Preç Zogaj: “Te ne, nuk ka vullnet të madh, të bëhemi pjesë e BE-së”

    48

    INTERVISTA/  “Opozita i ka përmbushur në mënyrë sistematike obligimet e veta për statusin”

    Dje opozita këmbënguli dhe nuk votoi 3 reformat e kushtëzimit të statusit. Maxhoranca, si përherë, nuk pranon të bëjë asnjë tolerancë. Ditë afati po mbaron, ndërsa shqiptarët, mbeten me ankthin e tyre peng i politikave partiake. Zoti Preç Zogaj, shkrimtar, publicist dhe politikan, në intervistën për “Telegraf” duke analizuar aktualitetin politik, pohon se te ne, mungon vullneti politik të bëhemi pjesë e BE-së.

    – Zoti Zogaj, mendoni se është bërë i kuptueshëm në opinionin tonë dhe ndërkombëtar përse PS-ja këmbëngul te qarku i Fierit për mosvotimin e tre reformave?

    – Është një problem që është bërë shumë i njohur në opinionin tonë, kështu që është i kuptueshëm. Po, por për disa mund të jetë ende i paqartë. Është një qark që ka 11 këshilltarë më shumë se opozita atje, e nuk e lënë që të krijojë këshilli i qarkut. Është e qartë që kemi të bëjmë me një çështje shumë të dyshimtë.

    – Meqë sot, opozita, për hir të ngërçit politik të qarkut të Fierit, edhe sot nuk votoi tre reformat. Ia vlen që për çështjen e Qarkut të Fierit,  çështje lokale, sado të drejtë të ketë, të rrezikojë procesin e marrjes së statusit?

    – Nuk ka asnjë varësi statusi kandidat, nga kjo çështje. Këto janë vlerësime spekulative, që i bën herë njëri e herë tjetri. Statusi është e lidhur me 12 kriteret e BE-së, pjesa më e madhe janë plotësuar, por BE-ja ka rezerva për disa pika të tjera, për ka shqetësim për zgjedhjet e ardhshme, për luftën kundër korrupsionit. Çështja e Fierit është pjesë e debatit opozitë-qeveri, janë 3 amendamente për t’u votuar. Janë pjesë e shqetësimit, por nuk janë pjesë integrale. Unë kam përshtypjen që opozita nuk bëhet pengesë për asnjë problem në plotësimin e detyrimeve të marrjes së statusit. Opozita i ka përmbushur në mënyrë sistematike obligimet e veta për statusin. Çështja është më e ndërlikuar, sesa është paraqitur.

    – Ku e shikoni ndërlikimin, për të cilin bëni fjalë?

    – Është e ndërlikuar sepse ka pikëpamje divergjente për standardet demokratike në Shqipëri. Ka vende që mendojnë që Shqipëria nuk është gati në çështjet themelore, për zgjedhjet, për korrupsionin, në funksionimin e demokracisë, në pavarësinë e institucioneve. Ju e dini mirë, që Europa i propozoi Shqipërisë të zgjidhte një President me konsensus, e kjo nuk u arrit. Europa ka folur shumë për Shqipërinë, po ne nuk i jemi përgjigjur. Përfaqësuesit e qeverisë, të vetëdijshëm që nuk kanë përmbushur siç duhet, kërkesat e BE-së, dhe përpiqen që t’i fryjnë shumë çështjes së Fierit e amendamenteve. Europa do të na sqarojnë se ne nuk e gjejmë dot, për fat të keq, të vërteten, në gjithë këtë mjegull. Shqipëria nuk do të humbasë asgjë nga qëndrimi i opozitës.

    – A ia vlen për shqiptarët një status i dhënë, ndërkohë standardet demokratike europiane që pretendojmë se duhet të ndërtojmë, lënë shumë për të dëshiruar?

    – Këtu ka dy pikëpamje. E para, sa kohë që Shqipëria është larg standardeve, nuk e meriton statusin. Dhe një qëndrim i tillë, thuhet, se e motivon klasën politike që të punojë më shumë. Por unë mbështet pikëpamjen që integrimi nuk duhet të lidhen ngushtë me axhendën politike të ditës. Unë jam për të mbyllë një sy, sepse kandidatë do të bëhemi, nuk do të bëhemi anëtarë, e kam bindjen se demokracia fitohet më shumë duke qenë brenda në Europë, sesa duke qenë jashtë. Nuk shoh ndonjë një Shqipëri që të tronditet shume kur refuzohemi dy e tre herë. Nuk është se ka një motivim suplementar nga qeveria, që, meqë u refuzuam, do nxjerrim detyra të reja dhe po i bëjmë më mirë punët. Unë kam përshtypjen që ne te nuk ka vullnet të madh që të bëhemi pjesë e Europës, nga ana e qeverisë. Ndaj BE-ja duhet të na japë ftesën, duke na vënë në dukje, një për një ato gjëra që nuk kemi realizuar e t’i plotësojmë.

    – Anëtarësimi në BE, nga statusi kandidat, do të jetë po kaq e gjatë në kohë?

    –  Po të vazhdohet që të ndiqet rruga e dhunimit të demokracisë, siç po ndodh, rruga do të jetë shumë e gjatë dhe unë jam i trishtuar, që e kemi nisur në një hap me Rumaninë e Bullgarinë rrugën e integrimit në BE dhe ata janë pranuar në 2007 anëtarë. Kjo është e papërligjur për ne. Demokracia në Shqipëri është deformuar. Në qoftë se rimerret me një vetëdije të re çështja e integrimit, ekzistojnë mundësitë që kohët të shkurtohen.

    – Ndërkombëtarët, edhe pse tashmë përditë na bëjnë apel që forcat politike të bashkëpunojnë për hir të interesave kombëtare, ju gjykoni që interesat partiake dominojnë mbi këtë apel?

    – Në qoftë se flasim për opozitën, unë nuk kam parë që interesat partiake të jenë mbi ato kombëtare, por kam parë përpjekje të saj që të japë zgjidhje problemeve. Rasti i qarkut të Fierit është dhunimi i demokracisë. Për çfarë BE flasim, kur ne dhunojmë demokracinë tonë? Ndaj opozita përpiqet që ta zgjidhë në kuadrin e demokratizimit të vendit. Maxhoranca nuk iu përgjigj dialogut të opozitës, që të zgjidhin çështjen e Fierit. Nga ana e qeverisë, ne jemi dëshmitarë që interesi politik dominon qartazi ndaj interesit publik për integrim. Qeveria nuk fitoi  Rezolutën e Parlamentit Europian në qershor 2010. Qeveria bëri 21 janarin, vetëm për të mos bërë transparencën e zgjedhjeve dhe të korrupsionit.

    – Ju si e gjykoni opinionin që thuhet se qeverisë nuk i intereson edhe kaq shumë të bëhemi pjesë e BE-së, se  do të ketë hapësira më të ngushta që të veprojë si të dojë?

    – Këtë mendim shpreha, kur thashë, që demokracinë e fiton më mirë, duke qenë brenda BE-së. Ka të tjerë që mendojnë se pranimi do të jetë bono politike për qeverinë. Edhe pranimi në NATO, nuk u bë bono për qeverinë, por u bë për popullin. Edhe integrimi, është bono për shqiptarët e Shqipërinë dhe jo për qeverinë, dhe as për opozitën. Prandaj ka segmente në qeveri, që formalisht duan për BE-në dhe do bëjnë propagandë që është meritë e tyre, por edhe po nuk e marrin, nuk e kanë shumë problem. Për shqiptarët, integrimi është jetikë.

    – A është shqetësuese për demokracinë tonë, zvogëlimi gjithnjë e më shumë i hapësirës demokratike, derisa të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura emërohen me shumicën e thjeshtë të votave?

    –  Është shumë shqetësuese për funksionimin e demokracisë, por këto janë çështje që i zgjidh populli me votë. Opozita ka Parlamentin për të penguar akaparimin e pushteteve nga një njeri i vetëm dhe jemi dëshmitarë që Kryeministri po e përdor, ka opinionin publik, ku opozita është angazhuar. Mrekullia e demokracisë është vota e lirë, sepse demokracia ka mekanizmat e vetëmbrojtjes, e cila është votimi  i lirë. Demokracia nënkupton pavarësi pushtetesh, të cilët e humbën.

    – Kur bëtë fjalë që demokracia është dhunuar, kjo ka ardhur për shkak të mosformimit të edukatës demokratike, apo për mungesë të vullnetit politik?

    – Unë nuk bëj përgjegjës shqiptarët për asgjë, përkundrazi, shqiptarët e kanë dëshmuar që janë më pro eruopianë dhe ky është paradoksi. Që jemi popull më proeuropian, por jemi më të vonuarit për integrimin në BE. Këtu është fjala për dhunimin e zgjedhjeve, që nga 1996 e deri në sot, 5-6 herë. Kemi dhunim të mediave disa herë, kemi prishjen e balancave të pushtetit, kemi dhunimin e pavarësisë të institucioneve. Pastaj, korrupsioni, kultura e pandërshkueshmërisë, janë pasoja të deformimeve demokratike. Publiku ka përgjegjësinë që duhet të votojë i ndërgjegjshëm.

    – Vlerësim, apo provokim është rivarrimi i Ahmet Zogut në 17 Nëntor 2012?

    – Është data më e pagjetur.  Duke ia vendosur datës të çlirimit të Tiranës, ajo duket se është bërë me qëllim. Është një gjë shumë e gabuar. Nuk e di a ka ndonjë të çmendur që të mohojë kontributin e popullit shqiptar në LANÇL. Është marrësi të konfindosh LANÇL, sakrificën, gjakun me komunizmin që u vendos më pas. LANÇL i ka dhënë nder Shqipërisë.

    – Faleminderit!