Premtimet e pambajtura të administratorit të CEZ, qytetarët: Situata mbetet kaotike me faturat

    417
    Sigal

    Vëzhgim/Krijohen probleme për marrjen e faturave të energjisë elektrike

    Përfaqësuesit që kanë marrë nën administrim energjinë elektrike, bëjnë shpesh deklarata, për rregullimin e situatës së energjisë elektrike. Por sërish ka qytete dhe fshatra që kanë ndërprerje, justifikimi është se po bëhen rregullime në linja. Dhe pasojat sërish bien mbi qytetarët që mbeten pa energji elektrike. E si përfundim del që problemet e qytetarëve shqiptarë s’kanë të sosur me energjinë elektrike. Por problemi nuk qëndron vetëm me mungesën e energjisë në disa zona, në të cilat pretendohet se po bëhen rregullime. Problemi i qytetarëve është edhe më i gjerë, pasi një herë u vijnë faturat e larta një herë tjetër nuk vijnë faturat fare, sepse nuk punon sistemi. Edhe në rastet që shkojnë për të tërhequr faturat qytetarët duhet të presin me orë të tëra për të marrë faturën dhe këto vonesa vijnë për shkak të shërbimit jo të mirë që u ofrohet qytetarëve. Qytetarët shprehen të irrituar për “Telegraf” për shkak të vonesave dhe faturave që nuk u dërgohen në adresë asnjëherë. Qytetari A. T, i cili është nga kryeqyteti thekson se: “Faturat përveçse nuk na vijnë të mbifaturuara, as nuk na vijnë në adresë. Duhet të vijmë dhe të presim këtu në radhë, sepse si unë ka dhe njerëz të tillë, që presin për të marrë faturën, apo për të bërë pagesat”. Po ashtu ajo që i shqetëson qytetarët është fakti se është deklaruar për përmirësim të kushteve të shërbimit, apo dhe për vënien e kilovatëve të saktë që harxhon çdo familje. “Fjalët i merr era, kështu po ndodh edhe me premtimet që bënë administruesit e rinj të CEZ. Ne po paguajmë përsëri më shumë para se sa harxhojmë. Faturat nuk na vijnë në adresë. Për mendimin tim asgjë nuk ka ndryshuar dhe asgjë nuk është përmirësuar, pas largimit të CEZ”, u shpreh për “Telegraf”, Ylli. Ll.

    Premtimet e pambajtura për rregullimin e sistemit on-line

    Pas ankesave të shumta që kanë bërë qytetarët dhe pasi nuk kanë gjetur zgjidhje reagoi dhe përfaqësuesi i kompanisë energjetike në Shqipëri. Para pak ditësh përfaqësuesi i kompanisë premtoi se do të rishihen faturat, qoftë ato të periudhës së CEZ, apo mbifaturimet që janë bërë pas largimit të CEZ nga Shqipëria. Por s’është vetëm ky premtimi i vetëm i kompanisë dhe i administruesve të saj që nuk është mbajtur. Pasi vetëm pak javë më parë sërish përfaqësuesit e CEZ, premtuam se do të rregullohet sistemi dhe nuk do të kenë më probleme me nxjerrjen e faturave për qytetarët. Por sa janë mbajtur premtimet e bëra nga administratori i ri Sait Dollapi? Këtë e vërteton situata aktuale dhe njerëzit që presin në radhë për marrjen e faturave të cilat nuk u shkojnë asnjëherë në shtëpi, apo dhe shqyrtimi i ankesave i cili nuk po gjen zgjidhje. Pasi kanë kaluar disa muaj nga largimi i CEZ, dhe kalimi nën administrimin e një administratori shqiptar faktet flasin për të kundërtën e premtimeve që janë bërë. Ja pse faktet flasin të kundërtën e premtimeve. Ndër premtimet e para që është bërë nga përfaqësuesit e kompanisë nën drejtimin e Sait Dollapit ishte se do të eliminoheshin bllokimet e sistemit që pengonin nxjerrjen e faturave on-line. Edhe pse kanë kaluar disa javë nga premtimi për zhbllokimin e sistemit, sot vazhdon e njëjta situatë kaotike. Sistemi ka probleme dhe qytetarët duhet të presin me orë të tëra për të marrë faturën e energjisë elektrike që më pas ta paguajnë atë. Arsyeja që qytetarët duhet të presin është se ka probleme sistemi, edhe pasi u tha që do të rregullohet qytetarët tregojnë se asgjë nuk ka ndryshuar dhe asgjë s’është përmirësuar. “Unë kam ardhur 4 ditë rresht për të marrë faturën dhe kam ikur sepse ka pasur radhë dhe na thonë që ka probleme sistemi. Plus që faturat nuk na vijnë fare në adresë, por edhe kur vijmë për t’i marrë vetë duhet të presim këtu”, shprehet për gazetën “Telegraf”,Agim. Sh.

    Rishikimi i ankesave, mbetet vetëm një premtim

    Një tjetër premtim që është bërë para pak ditësh nga përfaqësuesit e kompanisë është ai për rishikimin e ankesave që kanë të bëjnë me mbifaturimet apo dhe probleme të tjera. Por edhe ky premtim sipas qytetarëve mbetet thjesht premtim si të tjerat, pasi ankesat vetëm sa bëhen dhe ngelen nëpër dosje të punonjësve të kompanisë. Ato ngelen vetëm premtime sipas qytetarëve, sepse ankesat që i përkasin periudhës që ka qenë CEZ-i, apo edhe ankesat që i përkasin periudhës pas largimit të CEZ, duket se nuk po gjejnë asnjë zgjidhje. “Kam bërë dy ankesa për mbifaturime dhe nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje dhe s’kanë ndërmend që të më japin përgjigje me sa shoh. Punonjësit na thonë që bëjini ankesat, por ato ngelen vetëm në dosjet e punonjësve” thotë për “Telegraf” Asllan. Y. Qytetarët shprehen se s’dinë as ku të kërkojnë zgjidhje, pasi nuk i dëgjon njeri për ankesat e tyre. Më dhjetëra qytetarë presin në radhë për të marrë informacion se çfarë po bëhet me faturat e energjisë elektrike që nuk i kanë marrë. Ato shprehen për “Telegraf”, të irrituar për shërbimin që u ofrohet nga kompania. Ashtu siç bëjnë të ditur edhe qytetarët  shërbimi E-Bill i CEZ-it, nga ku qytetarët mund të shikojnë sa lekë kanë për të paguar, nuk funksionon pasi ka probleme rrjeti prej disa ditësh. Madje qytetarët aludojnë që kjo mund të jetë edhe një strategji e ndjekur nga administratorët e kompanisë së CEZ-it, që qytetarët të mos kenë mundësi transparence, informimi për të paguar faturat dhe kompania të përfitojë me mbifaturimet dhe me kamatëvonesat, që u rëndojnë shqiptarëve.