Presidenti Nishani takohet me Presidenten e Kosovës, Jahjaga

543
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë qëndrimit në Dubrovnik, zhvilloi një takim dypalësh me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Gjatë takimit u diskutua lidhur me bashkëpunimin dypalësh, duke shprehur kënaqësinë për arritjet që kanë shënuar të dy vendet gjatë kësaj kohe. Presidentja Jahjaga vlerësoi se statusi i vendit kandidatit për në Bashkimin Evropian që iu dha Shqipërisë, ishte një inkurajim shumë i madh edhe për rajonin, e veçanërisht për Kosovën, duke nxitur përparimin në zbatimin e reformave të nevojshme si për liberalizimin e vizave, ashtu edhe për nënshkrimin e MSA-së. Të dy Presidentët ranë dakord se, veçanërisht në kuadër të nismave rajonale, të cilat po priren gjithnjë e më shumë drejt projekteve strategjike, duhet të paraqitemi me projekte konkrete, të cilat rrisin automatikisht përmasën dhe efektshmërinë e bashkëpunimit. Presidenti Nishani, e garantoi Presidenten Jahjaga se Shqipëria do të vazhdojë të koordinojë qëndrimet në kuadër të nismave dhe organizatave shumëpalëshe ku Kosova është apo aspiron të anëtarësohet me të drejta të plota, dhe se së bashku duhet të nxisim qeveritë në të dy vendet tona të zhvillojnë projekte me impakt të drejtpërdrejtë për vendet tona, bazuar mbi këtë vullnet solid të ndërsjellë.