Prej 3 muajsh mungon ndihma ekonomike dhe lekët e KEMP-it

    366
    E ndërsa fushata ka nisur, duket se problemet ekonomike për shtresat e varfra janë thelluar. Prej afro 3 muajsh, mbi 600 familje në Elbasan që jetojnë me ndihmë ekonomike dhe paratë e KEMPI-t, presin në dyert e ISSH dhe bankave, me shpresën se do të marrin lekët e prapambetura. Paratë që ato familje marrin çdo muaj janë e vetmja zgjidhje që i mban me bukë ata, ndërkohë që prej 3 muajsh ata kanë shtruar listën e gjatë të borxheve në dyqanet e ushqimeve. Mes radhëve të gjata në zyrat e reja të ISSH-së, ka edhe mjaft pensionistë që nuk po plotësojnë akoma dokumentacionet për marrjen e kompensimit të energjisë eklektike. Edhe pse kjo shumë është vetëm 648 lekë, ata ankohen, “faturat e energjisë na vijnë të shtrenjta dhe ne duam të marrim atë që na takon me ligj”. Një pensionist tha për “Telegraf” se “kam 2 muaj që kam dorëzuar dokumentacionin por nuk kam marrë asnjëherë kompensimin, vij në ISSH dergjem në diell dhe pres por më kot”. Por shumë prej tyre janë të paqartë nëse përfitojnë kompensimin nëse jetojnë në fshat apo nëse janë transferuar në qytetin e Elbasanit, apo duhet të nisin plotësim dokumentacioni për të përfituar këtë shumë. 

    Pothuajse çdo ditë në sportelet e bankave dhe dezhurnin e ISSH, do të shikosh radhë të gjata me përfituesit e ndihmës ekonomike, atyre që marrin paratë e KEMPI-t dhe pensionistë që presin kompensimin e energjisë elektrike. E ndërsa zyrtarët e bankave u thonë se “nuk kemi asnjë qindarkë të ardhur për ju të ndihmës ekonomike”, të tjerë zyrtarë të ISSH shprehen se “ka mangësi dokumentacioni për një pjesë të mire të pensionistëve, kurse të tjerëve do tu kreditohet kur të kenë datën e marrjes së pensionit mujor”. Ndërkohë lidhur me interesimin e qindra pensionistëve nga fshatrat e Elbasanit një burim nga ISSH Elbasan tha se “kompensim për ata nuk ka, pasi banorët e fshatit kanë marrë tokë sipas ligjit nga shpërndarja e tokave të fermës, dhe kur duan të paguajnë kontribute dhe të favorizohemi si fshatarë duke paguar në nivele të vogla thonë jemi fshatarë kemi tokë, nga ana tjetër kur duan të marrin kompensimet e energjisë shprehen se nuk jemi fshatarë, hajde zgjidhe problemin e tyre”. Fakti është se vendimi i qeverisë e ka të përcaktuar qartë këtë problem të lindur. E drejta e përfitimit për një sërë kategorish pensionistësh është përcaktuar në muaj janar me VKM ndërsa plotësimi i dokumentacionit dhe i formularëve vijon të jetë i hapur deri në qershor 2015 për shkak të fluksit të madh. 

    Realisht në Elbasan problemet që kanë lindur me pagesat e këtyre tre kategorive, kanë krijuar shqetësime tek qindra familje që nuk kanë mjete të tjera financiare për jetesë si ata të ndihmës ekonomike, KEMPI-t, apo edhe pensionistët me të ardhura minimale që presin kompensimin e energjisë. Përfituesit e ndihmës ekonomike dhe KEMPI-t kërkojnë nga qeveria lëvrimin e fondeve dhe kalimin e tyre në banka pasi prej 3 muajsh kanë hyrë në borxhe tek dyqanxhinjtë e lagjeve, kurse pensionistët që kanë aplikuar për kompensimin e lekëve të energjisë, kërkojnë zgjidhjen ligjore dhe dhënien fund të sorollatjeve në zyrat e ISSH. Ndërkohë një numër i madh telefonatash kanë mbërritur këto ditë në redaksinë e gazetës “Telegraf” dhe në emisionin e mëngjesit “ Koha për t’u zgjuar “ të moderatorit Bashkim Hoxha, edhe nga qytetarë të Tiranës, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës dhe qyteteve të tjera, të cilët shprehin të njëjtin shqetësim. Ata denoncojnë se nuk po marrin ndihmën ekonomike që u takon, ndërsa disa të tjerë denoncojnë faktin se nuk po arrijnë të marrin lekët e KEMPI-t . Ata i bëjnë apel qeverisë dhe instancave përgjegjëse që të marrë menjëherë masat e duhura për të parandaluar fenomenin e vonesave të ndihmës ekonomike, pensioneve dhe lekëve të KEMPI-t, pasi shumica prej tyre deklarojnë se këto lekë janë i vetmi burim me të cilin ushqehen dhe kalojnë muajin.
    Sigal