Procedura të reja për azilkërkuesit në Gjermani

    412
    Në një tryezë pune të drejtuar nga Kancelarja Angela Merkel, Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, ka deklaruar se, në të ardhmen do të bëhet një dallim mes refugjatëve që kanë shanse të qëndrojnë dhe atyre “që duam të largohen nga vendi ynë”. “Azilkërkuesit në Gjermani janë trajtuar deri tani pak a shumë njësoj, me përjashtim të disa kontigjenteve të veçanta, si të refugjatëve nga Siria. Kjo tani do të ndryshojë. Na nevojitet fuqia e diferencimit përmes procedurave të ndara, nga pranimi deri në kthim. Në të ardhmen duhet bërë dallim midis refugjatëve që kanë një shans të madh për të qëndruar dhe atyre për të cilët duam të largohen nga vendi ynë”, tha De Maiziere.
    Ai shprehu shpresën që ky mesazh i takimit të nivelit të lartë të ketë edhe një efekt psikologjik në shtetet e Ballkanit. “Atje me siguri që perceptohet me shumë vëmendje ajo çfarë bëjmë ne”, vijoi ministri.
    Sipas tij, në katër muajt e parë të këtij viti, gjysma e azilkërkuesve ka ardhur nga Ballkani Perëndimor, nga shtete që ose konsiderohen “shtete të sigurta të origjinës”, shkak për të cilin aplikuesit nuk kanë thuajse asnjë shans për të marrë azil, ose nga shtete si Shqipëria, shtetasit e së cilës kanë një kuotë pranimi nën dhjetë për qind.
    “Konkretisht, De Maiziere shpjegoi që refugjatë me më pak shanse për të marrë azil do të strehohen së bashku. Kështu që, që prej strehimit të tyre të kthehen në mënyrë më të koncentruar. Vetëm pak javë do të zgjasë, derisa të zbatohet vendimi i kthimit. Deri tani, kthimi konsekuent i azilkërkuesve të refuzuar dështon edhe për shkak të faktit se njerëzit strehohen në vende të ndryshme. Procedura më e shkurtër e synuar do të ndikojë që kthimi të bëhet më normal”, plotësoi Kancelarja Angela Merkel. Ndërkohë Gjermani , publikoi para dy ditësh shifrat e azilkërkuesve për muajin Prill, ku Shqipëria renditej në vendin e parë me numrin më të lartë të kërkesave për azil. Nga muaj Mars në muajin Prill, Shqipëria kishte 1774 kërkesa më shumë për azil. Për muajin Prill janë regjistruar gjithsej 4794 kërkesa për azil nga shqiptarët në Gjermani, ndërsa në muajin Mars ishin regjistruar 3020 të tilla. Ndërkohë pritshmëria e shteti Gjerman lidhur me azilkërkuesit në këtë vend, flet për një dyfishim të numrit të tyre në muajt në vijim. Si pasoj e kësaj pritshmërie, Gjermani ka vendosur të marrë disa masa, ku një ndër to është edhe publikimi i procedurave të reja për azilkërkuesit në Gjermani.
    Sigal