Presidenti Ilir Meta: Partneriteti strategjik amerikano-gjerman, vendimtar për të ardhmen e Rajonit

482
Sigal

Partneriteti strategjik amerikano-gjerman vendimtar për të ardhmen e Rajonit

Presidenti i Republikës mban një ligjëratë në Qendrën Evropiane “Xhorxh Marshall” Garmish, Gjermani

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi Qendrën Evropiane “Xhorxh Marshall” në Garmish të Gjermanisë, si i Ftuar Nderi për të folur mbi çështjet e sigurisë dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit.

U ftova të flas me ju për sigurinë dhe integrimin euroatlantik në Ballkan, të para nga perspektiva shqiptare. Së pari, që nga viti 1993, Shqipëria ka gëzuar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Qendrën. Më shumë se tetëqind ushtarakë dhe civilë janë stërvitur në programet unike të kësaj Qendre, një kontribut i çmuar në rritjen e kapaciteteve të Forcave tona të Armatosura dhe Trupit Diplomatik. Së dyti, kjo qendër udhëhiqet nga personalitete të mëdha, si Gjenerali Dejton dhe kolegët e tjerë të tij. Kjo Qendër mban emrin e një shtetari të madh, Xhorxh Marshall, udhëheqja dhe vizioni i të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë edhe sot e kësaj dite, ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë jetës së tij. Thelbi i arritjeve të sotme nuk mund të kuptohet pa pranuar rolin dhe ndikimin e Planit të njohur “Marshall” në Evropën e shkatërruar nga lufta dhe në përgjithësi në aleancën trans-atlantike të themeluar më pas. Politika e NATO-s e dyerve të hapura dhe politika e zgjerimit të BE-së ishin po aq jetike e strategjike për ta ndarë e shkëputur këtë rajon nga e kaluara e tij konfliktuale duke e drejtuar për nga një e ardhme paqësore, të qëndrueshme e të begatë. Përcaktimi dhe sanksionimi i bashkëpunimit rajonal nga ana e tyre si përparësi për integrimin e ardhshëm nxiti një epokë të re të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve tanë. Duke filluar nga Partneriteti për Paqe dhe Pakti i Stabilitetit, me Kartën më të Fundit të Adriatikut dhe Procesi i Berlinit, kanë ofruar mekanizma efikase për të zhvilluar dhe begatuar edhe më tej vendet tona, si dhe kanë forcuar marrëdhëniet tona strategjike me NATO-n dhe BE-në. Duke u distancuar shumë nga e kaluara, lulëzuan nismat dhe forumet rajonale, duke ofruar mundësi në kohë reale për të diskutuar të gjitha çështjet, përfshirë edhe ato që dikur konsideroheshin si tabu Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Shqipërisë thotë se “Veprimet tona sot përcaktojnë trashëgiminë për brezat që do të vijnë dhe të ardhmen e tyre”. Dokumenti sanksionon 7 prerogativa strategjike që integrojnë çdo dimension të fuqisë kombëtare: Forcimin e sundimit të ligjit dhe mirëqeverisjen; Rritjen e qëndrueshme ekonomike; Edukimin cilësor; Sektorë të mirëzhvilluar të sigurisë dhe të mbrojtjes; Ruajtjen e kohezionit social dhe identitetin kombëtar; Angazhimin rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe përparimin e integrimit në Bashkimin Evropian. Përfshirja e SHBA-së dhe partneriteti amerikano-gjerman janë kyçe për ruajtjen e këtyre interesave në këtë pjesë të botës. Jemi dakord që të gjitha vendet duhet të ndajnë barrën dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për të ruajtur cilësinë dhe efikasitetin e arkitekturës aktuale të sigurisë. Për këtë qëllim, vendi im ka qëndruar krah për krah me partnerët e tij strategjikë, në përpjesëtim me madhësinë dhe kapacitetet tona modeste. Ne jemi zotuar që, në gjirin e NATO-s dhe BE-së, të vazhdojmë dhënien e kontributit në operacione të shumta në rajonin tonë dhe më gjerë. Gëzojmë një bashkëpunim shembullor me Shtetet e Bashkuara për çështjet e sigurisë, siç mishërohet edhe në Dokumentin e Partneritetit Strategjik. Shqipëria është gjithashtu i vetmi vend në rajon që përputhet plotësisht me politikën e Jashtme e të Sigurisë së përbashkët të Bashkimin Evropian. Këto partneritete strategjike kontribuojnë në sigurinë tonë kombëtare, por edhe në sigurinë e rajonit të Ballkanit, të Evropës dhe të hapësirës së NATO-s. Strategjia jonë e Sigurisë Kombëtare parashikon që përveç kërcënimeve konvencionale, krimi i organizuar ndërkufitar, trafiku ilegal dhe emigrimi i paligjshëm, përbëjnë kërcënime të menjëhershme për Shqipërinë dhe rajonin. Është e domosdoshme që mes vendeve tona të vazhdojë një bashkëpunim proaktiv, i ngushtë dhe efikas, me ndihmesën e vëmendshme të aleatëve tanë. Për këtë qëllim, Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka nënshkruar një Marrëveshje Status me Agjencinë Kufitare dhe Rojet Bregdetare Evropiane për të përmirësuar bashkëpunimin me BE-në rreth këtyre çështjeve. Sot në botë po ndryshojnë shumë gjëra, por interesat e Shqipërisë mbeten të pandryshueshme. Ne jemi të interesuar për një rajon të paqtë, të qëndrueshëm dhe të sigurt, të ankoruar plotësisht në NATO si dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Duam të shohim një rajon që zhvillohet më tej dhe që përparon, në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe që u përgjigjet qytetarëve të vet në secilën prej 6 vendeve. Shqipëria dhe shqiptarët në rajon janë përfituesit më të mëdhenj të kësaj arkitekture. Kur mozaiku ballkanik ndryshoi pas pavarësisë së Kosovës, faktori shqiptar ka marrë përgjegjësinë e tij historike për t’u shndërruar në një katalizator kryesor të zgjerimin të kufijve të NATO-s dhe BE-së në këtë rajon. Kemi demonstruar një prirje të vendosur civile dhe politike për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në, si garantuesit më të besueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Dhe, sipas mendimit tim, nevojiten vetëm përpjekje të bashkërenduara amerikane dhe evropiane për ta çuar deri në fund këtë punë ende të papërfunduar, ose këtë fazë të rëndësishme konsolidimi në Ballkan. Propozimi i fundit për një debat të ri mbi atë që do të përbënte marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, po konsumon shumë energji për objektivat e gabuara. Ai as nuk e konsolidon dhe as nuk e paqton rajonin. Hapja e një debati të tillë në një kohë kur janë ngritur flamujt e kuq sinjalizues e paralajmërues nga SHBA-ja dhe BE-ja për përfshirjen e aktorëve të tretë në rajon, e bën atë edhe më alarmues. Nuk mund të ketë një kërcënim më të drejtpërdrejtë se ky për sigurinë tonë. Nëse do të shkojë edhe më tej, ne mund të parashikojmë vetëm se pasojat e tij do të ishin krejtësisht të paparashikueshme. Mund të konsiderohet si kronika e një konflikti të parathënë e të paralajmëruar. Çështjet e kufijve nuk janë thjesht ato të një rruge, ose një rezorti turistik në fshat, projekti i të cilit ka nevojë vetëm për një kompjuter, ca vija harte gjeografike dhe disa ustallarë informatikë. Sidomos në një rajon, ku vetëm 20 vjet më parë, popullata të tëra, qytete, fshatra, familje, etni dhe besime të ndryshme luftuan dhe u masakruan për qytete, fshatra dhe sinore shtëpish, shkëmbimet e kufijve të projektit u bënë një çështje e veçantë dhe shumë e ndjeshme. Kjo është një çështje e jetës së përditshme të njerëzve dhe historisë së tyre. Është çështje e së kaluarës, e së tashmes dhe së ardhmes së këtyre njerëzve.Por në të njëjtën kohë, unë jam kundër çdo procesi, angazhimi, projekti që, në rajonin e Ballkanit, mund të bjerë ndesh me investimin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për çështjen e sigurisë, stabilitetit, paqes dhe gjeopolitikën. Por është rajoni ku Perëndimi, NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë investimet më historike politike, ushtarake dhe ekonomike pas viteve 1990-të. Dhe ashtu si Xhorxh Marshall do të thoshte: ‘Kur një gjë është bërë, është bërë e ka marrë fund sakaq… Hidhni sytë e shikoni para drejt qëllimit tuaj të ardhshëm’! Dhe teksa Ballkani mbetet një punë ende e papërfunduar, sigurimi i suksesit të plotë të investimeve afatgjata në këtë rajon do të ishte objektivi i ardhshëm.