Prishja e ndërtimeve në Gjirokastër nis me prishjen e ndërtimeve me leje

503
Sigal

Vala e prishjes së ndërtimeve pa leje po kthehet në fushatë kërcënimi dhe prishje të ndërtimeve me leje. Kjo është akuza e pronarit të ndërtimit që po bëhet tek sheshi, ku ka qenë vendosur busti i ish-diktatorit Enver Hoxha. Hysen Kodra thotë se, “po bëj një ndërhyrje duke respektuar elementët karakteristikë të Gjirokastrës me leje të rregullt nga Instituti Kombëtar i Restaurimeve, por këto dokumente nuk janë marrë parasysh nga Inspektorati Ndërtimor Urban Kombëtar”. Sipas tij, para ndërtimit në fjalë janë vendosur shirita për pezullim punimesh dhe të premten është lajmëruar prishja e ndërtesës, por lajmërimi është bërë gojarisht pa asnjë shkresë dhe në mënyrë jo zyrtare. Sipas pronarit ajo që të habit është fakti se mes 300 ndërtimeve pa leje që ka Gjirokastra, nis prishja e ndërtimeve pikërisht me atë që ka leje. Në këtë rast ai pohon se gjithçka kryhet në mënyrë selektive dhe të qëllimshme, se këtu kemi të bëjmë jo me zbatim të ligjit, por me shkelje të tij. “Unë kam ndërtuar mbi pronën time në bazë të një vendimi nga IKR të miratuar nga dy KRT, në bazë të një projekti të hartuar nga specialistë të trashëgimisë kulturore duke respektuar të gjithë elementët e banesës gjirokastrite, me gur e dru, ndërsa gjithandej ka ndërtime me beton, por ato nuk preken”. Peripecitë dhe problemet për marrjen e pronës e deri tek ndërtimi në fjalë e kanë shoqëruar gjithmonë. “Kam marrë tokën që më takon nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në bazë të dokumenteve që disponoj. Këtu ka qenë shtëpia e gjyshërve të mi e djegur në 1953, pas shtetëzimit nga diktatura, më pas kanë dashur të ma marrin për të ngritur një universitet, ndërsa tani po më bëhet një tjetër padrejtësi”.

Pretendimet

Në lidhje me faktin që pretendohet se ndërtimi ndodhet në zonën muzeale dhe prek trashëgiminë e qytetit, Kodra shprehet se “në bazë të një neni të veçantë edhe në zonat muzeale mund të ndërhyhet në rast se banesa është rrëzuar nga shkaqe natyrore ose është djegur” dhe në këtë rast shtëpia është djegur. Të gjithë ata që ngrenë këto pretendime mund të verifikojnë gjurmët që kam gjetur gjatë punimeve nga kjo shtëpia e mëparshme”.