Prof. As/Dr. Dine Merja: Helmet e Sirisë si bomba e Hiroshimës

    524
    Sigal

    Lëndët helmuese të Sirisë, më të tmerrshme se shpërthimet bërthamore të Hiroshimës dhe Nagasakit

    Në cilësinë e specialistit në fushën e kimisë bërthamore, si dhe të ish-ekspertit të jashtëm për armët e dëmtimit në masë pranë ish-drejtorisë të Kimisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në regjimin e kaluar, dëshiroj të shpreh opinionin tim lidhur me problemin e sjelljes në Shqipëri të Lëndëve Helmuese Luftarake (LHL) të Sirisë, për asgjësim, siç po flitet në publik.

    Së pari, gjykoj se vet mendimi për të përfshirë Shqipërinë në këtë aksion tepër të rrezikshëm është më shumë se një amatorizëm. Ne sa shpëtuam nga një marrëzi për ngritjen në Shqipëri të centraleve bërthamore apo të sjelljes së plehrave

     nga vendet e Bashkimit Europian dhe u dashka të diskutojmë për një marrëzi tjetër ku e ku më të rrezikshme se ato të mëparshme. Si është e mundur pas kaq ngjarjesh dramatike të ndodhura jo shumë larg në kohë e në hapësirë në këtë vend të vockël si: shpërthimet e depove të armëve, eksplozimet me viktima në depot e predhave luftarake, shkeljet monstruoze me pasojë shpërthimi në Gërdec, ngjarjet e ‘97-s dhe ‘98-s, Al Qaeda autonome lazariane, përmbytjet e Lezhës-Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, kasaphana e aksidenteve të përditshme rrugore etj., etj., e megjithatë, diskutohet se, ne mund të dalim si qeni para të zotit për të pranuar demilitarizimin e 1300 ton LHL, në kushte primitive komplekse. Qeveritarët tanë që përbetohen dhe premtojnë botërisht nëpër fushata elektorale se do të punojnë për begatinë dhe prosperitetin e popullit dhe vendit të tyre, nuk duhet të pranojnë në çdo rrethanë që Shqipëria të kthehet në një varrezë të lëndëve helmuese luftarake apo atyre radioaktive. Para se të jemi pjesë e aleancave politike ndërkombëtare, jemi një vend i lirë, i pavarur dhe që nuk mund të na imponojë kush rreziqe në shkallë kombëtare të kësaj natyre. Shqipëria nuk mund të kthehet në një vend sirian, irakian apo afgan, ku jeta është kthyer në një rastësi.

    Për lexuesin e painformuar lidhur me rrezikshmërinë e LHL dhe në përgjithësi me armët kimike të dëmtimit në masë që synohet për t’i sjellë në Shqipëri për asgjësim, në një sasi prej rreth 1300 ton LHL, po japim një paraqitje të shkurtër devulgative.

    Çfarë janë LHL? LHL-të janë përbërje kimike, me veti të caktuara fiziko-kimike dhe toksike, të cilat kanë toksicitet të lartë ndaj çdo gjallese duke shkaktuar njëherazi edhe  ndotje dhe katastrofa mjedisore. Janë lëndë kimike në formë të gaztë, të lëngët ose të ngurtë, me toksicitet të lartë nervor, gjaku, asfiksimi, paralize, verbimi, lotimi, halucinimi, dermatologjik, kancerogjen etj.. Deri më sot, në shkallë botërore janë përdorur ose ruhen në depo armatimi mbi 70 lloje të ndryshme LHL, që së bashku me mjetet e përdorimit të tyre përbëjnë arsenalin e armëve kimike të dëmtimit në masë. Me armë kimike konvencionale (AKK) nënkuptohen LHL që zakonisht ndahen në tre grupe sipas synimit dhe trajtimit luftarak: Klasa e parë përfshin armët kimike me LHL në fazë të gaztë me toksicitet super të lart (VX, zarin, soman, mustard, tabun etj.). Klasa e dytë, armë kimike haluçinogjene me LHL me amiton dhe BZ. Klasa e tretë, armë kimike me toksicitet relativisht më të vogël. Armët kimike sipas LHL që përdorin ndahen në dy kategori: vdekjeprurëse dhe paralizuese. LHL klasifikohet si paralizuese në qoftë se një e qindta e dozës së saj vdekjeprurëse shkakton paralizim (p.sh. verbim, lotim, humbje vetëdije dhe në potencë sëmundje komplekse e kancerogjene etj.). Një sërë LHL shkaktojnë asfiksi (fosgen, difosgen, klorpikrinë, klor etj.), të tjera veprojnë në sistemin nervor (VX, zarin, soman, tabun etj.), disa ndikojnë në bllokimin e qarkullimit të gjakut (acid cianhidrik, cianklor, herigem, cianure etj.), një grup tjetër LHL  janë me veprim lotimi, verbimi ose haluçinimi (gazi-SN, gazi-CS, BZ etj.). Shumica e LHL në varësi edhe të dozës së marrë kanë veprim vdekjeprurës të menjëhershëm (në sasi deri në të mijta të gramit) ose shkaktojnë paralizë, sëmundje të rënda kronike, kancerogjene, neuropsikike, sëmundje të trashëguara në linjë gjenetike etj..

    Arsenali i armëve kimike. Dy luftërat botërore, periudha e luftës së ftohtë, luftërat lokale në Indokinë, në Afrikë, Amerikë Latine, në lindjen e mesme dhe vatrat e nxehta sot e kësaj dite, kanë akumuluar një arsenal të stërmadh armësh kimike të shfarosjes në masë, e cila  llogaritet në disa qindra mijëra ton LHL, që bashkë me armatimin bërthamor përbëjnë një kërcënim kolosal jo vetëm për paqen në shkallë botërore, por edhe për jetën e gjallë mbi tokë,për ndotjen shkatërrimtare të mjedisit (ajrit, ujërave, tokës, bimëve, kafshëve dhe popullatës humane). Megjithë asgjësimin e mjaft stoqeve të vjetra të LHL nga superfuqitë dhe shtetet e tjera, që flitet se janë asgjësuar rreth 78% e sasive të deklaruara prej tyre, prapë se prapë ka ende rezerva të konsiderueshme sidomos me prodhime të reja. Nga ana tjetër, asgjësimi i stoqeve të LHL përbën një problem të rrezikshëm për ndotjen e mjedisit. Pavarësisht përdorimit të teknologjive të reja asgjësuese, nuk mund të evitohet plotësisht ndotja e mjedisit, kërcënimi i jetës në zonat e asgjësimit dhe varrosja e mbetjeve toksike pas asgjësimit të një arsenali të caktuar. Kjo është edhe arsyeja që në asgjësimin e LHL përzgjidhen hapësira të shkreta të pabanuara, tunele të nëndheshme ose duke bërë pagesa të konsiderueshme joshëse për transportin dhe asgjësimin e tyre në vende të varfra e të prapambetura duke jua lënë riskun dhe varrezat e mbetjeve toksike ose radioaktive popujve të këtyre vendeve. Me asgjësim të LHL duhet nënkuptuar jo zhdukjen pa pasoja deri në zero të rrezikut toksik të tyre gjë që është  jo reale, por në kushte të një kërcënimi eminent katastrofik gjatë demontimit dhe asgjësimit të armëve kimike me LHL, synohet në përputhje me llojin e LHL të bëhet asgjësimi, neutralizimi apo zvogëlimi i fuqisë dëmtuese të tyre,duke shpërbërë strukturën kimike të LHL për t’i kthyer në forma më pak të dëmshme ose neutrale, ose duke zvogëluar volumin apo masën e LHL të paasgjësueshme siç janë LHL me përmbajtje arseniku, squfuri, cianureve, halogjenëve etj.. Në këto raste, pas demontimit dhe degazimit të municioneve kimike me LHL, mbeten përsëri mbetje tepër toksike (kripëra toksike) të cilat ambalazhohen në fuçi plastike për t’u ruajtur në mënyrë të përjetshme në varreza toksike nëntokësore, përsëri kërcënuese për shkak të  denatyrimit gradual të fuçive, me plasaritjen dhe hapjen e tyre. Për pasojë, lëndët toksike mund të përhapen në atmosferë ose shpërndahen nëpërmjet ujërave në ekosistemin: tokë-bimë-kafshë-njeri.

     Përdorimi i armëve kimikë të shfarosjes në masë me LHL të ndryshme gjatë luftërave lokale dhe botërore ka sjellë si pasojë shfarosje masive të forcave ushtarake dhe të popullatave njerëzore në qindra mijëra viktima që nga viti 1863 kur u përdorën lëndë helmuese në SHBA dhe deri në ditët tona, sidomos gjatë dy luftërave botërore 1914-1943 dhe më pas në luftërat lokale në Vietnam, Afganistan, Irak, Afrikë etj..(1960 deri në ditët e sotme  në Siri).

    Kushtet që kërkohen për shkatërrimin e armëve kimike Disa dekada më parë shkatërrimi i armëve kimike realizohej në mënyrë klandestine nga qeveritë e shteteve të ndryshme, duke i groposur në varreza toksike, duke i hedhur të ambalazhuara hermitikisht në det apo duke i djegur ose shpërthyer në hapësira të shkreta apo tunele nëntokësore. Këto forma shkatërrimi shumë shpejt dhanë pasoja tepër të dëmshme për mjedisin,ekosistemin dhe shëndetin e njerëzve. Ato u bënë probleme ndërkombëtare në OKB dhe nga Agjencitë Ndërkombëtare të Ruajtjes së Mjedisit dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sot për asgjësimin e armëve kimike përdoren dy metoda kryesore teknologjike të konfirmuara:  me djegien e LHL dhe me prishje të strukturës kimike (degradim) të tyre. Mbi bazën e këtyre metodave teknologjike alternative, janë ngritur me qindra uzina me pajisje automatike specifike komplekse nga shtetet e interesuar për asgjësim armësh kimike.

    Në procesin teknologjik me djegie, armët kimike fillimisht kalojnë në uzinat e demilitarizimit(demontimit), ku LHL hiqen nga municioni ose nga kontejnerët e mëdhenj me ndihmën e pajisjeve automatike, duke pakësuar maksimalisht riskun e kontaminimit. Ndërsa në procesin teknologjik me degradim kimik ose neutralizim toksiciteti, ka një sërë formash dhe kimikatesh (alkalesh dhe oksiduesish), të cilat reduktojnë  dhe shpesh neutralizojnë toksicitetin e agjentit kimik të LHL.

    Megjithëse, ekzistojnë metodat dhe uzinat teknologjike të sipërpërmendura për shkatërrimin e armëve kimike, në praktikë ka shumë faktorë që mund të bien në konflikt kur procesi i shkatërrimit bëhet jashtë këtyre uzinave të specializuara asgjësimi. Kjo për arsye se shkatërrimi i armëve kimike me teknologjitë e mësipërme ka kosto të lartë për shkak të sigurisë së lart të procesit për ruajtjen e mjedisit dhe një sërë faktorësh ligjor dhe politikë. Në funksion të sigurisë, kërkohet marrja e masave me sistem teknologjik automatik dublimi për mbrojtjen jo vetëm të punonjësve që punojnë në uzinat e demontimit dhe asgjësimit të armëve kimike por edhe të popullsisë civile jashtë uzinave. Gjithë uzina dhe mjedisi për rreth është në një sistem të vazhdueshëm monitorimi automatik për të garantuar një siguri të lartë ndaj rrjedhjeve eventuale të agjentëve toksikë.

    Rreziqet e asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Në rast të një angazhimi për pranimin e 1300 ton LHL të Sirisë për t’u asgjësuar në Shqipëri, vendi do të përballej me këto probleme të rrezikshme:

    (1). Shqipëria nuk disponon asnjë Uzinë të posaçme për asgjësimin e armëve kimike me metodat e sipërpërmendura ose të tjera më të avancuara. Nuk disponon specialistë dhe punonjës të kualifikuar në këtë fushë sipas teknologjive moderne të domosdoshëm për një vend sovran,pavarësisht prezencës dhe ndihmës të specialistëve të huaj.

    (2). Vendi ynë nuk disponon ambiente të posaçme me infrastrukturën e nevojshme të regjimit klimatik dhe monitorimit të vazhdueshëm për depozitimin e 1300 ton LHL.

    (3). Siguria e infrastrukturës rrugore për transportin e armëve kimike me mjete të blinduara në territorin e vendit tonë është e papërshtatshme dhe me rreziqe eminente.

    (4). Sistemi ynë mjekësor është i papërgatitur për të dhënë ndihmën e nevojshme të specializuar në rast të një aksidenti apo shpërthimi qoftë edhe të pjesshëm të LHL gjatë transportit, ruajtjes, asgjësimit apo varrosjes së mbetjeve toksike të tyre.

    (5). Në vendin tonë nuk disponohet asnjë laborator shkencor apo sistem kontrolli i specializuar për të gjitha llojet e LHL bashkë me specialistët vendas dhe personelin e nevojshëm.

    (6). Fati i vendit dhe i popullatës tonë nuk mund të lihet vetëm në duart e disa specialistëve të huaj kushdo qofshin ata, jashtë kontrollit shtetëror mbi ta dhe mbi ecurinë e  procesit nga fillimi deri në fund. Specialistët e huaj që mund të merren me LHL kanë sisteme dhe pajisje individuale për mbrojtjen e tyre,ndërsa popullsia civile dhe mjedisi janë të zbuluar nga një rritje e mundshme e nivelit te ndotjes në mjedisin për rreth.

    (7). Shqipëria nuk disponon tunele të nëndheshme malore me shkallë të lartë sigurie për ruajtjen dhe sigurimin e mbetjeve eventuale toksike pas demontimit dhe asgjësimit të 1300 ton LHL në përputhje me normat ndërkombëtare të mbetjeve toksike.

    Përfundimi. Lidhur me sa u tha më lart në opinionin tim sjellja e 1300 ton LHL nga Siria për tu asgjësuar në Shqipëri do të ishte e gabuar. Me qenë se armët kimike të Sirisë, siç flitet janë prodhim rus, kthimi i tyre në vendin e origjinës do të ishte optimal. Rusia ka industrinë përkatëse jo vetëm për prodhimin, por edhe asgjësimin e tyre pavarësisht kostos së kërkuar. Mundësi të tilla i kanë edhe shumë shtete të tjera që prodhojnë, disponojnë i kanë përdorur dhe asgjësojnë armët kimike. Kostoja e asgjësimit të LHL në Shqipëri në krahasim me asgjësimin e tyre fjala vjen në Austri ose në Francë, mund të jetë më i vogël (sepse kënaqemi me pak, duke rrezikuar kokën), por rreziku dhe pasojat mund të jenë shumë të mëdha për të mos thënë shkatërrimtare.

    Prof. As/Dr. Dine Merja, një figurë e madhe e Shkencës së Fizikës Bërthamore

     Prof. As/Dr. Dine Merja është një personalitet i shquar në fushën e Fizikës Bërthamore, i cili prej 30 vitesh ka qenë drejtues i Institutit të Fizikës Bërthamore, duke krijuar modelet e përsosmërisë studimore të kësaj shkence në vendin tonë. Pas mbarimit të studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Prof. As/Dr. Dine Merja kreu ciklin e plotë të studimeve bërthamore në Kinë, ku u specializua profesionalisht, duke arrituar rezultate të shkëlqyera dhe duke u vlerësuar edhe me diploma nderi. Pas kthimit në Shqipëri ai u inkuadrua në fushën e Fizikës Bërthamore, ku përveçse drejtoi Institutin Bërthamor të vendit tonë, ai kreu edhe një sërë studimesh të rëndësishëm, si edhe hartoi tekste librash për studentët e kësaj fushe. Prof. As/Dr. Dine Merja, është gjithashtu, një nga përfaqësuesit më dinjitozë të fizikanëve në vendin tonë.