Problematikat dhe risitë që shoqërojnë studentët e Histori-Filologjisë për vitin e ri akademik

    390
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Shezai Rrokaj për vitin e ri akademik

    Viti i ri akademik për Fakultetin e Histori-Filologjisë, ka nisur me një problematikë që ka qenë e pranishme dhe më parë. Problematika që ka shoqëruar edhe këtë fillim të vitit akademik në Fakultetin e Histori-Filologjisë është mungesa e ambienteve. Në lidhje me fillimin e vitit të ri akademik, kuotat e mbetura bosh dhe programin e masterit ka folur në një intervistë për “Telegraf”, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë Prof. Shezai Rrokaj. Sipas dekanit Rrokaj, çështja e mungesës së ambienteve është ende e pazgjidhur, por fakulteti po mundohet që të koordinojë sa më mirë oraret e mësimit. Por në këtë fakultet janë bërë dhe rregullime të ambienteve, duke shtuar sallat e laboratorëve, apo duke shtuar numrin e kompjuterëve. Ndërkohë që, këtë vit do të futet për herë të parë programi i masterit për sistemin part-time.

    -Zoti Rrokaj, Fakulteti i Histori-Filologjisë ka pasur problem me ambientet, a është gjetur ndonjë zgjidhje tani me fillimin e viti të ri akademik për këtë problem?

    -Ky është një problem që ne e kemi theksuar edhe më parë. Ne jemi përpjekur që ta shtrijmë punën tonë në ambientet që kemi realisht. Por po të kemi parasysh standardet natyrisht që janë të pamjaftueshme, ne e kemi 0,5 metër katror për student. Kemi nevojë për ambiente, por shpresojmë që me kampusin e ri që do bëhet do të ketë një zgjedhje për problemin e ambienteve. Në punojmë me kohë të zgjatur deri në orën tetë të darkës. Ndërsa përsa i përket infrastrukturës brenda fakultetit, do të thoja që janë mobiluar të gjitha ambientet me dërrasa dhe me banka. Në kemi marrë dy laboratorë për gazetarinë, po ashtu kemi shtuar edhe sallat që janë të pajisura me komjutera të rinj.

    -Sa kuota kanë ngelur bosh nga faza e parë e regjistrimeve në universitet për vitin që filloi?

    -Ashtu si edhe për vitet e kaluara edhe këtë vit kanë ngelur kuota bosh në fakultetin e Histori-Filologjisë, nga faza e parë e regjistrimeve që janë bërë në universitet. Kur flas për kuota të mbetura bosh kam parasysh sistemin e “Bachelor”, pra janë studentët që fillojnë për herë të parë shkollën e lartë. Këto kuota do të plotësohen në fazën e plotësimit të Formularit A3, që pritet të dalë së shpejti. Për këtë vit në fakultetin e Histori-Filologjisë kanë ngelur 19 vende bosh. Këto vende janë 5 në gazetari, 3 në gjeografi, 9 kuota janë për histori dhe 3 vende bosh janë për degën e Gjuhë-Letërsisë.

    -Në krahasim me vitet e kaluara këto kuota të mbetura bosh janë më të mëdha apo janë më të vogla?

    -Në krahasim me vitet e kaluara këto kuota janë më të vogla dhe ne tashëm siç e thashë edhe më lart presim daljen e Formularit A3 për plotësimin e vendeve bosh.

    -Po kuotat për mastera sa janë, dhe cilat janë risitë përsa i përket sistemit të masterit në fakultetin tuaj?

    -Masteri profesional mësuesi ka 130 kuota, për gjeografi 130, gjuhë-letërsi 130 dhe redaktori 60. Ndërsa për masterin e part-time, i cili hapet sivjet kemi hartuar kurrikulën dhe presim që të vazhdojë. Edhe për sistemet e tjera të masterit shkencor ne kemi kërkuar që të miratohen kuotat. Për masterin shkencor ne kemi kërkuar 100 kuota për Gjuhën, 50 për Letërsinë, 100 kuota për historinë dhe 100 kuota për gjeografinë. Janë po ato mastera vetëm kanë ndryshuar pak programet mësimore. Të rejat e këtij viti janë masterat futja e masterave profesional për part-time. Jemi duke përgatitur shpalljen e masterave me sistemin e part-time. Po ashtu një risi për këtë vit është edhe hapja e departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore.

    -Si po ecën sistemi i Doktoraturës në Fakultetin e Histori-Filologjisë?

    -Sistemi i Doktoraturës po vijon normalisht në fakultetin tonë. Është viti i katërt që po zhvillohet Doktoratura. Ne kemi rreth 504 doktorantë që ndjekin studimet në fakultetin tonë. Për herë të parë është hapur para dy vjetësh tek gazetaria, këtu funksionon me kohë të plotë pasi këtu është një fakultet që e ka të plotësuar stafin akademik. Po ashtu ne këtu ftojmë edhe profesorë që vijnë nga jashtë për të dhënë mësim në shkollën tonë dhe kjo mbulohet nga shkolla jonë. Po ashtu po ju them edhe një investim të fakultetit tonë mjaft serioz. Ne për herë të parë po përkthejmë çdo dokument që ka arkivi i Londrës për Shqipërinë. Kjo bëhet në kuadrin e 100- vjetorit, projekti po vijon dhe po bëhet me fonde të universitetit.

    _____________________________________________________________________________________

    SHPALLEN FITUESIT E PART-TIME TEK HISTORI –FILOLOGJIKU

    Ditën e djeshme janë shpallur fituesit e sistemit part-time në fakultetin e Histori-Filologjisë për vitin e ri akademik 2012-2013. Në total numri i fituesve për vitin e ri akademik shkon në 750. Këto fitues janë të ndarë 250 persona për degën e Gjuhë-Letërsisë, 250 persona janë të ndarë për degën e  Historisë dhe 250 persona të tjerë janë shpallur fitues për degën e Gjeografisë.

    Afati për regjistrimet

    Afati regjistrimit sipas informacioneve të marra pranë sekretarisë së fakultetit të Histori-Filologjisë është nga data 17-21 tetor 2012. Në këto data të gjithë studentët që janë shpallur fitues në programin “Bachelor” të sistemit part-time duhet të paraqiten pranë sekretarive për të bërë regjistrimin e tyre. Ata duhet të paraqesin edhe dokumentet që kërkon fakulteti si: fotokopje e kartës së identitetit, diplomën e noterizuar të shkollës së mesme dhe mandatin e arkëtimit të pagesës që duhet për të ndjekur një vit akademik.