Procedurat për marrjen e shtetësisë italiane nga ata që kanë lindur në Itali

    422
    Sigal

    Kush lind në Itali nga prindër të huaj mund të përdorë një rrugë preferenciale për t’u bërë shtetas italian, por ka vetëm një vit kohë për të përfituar prej saj. Sipas ligjit italian kush lind në Itali nga prindër të huaj nuk fiton automatikisht shtetësinë italiane, por mban atë të prindërve deri sa të arrijë moshën madhore. Ligji italian n. 91/92 mbi shtetësinë vendos që “i  huaji i lindur në Itali, i cili ka banuar aty ligjërisht pa ndërprerje deri në moshën madhore, bëhet shtetas italian nëse deklaron se dëshiron të fitojë shtetësinë italiane brenda një viti nga mbushja e moshës së mësipërme” (neni 4, paragrafi 2 i Ligjit 91/92). Kjo do të thotë që shtetasi i huaj i lindur në Itali, ku ka qenë banues i rregullt gjithmonë, mund të aplikojë për të kërkuar shtetësinë italiane në moshën mes 18 dhe 19 vjeçëve, duke u paraqitur pranë nëpunësit të Gjendjes Civile të qytetit ku ka vendbanimin. Shtetësia, në këtë rast, jepet si “përfitim nga ligji”, kështu që është e mundur të bëhesh italian me një deklaratë të thjeshtë vullneti përpara Nëpunësit të Gjendjes Civile përpara mbushjes së moshës 19-vjeçare. Zyra e Gjendjes Civile, pasi verifikon përmbushjen e kritereve, regjistron shtetasin e ri në regjistrin e gjendjes civile vetëm pas betimit për besnikëri ndaj Republikës Italiane, me të cilin i jepet shtetësia italiane qytetarit të interesuar.

    Dokumente që duhen paraqitur:

    1. Kuponi i pagesës prej 200 € në llogarinë 809020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (shih faksimilen);

    2. Pasaporta e vlefshme;

    3. Kopja e plotë e aktit të lindjes së kërkuesit (shih faksimile);

    4. Leja e qëndrimit: në rast periudhash ndërprerjesh në lejen e qëndrimit, i interesuari mund të paraqesë dokumente që mund të dëshmojnë  praninë e tij të pandërprerë në Itali (p.sh. certifikata shkollore, mjekësore dhe të tjera);

    5. Certifikata historike e rezidencës. Periudha e rezidencës së rregullt duhet të dëshmohet që nga çasti i lindjes në Itali përmes certifikatës historike të regjistrimit që lëshon Zyra e Gjendjes Civile dhe përmes leje qëndrimit.

    Pas mbushjes së moshës 19-vjeçare

    Kur mbush 19 vjeç, i huaji i lindur në Itali që nuk ka paraqitur deklaratën e vullnetit në zyrat e Komunës, nuk mund të përfitojë shtetësinë italiane falë “përfitimit me ligj”, por do të duhet të ndjekë një procedurë tjetër. Në fakt kush e ka kapërcyer pragun e të 19-ave mund të aplikojnë për shtetësi pas tre vjetësh qëndrimi të rregullt sipas nenit 9, paragrafi 1, germa a) e Ligjit 91/92. Kërkesa duhet të paraqitet pranë Prefekturës së vendbanimit duke plotësuar formularin B dhe duke bashkangjitur dokumentet e kërkuara në origjinal dhe fotokopje.

    Dokumente që duhen paraqitur

    1 . Kuponi i pagesës prej 200 € në llogarinë 809020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (shih faksimilen);

    2. Pasaporta e vlefshme;

    3. Kopja e plotë e aktit të lindjes së kërkuesit (shih faksimile);

    4. Leja e qëndrimit: në rast të ndërprerjeve në lejen e qëndrimit, kërkuesi mund të paraqesë dokumentacionin që vërteton praninë e tij në  Itali (p.sh. certifikata shkollore, mjekësore etj);

    5. certifikata historike e rezidencës. Në rastin e regjistrimit të vonuar të fëmijës në një komunë italiane, duhet të dorëzohet dokumentacioni që dëshmon praninë e të miturit në Itali përpara regjistrimit të rregullt në komunë (p.sh. certifikata mjekësore).

    Kujdes! Duhet mbajtur parasysh se disa shtete nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë. Është e këshillueshme të verifikohet pranë konsullatës përkatëse nëse marrja e shtetësisë italiane nuk shkakton humbjen e shtetësisë së origjinës. Referimi normativ për realizimin e këtij udhëzuesi është Ligji nr. 91 i datës 5 shkurt 1992.