Pranimet në universitete, hapat si përzgjidhet fituesi

    412
    Studentët fitues në universitetet publike do të shpallen në datë 3 shtator 2015. Rreth 30 mijë maturantë garojnë për të fituar studimet e larta në universitetet publike, por jo të gjithë do të kenë shansin që të fitojnë një të drejtë studimi, pasi qeveria për vitin e ri akademik 2015-2016 miratoi 19.651 kuota pranimi. Përzgjedhja e fituesve do të bëhet nëpërmjet rezultateve në provimet e maturës dhe plotësimit të formularëve A2 dhe A3. Pas mbylljes së konkurseve të pranimit, të cilat zhvillohen nga data 19-29 gusht, të dhënat e mijërave maturantëve do të përpunohen në sistem për të shpallur fatlumët që do shkojnë në universitet. Të drejtën për të garuar në universitet e kanë edhe mbetësit, të cilët në fillim të shtatorit do rijapin provimet e maturës.

    Fituesit e A2
    Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit meritë-preferencë dhe kryhet në dy raunde (aplikimi me dy formularët, A2 dhe A3). Shpërndarja e fituesve në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga universitetet publike, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore, si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit, të bërë nga vetë kandidatët. Raundi i parë (aplikimi me formularin A2) zhvillohet në dy faza: Faza I, regjistrimi online dhe faza II, regjistrimi me dokumentacionet e kërkuara sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Arsimit dhe Sportit në sekretaritë e fakulteteve pranë institucioneve të arsimit të lartë publik, ku janë shpallur fitues. Kuotat që mbeten të parealizuara për çdo program studimi pas aplikimit me formularin A2, rishpërndahen nga MAS, në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë. Por në këtë fazë mendohet se mund të mbesin rreth 2500 deri në 3000 vende bosh, për shkak se një pjesë e mirë e maturantëve që shpallen fitues në fazën e parë zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Në raundin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët kandidatë që kanë konkurruar në raundin e parë me të njëjtën renditje preferencash të atij raundi, me përjashtim të fituesve të preferencës së parë, të cilët janë regjistruar në këtë program studimi dhe të kandidatëve të cilët nuk kanë kërkuar vazhdimin e konkurrimit për preferenca më të larta gjatë regjistrimit online dhe që rezultojnë të regjistruar në programin e studimit të preferuar.

    Kush e plotëson A3
    Kuotat të cilat do të mbesin vakante në raundin e parë, i cili do të bëhet nëpërmjet plotësimit të formularit A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit nëpërmjet formularit A3. Sipas vendimit të qeverisë, janë katër kategori që kanë të drejtë të garojnë nëpërmjet formularit A3. Në këto kategori përfshihen kandidatët që kanë aplikuar me formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve; kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2; kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2015; kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore; kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje. Në këtë mënyrë, edhe këtë vit maturantëve që kanë ngelur do t’u jepet një shans i dytë për të hyrë në universitet nëpërmjet formularit A3. Sezoni i vjeshtës për maturantët do të zhvillohet në datat 1 me 11 shtator 2015.
    Sigal