Pr/ligji për pensionin e minatorëve mbërrin në Kuvend

    348
    Sigal

    P/ligji “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, i depozituar këto ditë për shqyrtim në parlament, synon rregullimin e pensioneve të pleqërisë për këtë kategori punonjësish, nisur nga kushtet e vështira të punës në këtë sektor, i cili me gjithë investimet e kryera, është akoma problematik. P/ligji parashikon uljen e moshës së daljes në pension për punonjësit e minierave, duke rekomanduar moshën 55 vjeç nga 60 vjeç që është aktualisht, sipas nenit 92, të ligjit të vitit 1993 “Për sigurimet shoqërore”. Periudha e sigurimit parashikohet të jetë 30 vite gjithsej, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj punë në nëntokë. Kategoria, që përfiton sipas këtij projektligji, duhet të mos jetë ekonomikisht aktive, pra punonjësi nuk duhet të jetë i punësuar apo i vetëpunësuar në sektorë të tjerë, me përjashtim kur jeton në fshat dhe kryen punë në bujqësi si i vetëpunësuar.

    Bazuar në të dhënat që disponohen, si dhe në numrin aktual të të punësuarve në miniera, në harkun e 4 viteve, numri i personave që përfitojnë, parashikohet të arrijë në 3840 veta. Nga këta 3690 persona janë aktualisht përfitues të skemës së trajtimit të veçantë financiar, në zbatim të ligjit përkatës, ndërsa pjesa tjetër janë përfitues të rinj.

    Personat, që do të trajtohen sipas këtij p/ ligji është parashikuar të përfitojnë edhe kompensimin për të ardhurat minimale, si dhe kompensimet që rrjedhin nga rritja e çmimit të energjisë elektrike etj, sikurse personat e tjerë që përfitojnë pension pleqërie.

    Rezulton se rreth 74 % e numrit të përgjithshëm të përfituesve, sipas këtij ligji, ose rreth 2 280 veta, që aktualisht marrin trajtim financiar, parashikohet të marrin pension minimal 12300 lekë në muaj, shumë, e cila, bashkë me kompensimet tjera, shkon në 14474 lekë në muaj. Pjesa tjetër, rreth 17 % e përfituesve, parashikohet të marrin një pension mujor në masën nga 16500 deri në 21000 lekë në muaj. Nisur nga kjo, parashikohet që këtë pension ta përfitojnë edhe rreth 150 persona, ose 9 % e totalit të numrit të parashikuar të përfituesve, që hyjnë si përfitues të rinj. Për punonjësit e nëntokës, për shkak të daljes së parakohshme në pension dhe reduktimit të vjetërsisë në punë, si dhe për të evidentuar saktë, në mënyrë të veçantë ata persona që realisht janë të punësuar në nëntokë, parashikohet një kontribut shtesë në masën 5 % të pagës bruto, i cili do të paguhet 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi. Efekti financiar total i pr/ligjit parashikohet të jetë rreth 702 milionë lekë, ndërsa efekti financiar për kompensimet arrin në 91 milionë lekë.