Presidenti Ilir Meta nis vizitën në Maltë, merr pjesë në Forumin e Biznesit Maltë – Shqipëri

790
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta po zhvillon një vizitë pune në Maltë, në kuadër të “Forumit të Biznesit Maltë –Shqipëri”, i shoqëruar nga një delegacion me 31 përfaqësues të komunitetit të biznesit shqiptar të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Në ditën e parë të Forumit, që u çel me fjalimin e mirëseardhjes nga Presidentja e Maltës, SH.S.Znj Coleira – Preca, Presidenti Meta në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm në të gjitha fushat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe vuri theksin tek nevoja për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe investimet e ndërsjellta.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës prezantoi para komunitetit të biznesit maltez potencialet dhe mundësitë e shumta që ofron Shqipëria për investitorët e huaj në të gjithë sektorët e ekonomisë. Presidenti Meta i ftoi investitorët maltez të vlerësonin oportunitetet investuese në Shqipëri për të gjitha avantazhet krahasuese që ofron ekonomia shqiptare.

“Shqipëria mund të shërbejë si ‘qendër ekonomike rajonale’ për shtrirjen e investimeve të huaja në një treg ballkanik me më shumë se 20 milion konsumatorë, si dhe mund të jetë një ‘portë hyrëse’ rajonale drejt tregut evropian”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Gjatë fjalës së Tij, Presidenti i Republikës shpalosi projektet sektoriale të resurseve të mëdha turistike, të potencialit në projektet e energjisë së rinovueshme, të nevojës për investime private në modernizimin e bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese, të stimulimit të sektorit të manifakturës përmes zonave të lira ekonomike dhe parqeve industriale, të zhvillimit të sektorit të shërbimeve financiare, të tregjeve të kapitaleve si dhe sektorit të Teknologjisë se Informacionit (ICT).

“Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri natyrore, nëntokësore, si dhe ka një nga popullsitë më të reja, më energjike dhe me koston më të ulët të krahut të punës në Evropë”, – theksoi Presidenti Meta.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Meta shprehu mbështetjen dhe ftoi sërish biznesin maltez të investonin në potencialet e pashfrytëzuara të ekonomisë shqiptare.

Presidentja e Maltës Znj. Coleira – Preca, gjatë fjalës së saj vlerësoi se Malta dhe Shqipëria duhet t’i japin një hov të ri bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe të shfrytëzojnë të gjitha oportunitetet e biznesit për të eksploruar tregje te reja investimesh. Forumin e përshëndeti dhe Ministri i Jashtëm dhe Promovimit të Tregtisë së Maltës, z. Abela, i cili theksoi se vitet e fundit kemi një potencial tregtar në rritje mes dy vendeve tona dhe vlerësoi se ky Forum do ti shërbejë nxitjes së mëtejshme të shkëmbimeve të biznesit. Gjithashtu, në panelin e parë të Forumit përshëndetën përfaqësuesit e komunitetit të biznesit shqiptar dhe maltez.

Në mbyllje të Forumit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Dhomave të Tregtisë si dhe u zhvillua një seancë takimesh “BtoB” mes dhjetëra bizneseve shqiptare dhe malteze për inicimin e projekteve konkrete në fushën e investimeve.

Fjala e plotë e Presidentit Meta në Forumin e Biznesit Maltë – Shqipëri

E nderuar Zonja Presidente Coleiro -Preca

I nderuar Z. Ministër Abela

Te nderuar miq të komunitetit të biznesit shqiptar dhe maltez

Jam i lumtur që brenda dy muajsh nga vizita ime e parë shtetërore në Maltë, rikthehem në vendin tuaj të mrekullueshëm, në kuadër të “Forumit të Biznesit Maltë – Shqipëri”, i shoqëruar nga një delegacion prej 31 përfaqësuesish të biznesit shqiptar.

Dua të shpreh vlerësimin tim për vendosmërinë dhe mbështetjen e Presidentes Coleiro në organizimin e këtij Forumi, si një hap i nevojshëm për t‘i ngritur në një nivel të ri marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Kam bindjen se ky Forum Biznesi do të shërbejë si katalizator dhe urë lidhëse solide, për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe për të nxitur investimet e ndërsjellta mes Shqipërisë dhe Maltës.

Të dashur miq,

Shqipëria, është një vend Europian dhe Mesdhetar, i ngjashëm në shumë aspekte historike, kulturore, si dhe në potencialet ekonomike me Maltën.

Fatkeqësisht, në historinë e saj moderne të pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria vuajti për gati 50 vjet izolimin dhe pasojat e një regjimi të egër diktatorial komunist.

Pas viteve 90-të, Shqipëria përqafoi sistemin demokratik dhe ekonominë e tregut të lirë, duke ndërmarrë një sërë reformash strukturore, liberalizuese dhe duke çliruar potencialet e zhvillimit në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësimin në BE. Shpresojmë që në qershor, Këshilli Europian të miratojë rekomandimin e Komisionit për të çelur negociatat me BE-në – për t’i dhënë një hov të ri një procesi transformues, siç është ai integrimit europian, për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.

Më lejoni të prezantoj shkurtimisht potencialet dhe oportunitetet e mëdha investuese që ekonomia shqiptare ofron për investitorët e huaj.

Në vitin 2017, ekonomia shqiptare njohu rritje ekonomike rreth 3.8% të GDP-së, ndërsa për vitin aktual synohet një rritje ekonomike prej 4% të GDP-së.

çdo investitor i huaj përpara se të marrë vendime për oportunitetet e biznesi në një vend tjetër, vlerëson si fillim riskun politik dhe makro-ekonomik.

Në këtë kontekst, Shqipëria tashmë prej vitesh ka ruajtur stabilitetin politik, atë makroekonomik si dhe ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit dhe ka reduktuar drastikisht procedurat burokratike për të hapur dhe operuar një biznes.

Në planin strategjik, Shqipëria për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Ballkanin Perëndimor, mund të shërbejë si një “portë hyrëse” në tregun Europian dhe si “qendër ekonomike dhe biznesi” për shtrirjen e investimeve të huaja në të gjithë rajonin e Ballkanit, në një treg me rreth 20 milion konsumatorë.

Gjithashtu, Shqipëria synon të jetë një vend tranzit për projekte të rëndësishme ndërkombëtare të ndërlidhjes në fushën e infrastrukturës së transportit dhe energjetikës.

Realizimi i gaz-sjellësit TAP (Trans-Adriatic Pipeline) – si pjesë e “Korridorit të Gazit të Jugut”– i cili sjell gazin e Kaspikut nga Azerbajxhani deri në Itali dhe pastaj në tregun europian përmes Shqipërisë, ka një rëndësi gjeo-strategjike si nga ana ekonomike ashtu dhe në sigurinë energjetike për vendin tonë, rajonin dhe vetë Europën.

Në takimin që pata me Kryeministrin Muscat në vizitën time shtetërore, u informova prej tij që edhe Malta është e interesuar për suksesin e këtij projekti, për të përfituar një sasi gazi për nevojat te saj.

Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri natyrore, nëntokësore, si dhe ka akoma një nga popullsitë më të reja dhe më energjike në Evropë.

Sektori i turizmit ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe akoma të pashfrytëzuar. Kontributi direkt i Turizmit në GDP, përllogaritet në rreth 9% dhe indirekt me efektet e tij në sektorët e tjerë arrin në rreth 26% të ekonomisë.

Në vitin 2012, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri ishte rreth 3 milion, ndërsa për vitin 2017 shifra tejkaloi 5 milion vizitorë të huaj.

Shqipëria është kthyer në “oazin e ri” të Mesdheut dhe një nga destinacionet kryesore të Evropës për plazhet e virgjëra me ujë të kristaltë, për malet magjepsëse që përshkohen nga lumenjtë të rrëmbyeshëm dhe që rrethohen nga liqene piktoreske, për sitet e famshme arkeologjike dhe trashëgiminë e rrallë kulturore (disa janë trashëgimi e UNESCO-s), për mikpritjen e ngrohtë dhe ushqimin e shijshëm e të pakrahasueshëm.

Prandaj, për të akomoduar këtë fluks të lartë turistësh kemi nevojë prioritare për investime private të konsiderueshme në ndërtimin e strukturave të reja në hoteleri (resorteve) dhe në përmirësimin e kapaciteteve menaxheriale.

Për të nxitur investimet në sektorin e turizmit, këtë vit është miratuar paketa e re fiskale për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje. Konkretisht, hotelet me katër dhe pesë yje me status të veçantë apo që janë mbajtësit e një marke të regjistruar ndërkombëtare, përjashtohen nga tatim fitimi për 10 vjet.

Gjithashtu, për hotelet me 5 yje, TVSH-ja për të gjitha shërbimet e tyre do të jetë vetëm 6%, nga 20% që është TVSH-ja standarte.

Turizmi është një sektor ku biznesi shqiptar mund të mësojë shumë nga “historia e suksesit” të Maltës, sikurse kompanitë malteze me “know-how” dhe kapitalin e tyre financiar janë të mirëpritur të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, sepse atje do të gjejnë një “Maltë të dytë”.

Ka ardhur momenti që të shikojmë mundësinë për të vendosur një linjë direkte udhëtimi Valleta – Tiranë dhe anasjelltas, si një hap i rëndësishëm në intensifikimin e marrëdhënieve tona ekonomike, tregtare, dhe kulturore.

Shqipëria ka 4 porte, 3 nga të cilat kanë potencial për tu bërë pjesë e paketave turistike për linjat e “crocierave” ndërkombëtare. Bashkëpunimi midis “tour-operatorëve” shqiptar dhe maltez është “çelësi i suksesit” në këtë drejtim.

Një sektor tjetër që po tërheq shumë investitorë të huaj është energjetika, sidomos në energjitë e rinovueshme. Shqipëria renditet e dyta në Europë për burime ujore për frymë pas Norvegjisë.

Mbi 95% e energjisë elektrike në vend prodhohet nga Hidrocentralet. Janë rreth 180 kontrata koncesionare për ndërtimin e më shumë se 500 Hec-ve të vogla dhe të mesme, ku një pjesë janë në operim, disa janë në fazë ndërtimi dhe disa të tjerë janë kërkim të financimit.

Gjigandi norvegjez Statkraft brenda vitit tjetër përfundon një nga HEC-et më të mëdha në Shqipëri dhe në rajon, Devolli HydroPower. Pavarësisht këtyre investimeve, aktualisht vetëm 35% e potencialit të energjisë hidrike është i shfrytëzuar.

Gjithashtu, Shqipëria duke pasur mesatarisht 270 ditë me diell në vit, ka zgjuar interesin e shumë investitorëve të huaj në projektet e “energjisë diellore” përmes paneleve fotovoltaike si dhe në energjinë e erës, përmes parqeve eolike.

Tashmë edhe kuadri rregullator është plotësuar me incentivat e “tarifave premium” (Feed in – Premium Tariff), ku konkretisht për investimet në “impiantet fotovoltaike” me kapacitet instalues deri në 2 MW, qeveria ka detyrimin t’ia blejë investitorit privat me çmimin dysheme prej 100 Euro për Mega.

Ndërsa në rastin e “parqeve eolike” detyrim i qeverisë është për blerjen e energjisë deri në 3 MW kapacitet instalues, me çmim dyshemeje prej 76 Euro për Mega.

Sërish, më lejoni të shfrytëzoj këtë Forum për t’i bërë një ftesë biznesit maltez, për të investuar në projektet energjetike në Shqipëri, sepse nevojat energjetike si për tregun vendas, rajonal dhe atij europian janë në rritje.

Nga ana tjetër qeveritë e rajonit po financojnë projekte të përbashkëta në linjat e transmetimit dhe në sistemin e shpërndarjes, sikurse po synohet krijimi i një “burse energjetike rajonale” në mënyrë që edhe kapacitet e reja prodhuese të jenë lehtësisht të tregtueshme.

Bujqësia dhe agro-industria mbeten sektorë vitalë për ekonominë shqiptare, duke kontribuar me rreth 20% në GDP dhe me rreth 45% në punësim.

Edhe në këto fusha kemi potenciale të pashfrytëzuar, sidomos në sektorin e agro-përpunimit dhe industrinë e ushqimit. Kemi nevojë për investime private në modernizimin e bujqësisë, në rritjen e prodhimit dhe produktivitetit, si dhe në promovimin e produkteve bujqësore “Made in Albania” që përmbushin standartet europiane dhe kanë destinacion eksportin.

Jam i sigurt se edhe në këto fusha, do te ketë interes bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare dhe atyre malteze.

Manifaktura, industria nxjerrëse dhe ajo tekstile kanë njohur një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit, duke qenë dhe zërat kryesorë të eksporteve shqiptare.

Shqipëria zotëron një nga rezervat më të pasura me krom në Europë (Bulqiza), sikurse ka edhe fushën më të madhe, në tokë (on-shore), me rezerva nafte në Europë (Patos-Marinzë).

Aktualisht kemi kompani të mëdha ndërkombëtare, siç është Kompania Shell, të cilat po operojnë në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve si dhe në fushën minerale.

Gjithashtu, industria tekstile ka një kontribut të rëndësishëm në ekonominë tonë, sidomos për impaktin e saj social në punësimin e mbi 100 mijë personave.

Po planifikojmë krijimin e “zonava të lira ekonomike” dhe “parqeve industriale dhe teknologjike” në formën e “klusterave ekonomike”, në të cilat parashikohen lehtësira fiskale dhe doganore për të thithur investitorë të huaj serioz në sektorin e manifakturës dhe logjistikës.

Shqipëria, duke shfrytëzuar dhe potencialin e saj portual, mund të kthehet në një “qendër rajonale e produkteve industriale” të kompanive ndërkombëtare me destinacion final tregun europian.

Shqipëria, përveç afërsisë gjeografike dhe kapaciteteve portuale, ka koston më të lirë të krahut të punës në Europë dhe padyshim ky është një nga avantazhet krahasuese në raport me rajonin në thithjen e investimeve të huaja.

Tashmë, prej vitesh disa “marka” ndërkombëtare të veshjeve prodhojnë nga Shqipëria për tregun europian dhe atë botëror.

Në epokën e sotme të globalizimit dhe të “revolucionit të 4 –të industrial”, investimi më rentabël dhe aseti më i madh i një kombi është kapitali njerëzor.

Shqipëria ka të rinj të mirëarsimuar dhe të kualifikuar, ku më shumë se gjysma e tyre flasin anglisht dhe italisht. Prandaj, sektori i shërbimeve në përgjithësi mbetet motori i ekonomisë tonë.

Vetëm në 10 vitet e fundit janë më shumë se 30 mijë të rinj që janë punësuar në sektorin e ICT dhe në sektorin e nënkontraktimeve të biznesit “outsource” BPO (Bussiness Process Outsourcing – “call center”).

Për shkak të kostove të lira në tregun e punës, aftësive në gjuhët e huaja, regjimit të taksave më të ulëta në raport me vendet e BE-së, Shqipëria është kthyer në destinacionin e lakmuar nga kompanitë ICT italiane, spanjolle, gjermane etj.

Edhe sektori financiar në Shqipëri ka avantazhe të mëdha investuese për shkak se tregjet e kapitaleve, bursa apo fondet e investimeve janë akoma në fazën embrionale të zhvillimit.

Edhe sektori bankar po kalon një proces konsolidimi ku krahas prezencës së bankave të njohura si Intesa SanPaolo apo Raiffeisen, kanë shprehur interes të hyjnë edhe banka të tjera ndërkombëtare.

Prandaj, si në sektorin ICT ashtu edhe atë financiar, duke pasur parasysh eksperiencën e kompanive malteze dhe interesin e zgjerimit të kapitalit financiar në tregje te reja, sikurse duke vlerësuar nevojën tonë për zhvillimin e tregjeve te kapitaleve në Shqipëri, jam i sigurt se mund të krijojmë premisat dhe sinergjinë e duhur për investimet e kompanive financiare malteze në vendin tonë.

Të dashur miq,

Ky ishte një prezantim sintetik i potencialeve të Shqipërisë dhe oportuniteteve sektoriale ku kompanitë malteze janë mëse të mirëpritura për të investuar.

Jam i sigurt që në përfundim të Forumit, komunitetet e biznesit të vendeve tona jo vetëm që do të njohin më shumë potencialet ekonomike respektivisht, por do të diskutojnë praktikisht për nënshkrimin e kontratave të para të biznesit.

I uroj punime të mbara Forumit dhe ju siguroj për mbështetjen time dhe të institucioneve shqiptare për të gjitha iniciativat dhe projektet e biznesit që do të ndërmerrni në vendin tonë.

Faleminderit dhe jeni më se të mirëpritur në Shqipëri!