Prof. Aleksandër Meksi/ Ipeshkvia Arbanense dhe Principata e Arbërit

    617
    Sigal

    Në shekullin e XV kemi gjithnjë dy radhë paralele ipeshkvish katolikë në Arbëri e Krujë

    -800 -vjetori i Shtetit të Arbërit –

    Dëshminë e parë për këtë ipeshkvi e kemi nga viti 1166, në aktin e shugurimit të kishës së Shën Trifonit në Kotor, ku, krahas Lazarit, “… Lazaro albanenst”  dhe “Lazarus episcopus Arbanensis”, i cili shuguron altarin në të majtë të kryesorit, marrin pjesë ndër të tjerë dhe “Andreas prior Aibanensis” e “Georgio abbate sancti Salvatoris Arbanensis” (i Rubikut). Kjo ipeshkvi dhe principata e Arbërit që lidhet me të, mbetën objekt kërkimesh të shumta shkencore që kanë synuar të ndriçojnë aspekte në të historisë së tyre, shpeshherë dhe me rezultate të ndryshme. Një vit më vonë, 1167, papa Aleksandri III i drejtohet “Lazarum episcopum de Arbania” duke e lavdëruar që dëshiron të mohojë ritin ortodoks: ke vullnet t’i shmangesh në shumë raste, kur të paraqitet mundësia, ritit grek. Por në të njëjtën ditë, në një letër tjetër, në të cilën Papa i konfirmon shufraganët arqipeshkvisë së Raguzës, mungon kjo ipeshkvi, e cila nuk dëshmohet si e tillë edhe në mjaft bula të tjera papnore të mëparshme që përmendin shufraganët e Raguzës. Në rrethana të tilla mendojmë se, kemi të bëjmë me një ipeshkvi të krijuar jo prej shumë kohësh, në një territor të mitropolisë ortodokse te Durrësit, pra nën sundimin bizantin, që për të afirmuar qenien e vet apo dhe për bindjet fetare, lidhet me arqipeshkvinë e Raguzës (pak më vonë e Tn/arit-Antibarense). Krijimi i një peshkopate të re në kushtet e mesjetës, duke i’u shkëputur strukturave të mëparshme kishtare me një traditë të gjatë, nuk mund të kuptohet pa përkrahjen e një fuqie shtetërore ose të një feudali, në zotërimet e të cilit ndodhej. Nga burimet dhe dokumentacioni historik nuk dëshmohet ndonjë pushtim i këtyre trevave nga sundimtarët e Zetës apo të Rashës, ashtu siç mendojmë që prapa këtij veprimi nuk mund të jetë pushteti bizantin me qendër në Durrës, megjithëqë në kohën kur zhvillohet ceremonia në fjalë, në Kotor, nën pushtetin bizantin ishte dhe bregdeti Dalmat çka kuptohet dhe nga akti i sipërpërmendur. Kemi parasysh në këtë të fundit dëshirën e sunduesve dhe prelatëve të krahinës që të lidhen me kishën latine, arqipeshkvinë e Tivarit. Veç të tjerave, për një veprim të tillë veç presionit të kishës katolike në këto territore të Durrësit, duket se do të kenë luajtur rol dhe abacia e Shën Aleksandrit në Mal të Shenjtit, dikur një manastir ortodoks nga vjen dhe emri i vendit Orosh (agjios oros=mali i shenjtit), e lidhur me benediktinët ashtu dhe abaci të tjera katolike në atë krahinë si ajo e Rubikut, kisha e së cilës dëshmon qartë për lidhje arkitekturore me botën katolike të bregdetit dalmatin. Çështja tjetër që duhet të përcaktojmë, për aq sa është e mundur, lidhet me kohën në të cilën është krijuar kjo ipeshkvi. Nga sa thamë më sipër; kuptohet se kjo ka ndodhur në rrethana të veçanta politike, në një periudhë dobësimi, qoftë dhe relativ, të pushtetit bizantin. Po ashtu, ishte dhe mundësinë për aleanca që duhej të përftonin këtë akt “rebelimf’ nga ana e një feudali vendas, arhondi apo zotit të një krahine, i cili arriti të sigurojë nga kleri i vetzgjedhjen e një ipeshkvi në personin e Lazarit, pranimi i të cilit mund të bëhej vetëm nga kisha katolike, në këtë rast arqipeshkvia e Raguzës. Rrethanat e veçanta të viteve 60 të këtij shekulli, XII, kur kemi një afrim ndërmjet dy kishave dhe marrëdhënie të shumta, deri në miqësore, ndërmjet perandorit Manuel Komneni dhe papës, Aleksandri i III, e mundësuan një gjë të tillë. Duke studiuar ndodhitë historike shohim se koha nga fushatat ngadhënjimtare të vitit 1149 të perandorit Manuel Komneni në Korfuz, i cili nëpër Shqipëri kaloi në Veri, e deri në vitet 70, është një periudhë ku kemi afirmimin e pushtetit bizantin. Në rrethana të tilla synimet e zotëve të kësaj krahine dhe te ipeshkvise se krijuar prej tyre nuk duhet të kene pasur mundësi të shumta afirmimi. Me vdekjen e perandorit ne vitin 1180 kemi përpjekje të reja për pavarësi nga Stefan Nemanja edhe nga sundimtarë të tjerë në ven të Arbanonit, çka për pasojë hapi mundësi të reja për zotët e krahinës ku ishte ipeshkvia arbanense. Për këtë na bind një noticie e Kuriës romane e vitit 1188 në të cilën, ipeshkvia arbanense përmendet për herë të parë ndër shufraganët e Raguzës, që tregon se ajo arrin të afirmohet plotësisht dëshmuar për një pozitë më të fortë të zotëve të kësaj krahine dhe të klerit të lidhur me Romën. Të njëjtën gjë tregon dhe pjesëmarrja e kryepriftit të Arbërit në vitin 1199 në një koncil të mbajtur në Tivar.  Që nga kjo kohë nuk mungon, përgjatë gjithë mesjetës së mesme, përmendja e ipeshkvisë apo ipeshkve të dioqezës arbanense në vartësi të arqipeshkvisë së Tivarit. Kemi folur herë tjetër se ka dy probleme për të cilat studiuesit po debatojnë: së pari a është e drejtë te njësohet ipeshkvia e Krujës me atë Arbanense ? Së dyti. cili është territori dhe ku ndodhej selia e kësaj ipeshkvie? Me mendimin se ipeshkvia e Krujës është e njëjtë me atë të Arbanense janë shprehur fund të M.S.Drinov, M.Shuflay, Salavije në studimin e tij për epitafin e Konstantin Meles arqidiak i Arbanonit, A. Dyselie dhe K.Frashëri, i cili thotë se Kruja ishte qendra e Dioqezës së Arbanonit’ dhe kur ipeshkvitë e Lisit dhe Stefaniakës kaluan në vartësi të Romës, ato u përfshinë në atë të Arbërisë.’ Ne kundershtim me ta Dh. Shuteriqi i veçon këto ipeshkvi deri në fund të shekullit te XIV. Një dëshmi e tërthortë për shtrirjen e kësaj ipeshkvie është dhe grindja ndërmjet ipeshkvisë arbanense dhe asaj katohke të Lezhës, nga mezi i shekullit të XlV-të, që dëshmohet në letërkëmbimet e tyre me arqipeshkvit madje edhe letra të Kurias me firmën e papës si ajo e vitit 1407 ku bëhet fjalë për 17 kisha në 16 fshatra.’ Duke u nisur nga mungesa e noticieve të patrikanës së Konstantinopojës të fundshekullit të XII dhe gjysmës së parë të shekullit XIII një tezë e tillë paraqitet me lehtësi por, prezenca e një peshkopate ortodokse në Krujë, pas përfshirjes së këtyre territoreve nën sundimtarët e Epirit, dëshmohet me saktësi në vitin 1216. Duke filluar nga ipeshkvi i Krujës, Roman Crohensi në vitin 1279, e deri në shekullin e XV kemi gjithnjë dy radhë paralele ipeshkvish katolikë në Arbëri e Krujë. Por, ndërsa e para, si pamë më lart varej nga arqipeshkvia e Tivarit, ipeshkvia katolike e Krujës varet nga arqipeshkvia e Durresit.

    Më shprehëse

    Më shprehëse për mendimin që ipeshkvia e Krujës është e ndryshme nga ajo e Arbërisë, siç vëren dhe Shuteriqi janë letra e Papës Joani i XXII drejtuar Mihalit të Arbanenses dhe Andreas së Krujës më 6 qershor 1318 si dhe ajo e Papës Kaliksti i III e vitit 1457, në të cilën dallohet kisha e Shën Mërisë se Trafandinës në dioqezë të Arbërit nga Shën Veneranda e Kurbinit në dioqezë të Krujës. Duhet të vërejmë gjithashtu se kur ndodh konvertimi në katolike të ipeshkvive të Shqipërisë së Mesme, arqipeshkvia e Durrësit kishte po ato qe kishte pasur më parë mitropolia ortodokse e Durrësit, pra, katër; d.m.th. që Kruja nuk u zëvendësua asnjëherë nga Arbëria. Kuptohet, që duke pranuar se ipeshkvia e Arbanense nuk është e njëjtë me atë të Krujës kemi veçuar dhe territoret e tyre. Për përcaktimin e territorit të ipeshkvisë së Arbanense na ndihmon vendndodhja e tre kishave të cilat, sipas dokumentacionit, janë nën juridiksionin e kësaj ipeshkvie Në vitin 1166, ne aktin e shugurimit të Shën Trifonit në Kotor përmendet abati i manastirit të Shelbuemit në Rubik (Sancti Salvatori Arbanensisy, manastiri i Shën Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenitë (San Alexandri Maior de Albani) dhe kisha e Gëziqit që, me të drejtë, është njësuar me “Sancta Maria di Trafandina in diocesis de Albania”.Të tre këto ndërtime, siç ka treguar Shuteriqi për rastin e Gëziqit, e përcaktojmë qartë shtrirjen e ipeshkvise katolike Arbanense në krahinën e Mirditës, duke e kufizuar ne perëndim me Malësinë e Lezhes. d.m.th me Peshkopatën e Lezhës në Veri me krahinën e Pultit dhe ipeshkvinë omonime në Jug e Lindje me territoret e peshkopatës së Stefaniakës dhe asaj të Krujës. Përsa i përket selisë së saj duke u nisur nga rëndësia e abacisë së Oroshit në këtë trevë dhe nga fakti që ajo disa shekuj më vonë përmendet si abaci mitrale ne mendojmë se ajo duhet kërkuar pikërisht në Shën Aleksandrin e Malit të Shenjte . Ipeshkvia e Arbanense duhet të jetë krijuar me territore e kisha të peshkopatës së Lezhës dhe gjasisht dhe asaj të Stefaniakës. Në këtë fakt duhet kërkuar rrënjët e grindjes ndërmjet ipeshkvisë së Arbërisë dhe asaj të Lezhës për 17 kishat. Studimet mbi principatën e Arbërit, peshkopatën Arbanense dhe marrëdhëniet e tyre me botën kanë treguar se personazhet e përmendur në mbishkrim e Gëziqit njihen historikisht në dokumente të tjera Kështu, Gjergj është sundimtari i Zentës në fillim të shek XIII, ashtu si dhe Dhimitri i Arbërit (1208- 1215) përmendet në vitin 1209 në një letër të papës Inocent i III (1199-1211) si iudicem albanorum (arhond). Njihet gjithashtu vëllai i tij, Gjini, (1199-1207) e që të dy janë djemtë e Progonit që sundoi në vitet 1190-1199, ndërsa pas tyre, vitet 1216 e tutje, sundon Progoni i ll-të, djali i Dhimitrit. Më vonë, 1281 njohim një stërnip të tyre, Gjinin, Dukë -ducem Ginum Tanuschum Albanensem, ai që me mjaft gjasë i dha emrin dinastisë së tyre Ducagjin-Dukagjin emër që e mori dhe territori ku familja sundoi në shekuj prej aty e u shtri jo vetëm në Mirditën e sotme por dhe në malësinë e Pultit dhe deri në rrafshin e Dukagjinit në Kosovë, duke ju dhënë krahinave emrin, e duke mbajtur thuajse të njëjtën stemë, atë të sundimtarëve të krahinës të gjetur në Gëziq. Shekujt XV, XVI, XVII janë shekuj të vështirë për vendin e shqiptarëve ashtu dhe për kishën e tyre. Luftërat për pushtimin e vendit nga osmanët si dhe vendosje e administrates së tyre e shoqëruar me islamizimin e një pjesë të popullsisë së krishterë, me braktisjen dhe rrënimin e ndërtesave të kultit, e bëjnë të vështirë ndjekjen e vazhdimësisë së ipeshkvive si dhe çdo strukturë tjetër kishtare ashtu dhe zhvendosjen e selive të tyre në brendësi të vendit, për shkak të dokumentacionit të pakët dhe rastësor. Kjo edhe për lidhjet përherë e më të vështira me Selinë e Shenjtë, madje edhe me Arqipeshkvinë e Durrësit, që mesa duket, menjëherë pas pushtimit në vitin 1501, largohet nga qyteti i Durrësit dhe rrethinat e tij. Janë të shumta rastet, gjatë shekujve të parë të pushtimit, që dhe ata që emërohen si ipeshkëv nuk arrijnë të shkojnë në selitë e tyre, që cilësohen në tokën të pafeve, dhe kështu, me konvertimin në fenë islame të shumicës së       banorëve, ato humbin e nuk përmenden më. Megjithë këtë studimi i Listave të ipeshkve për këtë territor na flet për qenien e tyre gjatë shekujve XVI-XVII, dhe kohën kur secila prej tyre pushon së ekzistuari.

    Duhet të pranojmë

    Duhet të pranojmë se edhe gjatë shekullit të XV-të , kur krahina të veçanta pushtoheshin, të dhënat për organizimin kishtar dhe hierarkinë nuk janë të plota. Një situatë e tilië paqartësie edhe në vetë dokumentacionin kishtar ka krijuar mjaft pështjellime ndër studiuesit. Ajo çka bie menjëherë në sy nga studimi i dokumentacionit të ruajtur, është fakti që luftërat dhe shkatërrimet e shekujve XV, XVI, zvogëlimi i numrit të krishterëve si rezultat i islamizimit dhe largimit jashtë vendit, shkatërrimi apo rrënimi i kishave dhe manastireve, pakësimi në numër i priftërinjve dhe murgjve, dhuna ndaj tyre dhe vështirësitë ekonomike kanë bërë ndryshime përmbysëse në organizimin kishtar, në shtrirjen e dioqezave, d.m.th. vazhdimësinë apo ndërprerjen në kohë të qenies së tyre, në aktivitetin real të titullarëve të tyre në seli dhe territor apo ndodhen gjetkë, me lidhjet e tyre me arqipeshkvinë përkatëse dhe Selinë e Shenjtë, madje dhe në emërtimin e tyre. Kështu, pas mesit të shekullit të XVII-të, në këto rrethana, disa prej tyre zhduken, qoftë dhe në planin formal, ndërto dhe ajo arbanense, ndërsa ato që mbeten vendosen në brendësi të vendit Kemi një fazë të re të riorganizimit të kishës katolike në këto kushte të vështira, ku një rol të rëndësishëm lozin edhe Misionet e Urdhrave të vendosura në këto territore.

    Treva e Mirditës, e marr më shtrirjen e saj historike paraqet interes për studimin e historisë sonë mesjetare studiuesit dhe institucionet kërkimore duhet të shtrijnë vëmendjen e tyre për të evidentuar gjurmë të kulturës materiale që nëntoka ruan Po kështu duhet të mblidhet më mirë mikrotoponimia për të bërë një ballafaqim më të plotë më çka ruhet në dokumentacionin historik, duke e vënë këtë trashëgimi në shërbim të studiuesve. Do ta quaja të arsyeshme dhe të nevojshme kryerjen e gërmimeve arkeologjike në vendet që do të gjykohen me interes parësor ku Kisha e Gëziqit do të ishte një nga ato, si dhe konservimin e mbetjeve historike Orientimi pra i studimeve dhe ajo që po tregohet sot këtu do të binin rezultate të dobishme për historiografinë e mesjetës shqiptare.