Problemi i mosbindjes civile

    475
    Sigal

    Si duhet të na ndihmojnë teoritë e moralit për çështje të veçanta morale

    “Ndjenjat që i shtyjnë njerëzit drejt paqes janë frika e vdekjes, dëshira për gjëra që janë të nevojshme për një jetë të rehatshme dhe shpresa për t’i siguruar ato me punën e vet. Kurse arsyeja sugjeron paragrafë paqeje, që i çojnë ata drejt marrëveshjes. Këta paragrafë janë ato që ndryshe i quajnë ligje të natyrës”. Thomas Hobbes, Leviatani (1651)

     Teoritë e moralit duhet të na ndihmojnë çështje morale të veçanta. Teoria e Kontratës Sociale bazohet në një ide të rëndësishme mbi natyrën e shoqërisë dhe të institucioneve të saj, prandaj dhe është veçanërisht e përshtatshme për të na ndihmuar të trajtojmë çështje që kanë këto institucione. Si rezultat i kontratës sociale, kemi detyrimin që t’i bindemi ligjit. Po a jemi ndonjëherë të përligjur që ta  kundërshtojmë ligjin? Dhe, po të jetë kështu, kur? Shembujt modernë klasikë të mosbindjes civile janë veprimet e ndërmarra që lidhen me lëvizjen indiane për pavarësi, të udhëhequr nga Mohandas Gandi, si dhe me lëvizjen për të drejtat civile amerikane, të udhëhequr nga Martin Luther King, Jr. Të dyja lëvizjet u karakterizuan nga refuzimi publik, i ndërgjegjshëm e jo i dhunshëm për t’iu bindur ligjit. Por synimet e lëvizjeve kishin dallime të rëndësishme. Gandi dhe pasuesit e tij nuk e njihnin të drejtën e Britanisë së Madhe për të qeverisur Indinë; ata donin ta zëvendësonin sistemin britanik me një sistem krejt të ndryshëm. Martin Luther Kingu dhe pasuesit e tij, përkundrazi, nuk e vinin në dyshim legjitimitetin e institucioneve themelore të shtetit amerikan. Ata u kundërviheshin vetëm ligjeve dhe politikave sociale të caktuara që i konsideronin si të padrejta-në fakt, aq të padrejta sa ndiheshin të çliruar nga detyrimi për t’iu bindur atyre.

    Në shkrimin e tij “Letër nga burgu i Birmingamit” (1963), Martin Luther King tregon me hollësi frustrimin dhe zemërimin që lind kur keni parë turma të egra të linçojnë nënat dhe baballarët tuaj sa herë të duan dhe të mbysin motrat dhe vëllezërit tuaj sa herë t’iu teket; kur keni parë policë të mbushur me urrejtje, që shajnë, godasin. keqtrajtojnë e madje edhe vrasin vëllezërit dhe motrat tuaja zezakë, të sigurt se nuk ndëshkohen; kur shihni shumicën dërrmuese të njëzet milion vëllezërve tuaj zezakë t’u merret fryma në një qerthull hermetik varfërie në mes të një shoqërie të begatë; kur fjalët befas të ngecin në gryke dhe fillon të belbëzosh tek përpiqesh t’i shpjegosh vajzës tënde gjashtëvjeçare pse nuk mund të shkojë në një park lodrash publik për të cilin sapo është dhënë njoftimi në televizion, dhe lotët t’i shkojnë çurg nga sytë e saj të vegjël kur i thua se parku është i mbyllur për fëmijët me ngjyrë, dhe të shohësh se si retë dëshpëruese të inferioritetit fillojnë ta përçudnojnë personalitetin e saj të vogël.

    Problemi nuk qëndronte vetëm në faktin që segregacioni racial, me të gjitha të këqijat që vijnë së andejmi, imponohej nga zakonet e shoqërisë; ishte gjithashtu çështje ligji, ligj për të cilin qytetarët zezakë ishin të privuar nga zëri që ta formulonin. Kur i kërkohej të mbështetej në procesin e zakonshëm demokratik, Martin Luther King vinte në dukje se kishte pasur mjaft përpjekje për negociata, por këto përpjekje nuk kishin qenë të suksesshme. Dhe sa për “demokracinë”, thoshte ai, kjo fjalë nuk ka asnjë kuptim për zezakët e Jugut: “Anembanë shtetit të Alabamës, janë përdorur gjithfarë metodash bashkëpunimi të fshehtë për t’i ndaluar zezakët që të bëhen votues të regjistruar dhe në disa rajone nuk ka asnjë zezak të regjistruar për të votuar, pavarësisht që zezakët përbëjnë shumicën e popullsisë”. Prandaj, Martin Luther King-u besonte që zezakët nuk kishin rrugë tjetër përveç asaj që t’ia ekspozonin çështjen e tyre opinionit publik duke kundërshtuar ligjet e padrejta.

    Sot, kur Martin Luther King-u brohoritet si një nga viganët e historisë së Amerikës dhe kur lëvizja për të drejtat civile kujtohet si një kryqëzatë morale madhështore, vështirë të sjellësh ndërmend se sa e diskutueshme ka qenë strategjia e mosbindjes civile. Shumë nga liberalët, gjithë duke shprehur simpatinë për qëllimet e lëvizjes, mohonin që mosbindja ndaj ligjit përbënte një mjet legjitim për t’i arritur këto qëllime. Shqetësimet tipike i gjejmë të shprehura në një artikull të botuar ‘New York State Bar Journal’ më 1965. Louis Waldman, avokat i shquar, pasi e siguronte lexuesin që, “shumë kohë përpara se të lindte Dr. King-u, unë e kam mbështetur kauzën e të drejtave civile për të gjithë njerëzit, dhe ende e mbështes”, theksonte: Ata që rivendikojnë të drejta në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve që burojnë prej saj duhet t’u binden kësaj Kushtetute dhe këtyre ligjeve, nëse kjo Kushtetutë duhet të mbijetojë. Ata nuk mund të qëmtojnë si t’iu pëlqejë; nuk mund të thonë se do t’u binden atyre ligjeve për të cilat mendojnë se janë të drejta dhe do të refuzojnë t’u binden atyre ligjeve për të cilat mendojnë se janë të padrejta. Prandaj, populli nuk mund ta pranojë doktrinën e Dr. King-ut që ai dhe pasuesit e tij do të qëmtojnë si t’iu pëlqejë, duke ditur që kjo është e paligjshme. Theksoj se kjo doktrinë është jo vetëm e paligjshme dhe duhet braktisur qoftë dhe vetëm për këtë arsye, por gjithashtu është imorale dhe shkatërrimtare për principet e qeverisjes demokratike dhe përbën një rrezik pikërisht për ato të drejta civile që Dr. King-u kërkon të çojë përpara. Waldman-i kishte një arsye: nëse sistemi ligjor është i mirë në tërësi, atëherë në pamje të parë kundërshtimi i ligjit është një gjë e keqe, sepse ky kundërshtim dobëson respektin për vlerat që mbron ligji. Për t’iu përgjigjur këtij objeksioni, ata që mbronin mosbindjen civile kishin nevojë për një argument që të demonstronte përse kundërshtimi i ligjit ishte justifikuar. Një argument i tillë, që King-u e përdorte shpesh, ishte se të këqijat që kundërshtoheshin qenë aq serioze, aq të shumta dhe aq rezistuese kundrejt mjeteve më pak drastike sa që mosbindja civile ishte e justifikuar si “guri i fundit”. Qëllimi justifikon mjetin, edhe nëse mjetet janë të pakëndshme. Kjo, sipas mendimit të shumëkujt prej moralistëve, ishte një përgjigje e mjaftueshme ndaj arsyes që paraqiste Waldman-i. Porse ekziston një përgjigje e mundshme më e thellë, që vjen nga Teoria e Kontratës Sociale. Pse kemi detyrimin që, mbi të gjitha, t’i bindemi ligjit? Sipas Teorisë së Kontratës Sociale, e kemi sepse çdonjëri prej nesh merr pjesë në një marrëveshje të ndërlikuar nga e cila përfitojmë disa të mira në këmbim të pranimit të disa detyrimeve. Përfitimet janë ato të jetesës sociale: i shpëtojmë gjendjes natyrore dhe jetojmë në një shoqëri ku jemi të sigurt dhe gëzojmë të drejta themelore nëpërmjet ligjit. Në mënyrë që t’i kemi këto përfitime, pranojmë të marrim përsipër pjesën tonë për t’i mbrojtur institucionet që i bëjnë të mundshme. Kjo nënkupton që duhet t’i bindemi ligjit, të paguajmë taksat, e kështu me radhë – këto janë detyrimet që pranojmë si këmbim. Po çfarë ndodh kur gjërat janë rregulluar në mënyrë të atillë që një grupi njerëzish në shoqëri nuk i jepen të drejtat që gëzojnë të tjerët? Çfarë ndodh nëse, në vend që t’i mbrojnë ata, “policë të mbushur me urrejtje shajnë, godasin, keqtrajtojnë e madje vrasin vëllezërit dhe motrat tuaja zezakë të sigurt se nuk ndëshkohen”? Çfarë ndodh kur disa qytetarëve “u merret fryma në një qerthull hermetik varfërie” ngaqë u moho- het oportuniteti për të pasur një arsimim të mirë ose një punë të mirë? Kur mohimi i këtyre të drejtave është mjaft i përhapur dhe mjaft sistematik, s’na mbetet gjë tjetër veçse të arrijmë në konkluzion që kushtet e kontratës sociale nuk po respektohen. Pra, nëse vazhdojmë të kërkojmë që grupi i defavorizuar t’i bindet ligjit dhe kësodore të respektojë institucionet demokratike, ne po kërkojmë që ata të pranojnë detyrimet e imponuara nga marrëveshja sociale edhe pse iu mohohen përfitimet.

    Kjo linjë arsyetimi sugjeron që mosbindja civile, më tepër se një “gur i fundit” i padëshirueshëm për grupet e privuara nga e drejta e votës, është në fakt mjeti më i natyrshëm dhe më i arsyeshëm për të shprehur protestën. Sepse, kur u mohohet ndarja e drejtë e përfitimeve të jetesës sociale, të privuar nga e drejta e votës, në të vërtetë, janë të çliruar nga ajo kontratë sociale që do t’u kërkonte nga ana tjetër të mbështesnin marrëveshjet që i bëjnë të mundshme këto përfitime. Kjo është arsyeja më e thellë që e përligj mosbindjen civile, dhe është në nder të Teorisë së Kontratës Sociale që e paraqet një argument të tillë kaq qartë.