Prefekti i Korçës, Ardit Konomi, zyrtarizon urrejtjen ndaj myslimanëve

    464
    Sigal

    Pothuaj në gjithë institucionet, me ndonjë përjashtim të rrallë, të punësuarit janë të besimit ortodoks

     Gjendja në qytetin e Korçës ka qenë e rënduar prej kohësh, por tashmë po e kapërcen çdo cak. Banorët e saj myslimanë po trajtohen si njerëz të dorës së dytë; si të pa vlera e të padobishëm. Gjithçka nisi me ardhjen e Niko Peleshit në krye të bashkisë Korçë, i cili e shndërroi bashkinë dhe institucionet e tjera që vareshin prej saj në institucione fetare, ku gjejnë punësim vetëm banorët e besimit ortodoks. Ndërkaq gjendja nisi të përkeqësohet gjithnjë e më shumë që nga dita kur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e shpalli Niko Peleshin zëvendëskryeministër. Askush nuk e kishte menduar, që ngjashmëria mes tyre (Peleshi-Rama) paskësh qenë si dy pika uji. Tashmë të gjitha institucionet që drejtohen prej dyshes Peleshi-Rama kanë në krye të tyre vetëm njerëz të besimit ortodoks, me përjashtime të vogla, sa për të prishur “syrin e keq” siç e thotë një shprehje në raste të tilla. Madje jo vetëm kaq, edhe për punonjësit e administratës publike është përdorur i njëjti kriter, madje deri te punonjësi më i thjeshtë.

    Prefekti zyrtarizon urrejtjen

    Më në fund, edhe prefekti i qarkut Korçë, Ardit Konomi, mori guximin të dalë hapur dhe të zyrtarizojë urrejtjen ndaj myslimanëve…. Në faqen zyrtare të Institucionit te Prefektit, Ardit Konomi vendosi katedralen “Ngjallja e Krishtit” duke përcjellë kështu mjaft qartë mesazhin e tij: në qytetin e Korçës nuk ka vend për myslimanët! Në këtë faqe nuk është vendosur vetëm kisha “Ngjallja e Krishtit”, por edhe festa e birrës, edhe një ndërtesë që njihet me emrin shtëpia rumune. Në pamje të parë duket sikur nuk kanë asnjë lidhje mes tyre, por që të gjitha objektet e vendosura përmbajnë vetëm një kod: atë të urrejtjes ndaj banorëve të besimit mysliman. Zbërthimin e këtij kodi do ta bëjmë më poshtë. Tashmë shihet qartë se strategjia e urrejtjejes ndaj myslimanëve të Korçës, e iniciuar nga Peleshi, e ridimensionuar nga Rama dhe “e vulosur” nga kreu i qeverisjes vendore, prefekti Konomi, nuk do të aplikohet më vetëm në qytetin e Korçës, por në gjithë hapësirën e kësaj ndarjeje territoriale, duke përfshirë kështu të katër rrethet: Korçë, Pogradec Devoll dhe Kolonjë, gjithkund që shtrihen kompetencat e Institucionit të Prefektit. Nëse ndodh kështu do të jetë një tmerr i vërtetë.

    Strategjia e urrejtjes

    Tashmë myslimanët e Korçës kanë mbetur të pashpresë mes dëshpërimit të pafund, pa rrugëdalje. Ata kanë filluar të ‘ushqehen’ vetëm me urrejtjen e dyshes Peleshi-Rama dhe me karshillëkun e prefektit Konomi. Shanset për punësim janë bërë gjithnjë e më të vogla për të mos thënë të pamundura. Për ta qyteti është bërë i huaj. E gjitha kjo ka vetëm një qëllim, mundësisht myslimanët të largohen nga qyteti i Korçës, ta braktisin atë dhe të gjejnë vendstrehim diku tjetër. Për shkak të kësaj gjendjeje, tashmë Korça i ngjason një kazani të vënë mbi zjarr që po valon. Askush prej myslimanëve nuk mund të ikë. Ata nuk e kanë luksin të braktisin qytetin ku kanë lindur dhe jetuar, aty kanë varret e të parëve të tyre… Tashmë e njëjta gjë po vihet në zbatim nga dyshja Peleshi-Rama, jo duke i vënë myslimanët përpara, me armë, por duke i përbuzur, duke i urryer, duke mos u dhënë asnjë shans për të qenë të barabartë si të gjithë shtetasit e këtij vendi. Nuk ka asnjë dyshim: Një urrejtje e tillë lind nga njerëz që janë pjellë e urrejtjes dhe e mendjeve të sëmura.

    Kodi i Prefektit – syrin nga Moska

    Siç e thamë edhe më sipër në faqen zyrtare të Institucionit të Prefektit nuk është vendosur vetëm kisha “Ngjallja e Krishtit”, mesazhi i së cilës është i qartë dhe i kuptueshëm aq sa nuk ka nevojë për asnjë shpjegim. Në këtë faqe është vendosur edhe festa e birrës. Në pamje të parë ngjason me një gomarllëk, sepse, së pari, Institucioni i Prefektit nuk është institucion reklamash; së dyti, duke reklamuar vetëm një biznes, diskriminon e poshtëron gjithë bizneset e tjera. Por e vërteta nuk është kjo. Ai ka vendosur aty festën e birrës, të gjithë e dinë çfarë fshihet pas kësaj, por askush nuk e thotë. Në ditët e festës së birrës, festohet dita e “Shën Mërisë”. Ky është një karshillëk tjetër, i tipit “Peleshi” që u bëhet myslimanëve, sepse festohet edhe me taksat e paguara prej tyre, ndërsa nuk ka asnjë aktivitet të organizuar nga bashkia për ditë-festat e komunitetit mysliman. Po shtëpia rumune çfarë kuptimi i jep faqes së Institucionit të Prefektit? Edhe në këtë rast mesazhi është i qartë: Korça është vetëm e ortodoksëve dhe e minoriteteve. Aty nuk ka vend vetëm për myslimanët. Ku qëndron e fshehta e gjithë kësaj loje? Synimet kanë filluar të kuptohen, ose së paku po qartësohem. Po bëhet mjaftueshëm e qartë se në cilin mulli po përpiqen ta çojnë ujët. Dyshja Peleshi-Rama, me sa shihet kërkojnë t’u thonë myslimanëve se ata nuk janë të dëshirueshëm nga Europa. (Madje ai e ka thënë këtë). Kjo do t’i bënte myslimanët që ta shihnin me ftohtësi Bashkimin Europian, madje, edhe me urrejtje. Dhe nëse kjo arrihej atëherë mendjeve të sëmura u krijohej mundësia për t’u përqafuar me Moskën dhe ithtarët e etërve të tyre 

    Apel zbatimit të ligjit, Presidentit, trupit diplomatik në Shqipëri

    Me këtë rast u bëjmë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit ta shohin me prioritet këtë që po ndodh në qytetin e Korçës, pasi në një vend laik siç është Shqipëria, Kushtetua po shkelet me të dy këmbët. Gjendja është alarmante. I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës Bujar Nishani, të japë kontributin e vet, që Korça të mos shkojë drejt vëllavrasjeve. U bëjmë thirrje gjithë Institucioneve Ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri të mos heshtin ndaj një situate të tillë, sepse nesër do të jetë vonë. Një nga vlerat më të mëdha të këtij kombi, bashkëjetesa ndërfetare, po vritet me të gjitha mjetet dhe mënyrat…

    Vepror Hasani