“PranverArt ” në 1972 u dënua si Festivali 11-të

711
Sigal

FORUM/ Flasin Llazar Taçi – piktor, Maksim Bushi – skulptor, Luan Malltezi

Grupimi i artistëve të lirë “PranverArt ” u krijua në vitin 2009-2010 nga një grup krijuesish piktorë e skulptorë në kujtim të të vetmes ekspozitë me krijimtari relativisht të lirë, “Pranvera”, e hapur në vitin 1972, por që pati një fat të ngjashëm me Festivalin e 11 në RTSH.

E ideuar si një veprimtari kombëtare, për të mundësuar ekspozimin dhe përmes tij inkurajimin dhe motivimin e krijuesve të lirë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të vendit, është aktualisht grupimi më i madh artistik që në aktivitetet e veta ka përfshirë deri në 80 krijues, jo vetëm piktorë, por edhe skulptorë, që është një risi absolute në veprimtaritë artistike publike. Gjithashtu, grupimi i artistëve e personaliteteve krijues ka dhënë në vijimësi një kontribut me vlera për promovimin e talenteve të reja duke i mbajtur afër e duke iu dhënë mundësi për ekspozimin e krijimeve të tyre. Grupi organizator ngarkoi dy nga anëtarët e vet, Llazar Taçi – piktor dhe Maksim Bushi – skulptor, si kuratorë të veprimeve praktike në organizimin e ekspozitave.

        “PranverArt 1  –  2010” ishte ekspozita e parë e këtij grupimi artistik e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë aktivitet të parë të vetin u sponsorizua suksesshëm nga Ministria e Kulturës dhe fondacioni “Pro Helvettia”.  I ideuar si një aktivitet pranveror i përvitshëm, në vitet që pasuan “PranverArt” inauguroi njëra pas tjetrës edhe dy ekspozita të tjera, respektivisht në pranverë të viteve 2011, 2012, duke u kthyer tashmë edhe kjo në një traditë të përvitshme.

   Ekspozita e radhës, “PranveArt 4  –  2013”, u hap më 8 Prill 2013, përsëri në ambientet e Muzeut Kombëtar Historik. Janë 65 krijues, përfaqësues të brezave të ndryshëm, e të përvojave të ndryshme, që me punimet e tyre  të gjinive të ndryshme të artit, me stile e frymëzime nga më të ndryshmet të krijimtarisë , i japin jetë këtij evenimenti tashmë tradicional artistik të kryeqytetit.

 Llazar Taçi-piktor

Kur u bë ekspozita në vitin 1972 kisha nënën në burg

 Piktori Taçi bën pjesë në grupimin e artistëve të lirë “Pranver Art” që u krijua në vitin 2009-2010 nga një grup krijuesish piktorë e skulptorë në kujtim të së vetmes ekspozitë me krijimtari relativisht të lirë, “Pranvera” e hapur në vitin 1972, por që pati një fat të ngjashëm me Festivalin e 11 në RTSH.

  Kur i ka fillesat e veta grupimi i artistëve të lirë “Pranver Art “?

Ky grupim me një emër kaq të bukur Arti-Pranveror,  filluar qysh në vitet  e para të viteve 1970, por nuk e pati jetën të gjatë, pasi, u mbyt si vetë Festivali i 11-të nga sistemi i asaj kohe. Pra ende pa dalë në dritë ky grupim u shua si i padëshirueshëm për sistemin. Atëherë arti ishte në lulëzim, ishte si një gjë e re në mes të errësirës.

 -Sa artistë morën pjesë në grupimin e parë “Pranver Art “?

 Me sa mbaj mend unë morën pjesë rreth 100 piktorë dhe skulptorë të moshave të ndryshme.  Ishte një ekspozitë kombëtare e hapur në Galerinë e Arteve. Atëherë kjo lloj ekspozite kombëtare bëri shumë bujë. Theu disa rregulla të kohës.

 D.m.th ky grupim e pati jetën vetëm me një ekspozitë?

Po. Një dhe vetëm një. Ai u pa me syrin e kohës si një lloj Festivali i 11-të, në këngë, këtu në pikturë dhe skulpturë. Më vonë të gjitha ekspozitat ishin sipas orientimeve të partisë, me frymë tjetër. Foshnja u mbyt që në lindje.

 Kush e dënoi këtë grupim artistësh?

Dihet ajo, politika e kohës, orientimet e Partisë dhe të shokut Enver.

 Enveri u prononcua për këtë grupim?

Ai nuk u prononcua direkt, por kishte veglat e veta, kishte të dërguarit e vetë. Sigurisht, ishin të dërguarit e tij që filluan ta dënojnë si grupim.

 A u dënuan pjesëtarë të këtij grupimi?

Ato ditë direkt jo, por patën pasoja të mëpasme. Pra u vunë në rreth disa prej piktorëve dhe skulptorëve të asaj kohe. Më vonë u dënuan Ali Oseku, Edison Gjerko, Maks Velo.

  Po ju a patët ndonjë dënim në atë kohë?

Unë personalisht jo, pasi pata fatin e mirë që nuk paraqita asnjë punim në atë kohë. Pra flasim për grupimin e vitit 1972.

 Përse nuk morët pjesë?

 Pasi unë pata probleme biografie. Nëna ime ishte në arrest në atë periudhë. Kisha një dhembje shumë të madhe. Edhe sot kur e kujtoj dridhem. Ajo ishte katandisur në një gjendje të mjeruar. S’kaluan disa muaj pasi doli nga burgu ajo vdiq. Ishte sëmurur nga kushtet e vështira në burg. Ishte një humbje madhe për mua. Kjo ishte ajo që unë s’u paraqita, pasi asnjë punim i imi nuk ekspozohej në atë kohë. Ndoshta të vjen çudi, por ashtu ishte.

 Deri kur vazhdoi mos lejimi juaj, ose dënimi për mosekspozim të punëve?

Vazhdoi deri në vitin 1979. Pra ky vit shënoi dhe hapjen e një bote të re për mua. Hapjen e dritares më të madhe të jetës.

 Po ku keni punuar në regjimin komunist?

Kam punuar mësues fshati, në fshatrat e Tiranës dhe pse isha lerë, rritur dhe studiuar në mes të Tiranës.

 Me sa punime keni marrë pjesë në këtë ekspozitë?

Me dy piktura. Thuajse të gjithë piktorët kanë marrë pjesë me dy piktura.

Po pas rrëzimit të diktaturës a u mblodh sërishmi ky grupim?

Ky grupim u mblodh më vonë me të njëjtin qëllim si të asaj kohe. Por tashmë me një fizionomi më të re. Tashmë artistët punonin në mënyrë të lirë në mënyrë individuale, por në pamundësi për tu mbledhur menjëherë.  Kjo edhe për pasojat që kishte demokracia vitet e para por dhe për arsye se çdo ekspozitë ka një kosto që për vitet e para ishte e vështirë të organizohej. Pra duhej një kontribut nga çdo person.

Luan Malltezi-Drejtor i Muzeut Kombëtar

 E ideuar si vazhdimësi e një tentative për një frymëmarrje artistike të lirë në vitin e largët e dramatik 1972, grupimi i artistëve të lirë “PranverArt” vazhdon rrugëtimin e vet në udhën e vështirë e plot të papritura, por të bukur dhe frymëdhënëse të artit. Përgjatë një viti krijuesit e përbashkuar në këtë grupim punuan individualisht ngulshëm për të prurë në telajot e tyre emocione nga jeta e përditshme, mbresa nga bukuritë mahnitëse nga të katër anët e vendit tonë, të shprehura herë me realizëm elegant dhe herë me abstragime artistike, duke prurë krijime me vlera, me një larmi stilesh e zgjedhjesh estetike.

“PranverArt 4 – 2013” është e katërta ekspozitë e këtij grupimi artistik, që iu shtohet si vazhdimësi tre të parave, që suksesshëm e kryen misionin e tyre -gjallërimin e një atmosfere artistike në kryeqytet, edhe përmes disa prej mediave dashamirëse për artin. Gjatë vitit në vijim pati edhe zhvillime të trishta. Dy nga pjesëmarrësit e nderuar të këtij evenimenti nuk do të jenë më të pranishëm as me punimet e tyre, por as edhe fizikisht. Nuk do të jenë më as mjeshtri i penelit, i fundmi i brezit të parë të artistëve shqiptarë, i nderuari Hysen Devolli, por as edhe njeriu që rrezatonte gjithnjë energji pozitive kur ishte i pranishëm, por që tragjikisht i tha “JO” vazhdimësisë së jetës së vet, i nderuari Agron Jano. Nderim për të dy! Por përgatitjet organizative të ekspozitës së re, sollën disa surpriza të këndshme: përveç disa krijuesve të rinj me punimet e tyre të realizuara mirë profesionalisht, Zharjon Gjeçka , Genti Proko, Eris Bushati, Orges Shijaku, etj, ekspozitës i bëri nder me praninë e vet për të parën herë edhe mjeshtri i madh i penelit shqiptar dhe pedagogu i shumë prej pjesëmarrësve të këtij evenimenti, prof. Sali Shijaku, që ende vazhdon të krijojë me një shpirt të vërtetë rinor. E pra në muret e sallës së ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar, që tashmë është bërë një strehë e sigurt e këtij grupimi artistësh të lirë, qëndrojnë bindshëm pranë njëra- tjetrës krijime të disa brezave krijuesish, ish-pedagogë e ish-studentë, të gjithë së bashku, dikush me vrullin e kurajon rinore e tjetri me mjeshtërinë dhe përvojën e moshës.

Maksim Bushi – skulptor

 Si ju lindi ideja për këtë ekspozitë?

Unë me z. Llazar Taçi ishim dy nga organizatorët e kësaj ekspozite. Kjo ekspozitë është vazhdimësi e tre ekspozitave të tjera po me këtë emërtim. Duke parë se tre ekspozitat e para kishin shumë shikues, duke parë dhe dëshirën tonë për të qenë sërishmi pranë publikut, filluam të ideonim dhe këtë ekspozitë të katërt. Llazari u interesua për pjesën e piktorëve, ndërsa unë për skulptorët. Pra ndamë detyrat për të qenë sa më konkret dhe me një paraqitje sa më dinjitoze, për vetë specifikën e kësaj apo këtyre ekspozitave që evakuojnë të kaluarën por dhe që sjellin një frymë të re. Tek kjo ekspozitë ne kemi një risi në mënyrën e organizimit, por dhe në përmbajtjen e veprave.

 Pse ju lindi kjo ide për rigrupimin e “Pranvera Art” të viteve 1972?

Për shumë arsye, por kryesorja është që të përcjellim idenë se arti është i pavdekshëm. Pavarësisht se regjimet kanë ligjet e tyre të hekurta, arti del mbi çdo diktaturë, ai frymon, gjallon, jep mesazhe, jep shpresë. Pa artin shoqëria do të ishte e pa shpresë. Pra ky ishte këndvështrimi i rilindjes së grupimit artistik të arteve pamore “Pranvera Art”. Qysh në kohën e lindjes ai pati një impakt tek populli, impakt që u ruajt deri me ardhjen e demokracisë.

 Pse u godit ahere ky grupim artistik?

U godit për shfaqje të huaja. U godit pasi pikturat nuk kishin atë frymën revolucionare, nuk kishin partishmërinë. Pra ishte e zhveshur nga ndikimi i Partisë-shtet. Pati një jetë të shkurtër, thuajse se mbushi vitin.

 Sa piktorë dhe skulptorë ka pasur ekspozita e grupimit të parë “Pranvera Art”?

Ka pasur shumë, sa unë nuk di një numër fiks. Disa thonë rreth 100 piktorë dhe skulptorë. Unë kam marr pjesë në këtë ekspozitë. S’kisha një vit që kisha mbaruar studimet. Aty morën pjesë shumë nga pedagogët tanë me emër. Pra ishte një ekspozitë që ka lënë gjurmë, ashtu siç ka lënë gjurmë dhe Festivali i 11-të. N.q.s ai Festival ishte në art, ne ishim në pikturë.

 Pra tashmë po e ktheni në traditë këtë ekspozitë “Pranvera Art”?

Po. E kthyer në traditë, besoj se do të vazhdojë. Por duhet të dini se ne çdo vit thërrasim emra të rinj, që kanë nivel, që kanë piktura interesante, marrin pjesë me gjini të ndryshme pikturash dhe skulpturash.

 P.sh çfarë gjinish janë ekspozuar?

Janë në gjininë e kompozimit, peizazhi, natyra e qetë, por që kanë dhe një mesazh të qartë.  Dhe pse punimet janë me mjete të thjeshta sërishmi forma nuk është lenë jetime, kanë një  mendim më të thellë, se sa një peizazh konkret apo një natyrë e qetë konkrete. Kompozimi shihet se ka filluar të lëvrohet mirë. Shikojmë dhe portretin, që është në forma të ndryshme, si prej bronzi, mermeri, terakota, teknika të përziera, fibër xhami, pra teknika interesante bashkëkohore, që e bëjnë të bukur formën e krijimtarisë e përçojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

 Po vetë me se jeni paraqitur në këtë ekspozitë?

Jam paraqitur me një punim pak simbolik, që paraqet shqetësimin e një qytetari (në skulpturë). Një shqetësim i kohës, një shqetësim njerëzor, një shqetësim për fatet e të qenit njeri. Njeriu sot është i vetëdijshëm për çka bën. Informacionet janë të shumta dhe njeriu di të dallojë më së miri diktaturat nga liria, demokracia.

 Nga e morët frymëzimin?

Frymëzimi im ka qenë nga Pranvera arabe, përmbysje e diktaturave, që jetojnë në luks, të zhytur në një kolltuk që mund të bëhet me shumë këmbë ky kolltuk, por që sërishmi përpara furisë njerëzore për liri dhe ndriçim ai kolltuk do të rrëzohet. Pra ky është frymëzimi dhe mesazhi.  Vetëm vitet e fundit në Afrikë janë rrëzuar disa regjime diktatoriale, ku kolltukët nuk mund t’i mbanin dot më diktatorët.