Prof.Agron FICO/“Kosovën do ta bashkojmë me Shqipërinë”

    334
    Sigal

    Biseda e Enver Hoxhës me studiuesit shqiptarë nga Kosova, janar 1968

    Janari i vitit 1968 ishte shënuar si muaji i veprimtarive të shumëllojshme publike, kulturore e shkencore, me rastin e 500- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. U krijua një komision qeveritar për drejtimin e këtyre aksioneve publike, por si ngjarja më e rëndësishme shkencore do të ishte mbajtja në Tiranë e konferencës ndërkombëtare albanologjike me temë: “Skënderbeu dhe epoka e tij”. Punonjësit shkencorë të instituteve me profil albanologjik do të mbanin peshën kryesore në përgatitjen e kumtesave dhe diskutimeve shkencore. Ftesa iu dërgua edhe shumë specialistëve të huaj, të njohur për interesimin e treguar në fushën e studimeve shqiptare. Kjo ngjarje kombëtare u përcoll gjerësisht nga masmedia dhe solli edhe botimin e disa veprave të rëndësishme për figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij, të cilat pak njiheshin më përpara nga publiku i gjerë. Pritej të vinte edhe një grup studiuesish nga Kosova, po qeveria jugosllave nuk po u lëshonte vizat e daljes. Në mbrëmjen e datës 5 janar gjithçka ndryshoi. Universiteti u lajmërua se një grup specialistësh kosovarë kishin marrë viza dhe ishin nisur për Shqipëri. Ishte dimër dhe errej shpejt. Aty nga ora tetë e darkës ra telefoni dhe në linjë ishte vetë rektori i universitetit Kahreman Ylli, i cili, si gjithmonë, me delikatesë më ftonte t’i shkoja menjëherë në zyrë, se do të më komunikonte diçka me rëndësi. Apartamenti im, fatmirësisht, ishte afër godinës së rektoratit, ndaj pas afro 20 minutash isha në zyrën e rektorit. Pasi më ofroi të pinim nga një gotë çaj, më tha se ishin nisur për në Shqipëri një grup intelektualësh kosovarë që do të merrnin pjesë në konferencën për Skënderbeun. Do të hynin nga pika kufitare e Qafë Thanës. Bashkë me gëzimin për ardhjen për herë të parë të përfaqësuesve kosovarë, rektori ishte i merakosur për pritjen e tyre, se ishte vonë dhe në gjithë zonën Tiranë-Elbasan-Librazhd binte dëborë. Më dha një sërë porosish dhe më tha se kishte biseduar me drejtuesit e parë të këtyre rretheve që të më jepnin gjithë përkrahjen e nevojshme për pritjen e vëllezërve kosovarë. Bashkë më mua, të më ndihmonin, erdhën edhe dy punonjës të tjerë të universitetit, Zihni H. dhe Jani Th. Kur arritëm në pikën doganore të Qafë Thanës, sapo kishin arritur miqtë tanë me “kerret” e tyre (deformim i fjalës angleze “car” për “makinë e vogël”). Pas përqafimeve të përzemërta me të gjithë, sikur të ishim njohur prej vitesh, dhe urimit të mirëseardhjes me nga një gotë konjak “Skënderbeu”, u nisëm për në Tiranë. Studiuesit nga Kosova u caktuan të rrinin në hotel Dajti. Në këtë dërgatë bënin pjesë, Prof. Idriz Ajeti, Dr. Mark Krasniqi, Prof. Syrja Popovci, folkloristi i talentuar e burri i urtë Anton Çeta dhe shkencëtari i ri Zef Mirdita. Ata, me kumtesat që mbajtën, në kontaktet me kolegët dhe publikun dhe në takimet me udhëheqësit e Shqipërisë, treguan dashuri, mall dhe dëshira fisnike. U ndritnin sytë, u qeshnin rrobat dhe gjithnjë shprehnin kënaqësinë që kishin ardhur në Shqipëri, por morën me vete edhe mjaft zhgënjime kur panë varfërinë në të cilën jetonim e, mbi të gjitha, mbylljen e Shqipërisë ndaj botës së jashtme. Ndonjëri prej tyre pati rastin fatkeq të “shijonte” edhe bëmat e Sigurimit të Shtetit, punonjësit e të cilit ndaluan profesor Anton Çetën të takohej me të vëllanë, kardiolog i njohur në Durrës. Si pjesë e programit të hartuar për të ftuarit, intelektualët kosovarë morën pjesë në përurimin e bustit të Shote Azem Galicës, në inaugurimin e vend-varrimit të Skënderbeut në Lezhë, dhe në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Skënderbeut në Krujë. Në udhën për në muzeun e Skënderbeut, në një nga lokalet e dyqaneve të rikonstruktuara  sipas stilit tradicional, në pazarin e vjetër të Krujës, studiuesit kosovarë u pritën nga Ertver Iloxha, që zhvilloi një bisedë interesante me ta, që gjer sot ka mbetur e panjohur.

    Pasi mbaroi ceremonia e përurimit të shtatores së Skënderbeut, udhëheqësit dhe të ftuarit u drejtuan për në kështjellën legjendare të Krujës, ku do të hapej një ekspozitë kushtuar epokës së bëmave dhe figurës së Heroit tonë kombëtar. Ndërsa kishim arritur në ngushticën e udhës për në grumbullin e dyqaneve të rikonstruktuara, dëgjova fare afër zërin e Llambi Peqinit, drejtor i sigurimit të udhëheqjes, që pyeste se kush ishte shoqëruesi i kosovarëve. Sapo i bëra të ditur se isha shoqëruesi i tyre, ai më tha: “Sillni kosovarët te shoku Enver!” Menjëherë njoftova rektorin e universitetit, Kahreman Yllin dhe si mora edhe pëlqimin e tij, priva drejt derës së dyqanit, që ndodhej në krahun e djathë, në rreshtin e parë kur ecje drejt kështjellës. Sapo shkela në pragun e dhomës së dyqanit, Behar Shtylla, Ministër i Jashtëm, më tha me gojë dhe me dorë: “Mbaj ndonjë shënim, se nuk do të ketë njeri tjetër.

    Enver Hoxha ishte vetëm, në krye të dhomës dhe, sapo hynë studiuesit shqiptarë nga Kosova, u ngrit dhe shtrëngoi duart me ta, njëri pas tjetrit. Ndjeheshim të emocionuar se na erdhi fare papritur ky takim.

    “Mora vesh që keni ardhur- e filloi bisedën Enver Hoxha- u gëzova dhe mendova të pimë bashkë një kafe, se jemi vëllezër të një gjaku”. Ndërkohë, një mesoburrë, veshur një xhaketë të bardhë, me një tabaka me filxhanë me kafe, rolin e kamerierit, na ofroi secilit filxhanin e kafesë. Pastaj Enver Hoxha parashtroi shtruar disa mendime për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe të ardhmen e tyre.

    “Më 1946 -vazhdoi Enver Hoxha- isha për vizitë në Jugosllavi. Aty u takova disa herë edhe me Titon. Në një ndër këto takime, ndërsa Titua pinte duhan me llullë dhe tymi ngrihej lart, (ai e shoqëroi me gjestin e dorës tymin që dilte nga llulla) Titua m’u drejtua dhe më pyeti drejtpërsëdrejti: ‘Enver, ç’mendon ti për Kosovën?’ Aty për aty ia ktheva: ‘Kosova është e Shqipërisë’. Titua ndërhyri dhe tha: ‘Mirë po ketë gjë nuk mund ta pranojnë serbët”.

    Enver Hoxha, duke ndryshuar tonin e zërit, shtoi se i kishte thënë Titos: “Në qoftë se serbët nuk e pranojnë, si mundet ne shqiptarët të jemi dakord?! Kosova ka qenë dhe është pjesë e Shqipërisë.” Dhe me një gjest të dorës, plot energji, shtoi “Kosova është një gjymtyrë e prerë nga trupi i Shqipërisë.”

    Isha i përqendruar tërësisht në mbajtjen e shënimeve, por vetëtimthi vura re se fytyrat e pjesëmarrësve ishin çelur. Ndonjëri vazhdonte të rrufiste ende kafenë dhe për një çast zotëroi një heshtje shlodhëse. Enver Hoxha, duke kulmuar mendimet e veta, iu drejtua atyre: “Vëllezër kosovarë! Në qoftë se Jugosllavia sulmon Shqipërinë, ne do ta thyejmë, do ta sprapsim, dhe Kosovën do ta marrim dhe do ta bashkojmë me Shqipërinë”. Fjalinë e fundit e shoqëroi me një gjest të dorës që shënonte bashkimin e pjesëve në një të tërë.

    Pastaj Enver Hoxha kaloi në një subjekt tjetër, në marrëdhëniet kulturore me Kosovën dhe në problemin librave shkollore. “Edhe përsa i përket dërgimit të librave nga na jonë për rininë shkollore në Kosovë po krijohen pengesa artificiale. Emri im edhe mund të hiqet nga këto libra, po emri i PPSH-së në asnjë mënyrë, se ajo është forca udhëheqëse dhe drejtuese e shoqërisë sonë.”

    Në mbyllje të kësaj bisede Enver Hoxha shtoi: “Nuk do kursejmë asgjë për të ndihmuar nxënësit dhe rininë shkollore të Kosovës me libra në gjuhën shqipe. Mësuesit dhe profesorët tanë janë të gatshëm të vijnë aty dhe të japin mësim dhe leksione në këto shkolla. Ne e kemi thënë edhe herë të tjera këtë gjë dhe i përmbahemi fjalës së thënë.”

    Kur bisedës i kishte ardhur fundi, Enver Hoxha u ngrit nga vendi dhe priu përpara, pastaj iu drejtua studiuesve shqiptarë nga Kosova: “Ejani të shkojmë në kala, të nderojmë veprën dhe figurën e Heroit tonë Kombëtar!”

    Ndërsa po shkonim drejt kështjellës, ishte Ramiz Alia që m’u afrua në krah dhe më pyeti: “Hë, si shkoi biseda?”

    Të nesërmen, si zakonisht, pasi të ftuarit që ishin vendosur në hotel “Dajti” hanin mëngjesin, shoqëruesit bashkoheshin me ta e pinin kafe bashkë dhe prej andej drejtoheshin për në sallën kryesore të konferencës shkencore, në ish-Kuvendin Popullor (sot salla e parlamentit). Pasi mbaroi seanca e parë, ishte Thoma Deliana, ministri i arsimit, që erdhi dhe na ftoi të pinim një kafe në mjediset e Pallatit të Kulturës, që ishte rezervuar për mysafirët dhe të ftuarit.

    Ishim duke pirë kafe kur u duk Beqir Balluku, anëtar i byrosë politike dhe ministër i mbrojtjes kombëtare, i veshur civil. Si u përshëndet me studiuesit shqiptarë nga Kosova, filloi me ta një bisedë të stërzgjatur prej disa orësh. Beqir Balluku, që nuk shquhej për ndonjë oratori, ishte akoma më i dobët në debate dhe dialogje. Kjo u duk edhe në faktin se, gjatë atyre orëve ai piu dy paketa cigare të markës “Partizani”. Gjer sot nuk e kam kuptuar përse duhej ajo bisedë e stërzgjatur dhe e lodhshme me Beqir Ballukun, të nesërmen e bisedës me Enver Hoxhën.

    Këtë bisedë të Enver Hoxhës me studiues shqiptarë nga Kosova, të panjohur deri sot, në të cilën m’u dha rasti të jem i pranishëm, e gjeta me vend t’ia përcjell edhe lexuesit të nderuar të Gazetës Telegraf, këtej nga Nju Jorku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jetoj prej disa vjetësh.