Procedurat dhe periudha e dëmshpërblimit për të dënuarit që nuk jetojnë

    476
    Sigal

    Flet Përgjegjësi i Sektorit të Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë, Lek Hajdari

     

    Janë disa kategori që nuk kanë marrë dëmshpërblime ende nga të dënuarit politikë. Një ndër kategoritë që nuk ka marrë dëmshpërblim ende është edhe kategoria e të dënuarve politikë që nuk jetojnë. Kjo kategori do të marrë së shpejti dëmshpërblimin. Një fakt të tillë na e bën të ditur për “Telegraf”, shefi i Sektorit të Pagesave për të Përndjekurit Politikë, Lek Hajdari. Sipas tij, tani po shpërblehen personat që janë gjallë dhe që janë mbi 65 vjeç, ndërsa kategoria e personave që nuk jetojnë nuk janë shpërblyer deri më tani. Do të mbarojnë personat që janë gjallë dhe më pas do të fillojnë kategoritë e tjera, ku përfshihet edhe kategoria e personave që nuk jetojnë. Duhet të theksoj që nuk duhet ngatërruar mosha e përfituesve me moshën e atyre që janë të dënuar dhe jetojnë. Pra aktualisht ne paguajmë ato që janë të dënuar vetë dhe që janë mbi 65 vjeç dhe janë gjallë. Përfitojnë nga vendimi 419 i Këshillit të Ministrave përfituesit e të dënuarve, pavarësisht nga mosha. Ndërkohë që në lidhje me numrin e personave të dëmshpërblyer deri tani ai ka shtuar se: “Deri tani që po flasim numri i tyre ka që në 1200 persona që kanë marrë dëmshpërblimin, po flasim gjithmonë për persona që jetojnë dhe që janë mbi 65 vjeç. Asnjë kategori tjetër nuk është paguar deri më tani”.

    Ish të përndjekurit, mbeten problem dosjet me mangësi

    Ndonëse vazhdon procedura e dorëzimit të dosjeve për të përfituar dëmshpërblim, për të gjithë ata persona që kanë kryer vite burgu ose të pushkatuarit pa gjyq, që kërkojnë të përfitojnë për shkak të viteve të burgut, disa prej dokumentacioneve të tyre nuk rezultojnë të rregullta. “Ne bëjmë publike dosjet, për të cilat nuk mund të ekzekutohet vendimi i Këshillit të Ministrave, pasi janë të paplotësuara me dokumentacionet e nevojshme”. Kështu shprehet Lekë Hajdari, kreu i drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë. Më tej, zoti Hajdari bën me dije se të gjithë ata ish të dënuar që kanë përfituar këstin e parë dhe renditen tek ata përfitues mbi moshën 65 vjeç, për të përfituar këstin e dytë, duhet të bëjnë verifikim e dokumentacioneve, pasi ato nuk janë të plota. “Kontrollimi i dokumentacioneve duhet bërë për faktin se gjatë vitit 2009 është bërë pagesa e dëmshpërblimit me ligjin 9831, datë 12.11.2007, i pandryshuar. Më vonë, është ndryshuar ky ligj me ligjin 10111, datë 07.02.2008, i cili ka shtuar disa dokumente, për të cilat në fazën e parë të pagesës nuk janë depozituar. Në këto kushte, i njoftoj të gjithë ish të dënuarit që aktualisht jetojnë dhe trashëgimtarët e atyre nuk jetojnë më, që kanë marrë pagesën gjatë vitit 2009, duhet të kontaktojnë për plotësimin e dokumentacioneve”,-shton më tej Lek Hajdari.

    Rastet e dosjeve me mangësi

    Dosjet me mangësi janë dosje, në të cilat postohet dokumentacioni, dosje me dokumente të fotokopjuara të panoterizuara, ose ato me certifikata të fotokopjuara, të cilat nuk kanë vlerë pa u noterizuar, ose me numra llogarie, të cilat janë të hapur në monedhë të huaj – dhe kjo është e papranueshme për ne. Por dosjet me mangësi mund të jenë edhe ato ku mungojnë mjetet e identifikimit të personave që do të tërheqin paratë. “U bëjmë thirrje të gjithë personave që kanë depozituar dokumentacionet për të përfituar dëmshpërblim financiar, për shkak të viteve të burgut gjatë regjimit komunist, se çdo dosje që dorëzohet, duhet të bëhet sipas nenit 14, nr. ligjit 19831”,- tha më tej Lek Hajdari. Nëse një i interesuar ka depozituar dosjen pranë zyrave të Drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë ose me anë të postës, brenda saj duhet të ketë, bashkangjitur me dokumentacionet, numrin e vendimit të Këshillit të Ministrave, ku është i listuar personi për pagesë, numri i dosjeve individuale dhe një numër telefoni i njërit prej personave të interesuar. “Ju këshillojmë që, në çdo rast, të depozitohet një numër kontakti, (nr. telefoni), nëpërmjet të cilit ne do t’ju komunikojmë për procedurat në vazhdim”,- vijon më tej z. Hajdari.

    Dorëzimi i dokumentacioneve

    Dokumentacionet mund të dorëzohen nga familjarët, pranë Drejtorisë së Pagesave për ish të Përndjekurit Politikë, çdo të martë të enjte.

     

     

    Brenda gushtit pritet dëmshpërblimi për të pushkatuarit pa gjyq

    Kategoria e të pushkatuarve pa gjyq, pritet që së shpejti të marri masën e dëmshpërblimit që i takon. Dritën jeshile për këtë kategori e hapi Ministria e Drejtësisë disa ditë më parë, e cila bëri të ditur që brenda muajit korrik do të mbarojë trajtimi i dosjeve për këtë kategori. Ndërkohë që më shumë detaje në lidhje me fillimin e dëmshpërblimit për këtë kategori ka dhënë në një prononcim për “Telegraf”, përgjegjësi i Sektorit të Pagesave për ish të dënuarit politikë Lek Hajdari. Ai është shprehur: “Shpresojmë që në muajin gusht të fillojë shpërndarja, por po e theksoj që kjo do bëhet nëse del vendimi i ri i këshillit të ministrave, pra ne jemi të gatshëm për të filluar, por kushtëzohet nga Këshilli i Ministrave, është ai autoriteti që e përcakton dëmshpërblimin dhe numrin e përfituesve”. Ndërkohë që, sipas zotit Hajdari, një gjë pozitive për kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq është miratimi si i mirëqenë i vendimit të komisionit trepalësh. “Krahas atyre problemeve që janë trajtuar sistematikisht, është një gjë e mirë që u miratua nga qeveria vendimi i komisionit trepalësh që quhet dokument zyrtar, për efekt të vërtetimit të dënimit të pushkatuarve pa gjyq. Të gjithë ato që kanë këtë dokument duhet t’i përshpejtojnë veprimet për t’i dërguar ato sa më parë në Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim për t’i  përfunduar ato sa më parë. Shpërndarja ka filluar, por shpërndarja fillon atëherë kur të vijnë dokumentet”, ka shtuar zoti Hajdari. Që një person të paguhet nga sektori i pagesave sipas zotit Hajdari duhet që më parë të miratohet vendimi nga Këshilli i Ministrave. Por shpërndarja fillon atëherë kur të vijnë dokumentet. Aktualisht nuk ka shkuar akoma një  kontingjent i tillë nga Këshilli i Ministrave në sektorin e pagesave. “Ne duke qenë autoritete përgjegjëse për shpërndarjen e dëmshpërblimit, ne akoma nuk kemi të dhëna në numra se sa mund të jetë numri i përfituesve. Duhet të dimë që autoriteti që shqyrton kërkesat është ministria e Drejtësisë dhe autoriteti që përcakton përfituesit dhe masën e dëmshpërblimit është Këshilli i Ministrave, ne jemi autoriteti që bëjmë shpërndarjen”, shtoi zoti Hajdari në lidhje me kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq.

     Bulqizë, 66 minatorë në protestë: ACR të na lejojë t’i kthehemi punës

    Rikthehen protestat në Bulqizë. 66 minatorë të zonës D, kanë nisur dje protestat përpara galerisë, për shkak se kompania ACR ka bllokuar punën e tyre, siç thonë ata. Sipas tyre ACR nuk i lejon t’i kthehen punës me pretendimin se kjo galeri nuk plotëson kushtet teknike për punë. Minatorët deklarojnë se në galerinë D janë plotësua kushtet për të rinisur punën dhe i kërkojnë ACR t’i lejojë të kthehen në këtë galeri. Minatorët e Bulqizës shprehen se firma turke ka përfunduar tashmë rikonstruksionin e galerive, ndërsa i kujtojnë ACR-së se, ata janë punëtorë me kontrata të rregullta.