Prof. As/Dr. Dine Merja: Ju rrëfej Mehmet Shehun në 100- vjetorin e lindjes së tij

    82

    NË KUJTIM TË MEHMET SHEHUT

     Shehu Lindi më 10 janar 1913 në Mallakastër. Mbetet mister fati i ish-Kryeministrit në dhjetor 1981, e vranë apo u vetëvra!?

    Më 10 janar të vitit 1913 lindi një nga personalitetet e shquara shqiptare Mehmet Shehu, patriot, revolucionar, politikan dhe kryeministër i shtetit Shqiptar gjatë 27 vjetëve. Jeta dhe veprimtaria e tij revolucionare që nga mosha djaloshare e deri sa vdiq, janë një luftë dhe përpjekje e ethshme për çlirimin e vendit nga regjimi satrap monarkist,pushtuesit e huaj nazifashist dhe bashkëpunëtorët e tyre kolaboracionist. Qysh në moshë të re,në veprimtarinë revolucionare,ai u brumos me ideologjinë komuniste idealiste të kohës së cilës i shërbeu me përkushtim e devotshmëri deri në fundin tragjik të jetës së tij. Triumfit të kësaj ideologjie, që e shikonte si të vetmen mundësi për shpëtimin kombëtar nga pushtuesit e huaj dhe prosperitetin e vendit të vet, ai i shërbeu me pushkë dhe penë duke qenë në vijën e parë të sulmit gjatë gjithë epopesë së luftës partizane nacional çlirimtare, në krye të formacioneve të para partizane,themelues dhe komandat i çetës plakë të Mallakastrës, i Brigadës së Parë sulmuese dhe i divizionit të parë të ushtrisë nacional-çlirimtare. Ishte një luftëtarë komandant dhe udhëheqës kryesor i luftës partizane,i njohur publikisht gjatë kësaj epopeje, që proklamohej me të gjitha mjetet dhe kërkohej me të gjitha forcat nga pushtuesit nazifashist për kapjen dhe eliminimin e tij si personi më i rrezikshëm për ta. Jo më kot populli i gjithë krahinës së Labërisë dhe i Mallakastrës trime, ku ishte përqendruar vatra e zjarrit dhe e përleshjeve thikë më thikë me pushtuesit për shporrjen e tij, i këndonte gjatë gjithë luftës heroizmit dhe trimërive të tij me shumë dashuri e krenari “Gjëmon topi ,tundet dheu, lufton kudo Mehmet Shehu”.

    Mehmet Shehu ishte një personalitet me kulturë të gjerë, zotërues i 5 gjuhëve të huaja, një udhëheqës dhe organizator i shquar, me karakter të fortë dhe brutal ndaj tradhtarëve të atdheut dhe sabotatorëve të ekonomisë së vendit. Por pavarësisht meritave të tij kombëtare,ai fajësohet si një nga përgjegjësit kryesorë krahas Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos për vendosjen e diktaturës partiake në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës,për zbatimin e vijës së ashpër, të luftës së klasave, burgosjen dhe eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë, izolimin total të vendit në funksion të  mbajtjes së pushtetit monist,tejkalimin e dhunës dhe eliminimeve fizike gjatë luftës partizane ndaj kundërshtarëve vendas, vendosjen e militantëve partiakë dhe të pa-aftëve në drejtimin e vendit etj. Megjithatë,si kryeministër i vendit për rreth 27 vjet(1954-1981) ai shpesh në rrethana nervozizmi shfaqte qëndrime të dyzuara politike për shkak të pasojave ekonomike katastrofike  të platformës politike të partisë shtet që mbështeste, sidomos pas prishjeve me ish-kampin socialist dhe më pas me Kinën, por nuk gjeti forca dhe mundësi për ndryshime radikale gjë që do të kishte shpëtuar Shqipërinë nga regjimi kriminal diktatorial i Enver Hoxhës dhe nga shkatërrimet katastrofike të vendit pas viteve 1990, sipas skenarit të Ramiz Alisë. Kjo diktaturë që mbështeti për rreth gjysmë shekulli i ra mbi kokën e tij duke pësuar të njëjtin fat me ish-luftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt të luftës dhe punës të cilët u denigruan dhe u eliminuan pjesë-pjesë me të njëjta metoda tinëzare dhe kriminale nga Enver Hoxha dhe të mbështetur edhe nga ai vet. Por paniku dhe frika e Enver Hoxhës dhe e nxitësve të tij nuk mund të ishin të qetë pa eliminuar edhe Mehmet Shehun. Kur ai e kuptoi se i kishte ardhur radha, dyzimi i tij politik ishte atrofizuar,i mbetur vetëm dhe përball një skenari tepër ogurzi dhe të paparashikueshëm për nga monstruoziteti, pësoi fundin tragjik me vrasje apo vet-vrasje.  Ai në dallim nga të gjithë ish-udhëheqësit komunist të regjimit monist, shquhej për kulturë dhe veprimtari të gjerë politike, revolucionare dhe luftarake brenda dhe jashtë vendit (Itali, Spanjë,  Francë).

    Në veprimtarinë e tij shtetërore si kryeministër për rindërtimin e vendit pas luftës, u përball me një gjendje ekonomike dhe prapambetje të jashtëzakonshme të trashëguar nga regjimi satrapo-monarkist dhe të thelluar nga lufta e dytë botërore. Kështu, nga një vend malarik, analfabet, i kandilit, i kënetave dhe mushkonjave, i errësirës, i banesave katundare e qytetare me balt e kashtë,i katundarit të mprehur në parmendë për lëvrimin e tokës, një vend thellësisht i pazhvilluar, u kthye në një vend me zhdukje totale të malaries, kandilit, kënetave, errësirës, analfabetizmit,ngujimit të gjakmarrjes, i zëvendësimit të parmendës me traktorin, luftën e suksesshme ndaj hajdutllëkut, korrupsionit,prostitucionit etj. Konsolidimi i shtetit,i mbrojtjes së vendit,i shërbimit shëndetësor falas për të gjithë,i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet shkollore,i universiteteve dhe instituteve të larta arsimore dhe shkencore,i artit,kinematografisë, gjuhës,letërsisë,albanologjisë,sistemit të bonifikimeve totale, i sistemit hidro-energjitik me të cilat furnizohemi edhe sot e kësaj dite me energji elektrike,i elektrifikimit të plotë të vendit, i fabrikave dhe uzinave i plantacioneve të kulturave bujqësore, agrumeve, ullirit, pemtarisë, vreshtarisë, perimeve, kulturave industriale ,drithërave etj., të cilat u shkatërruan në mënyrë të pamëshirshme dhe antikombëtare pas ndryshimit të regjimit, nga i cili prisnim vetëm progres dhe ndryshimin politik nga diktatura në demokraci, duke pastruar të këqijat e diktaturës dhe duke zhvilluar më tej vlerat pozitive sociale të demokracisë,në interes të popullit dhe kombit, gjë që nuk ndodhi. Duke mos u zgjatur në jetën dhe veprimtarinë e Mehmet Shehut e cila meriton shumë më tepër për tu trajtuar e theksuar, do të kujtoj me këtë rast një episod që kam përjetuar me të, duke sqaruar paraprakisht rrethanat dhe arsyet e takimit dhe të bisedës me ish-kryeministrin më jetëgjatë.

    Në vitet 1966-‘68 kreva studimet pasuniversitare si ish-pedagog i Universitetit të Tiranës, pranë Akademisë së Shkencave të Kinës në fushën e Kimisë dhe Fizikës Bërthamore. Mbërritja ime në Kinë dhe periudha e studimeve pasuniversitare atje,përkoi me fillimin e një lëvizje të madhe violente masive në të gjithë Kinën,që u quajt “Revolucioni i Madh Kulturor Proletar”, i nxitur dhe udhëhequr nga Mao Ce Duni,i cili kishte humbur mbështetjen e shumicës së Partisë Komuniste të Kinës, e si pasojë lëvizja përfaqësonte në të vërtet një përleshje ndërmjet palëve kundërshtare,të militantëve të Kryetarit të Partisë Komuniste të Kinës(PKK), Mao Ce Dunit, për të ruajtur pushtetin e tij personal nga njëra anë dhe të pjesës më të ndriçuar të vendit, të shumicës së udhëheqësve Kinezë të përfaqësuar nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës dhe zv/kryetari i kësaj partie, Liu Shao Çisë dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Ten Sjao Pin nga ana tjetër. Popullit Kinës dhe veçanërisht rinisë ju bë thirrje nga Mao Ce Duni për të përmbysur me forcë pushtetin partiak të Liu Shao Çisë dhe Ten Sjao Pinit dhe mbështetësve të tyre, që sipas Mao Ce Dunit, kishin hyrë në rrugën borgjezo-kapitaliste. Kjo përplasje e nxitur dhe e bazuar në konflikte interesash të grupeve të ndryshme politiko-shoqërore, u shtri në të gjithë Kinën dhe shpuri në dhunë masive, në kaos, në përçarje dhe amulli ekonomike shkatërrimtare 10-vjeçare për të gjithë vendin.

    Vitet e studimeve të mia në Kinë, ndonëse në moshë djaloshare u  karakterizuan nga një aktivitet i gjerë jo vetëm shkencor, por edhe politiko-shoqëror, për shkak të angazhimit tim edhe në cilësinë e Konsullit Shqiptar (pa portofol) për Shanghain, nga ana e ambasadës tonë në Pekin. Zhvillimi i Revolucionit Kultural në Kinë, përbënte një shqetësim të madh për udhëheqësit partiak e shtetëror të Shqipërisë, sepse Shqipëria atëherë ishte një vend i vetë izoluar dhe se ekonomia e atëhershme shqiptare bazohej kryekëput nga mbështetja Kineze. Udhëheqja shqiptare e shqetësuar nga përçarja e udhëheqjes kineze,intensifikoi ecejaket e personaliteteve më të larta partiake e shtetërore me vizita zyrtare dhe konfidenciale në Kinë, nga njëra anë  për të marrë informacion dhe për të ndjekur nga afër balancin e forcave në këtë përplasje dhe nga ana tjetër për të siguruar e përshpejtuar ndihmat ekonomike të Kinës për Shqipërinë,për ti dalë përpara të papriturave në marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve.  Në rrethanat e sipër përmendura, pata takime të shpeshta dhe te njëpasnjëshme në kohë të ndryshme në Shanghai,me ish-ambasadorin shqiptar në Pekin Vasil Nathanaili dhe me udhëheqës e personalitete shqiptare në përbërje të delegacioneve  të ndryshme partiake e shtetërore që vinin herë pas here në Kinë, si  me Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Beqir Ballukun, Ramiz Aline, Behar Shtyllën, Hito Çakon, Shefqet Peçin etj..

    Pas propagandimit dhe mbështetjes të gjithanshme në të gjithë Kinën të Kryetarit Mao nga pala shqiptare,veçanërisht në kulmin e demonstrimit të forcës për rrëmbimin e pushtetit në Shanghai nga klika e Maos(Janar-Shkurt 1967), si përgjigje të kësaj mbështetje shqiptare, në Qendrën Bërthamore ku unë punoja, pavarësisht qëndrimit dhe respektit personal ndaj meje,në formë cinike dhe ironike ndaj mbështetjes shqiptare,krahu kundërshtar që ishte gjithashtu i fuqishëm,më komunikoi me keqardhje në cilësinë edhe të konsullit,se në përputhje me deklarimet e Partisë dhe të Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e Revolucionit Kulturor dhe të gardistëve të kuq,unë duhej të jetoja me nivelin jetik të popullit Kinës, duke mu prerë bursa kineze, ndërsa ushqimi dhe veshja duhej të ishin të njëllojta me Kinezët. Masat u zbatuan menjëherë, mu pre bursa, mu hoq gatimi ushqimor europian, mu kërkua veshja e uniformës kineze dhe pjesëmarrja në leximin dhe studimin kolektiv të veprave të Mao Ce Dunit, duke më theksuar se kështu do të veprohet së shpejti edhe në Shqipëri. Këto masa i konsiderova arbitrare, në kundërshtim me normat elementare të marrëdhënieve Shqiptaro-Kineze, që nuk pranohen dhe nuk do të zbatohen nga ana ime. Ndërkohë, njoftova ambasadën tonë në Pekin,duke i kërkuar ndihmë financiare për të vazhduar studimet ose kthimin tim në atdhe. Ambasadori Vasil Nathanaili dërgoi posaçërisht në Shanghai këshilltarin e ambasadës,i cili pas mbërritjes në Shanghai kontaktoi me mua dhe pastaj me disa drejtues shkencorë të institutit të cilët shprehën konsiderata superlative për punën dhe përgatitjen time shkencore, por me keqardhje se nuk kishin kompetenca lidhur me trajtimin tim ekonomik dhe politik në rrethanat e një amullie politike në Shanghai dhe në të gjithë Kinën. Ndërkaq, këshilltari i ambasadës më transmetoi porosinë e ambasadorit, se unë duhej të vazhdoja punën dhe pritjen në institut, pasi së shpejti do të vinte Kryeministri Mehmet Shehu  për një vizitë në Kinë, me të cilin do të zgjidhej edhe çështja ime, duke më theksuar se kjo ishte porosi nga Tirana. Por ai nuk i dha zgjidhje mënyrës së trajtimit tim ekonomik, së paku shpenzimeve të ushqimit deri në zgjidhjen e problemit nga Kryeministri, me justifikimin se çështja ishte mjaft delikate,se mund të acarohen marrëdhëniet me shokët Kinezë, kështu që unë duhej të manovroja vetë deri në zgjidhjen e problemit. Falë disa kursimeve të mia financiare,përballova minimalisht mbijetesën deri në mbërritjen e delegacionit partiak e shtetëror të kryesuar nga Kryeministri Mehmet Shehu për një vizitë në Kinë. Ky delegacion, në përbërjen e të cilit ishte edhe Sekretari i KQ të PPSH Ramiz Alia, si dhe një numër zyrtarësh të lartë, mbërriti në Pekin më 26 shtator 1967.

    Pas takimeve me udhëheqësit kinezë në Pekin dhe pas asistimit në paradën e 1 Tetorit,18 vjetorit të shpalljes së RP të Kinës,delegacioni u nda në dy pjesë për të mbështetur Mao Ce Dunin në të gjithë Kinën,e sidomos në zonat më të nxehta të revolucionit. Kryeministri me një pjesë të delegacionit u nis për në Kinën lindore,ndërsa Ramiz Alia me pjesën tjetër të delegacionit për në Kinën veriore. Pas rreth 2 javësh fushate propagandistike, delegacioni mbërriti i plotë në Shanghai më 11 tetor 1967.  Pas mbërritjes në Shanghai, delegacioni u sistemua në Hotelin qeveritar “Xhinxhian  Fantje”, ju dha një drekë zyrtare, ndërsa rreth orës 8:00 të mbrëmjes u realizua takimi me mua, që zgjati rreth 3 orë. Në këtë takim në formë darke, në hotelin e përmendur, ishin të pranishëm Mehmet Shehu, Ramiz Alia,Vasil Nathanaili dhe unë.

    Sipas informimit tim paraprak nga ambasadori Nathanaili,takimi me Mehmet Shehun dhe Ramiz Alinë  do të përqendrohej kryesisht në diskutimin e dy çështjeve: (1)- Zhvillimet e revolucionit kulturor në Kinë dhe (2)- Problemi i  qëndrimeve kineze ndaj meje. Takimi u organizua me dyer të mbyllura,në formë darke me tavolinën e mbushur plotë e përplot me gatime e pije të ndryshme të vendosura njëherësh, pa hyrje -dalje të personelit të shërbimit. Por për shkak të ashpërsisë që mori përplasja e mendimeve në bisedë ndërmjet Kryeministrit dhe meje,gatimet dhe pijet e tavolinës nuk u prekën fare në atë darkë. Ndonëse kanë kaluar rreth 46 vjet, kujtoj ende në detaje këtë takim dhe bisedë shumë të acaruar,interesante dhe me rëndësi të veçantë shtetërore në rrethanat  e atëhershme.

    Kryeministri pas një bisede të përgjithshme kortezie, më kërkoi të flisja hapur, pa asnjë ndrojtje ose rezervë për zhvillimet e revolucionit në Kinë, sepse sipas tij,ky informim  ishte me shumë rëndësi për  partinë dhe vendin tonë dhe se ata nuk ishin shumë të informuar për zhvillimet në teren të revolucionit kulturor kinez dhe të perspektivës së tij. Trupi diplomatik ishte i izoluar në Pekin dhe për arsye politike e  sigurie nuk lejohej të dilte jashtë Pekinit duke përfshirë edhe atë Shqiptar. Në këto rrethana në atë kohë unë isha i vetmi i huaj në Kinë dhe në Shanghai, ku ishte përqendruar vatra e revolucionit dhe shpresat e kundërshtarëve për fitore.

    Fillimisht,  në fytyrën e kryeministrit nuk ishte vështirë të zbuloje një gjendje jo të mirë psikologjike lidhur me vizitën e tij në Kinë dhe rezultatet e bisedave dhe të marrëveshjeve bilaterale që mund të ishin diskutuar e vendosur me udhëheqësit Kinezë,ndofta pse jo edhe ndonjë pykë e tyre ndaj meje. Vizitat propagandistike,takimet dhe bisedat që ata kishin bërë gjatë dy javëve në rajone të ndryshme të Kinës mesa dukej kishin krijuar tek ai mendimin për katrahurën e revolucionit kulturor të cilin e mbështeste,gjë për të cilën dukej i dyzuar. Mjaftoi edhe ekspozeja ime  eksplozive me argumente dhe fakte të padiskutueshme për atë të ashtu- quajtur “Revolucion i Madh Kulturor Proletar” që ai të shpërthente kundër meje si të isha unë fajtori. Faktikisht,Shanghai ishte epiqendra e revolucionit, ai do të vendoste fatin e tij, aty ishin përqendruar të gjitha forcat e të dy krahëve kundërshtarë, ushtria, sigurimi, rreth 5 milion gardistë të kuq nxënës e studentë të ardhur nga të katër anët e Kinës.

    Për vet natyrën e tij të ashpër,brutale dhe të pa përmbajtur, kryeministri pas ekspozesë që unë bëra sipas kërkesës së tij, lidhur me zhvillimet e revolucionit kulturor dhe trajtimin tim nga instancat politike kineze të diktuara që nga Pekini, shpërtheu në fillim kundër meje, në mënyrë brutale, me presione dhe fyerje arrogante, duke u çjerrë e bërtitur se do t’më kapte për bythe dhe do t’më niste si kolipostë me vaporin shqiptar për në Shqipëri. Ekspozeja ime e bazuar në fakte dhe argumente për zhvillimet e Revolucionit Kulturor Kinez binte ndesh me informimet dhe pozicionimin  mbështetës të udhëheqjes Shqiptare ndaj këtij revolucioni.  Në përgjigje të kërcënimeve dhe fyerjeve brutale të tij,i theksova qetësisht: “Shoku Kryeministër, këtu jam mësuar dhe kalitur përditë me brutalitete, fyerje dhe kërcënime të tilla,prandaj edhe prisja tjetër gjë nga kryeministri im, nga anëtari i Byrosë Politike të Partisë time. Megjithatë, unë pikërisht këtë kërkoj nga ju,që të kthehem në atdhe me çfarëdo lloj linje(detare,tokësore apo ajrore).Por,çështjet që unë ekspozova këtu,sipas vet kërkesës tuaj,janë të vërteta dhe nuk ju heq asnjë presje në çfarëdo rrethane qoftë. Këtu në Hotel, është përkthyesi im Kinës, ai flet rusisht, mund ta thërrasim tani këtu, me që ju e dini rusishten, mund ta pyesni e dëgjoni për të gjitha sa u fola,ai është në dijeni të plotë për gjithçka. Unë jam sot këtu,falë disa kursimeve të mia dhe të një jete sa për mbijetesë gjatë 45 ditëve e në vazhdim, në pritje të takimit me ju,ndërkohë që ambasada nuk më erdhi në ndihmë. Unë nuk di të gënjej,të mashtroj apo të shpif gjëra që nuk ekzistojnë por që mund t’ju pëlqenin juve. Në natyrën time, në karakter dhe në profesion i përkas shkencave ekzakte për të cilat jam edhe duke u kualifikuar në Akademinë e Shkencave të Kinës”.  Pas argumenteve dhe replikës time, shoku Vasil Nathanaili, një diplomat i shquar dhe me integritet njerëzor, me urtësinë, kulturën dhe pjekurinë e tij, duke ndërhyrë mbështeti çështjet e ngritura nga ana ime,të cilat i ishin bërë prezent paraprakisht edhe atij dhe justifikoi qëndrimin e ambasadës ndaj meje,në bazë të porosive që i ishin dhënë nga Tirana dhe të amullisë që ekzistonte në Kinë.

    Pas këtyre reagimeve, Mehmet Shehu, i pezmatuar edhe më shumë seç ishte,veprimet kineze ndaj meje dhe në një farë mënyre vet Revolucionin Kulturor i quajti kinezëri, mu drejtua me një farë ndjesie, shfajësimi dhe justifikimi, se ekonomia shqiptare varej kryekëput nga Kina, se Shqipëria ishte thuajse në kolaps,e prishur me botën dhe totalisht e izoluar prej saj,se shumë kuadro dhe specialistë në Shqipëri janë servilë, konformist dhe karrierist, se ai si Kryeministër nuk kishte mundësi të tjera për ti ofruar popullit shqiptar veç ndihmës kineze, se unë nuk e kisha kaluar partizanllëkun dhe në interes të atdheut duhej të përballesha në rrethanat konkrete,se duhej të ruaja shëndetin dhe të rrëmbeja sa më shumë nga teknologjia kineze në fushën e energjisë bërthamore, se së shpejti unë do të largohesha nga Shanghai për në Pekin pranë Institutit të Energjisë Atomike deri në përfundim të specializimit etj.. Ai porositi ambasadorin për mbështetje të plotë financiare të menjëhershme ndaj meje  nga ana e ambasadës, për këtë ai do të urdhëronte instancat shtetërore përkatëse për  shtesën e fondeve të nevojshme, ndërkohë shpresonte në normalizimin e qëndrimeve kineze ndaj meje sipas bisedave që kishte pasur me instancat përkatëse në Pekin.

    Në fund të bisedës, kryeministri më pyeti për ndonjë kërkesë tjetër që mund të kisha. I përsërita vetëm dëshirën dhe mallin që kisha për tu kthyer në atdhe. Në këtë moment më befasoi ndërhyrja e ambasadorit, i cili çuditërisht i shprehu kryeministrit një dëshirën time të paradokohshme të shprehur konfidencialisht atij, për tu kthyer në Shqipëri me tren nëpërmjet Bashkimit Sovjetik dhe jo me aeroplan, gjë që ai më kishte sqaruar se ishte jashtë kompetencës së tij. Mendova se ndofta ambasadori shfrytëzoi rastin për ta deklaruar e shkarkuar kërkesën time tek kryeministri. Por kryeministri nuk u befasua fare por e porositi ambasadorin që kur të vinte afati i kthimit, t’ më jepte paratë e udhëtimit, ndërsa unë të kthehesha nga të doja, duke e qetësuar ambasadorin se kryeministri kishte besim dhe bëhej garant për mbërritjen time në atdhe.

    Në këtë takim bëri përshtypje heshtja thuajse e plotë e Ramiz Alisë, sekretarit të KQ të PPSH për ideologjinë, arsimin, shkencën dhe kulturën. Prisja një mbështetje të drejtë dhe parimore prej tij, i cili më njihte prej kohësh personalisht nga afër, jo vetën si pedagog dhe komshi (banoja në pallat përball tij) por edhe si një koleg dhe bashkëpunues me bashkëshorten e tij. Kjo heshtje ishte ndjerë edhe nga shoku Vasil Nathanaili,të cilit i shpreha konfidencialisht mendimin se ndofta shoku Ramiz mund të ishte rezervuar për tu rrëfyer tjetër kund për çfarë kishte parë e dëgjuar. Të nesërmen, pas takimit tonë,delegacioni ynë mori pjesë në një miting të madh në qytetin e Shanghait i organizuar nga Komiteti Revolucionar i qytetit,pastaj u kthye në Pekin, prej nga u largua për në atdhe nëpërmjet Pakistanit, pas 18 ditësh qëndrimi intensiv në të gjithë Kinën. Ndërsa kinezët ende pa u larguar kryeministri nga Pekini, ndryshuan qëndrim ndaj meje, kërkuan ndjesë dhe filluan trajtimin tim si më pare në konformitet me marrëveshjen fillestare zyrtare. Trajtimi i mëtejshëm dhe ecuria e kualifikimit tim u bë ashtu siç këshilloi Kryeministri. Pas përfundimit të studimeve në Kinë, u ktheva për në atdhe me tren,nëpërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Hungarisë,në një udhëtim të gjatë 2-javor, me surpriza,oferta dhe peizazhe fantastike, duke mos zhgënjyer njëherazi besimin dhe garancinë e Kryeministrit.