Proceset dhe rruga për marrjen e vizës, dokumentacioni

    569
    Sigal

    Kohët e fundit, vihet re se shtetet e zhvilluara, po përmirësojnë ndjeshëm politikat emigratore. Këto politika konsistojnë në një drejtim, luftën kundër emigracionit klandestin dhe thithjen e emigrantëve të kualifikuar nëpërmjet lotarisë. Promotori i kësaj politike rezultative kanë qenë SHBA-të. Autoritetet australiane ashtu si ato kanadeze dhe amerikane, kërkojnë punonjës të kualifikuar, me qëllimin për të jetuar dhe punuar në Australi, në këtë kontinent-shtet ishullor  shumë të zhvilluar. Fillesat e ndryshimeve për mënyrën e organizimit të emigrimit në kontinentin ishull, e kanë zanafillën prej vitit 2004, ku autoritetet kanë paracaktuar dhënien e 72.100 vizave.  Qysh atëherë dhe në vijimësi  emigrantët që plotësojnë kushtet nga të katër anët e botës  kanë në dispozicion rreth 150 mijë vende pune në gjithë gjeografinë ishullore, të cilat reklamohen çdo javë. Sipas procedurave të publikuara (apo njoftimeve), çdo aplikant mund të kualifikohet për të fituar të drejtën e pakufizuar të punësimit, për vete dhe partnerin në Australi, nëse është profesionist i kualifikuar, biznesmen ose student që ndërkaq po studion në një shkollë australiane.

    Çfarë kërkohet?
    Lista e Punësimit të Kualifikuar, SOL, është hartuar nga qeveria australiane për të zgjidhur çështjen e mungesës së punonjësve të kualifikuar në vend, duke tërhequr emigrantë të cilët plotësojnë kushtet e nevojshme si dhe që kanë përvojën e duhur të punës. Lista e vendeve të punës është renditur alfabetikisht, sipas edhe Klasifikimit Standard të Punësimit në Australi, një lloj “fjalori” për çdo grup të mëposhtëm pune: Menaxherë dhe administratorë; Profesionistë zanati; Tregtarë e biznesmenë dhe profile të lidhura me to etj. Vende të caktuara pune kërkojnë një nivel më të lartë të zotërimit të anglishtes, sesa ai “mjaftueshëm”. Ndërkaq, kriteret bazë për marrjen e vizës në këto kategori, parashikojnë moshën, treguesin e kualifikimit në profesionin përkatës dhe përvojat e fundit në profesion. Përveç kritereve bazë, duhet gjithashtu që aplikanti të arrijë në numër të caktuar pikësh në testin përkatës. Në numrat në vazhdim, do të botojmë kriteret e hollësishme, kostot e aplikimit etj..

    Kushtet që duhet të plotësojnë emigrantët
    Aplikanti për emigracion në Australi si punonjës i kualifikuar, një kategori për të cilin shteti australian ka nevojë, duhet së pari të plotësojë të gjitha kushtet bazë, për të vazhduar më tej procedurën e aplikimit.

    Mosha
    Aplikanti, i cili pretendon të arrijë të fitojë të drejtën e emigrimit në Australi duhet të jetë nën moshën 45 vjeç, pikërisht më momentin kur dorëzon procedurën e aplikimit.
    Gjuha angleze
    Kërkohet një aftësi e mjaftueshme për komunikim në gjuhën angleze, për të punuar në Australi. Kjo është kategoria e njohur si “vocational english”. Ndërkaq, një nivel më i lartë kërkohet për disa profesione të caktuara, ku vetë anglishtja është pjesë e formimit profesional. Kur aplikon, ky informacion të bëhet i ditur edhe nga autoriteti përkatës i pranimit. Rrjedhimisht, aplikanti inkurajohet të testojë njohuritë e tij gjuhësore para se të nisë procedurat.

    Viza kur ke lidhje me qytetar australian
    Ai person që ka lidhje familjare me një qytetar(e) australian, mund të përfitojë qëndrim të përhershëm në Australi, kur termi “lidhje” nënkupton marrëdhënie martesore, një lidhje “de fakto”, një martesë në perspektivë (fejesë) ose marrëdhënie “të ndërvarur”, që nënkupton lidhjes mes personave të të njëjtit seks. Edhe martesa me një qytetar(e) australian, nuk të garanton automatikisht të drejtën e qëndrimit në Australi. Për këtë, personi duhet të aplikojë për atë të quhet “viza partneriale”. Kjo e fundit ndahet në disa kategori, në varësi të lidhjes që qytetari i huaj ka me atë australian. Kështu, për lidhjen martesore dhe atë “de fakto” (lidhje martesore e pazyrtarizuar), i huaji aplikon veças për “vizën e martesës”; po kështu për vizën e fejesës dhe të lidhjes së ndërvarur. Kjo pasi ka procedura të veçanta për secilën nga këto kategori. Nuk mund të aplikojë për vizë, ai qytetar i huaj që ka borxhe apo precedentë penalë ndaj Komënuellthit australian apo Zelandës së Re. Nga ana tjetër, secili aplikant duhet të ketë një sponsor. Ky i fundit është normalisht, ai që ka lidhje me aplikantin, (bashkëshorti(ja), i fejuari (a) etj). Qytetari i huaj që kërkon vizë australiane, duhet të plotësojë formularin përkatës “Aplikimi për emigrim në Australi me partner”, i cili është formati 47SP, dhe gjendet në internet, ndërsa sponsori përkatës duhet të plotësojë formatin 40SP. Të dyja formatet, i interesuari duhet t’i printojë dhe t’i bashkojë në dosjen e tij të aplikimit.
    Proceset
    Emigracioni përmes partnerit është një proces me dy faza. Së pari, pasi plotësohen kriteret, autoritetet australiane japin një vizë të përkohshme. Pas dy vjetësh, autoritetet vlerësojnë lidhjen në fjalë dhe konsiderojnë dhënien e vizës së përhershme. Personat që kanë aplikuar për “synim martese”, pra të fejuarit, kanë në dispozicion 9 muaj kohë për të hyrë në Australi pasi marrin vizën e përkohshme, dhe duhet të martohen para se të aplikojnë për kategorinë “viza martesore”. Në përgjithësi, vizat e përhershme jepen pasi është vlerësuar nga autoritetet lidhje në fjalë, ku aplikantët dhe çdo person i përfshirë në aplikim, duhet të plotësojnë edhe kriteret ligjore, kërkesat shëndetësore dhe ato të karakterit personal etj, para se të konsiderohen për këtë vizë.

     

    SHBA/ Manuali: Puna e parë nuk do të jetë ajo që preferon, por  ajo që të siguron mbijetesën

     Si të gjesh dhe kërkosh punë

     Kjo është pyetja e parë që i bëjnë vetes dhe të njohurve të tyre a emigrantët e rinj, kur mbërrijnë në Amerikë. Dhe është e natyrshme, pasi gjetja e punës është çështje jetike. Fillimisht, gjithkush e kupton që brenda një kohe të shkurtër është pothuajse e pamundur që të gjesh punën që dëshiron. Puna e parë nuk do të jetë ajo që preferon, por  ajo që të siguron mbijetesën. Më pas, puna ndryshon bazuar  me shkollimin, si edhe nga  kërkesat që emigranti ka ndaj vetes.

    Ka disa mënyra nëpërmjet, të cilave emigranti i ri  mund të gjejë punën e parë në Amerikë

     I- Nëpërmjet të njohurve dhe miqve. Dikush njeh një biznesmen të vogël, një menaxher një kompani pastrimesh,  ndërtimesh, hotel, restorant, piceri etj.

     II – Nëpërmjet  agjencive të punësimit, kundrejt një pagese të vogël. Këto janë agjenci të vogla, apo të mëdha. Ka edhe agjenci që merren me gjetjen e punës për refugjatë dhe azilantë. Një e tillë ndodhet në  Manhhatan dhe quhet NYANA(New York Association for New Americans)

     III -Puna gjendet, gjithashtu, nëpërmjet seksionit të reklamave për punësim që gjenden  në  gazeta të ndryshme, veçanërisht New York Times. Natyrisht, kjo e fundit ndihmon ata që e njohin gjuhën në mënyrë të kënaqshme si edhe kodin e zbërthimit të reklamës, pasi shumë prej tyre janë shkruar të shkurtuara. Gjithsesi reklamat në shumicën e rasteve kanë numrat e telefonit të kompanive, nëpërmjet, të cilave i interesuari mund të marrë më shumë informacion. Shumë shpesh ndodh që jepet vetëm numri i fax-it, për të dërguar rezymenë (CV).

     IV – Rrugë tjetër është nëpërmjet Internetit- gjë që merr kohë  dhe emigrantët e rinj  kanë nevojë për zgjidhje të shpejta.

     Nëse reklama përmban numrin e telefonit, nuk do nguruar për të telefonuar. Shpesh mund të ndodhë që del sekretaria telefonike që  kërkon të lihet mesazh.  Para atij zëri të ftohtë telefonik, emigranti i ri  ngrin, nuk ndihet mirë, ka frikë se mos bëj gabime në të shprehur e kështu skualifikohet që në mesazh. Shumë emigrantë nuk lënë mesazhe në këto raste. Heqin dorë. Por shpesh herë lënia e një mesazhi mund të të japë në dorë zgjidhjen e problemit. Gjithë puna është që ato pak fjalë të jenë të thëna pa gabime dhe mundësisht me ndjenjën e sigurisë.