Privatizimet strategjike/ Qeveria “Rama” ndjek rrugën e qeverisë “Berisha”

    396
    Sigal

    Specialistët: Shitja në sektorët strategjikë, gabim strategjik

    Privatizimi i monopoleve në sektorët strategjik zakonisht nuk parapëlqehet, duke i ditur rreziqet për konsumatorët dhe klientët në mungesë të alternativave tjera. Edhe në shumicën e shteteve të zhvilluara me ekonomi të tregut, ku ka disa ndërmarrje dhe konkurrencë në këta sektorë, shteti ose është pronar dominant i shumicës së aksioneve, ose në rast ndërmarrjet e tilla publike janë privatizuar në masën më të madhe tek blerësit privat, atëherë shteti ka një institucion të veçantë rregullues ose rregullator që përkujdeset për të mos lejuar diskriminimin ndaj konsumatorëve dhe klientëve, sepse energjia elektrike, telekomunikimet dhe nafta janë produkte të domosdoshme dhe të ndjeshme. Mbi këtë bazë teorike shumë ekspertë të ekonomisë shprehin me të drejtë shqetësimin e privatizimit të sektorëve strategjik, e aq me tepër dhe me të drejtë në rastet kur ndërmarrjet publike janë në pozita monopoliste. Ndërkohë, vende si Italia apo edhe Serbia, ekonomitë e të cilave qëndrojnë shumë më lartë se ajo shqiptare, sektorë të ndryshëm strategjikë i mbrojnë nga privatizimet dhe investimet e huaja, në mënyrë që, të ofrojnë një shërbim sa më cilësor për qytetarët, por edhe sepse këta sektorë shihen si shumë fitimprurës për vetë qeverinë. Kështu, sektori energjetik në Serbi funksionon nën administrimin e shtetit, po ashtu edhe telefonia fikse, banka më e madhe tregtare në vend, sistemi i transportit publik etj.. Deri më sot, politika liberale e ndjekur nga qeveritë shqiptare ka sjellë rritje të investimeve të huaja, duke bërë që vendi të përballonte efektet e krizës së eurozonës.

    Privatizimet strategjike 2014-2016

    Në programin ekonomik e fiskal të Shqipërisë për periudhën 2014 – 2016, janë parashikuar dhe shitjet strategjike që duhet të bëjë qeveria.”Privatizimi në sektorët strategjikë. -Privatizimi i paketës së mbetur të “Albtelekom” sh.a.: Shitja e paketës së zotëruar nga shteti është planifikuar për vitin 2014. Paketa e mbetur prej 16,7683661 për qind të aksioneve, është vlerësuar me një vlerë prej 2 500 milionë lekësh ose 18 milionë eurosh. – Privatizimi i paketës së mbetur në ARMO sh.a. Shitja e paketës shtetërore është planifikuar të realizohet gjatë vitit 2015. Në ARMO sh.a. shteti zotëron rreth 14,9 për qind të aksioneve me një vlerë të përllogaritur në rreth 22 milionë euro.

    – Privatizimi i pjesës së mbetur në OSSH sh.a. Shoqëria është privatizuar në vitin 2009.

    Janë shitur 76% e aksioneve dhe aktualisht shteti zotëron në këtë shoqëri 24% të aksioneve. Pjesa e mbetur e aksioneve prej 24% dhe me një vlerë të përllogaritur në rreth 32 milionë euro është planifikuar të shitet gjatë vitit 2016 – Privatizimi i “Albpetrol” sh.a. Gjatë periudhës 2015 – 2016 është planifikuar shitja 100 për qind e paketës shtetërore të zotëruar nga shteti. Kapitali i regjistruar i kompanisë “Albpetrol” sh.a. vlerësohet në rreth 95 milionë euro”.

    Rama në opozitë, kundër privatizimeve strategjike

    Opozita e djeshme apo sot qeveria “Rama”, me të gjithë aktorët e saj, ka ngritur zërin ndaj privatizimeve të bëra nga qeveria “Berisha”, duke premtuar një tjetër realitet për vendin nëse ata do të vinin në pushtet. Opozita e atëhershme, apo qeveria e sotme është deklaruar kundër shitjes së plotë të “Albpetrol”. Vetë zoti Rama është shprehur se “kontratat e koncesionit apo dhe privatizimet në sektorin e hidrokarbureve, si dhe rasti Armo, do të jenë objekt i një hetimi të thellë me ardhjen e socialistëve në pushtet”. Rama rikthehet tek e njëjta politikë privatizimesh të qeverisë “Berisha”. Pra, kjo qeveri, brenda këtij viti planifikon të shesë paketën e mbetur të “Albtelekom”. Në vitin 2015, paketën e ARMO-s, ndërsa në 2016-n paketën e OSSH-së dhe Albpetrol-in. Të gjitha përllogariten në një vlerë prej 167 milion eurosh.

    Pse këto privatizime

    Me privatizimet që bëhen, qeveritë mendojnë më tepër për objektiva afatshkurtra dhe afatmesme. Baza kryesore e privatizimit me shitje bëhet për rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit dhe mbulimit të gropës së madhe në këtë buxhet. Llogaritja e vlerës së pasurisë kombëtare që do të privatizohet, është një ndër pikat më të dobëta të programit të privatizimit. Procesi i privatizimit në Shqipëri ka degjeneruar në krijimin e një shtrese sipërmarrësish, më shumë të emëruar sesa rezultat i lojës së konkurrencës së ndershme. Industritë strategjike, duhen mbajtur duke mos tjetërsuar pronësinë.

    Problemet në privatizime

    Me privatizimet e kryera është liberalizuar tregu, por asnjë efekt pozitiv nuk ka zbritur te konsumatori. Të ardhurat e buxhetit rriten shpejt dhe menjëherë nga privatizimet, por, aktualisht, ekspertët vlerësojnë se këto biznese që qeveria ka hedhur në shitje realizojnë aq fitime vjetore po aq sa të mëdha sa kanë paguar për të blerë ndërmarrjen shtetërore. Të ardhurat që merr shteti nga privatizimet janë një formë huamarrje për ekonominë shqiptare, pasi privatizuesit do ta rikuperojnë investimin përmes transferimit të fitimeve jashtë vendit. Në vendin tonë fitimet e transferuara jashtë vendit i kapërcejnë shumëfish paratë e shpenzuara për blerjen e pronave publike.

    Bankat

    Kemi një numër të madh bankash private e me larmi origjinash, por tarifat e shërbimit vlejnë për të dëshiruar, krahasuar me vendet e tjera. Është domosdoshmëri prania e një banke shtetërore që të luajë rregullatorin, kjo për shkak të interesave të larta bankare, mungesës  së kreditimit, apo dhe rrjedhjes së parave tona drejt bankave mëma në vendet e origjinës.

    OSSH

    Jo të gjitha privatizimet rezultojnë të suksesshme, siç është dhe rasti i privatizimit të CEZ Shpërndarjes, i cili jo vetëm që nuk solli përfitime, por dhe dëmtoi konsumatorin. Gjithashtu, rezultoi se privatizimi i OSSH-së nuk reflektoi ndonjë kthesë në mirëmenaxhim, apo në investim. Kjo sjell dhe humbjet e mëdha në rrjet mbi 30 %, të cilat nëse do të eliminoheshin do të bënte që dhe konsumatori ta blinte më lirë energjinë.

    ARMO

    Kompania ARMO e përpunimit të naftës ka pronar Kompaninë “Heaney Assets Corporation” që ka blerë 80 për qind të aksioneve dhe ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e pronarit të mëparshëm. A janë respektuar ligjet e shtetit në një privatizim të tillë strategjik? Cila është kompania “Heaney Assets Corporation” që ka marrë ARMON? Të mos harrojmë qëndrimin e qeverisë “Rama” dje në opozitë për këtë privatizim.

    Albpetrol

    Opinioni publik nuk duhet të neglizhojë operacionin e privatizimit të Albpetrol, ku shqiptarët humbasin më shumë se ç’mund të fitojnë nga çmimi i ulët i shitjes, apo nga renta simbolike. Shteti shqiptar duhet të qëndrojë i pranishëm në kapitalin e Albpetrol-it, mendojnë specialistët, qoftë dhe me një pakicë aksionesh. Në perëndim, shteti është pothuajse gjithmonë i pranishëm në kapitalin e ndërmarrjeve strategjike, jo vetëm në hidrokarbure, por edhe në industritë e tjera e deri te bankat, siç edhe u vu re në krizën e fundit financiare që preku mbarë globin. Prania e shtetit shqiptar në kapitalin e Albpetrol është jetike, të paktën sa për të qenë prezent në mbledhjet e bordit drejtues të kompanisë së ardhshme dhe të jetë në dijeni nga brenda se çfarë i punohet nëntokës shqiptare, ekologjisë shqiptare. Privatizimi 100% i naftës dhe i gazit shqiptar është një verbëri kombëtare.

     Albtelekom

    Shitja e telefonisë fikse, si një nga sektorët më me fitim në ekonominë shqiptare solli edhe probleme të tjera për konsumatorin shqiptar. Kjo nuk do të thotë që operatorët privatë nuk duhen lejuar, por që asete kombëtare mjaft fitimprurëse nuk duhen hequr qafe. Nuk ka kuptim që të privatizosh një sektor strategjik si telefonia dhe më pas të rrisësh çmimin e shërbimit. Në këtë mënyrë, kompania bëhet më fitimprurëse pasi privatizohet, d.m.th fitime që mund t’i merrte shteti, i shkojnë operatorit privat, në kurriz të konsumatorit shqiptar dhe në dëm të shtetit shqiptar.  Albtelekom edhe pse jo me 100 % të kapitalit, vepron në situatë monopoliste.