Procedurat e reja që ndiqen për kalimin e tokës bujqësore në pronësi të përfituesve

    643
    Sigal

    ZYRTARE/Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndryshimin e tokës bujqësore

    Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton procedurat e reja të kryerjes së procesit  të kalimit të tokës bujqësore të ish – ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve. Ky vendim është miratuar në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ish – ndërmarrjeve bujqësore”.

    Detyrat e kryetarit të komunës/bashkisë

    a)afishon në vendet publike të komunës/bashkisë, si dhe boton në gazetën e pushtetit vendor apo në njërën nga gazetat e përditshme vendore ose kombëtare lajmërimin publik të paraqitjes së dokumentacionit, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij vendimi, për të gjithë përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi.

    b)për zonat kadastrale (fshat apo qytet), që kanë qenë territor i ish – ndërmarrjes bujqësore, nën juridiksionin territorial të komunës/bashkisë, ku familjet bujqësore apo individët janë subjekte përfituese të tokës bujqësore sipas nenit 2, të ligjit nr.57/2012, kërkon zyrtarisht Zyrës Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) kopje të hartave kadastrale, të cilat kjo zyrë ia dërgon komunës/bashkisë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve. Në rast se ZVRPP-ja nuk i disponon harta kadastrale, për të cilën shprehet zyrtarisht brenda afatit të përcaktuar, atëherë kryetari i komunës/ bashkisë kërkon nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT), pranë Këshillit të Qarkut, hartat kadastrale përkatëse.

    Përdoruesit e tokës bujqësore pa AMTP, paraqesin në komunë dokumentet

    a)kërkesën, sipas së cilës kërkojnë të pajisen me AMTP;

    b)planvendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët;

    c) certifikatën e gjendjes familjare, të lëshuar  nga zyra e gjendjes civile, e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes përfituese ose individit, në favor të të cilit do të lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992, dhe që prej kësaj date nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre;

    ç) dokumentacionin që vërteton se është përfitues si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave;

    d)  aktin e marrjes së tokës bujqësore në përdorim, nëse e disponojnë.

    Masat që merr Komuna/bashkia, në bazë të dokumentacionit që disponon

    a)kontrollon nëse për ngastrat e tokës bujqësore, për të cilat është paraqitur kërkesë sipas pikës 2 apo 3, të këtij vendimi, është lëshuar më parë AMTP për përfitues të tjerë, individë apo familje bujqësore. Në rastet kur vërtetohet ky fakt, sipas përcaktimit të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 3, të ligjit nr.57/2012, komuna/bashkia njofton me shkresë kërkuesin, duke i refuzuar kërkesën;

    b)verifikon qenien përfitues i tokës bujqësore në pronësi, sipas përcaktimeve të nenit 2, të ligjit nr.57/2012. Kryetari i komunës/bashkisë u kthen përgjigje për refuzim të kërkesës kërkuesve, të cilët nuk plotësojnë këtë kusht;

    c)refuzon pranimin e kërkesës, në çdo rast kur është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata se për ngastrat e tokës bujqësore të paraqitura në kërkesë ka një konflikt gjyqësor.

    Komuna/bashkia, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, evidenton në hartat kadastrale ngastrat e tokës në përdorim faktik, sipas kërkesave të paraqitura, vetëm për përdoruesit që plotësojnë kushtin e subjektit përfitues, sipas nenit 2, të ligjit nr.57/2012. Harta kadastrale përmbledhëse përgatitet në dy kopje origjinale, nga të cilat njëra kopje mbetet në arkivin e komunës/bashkisë dhe tjetra i përcillet zyrtarisht kryesisë së secilit fshat, që ndodhet nën juridiksionin territorial të komunës/bashkisë.

    Komuna/bashkia ua dërgon materialin institucioneve

    a)Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të përcaktojë gjendjen aktuale të pronësisë për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik.

    b)Agjencisë Vendore për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave Informale të përcaktojë për ngastrat e tokës bujqësore të paraqitura në materialin hartografik, për të cilat ka verifikuar se ka ndërtime pa leje, dhe nëse ato kanë mundësi të legalizohen apo jo, sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar.

    c) Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të përcaktojë për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik, nëse janë apo jo objekt kërkese, e cila po shqyrtohet prej saj, por nuk është dhënë ende vendim.

    ç)DAMT-së, pranë Këshillit të Qarkut, të përcaktojë për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik,nëse:

    -Me vendim të Këshillit të Ministrave janë të miratuara në fondin e kompensimit fizik dhe janë vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

    -Janë të përfshira në veprimtarinë eksperimentale – shkencore të institucioneve kërkimore shkencore. Për këtë informacion kryetari i komunës/bashkisë i drejtohet edhe Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore.

    Komuna/bashkia, përgatit relacionin përfundimtar

    Komuna/bashkia, brenda 10 (dhjetë) ditëve pas marrjes së përgjigjeve nga institucionet e përmendura në pikën 11, të këtij vendimi, dhe bazuar në të dhënat e këtij dokumentacioni, përgatit dhe ia përcjell këshillit të komunës/bashkisë relacionin përfundimtar me:

    a)listën e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore;

    b)listën e subjekteve përfituese, të cilat plotësojnë kushtet ligjore për t’u pajisur me AMTP;

    c) sipërfaqen e tokës të përllogaritur për çdo subjekt përfitues, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 4, dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.57/2012.

    Çdo ankim nga individë apo institucione, në lidhje me AMTP-të, kur vlerësohet se janë krijuar në kundërshtim me ligjin, paraqitet brenda 5 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Komisionin Vendor të Vlerësimit të Titujve të pronësisë (KV), pranë prefektit të Qarkut, duke vënë në dijeni kryetarin e komunës/bashkisë. KV-ja shprehet për ankimet brenda 10 (dhjetë) ditëve dhe njofton menjëherë ankuesin dhe kryetarin e komunës/bashkisë. Kryetari i komunës/bashkisë, brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i afatit të ankimit dhe/ose shqyrtimit të ankimeve, ua dërgon me shkresë AMTP-të  të shoqëruara me planvendosjet për secilën ngastër:

    a)DAMT-së, pranë Këshillit të Qarkut, për evidentim të pronësisë së re mbi tokën bujqësore;

    b)ZVRPP-së përkatëse, për të kryer procesin e regjistrimit në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme.

     Bëhen ndryshime për listën e personave të shpallur financues të terrorizmit

    Janë bërë disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.718, datë 29.10.2004, të këshillit të ministrave, “për listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”, të ndryshuar.

    Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon: Në fund të shkronjës “A”,  “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me Talibanët” shtohen individët e renditur në shkronjën “a” të listës,  “Lista e shtuar e individëve në listën e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me Talibanët”, që i bashkëlidhet këtij vendimi si anëtarë ose bashkëpunëtorë me Talibanët, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për individët që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues, për Talibanët. Nga lista e shkronjës “A”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me Talibanët” çregjistrohen individët e renditur në shkronjën  “b” të listës, “Lista e individëve të çregjistruar nga lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtor me Talibanët”, që i bashkëlidhet këtij vendimi si individë të çregjistruar nga anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për  Talibanët  me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.