Prezantohet publikisht skema e re e pensioneve, ja ndryshimet

    391
    Sigal

    TIRANE – Qeveria prezanton publikisht reformën e re të pensioneve, sipas një skeme që nis me heqjen e pensionit tavan, vendosjen e një pensioni social për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi të kontribuojnë, integrimin e skemave urbane e rurale me njëra-tjetrën si dhe skemat profesionale për ata që bëjnë punë të vështira, si në rastin e minatorëve. Në një konferencë për këtë reformë, të zhvilluar tek Arkiva e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, po prezantohen pikat ku mbështetet kjo skemë nga tryeza ku të pranishëm janë, kryeministri Edi Rama, ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj. Përfaqësuesja e Bankës Botërore shprehu nevojën e kësaj reforme, në kushtet kur sipas saj ekziston një padrejtësi dhe diferencë thuajse e papërfillshme mes pensionit minimal dhe mesatar. Ajo ngriti shqetësimin se përfitimi i një pensionisti në krahasim me kontributin që paguan, nuk është i lartë. “Jepen kontribute të shumta që nuk marrin të njëjtën përgjigje sa i përket përkthimin në pension”, tha ajo. Sipas saj, Instituti i Pensioneve ka bërë një punë të mirë që të parandalojë që të moshuarit të bien në nivelet e varfërisë. Duke iu referuar një krahasimi me vendet e tjera të Evropës, përfaqësuesja e Bankës Botërore, tha se meshkujt në Shqipëri marrin pension për shumë pak vite. Ndërsa një skemë pozitive paraqitet për gratë të cilat marrë pension për një kohë më të gjatë, për vetë faktin se dalin në pension më herët dhe jetojnë më gjatë.