Premtimet e kryebashkiakut të ri të Tiranës i merr era…

510
Premtimet e kryebashkiakut të ri të Tiranës, duket se i ka marrë era. Të gjitha punët e nisura deri tani me shumë bujë, ende nuk kanë përfunduar ose nuk janë bërë siç duhet apo siç janë premtuar. Premtim madhor nga ana e kryebashkiakut ishte rregullimi i rrugëve, të cilat janë në kushte skandaloze, që nga hyrja e Tiranës dhe deri në daljen e saj, premtim për lirimin e hapësirave publike, po as këtu nuk dha një zgjidhje. Bëri montimin e çezmave të ujit, shumica e të cilave sot janë pa ujë… Këto dhe shumë probleme të tjera u morën përsipër nga kryebashkiaku, por që deri më tani asgjë nuk është vënë në vijë…
Ja disa nga rrugët e marra përsipër për t’u rregulluar, të cilat janë lënë në harresë të plotë nga kryebashkiaku Veliaj
Shumë zhurmë për asgjë! Me ardhjen në krye të detyrës, Veliaj nisi me “rregullimin” e rrugëve, duke e pasur si prioritet kryesor, por asgjë nuk ndodhi, madje gjendja e rrugëve të marra përsipër për t’u rregulluar është më keq në momentet që flasim, për shkak të shtrimit të tubacioneve të ujërave dhe lënies së rrugëve në shkatërrim total, si pasojë e mos përfundimit të punimeve. Në çdo cep të Tiranës të zë syri gropa, çakëll, makineri të fikura dhe punëtorë që pushojnë nën hije pemësh. Mungesa e investimeve në infrastrukturë, ka bërë që shumë rrugë të jenë të shkatërruara plotësisht. Rrugë me gropa, mungesë ndriçimi, puseta pa kapakë, rrjeta telash mbi kokë, që të japin përshtypjes e rrjetave të merimangave. Në shumë dalje të tij në media, Veliaj krenohet me “arritjet” e tij, por çfarë ka bërë ai deri tani? Asgjë! Thjesht “shoë”, i cili nuk po argëton askënd. E shikon që gjendja në kryeqytet është kaotike sapo del nga dera e shtëpisë… Mungesa e sinjalistikës të bën të mendosh se nuk je në Tiranë, por ja që aty je, një e vërtetë e hidhur kjo. Premtime për kthim të hapësirave publike, por as kjo nuk është arritur deri tani. Trafik i rënduar për shkak të rrugëve të prishura në çdo cep të Tiranës. Me dhjetëra rrugë janë marrë përsipër të rregullohen nga z. Veliaj për t’u rregulluar, por deri tani asnjë nuk ka përfunduar… Rrugë të prishur sipër stadiumit “Qemal Stafa”, rrugë të amortizuara në “Don Bosko”, rrugë me gropa te “5 Maji”, “Ish-tregu elektrik”, rruga e “Dibrës”, rruga e “Porcelanit”, rruga Gjin Bue Shpata” e shumë të tjera si këto, që i japin Tiranës pamjes e një “qyteti rural”. Për të mos thënë që gjendja e rrugëve në kryqëzimin e quajtur “Bërryli”, ku rrugët dhe trotuaret vetëm si të tilla nuk mund të emërtohen. Kjo sepse situata në këtë zonë në ditët me shi është tepër e rënduar, trotuaret mbulohen plotësisht nga uji e balta. Mjaft e keqe paraqitet gjendja edhe në rrugën “Idriz Dollaku” tek ish-fusha e Ali Demit, ku rruga është e shkatërruar plotësisht, ku nuk mungon dhe dalja e ujërave të zeza në sipërfaqe, ku gropat e ujit e bëjnë këtë rrugë thuajse të pakalueshme për automjetet. Rrugë ku trotuaret janë plotësisht të shkatërruara, gjendje e cila detyron kalimtarët të zbresin në rrugën me gropave së bashku me automjetet. Kjo është gjendja e kësaj rruge dhe shumë të tjerave si kjo, ku dora e drejtuesit të bashkisë nuk duket të jetë vënë. Janë të shumta rrugët, ku shkatërrimi i tyre është thuajse total, duke sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve dhe në krijimin e radhëve të stërgjata. Për të parë gjendjen e Tiranës mjafton të bësh një xhiro rreth saj dhe kupton se në çfarë gjendje është sot Tirana, pas kaq shumë premtimesh të hedhura pas krahëve me ardhjen në detyrë të këtij kryebashkiaku të ri… Nga gjithë këto problematika, lind pyetja… Ku shkojnë gjithë ato para të marra nga taksat e qytetarëve të Tiranës? A do përmbyllet ndonjë rrugë e nisur? Gjithë kjo situatë në kryeqytet ka zhgënjyer mjaft qytetarët, duke mos i besuar më as një fjale të thënë apo të “premtuar” nga z. Veliaj, sepse deri më tani premtimet e tij i ka marrë era. Asgjë punë e nisur nuk ka përfunduar, asnjë zotim i dhënë nuk është mbajtur, duke lënë qytetarët të vuajnë çdo ditë rrëmujën e kryeqytetit dhe tymrat e rrugëve të lëna përgjysmë, për shkak të paaftësisë së kryebashkiakut të ri të Tiranës. 
Kryebashkiaku s’mban premtimin për sheshin pranë stadiumit “Selman Stërmasi” 
Menjëherë pas vendimit të dhënë nga kryebashkiaku i sapo zgjedhur, në lidhje me lirimin e hapësirave publike, sheshi pranë stadiumit “Selman Stërmasi” u boshatis. Por kjo nuk zgjati shumë. Sot, kur nuk kanë kaluar jo më shumë se tre ditë nga urdhri i z. Veliaj, ky shesh është mbushur sërish me automjete, të cilat janë vendosur aty për t’u shitur edhe pse ky shesh nuk është autorizuar nga askush të përdoret për këtë qëllim. Automjetet e parkuara në këtë shesh, janë të pa pajisura me targa, por ka dhe nga ato që janë me targa të huaja. Duke shkelur kështu me të dyja këmbët ligjin dhe fjalën e Veliajt dhënë banorëve të kësaj zone. Edhe këtë herë duket qartë, sesi vendimi i kryetari të bashkisë nuk është respektuar aspak, duke bllokuar për të disatën herë këtë shesh, i cili duhet të jetë ambient çlodhës për qytetarët, siç dhe u premtua. Në lidhje me rikthimin e makinave, të cilat janë për t’u shitur, rëndon një tjetër fakt i rëndë mbi bashkinë, e cila thotë se ky territor nuk është më nën administrimin e saj, pasi i kaluar nën administrimin e “Sport Klub Tiranës”, fakt ky, i cili tregon se hapësira e sheshit pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, nuk është më as e qytetarëve, as e bashkisë edhe pse kryetari premtoi se kjo hapësirë publike, do të jetë e qytetarëve. 
Çezmat e montuara nëpër rrugët e kryeqytetit me depozitat bosh
Bashkia e Tiranës ka vendosur disa çezma publike në zonat më të populluara të kryeqytetit, këto të fundit të dhuruara nga Ambasada e Shtetit të Kuvajtit. Por shumica e këtyre çezmave nuk kanë ujë, duke bërë që qytetarët të mërziten me faktin se vendosja e çezmave është thjesht një lojë nga ana e kryebashkiakut. Disa nga këto çezma nuk kanë funksionuar asnjëherë që nga dita e montimit të tyre, duke mbetur thjesht monumente, për të cilat z. Veliaj gëzoi shumë, madje dhe qytetarët, po përsëri të dyja palët ngelën “me gisht në gojë”… U mendua se do ishte një nga “shumë” arritjet e bashkisë, por nuk funskonoi, sepse këto çezma nuk kanë asnjë pikë unë për qytetarët e Tiranës, duke i lënë përsëri të etur në vapën e madhe të Tiranës. 
Sigal