Presidenti Nishani i akordon Dekoratën “Nderi i Kombit” shkrimtarit Zija Çela

503
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerësoi sot gjatë një ceremonie solemne, ku ishin të pranishëm akademikë, profesorë, botues, artistë, shkrimtarë, kritikë arti, miq dhe dashamirës, shkrimtarin Zija Çela me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si përfaqësues i denjë dhe i veçantë i letrave bashkëkohore shqipe, si dhe të kontributit të spikatur e të rrallë si eseist dhe publicist”. Në fjalën përshëndetëse Presidenti Nishani theksoi se: “jemi mbledhur sot në Institucionin e Presidentit të Republikës për të vlerësuar së bashku punën e një shkrimtari, redaktori, prozatori e personaliteti, një njeriu unik në letërsinë moderne shqiptare, i cili me mendjen e pendën e tij, krijon një botë sa për veten, aq edhe për çdo lexues që prek krijimtarinë e të nderuarit, Zija Çela. 

Ne presim prej tij akoma vepra po aq të arrira, si ato që ka realizuar deri tani, të cilat do të jenë burim frymëzimi i brezave të rinj dhe arkiv i denjë i fondit më të lartë shqiptar në Bibliotekën tonë Kombëtare.” “Një individ që ka një pasion në jetë, si ajo e zotit Çela ndaj botës së shkrimit, e kultivon atë, duke prodhuar çdo herë vepra me vlerë letrare, duke shtyrë imagjinatën dhe duke bërë që lexuesi të futet në një botë larg realitetit, por edhe afër asaj. Shpirti i madh dhe i dhembshur i shkrimtarit Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet jo si prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit, por si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm. Ky vizion i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar si dhe përtej tij, duke kapërcyer kohë, me mënyrën e tij origjinale të ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë, fryma gjithherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, janë këto cilësi që e bëjnë atë shkrimtar të dashur për lexuesit shqiptarë”, theksoi Presidenti Nishani.
Sigal