Prof. Alfred FRASHERI/ Ç’ mund të bëhet në burimet e ujërave termale në Lëngaricë, Përmet

    841
    Sigal

    Burimet tek Ura e Katiut, në lumin e Lëngaricës, pranë fshatit Bënjë Përmet, të ndodhur në një vend me bukuri të rrallë natyrore, tek kanioni i Lumit të Lëngaricës, pranë luginës së bukur të Vjosës, përkarshi malit shapkëbardhë të Melesinit dhe atij të Nemerçkës, me cirqet e tij të famshme të dëborës shekullore, kjo zonë e këtyre ujërave mund të bëhet një qendër gjeotermale ripërtëritjeje-kurimi dhe turizmi ekologjik e historik e niveleve nga më të mirat evropiane. Më në jug-lindje ndodhet burimi i avullit në malin e Postenanit në veri të Leskovikut dhe burimi i ujit në shpatin verior të lumit Sarandaporo në grykën e Vromonerit, në jug të Leskovikut, pranë kufirit shqiptaro-grek. Në vazhdim të këtij brezi, në Kavasila të Greqisë, uji termal buron në shpatin e majtë të lumit Sarandaporo. Këto ujëra vijnë nga thellësia, nëpër tektonikën shkëputëse të vargut të strukturave gjeologjike Bodar-Postenan-Kavasila, me bërthamë gëlqerore. Temperaturat e burimeve të trevës Përmet-Konicë janë më të ulëta, sesa ato të Llixha Elbasan-Ishëm, në pjesën veriore të zonës Gjeotermale Kruja, pasi bërthamat e strukturave gëlqerore janë pranë sipërfaqes së tokës ose madje të zhveshura në jug të Shqipërisë. Nëpër gëlqerorët kavernozë dhe me çarje qarkullojnë ujërat e ftohta nëntokësore, të cilat futen edhe në thellësi të mëdha. Këto ujëra ftohin ujërat termalë dhe zvogëlojnë kripshmërinë e tyre. Kjo hipotezë mbështetet edhe nga prania e burimeve të avullit në antiklinalin e Leskovikut, në malin e Postenanit. Tek Ura e Katiut pranë Bënjës, në një brez rreth 500 m i gjatë, në të dy anët e lumit burojnë ujërat termale me temperaturë nga 23 deri në 30oC dhe me prurje 8 deri mbi40 l/sek, secili. Katër burime ndodhen në shpatin e djathtë dhe 4 në të majtin. Uji buron në përgjithësi në nivelin e ujit të lumit, nën të ose 1-2.5 më lart tij. Në shpatin e djathtë të lumit Lëngaricë vendosen burimet: Burimet që ndodhen në anën e djathtë të lumit, uji i të cilëve ka temperaturë më të ulët, 23-26oC, është me mineralizim 1.3 g/l, ndërsa ujërat që burojnë në shpatin e majtë të lumit dhe kanë temperaturë më të lartë, 30oC, janë me mineralizim 1.65 g/l dhe nuk kanë gaz sulfidrik. Mesatarisht, ujërat e Bënjës nuk përmbajnë ose përmbajnë shumë pak gaz sulfidrik. Uji përmban gaz karbonik etj. të tretur: Uji i disa burimeve është i pijshëm dhe me efekte kurativë. Në malin e Postenanit, në veri të Leskovikut, shfaqen burime avulli. Avulli grifon nga një çarje tektonike me amplitudë të madhe. Në mjedisin e çarjes tektonike me pamje zgavre, temperatura është 47-54oC, në varësi të vendit ku matet, dhe avulli kondenson në bulëza uji.

    Burimet e ujit në shpatin verior të lumit Sarandaporo ndodhen në grykën e Vromonerit, në jug të Leskovikut, pranë kufirit shqiptaro-grek. Në vazhdim të këtij brezi, në Kavasila të Greqisë, uji termal buron në shpatin e majtë të lumit Sarandaporo. Uji termal buron me temperaturë 27.6oC dhe me mineralizim të ulët, si ai i Bënjës. Ky ujë mineral është i pijshëm dhe ka efekte kurative. Skenarët për shfrytëzimin e energjisë gjeotermale në burimet e Urës së Katiut në Lumin e Lëngaricës, Bënjë. Teknologjitë moderne për përdorimin e energjisë gjeotermale, në vendet e përparura etj. mbështeten në parimin e shfrytëzimit  integral dhe kaskadë të burimeve të ujërave termale. Përdorimi integral nënkupton shfrytëzimin në kompleks të energjisë gjeotermale së bashku me energji të tjera të rinovueshme, si atë diellore, me sistemin e pompave të nxehtësisë ujë-ujë, si edhe në raste të veçanta edhe me energjinë e erës dhe të biomasave. Skema e përzgjedhur parashikon përdorimin kaskadë të energjisë gjeotermale në të gjithë diapazonin e nxehtësisë së burimit, nga temperaturat më të larta deri sa të arrihet në temperaturën e mjedisit, kur uji të mos ketë më nxehtësi të shfrytëzueshme. Skenarët e kësaj teknologjie përcaktohen nga parametrat gjeotermalë: fluksi i nxehtësisë dhe temperatura e burimit të nxehtësisë, prurja dhe kimizmi i fluidit, si edhe faktorët gjeografikë-ekonomikë-socialë, urbanistikë, transportit, ekologjikë dhe të peizazhit të zonës gjeotermale. Pesha që do zërë secili përbërës i kësaj skeme ndryshon edhe në varësi të stinës. Në ditët tona në vendet e përparuara, qendrat gjeotermale janë shndërruar nga klinika vetëm për të sëmurët në qendra në radhë të parë për rigjenerim të shëndetit, pushim aktiv dhe kënaqësi për njerëzit e shëndoshë, duke u lënë edhe vendin e duhur klinikave për të sëmurët, që gjithsesi janë më pak sesa njerëzit që i frekuentojnë këto qendra për të rigjeneruar shëndetin. Po kështu, sipas teknologjive të vjetra, uji i nxehtë përdorej në klinika zakonisht vetëm me nxehtësinë 36-38oC për banjat e të sëmurëve, Pas kësaj uji, që mbetej përsëri i nxehtë me temperaturë 36oC, derdhej duhet humbur shumë energji. Fatkeqësisht kjo teknologji përdoret deri tani në llixhat në vendin tonë. Prandaj, skenarët për shfrytëzimin e energjisë gjeotermale të ujërave në Shqipëri, përfshirë edhe ata të Bënjës, janë përzgjedhur dhe vendosur mbi kriteret e mëposhtme:

    1. Të japë ndihmesë në sistemin energjetik të vendit në kuadrin e shfrytëzimit të energjive alternative dhe ato të rinovueshme, miqësore me mjedisin.

    2. Të realizojnë shfrytëzim kompleks dhe kaskadë të energjisë së ujërave termomineralë të vendit.

    3. Të japë ndihmesë në zhvillimin e ekoturizmit në Shqipëri.

    4. Të krijojnë biznese të reja dhe të hapin vende pune për komunitetin.

    Zona e Bënjës deri tek burimet pranë Urës së Katiut mund të bëhet një qendër gjeotermale ripërtëritjeje-kurimi dhe turizmi ekologjik e historik e niveleve nga më të mirat  evropiane:

    1.      Banja termale, sera për lule dhe perime, fusha për kultivim asparagus etj. Rritje peshqish.

    2.      Industrializim i ujit mineral të pijshëm.

    Në kushtet e ujërave termomineralë me temperatura të ula, për shfrytëzimin racional të nxehtësisë së tyre duhet të përdoret skema komplekse: energji gjeotermale-energji diellore dhe pompat e nxehtësisë ujë-ujë. Pesha që do zërë secili përbërës i kësaj skeme ndryshon në varësi të stinës.

    Në verë: uji i nxehtë me temperaturë rreth 28oC përdoret për të mbushur pishinat. I ngrohur me energjinë diellore deri në temperaturën 38oC do të përdoret për banjat termale individuale, ndërsa në temperaturë mbi 55oC për sauna. Ujë tjetër i burimeve dërgohet në vaskat e rritjes së peshkut. Në kombinim me panelet diellorë ngrohet uji sanitar për hotel-klinikën, dushe, etj.

    Në dimër: ujit termomineral të ngrohtë (t=26-30oC) të burimeve, i merret një sasi nxehtësie në impiante të ndryshme, p.sh. në ara ku kultivohet asparagus për ngrohjen e truallit, në pishinën  e mbyllur dhe pasi uji të arrijë temperaturën rreth 15oC, dërgohet për të furnizuar pompa nxehtësie ujë-ujë nëpërmjet këmbyesit të nxehtësisë . Pompat e nxehtësisë japin ujin e nxehtë në temperaturën 50-75oC për nevojat e qendrës gjeotermale. Nga ky sistem kompleks, uji ndahet e dërgohet në disa drejtime:

    a) Në sera, për kultivimin e perimeve dhe luleve, për ngrohjen e truallit në ara,

    b) Për ngrohjen e godinave të hotel-klinikave dhe ujin sanitar,

    c) Për ngrohjen e ujit termomineral të pishinave të mbyllura,

    d) Për ngrohjen e ujit të ëmbël të pishinave të mbyllura,

    d) Për ngrohjen e ujit termomineral për vaskat e banjave personale, saunat.

    e) Për vaskat e rritjes së peshkut, me ujin që del nga serat dhe godina e hotelit.

    Edhe gjatë ditëve dimërore me diell, në sistem futen në punë edhe panelet diellorë për ngrohjen e ujit sanitar.

    Uji termomineral i pijshëm i burimeve, që ka efekte kuruese për aparatin tretës, mund të industrializohet duke ngritur impiantin përkatës për ambalazhimin në shishe. Me sasinë e përgjithshme prej 110 l/s e ujit të ngrohtë me temperaturë 30oC, e tre burimeve Nr. 5, 7, 8 mund të realizohet ngrohja:

    -e fushave me sistem tubacionesh të futura disa centimetra në tokë, ku kultivohen asparagus dhe sallata të ndryshme, p.sh. marule, që kërkojnë temperaturë optimale të truallit rreth 14oC,

    -Me ujin e ftohur në këto fusha deri në temperaturën 10-15oC furnizohet nëpërmjet këmbyesve të nxehtësisë pompa nxehtësie ujë-ujë për ta ringrohur ujin dhe për ta çuar në sera, ku mund të kultivohen perime dhe lule të ndryshme. Me sasinë e ujit të burimeve Nr. 3, 4 me rreth 16.5 l/sek, i ngrohur me temperaturë 50-75oC mund të furnizohen pishina të mbuluara dhe të ngrohet hotel me një sipërfaqe rreth 1500 m2.

    Në këto burime të ujërave termomineralë mund të ngrihen qendra rekreacioni, mjekësore dhe ekoturistike, si edhe të kultivimit të perimeve dhe akuakulturës, që japin një kontribut me vlerë për zhvillimin ekonomik të krahinës. Por këto qendra gabimisht nuk duhen konceptuar me ndërtimin e godina hotelesh betoni e xhamllëku pranë burimeve, se me këtë shkatërrohet pamja natyrore e ekosistemit dhe vendi bëhet i pa pëlqyer. Vizitorët mund të sistemohen për të banuar në shtëpi të rikonstruktuara të Bënjës, një fshat shumë i bukur dhe panoramik, si edhe në Përmet. Me mikrobus bëhet transporti i tyre. Burimet duhen sistemuar, duke ruajtur pamjen e tyre natyrore. Për banja për të sëmurët, për pushimin pas banjave si edhe për trajtimet mjekësore mund të ndërtohen në afërsi të  burimeve mjedise të lehta, të bukura, të harmonizuara mirë me natyrën. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për burimin e avullit në Postenan dhe të ujërave në Sarandaporo. Dhe atëherë, me siguri në këto qendra  gjeotermale moderne do të vijnë mijëra vizitorë në  vit nga vendi dhe Evropa, siç ndodh në Burizane të Greqisë, ngjitur me kufirin Shqipëri-Greqi ku është ndërtuar një qendër turistike shumë e bukur në bregun e Vjosës, që frekuentohet nga rreth dhjetë mijë turistë anglezë, gjermanë, holandezë dhe grekë në vit, megjithëse nuk ka burime termale. Me këtë hapen shumë vende pune duke u rritur niveli ekonomik i komunitetit lokal.

    Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave

    Universiteti Politeknik i Tiranës