të Uzinës së Naftës.Ai e pësoi edhe më keq, u akuzua po me të njëjtin tërbim shtazarak si armik i partisë,pa asnjë arësye,në kundërshtim me çdo normë,ligj apo sjellje njerëzore,u burgos dhe më pas u eliminua fizikisht,megjithë punën e madhe,angazhimin maksimal në ndërtimin e uzinës, respektin dhe konsideratën e lartë të punonjësve dhe qytetarëve të qytezës së Ballshit për këtë intelektual të shquar,të aftë,punëtor dhe shumë të edukuar.Bashkëshortja e tij ruse bashkë me dy vajzat e vogëla mbetën në mëshirën e fatit në mjerim dhe si i thonë fjalës në “rrugën e madhe”, me vuajtje të papara.Një intelektual tjetër i njohur nga fusha e artit,mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve të Hungarisë,regjizori i Festivalit të 11-të të RTSH, u soll gjithashtu punëtor në Ballsh dhe më pas u arrestua dhe u burgos me urdhër nga lart,jasht çdo norme,ligji apo ndjenje njerëzore,që konsiderohen të dënueshme madje kur zbatohen edhe ndaj robërve të luftës.Krime të tilla kanë karakterizuar sistemet politiko-shoqërore Shqiptare,në forma dhe taktika të ndryshme për gjatë rreth një shekulli që nga shpallja e pavarësisë,në traditën e otomanizmit dhe fashizmit. Luftrat,përpjekjet,sakrificat e popullit,janë kurorëzuar me padrejtësi dhe vuajtje shekullore,me rregjime antipopullore,me humbjen e shpresës për drejtësi dhe të përkufizuar me mallkimin e kahershëm popullor:“Selanik e përpjetë,kështu ka qënë dhe do jetë”.

    Por,a do të bëhet më në fund Shqipëria shtet i së drejtës,me qytetarë të lirë,me një shoqëri me nivel jetik si në shoqëritë europiane të zhvilluara,pa krime,pa korrupsion dhe pa qeveritarë të pa aftë,dordolecë dhe jesmenë.Deri më sot kjo nuk ka ndodhur.Populli Shqiptar e kërkon dhe e meriton një shtet për të.Ai e shprehu këtë edhe me zgjedhjet plebishitare të 23 Qershorit. RILINDASIT tanë,partizanët patriot në të gjitha kohërat,luftuan dhe sakrifikuan jetën e tyre për këtë ideal.Gjykoj se përveç shpalljes së pavarësisë,ideali i tyre për fat të keq nuk është arritur ende plotësisht. Qeveritarët apo “Rilindasit e Rinj” që i mbështeti populli me votën e tij,kanë një shans të madh historik për të realizuar një shtet normal për popullin Shqiptar.Është qeveri e mbështetur nga populli i cili kërkon as më shumë dhe as më pak por: Shtet,drejtësi,ndëshkue- shmëri për vrasësit,të korruptuarit dhe hajdutët e pasurive publike dhe private,punë dhe mirë- qënie shoqërore,eliminimin e gjakëmarrjes dhe ngujimin,sigurinë e jetës dhe të pronës,siguri- min e shërbimit shëndetësor për të gjithë,transformimin rrënjësor të administratës    publike,të sistemit gjyqësor,të arsimit dhe të policisë së shtetit,të gjitha këto në interes të kombit,për të sotmen dhe të ardhmen e tij.Plotësisht të realizueshme dhe të mbështetura me pasuritë e mëdha të burimeve natyrore dhe njerëzore të këtij vëndi të mrekullueshëm.