Prof. Adnan Këlliçi nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”

    82

    Kirurgu i talentuar i shërbimit Otorino laringologji, u dekorua nga Presidenti i Republikës për kontributin e dhënë në fushën e shëndetësisë

    Kirurgu i talentuar i shërbimit Otorino laringologji, Prof. Adnan Këlliçi është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin Mjeshtër i  Madh, për kontributin e dhënë në fushën e shëndetësisë. Dekorata i është dorëzuar bashkëshortes në prani të Ministrit të Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo dhe Nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale,  z. Tritan Shehu nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, z. Bardh Spahia. Ministri i Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo gjatë fjalës së tij është ndalur në kontributin e profesor Adnan Këlliçit në shëndetësinë shqiptare dhe veçanërisht në fushën e Otorinolaringologjisë. “Sot Presidenti i Republikës nderon shëndetësinë shqiptare dhe një nga figurat e saj të shquara, prof. Këlliçin.  Është i pamohueshëm roli i tij nga ana shkencore, pasi ka formuar breza të tërë profesionistësh si studentë, ashtu dhe specializantë, duke përgatitur tekste mësimore dhe cikle leksionesh për shkencat bazë dhe ato të aplikuara të ORL. Formimi i tij në specialitetin ORL ishte i gjithanshëm, duke dhënë kontribut të madh në zhvillimin e kirurgjisë së kokës dhe qafës.  Ishte kirurg me intuitë dhe përsosi shumë prej teknikave kirurgjikale në fushën e otorinolaringologjisë”,  u shpreh Ministri i Shëndetësisë,  z. Vangjel Tavo,  duke i uruar prof. Këlliçit shërim të shpejtë dhe jetë të gjatë. Në fjalën e tij, ministri Tavo, duke cilësuar prof. Këlliçin si një nga kolonat e shërbimit ORL, është ndalur në disa pika kyçe të karrierës së profesorit. “Profesor Adnanit i përket merita e pamohueshme e hapjes për herë të parë të shërbimit ORL në Spitalin Rajonal të Beratit si dhe kryerja e shumë ndërhyrjeve specifike në nënspecialitete të ORL-së. Nga 1992 deri në 2003 ai ka drejtuar shërbimin e ORL dhe njëkohësisht departamentin ORL-okulistikë. Të gjithë ne kemi ende  për të mësuar nga puna e prof. Këlliçit”, ka shtuar ministri Tavo. Mes emocioneve bashkëshortja znj. Lavdie Këlliçi, ka falënderuar shtetin shqiptar për këtë vlerësim të madh dhe të gjithë kolegët  e prof. Këlliçit. “Një falënderim të veçantë do të përcillja për Kryeministrin e vendit, i cili dhe si koleg i vjetër i Adnanit i është ndodhur afër dhe është interesuar në mënyrë konstante për shëndetin e tij, duke gjetur kohë fizike dhe ta vizitojë atë nga afër”, u shpreh znj. Këlliçi. Më pas, profesor  Pjerin Radovani dhe profesor Tritan Shehu duke vlerësuar figurën e profesor Adnan Këlliçit kanë sjellë dhe momente kujtimesh nga puna e tij në Klinikë.