Pozaet QOSE/ Më shumë se një lojë fati

    458
    Sigal

                                                     -triptik-

      1.Ministri

     Ministri ngjiti i heshtur shkallët e ministrisë. Dera e zyrës së tij do të shfaqej pas pak çastesh. Ajo ishte e lartë, shumë e lartë. Njeriu që nuk ishte mësuar dhe hynte për herë të parë aty, e ndiente veten të vogël, të ndrydhur, të humbur. Por ministri nuk ndihej i tillë në atë vend. Ndihej i plotfuqishëm, i gjithëpushtetshëm, i sigurt dhe i paprekshëm, si një perëndi e vogël.

    Po mbushej gati një vit e gjysmë që ai ngrohte poltronën e ministrit. Nuk qahej. Kishte marrë një shtëpi të madhe mu në mes të kryeqytetit dhe kishte sistemuar aty, pa humbur kohë, gruan e fëmijët. Flitej sikur shtëpisë i kishte dalë pronari i dikurshëm, madje kishin pasur dhe një takim në gjykatë, por ai u kishte thënë gjyqtarëve të mos e rrëmonin shumë këtë gjë dhe t’i jepnin duart të interesuarit, duke i nxjerrë pengesë pas pengese, për plotësimin e dokumentacionit, i cili gjithnjë duhej të ishte i pamjaftueshëm, se përndryshe…

    Në bankë, në numrin e llogarisë së tij personale, figuronte një shumë e madhe parash, të cilat ishin  grumbulluar me një mijë makinacione. Posti që mbante përplaste tek ai për një firmë mjaft “peshq të mëdhenj”, të cilët ia kishin nevojën. Nuk e brente aspak ndërgjegjja për ryshfetin e majmë që u merrte, sepse dhe ato para (mendonte ai) të vjedhura ishin dhe, meqë ishin të tilla, asgjë të keqe nuk kishte që një pjesë e tyre t’i përkisnin atij.

    Gjithandej flitej për të. Gazetat kishin shkruar me shkronja të mëdha se si ishte ngjitur ai deri te kolltuku i ministrit. Kishte qenë një ngjitje e mundimshme. Kishte harxhuar nerva e zë pa kursim. Dy shokët e tij të ngushte tani dergjeshin të dënuar nga dëshmia e tij e rreme. Njëherë njëri prej tyre i pati dërguar një letër nëpërmjet avokatit, që e kishte mbrojtur në gjyq. Në të mes të tjerave i shkruante se do të vinte një ditë që ai do t’i lante të gjitha një për një pisllëqet e tij të panumërta. Ajo ditë s’ka për të ardhur kurrë, kishte bërtitur ministri me sa zë që kishte, duke e grisur letrën me tërbim e duke shfryrë një copë herë të madhe.

    Koha kishte kaluar si kalë i azdisur dhe ai gati e kishte harruar atë gjë, por atë ditë në tavolinën e zyrës kishte gjetur një gazetë, në faqen e parë të së cilës një gazetar kishte botuar një shkrim, ku i kthehej një problem, të cilin ai e dinte të varrosur, sepse për të kishin dijeni shumë pak njerëz. “Do të të shtyp si morr, more qen! – tha me vete ministri. Kush guxon të fusë hundët atje ku nuk i takon, e pëson keq”.

    Zemërimi i tij po rritej nga çasti në çast. Mori telefonin dhe formoi një numër. Ishte ai i një ministri tjetër. I tha diçka shpejt për atë që kishte ndodhur dhe dëgjoi që bashkëfolësi ishte në dijeni të shkrimit, sepse gazetën e kishte mbi tavolinë. E pyeti si  t’i a bënte tani me atë gazetë, që në ato çaste i ngjante një bombe me sahat, e cila, nga çasti në çast, mund të shpërthente, duke i shkatërruar çdo gjë, që e kishte ngritur me aq mund  e mashtrim. Dhe e gjitha kjo për marrëzinë e një gazetari. Po kishte rob që e përtypte këtë?!

    Vetëtimthi iu kujtua me shpejtësinë e ëndrrës e gjithë rruga e karrierës së vet . Për  çdo hap ngjitje në shkallët e saj, i ishte dashur të flijonte diçka nga vetja. As që bëhej fjalë për karakter e ndershmëri. Të gjitha këto ishin përralla me qeros, ndaj ai nuk ishte ndalur para asgjëje, për t’u ngjitur në pushtet e për t’u pasuruar. Këto përralla morale i kishin sajuar të paaftët, ata që nuk e nxirrnin dot qimen nga qulli e që nuk dinin të përfitonin nga të mirat që u ofronte rasti. Po ai  i kishte aq miq, sa ta bindnin atë palo gazetar ta përgënjeshtronte vetë shkrimin e botuar, duke i kërkuar ndjesë njeriut të atakuar në të e duke thënë se faktet e tij nuk ishin të vërteta, por thashetheme, të cilat ai në mënyrë pasionante ishte nxituar t’i publikonte, pa menduar për pasojat.

    Në ishte e pamundur diçka e tillë, eh, edhe më keq për të. Një proces gjyqësor për shpërdorim të lirisë së shtypit e priste, me akuzën se, në mënyrë të paramenduar, kishte dashur të njolloste figurën e pastër të një përfaqësuesi të lartë të pushtetit ekzekutiv, i paguar nga dikush për hakmarrje personale. Dhe ai nuk do të ngurronte ta bënte këtë gjë. Jo, tanimë asgjë nuk përbënte mëkat për të. Të gjitha rrugët e suksesit ai i quante të ligjshme. Le të ishin ato, sipas turmës (gjithnjë, sipas tij), edhe rrugë të ndyra, të poshtra e të neveritshme.

    “Do të të detyroj ta lëpish atë që ke pështyrë e pastaj do të jap dorëheqjen, për të mbetur sërish i pastër për ata që nuk e dinë se cili jam në të vërtetë”,- gati klithi ai me zë të lartë.

                    2.  Ish-ministri ose biznesmeni “i ndershëm”.   

    Ish- ministri i ngjiti i heshtur shkallët e vilës së tij katërkatëshe, të cilën e kishte ndërtuar në vendin e shtëpisë së tij të dikurshme, që e pati marrë kur kishte qenë ministër dhe për të cilën i ishte dashur mjaft punë që t’i mbyllte gojën pronarit të saj të ligjshëm. Por tanimë ajo kohë kishte kaluar njëherë e mirë dhe kishte mbetur larg, në trajtën e kujtimeve, që na bëjnë të skuqemi, sa herë që i sjellim nëpër mend në vetminë tonë të plotë.

    Kapitalin e dikurshëm ai kishte disa dhjetëra vjet që e kishte investuar, duke ndërtuar bashkë me një biznesmen të huaj një fabrikë moderne për prodhimin e artikujve të kozmetikës dhe pranë saj një sallon bukurie me fjalën  e fundit të kohës, Por nuk ndihej i qetë. Gëzonte një nam të mirë për korrektesën e lëvizjeve të kapitalit e të bashkëpunimit me partnerin e huaj. I paguante rregullisht të gjitha detyrimet që kishte ndaj të tjerëve, kishte ndihmuar plot njerëz e kishte dhuruar shuma mjaft të mëdha, për të bërë vepra bamirësie. Kishte sponsorizuar për krijuesit e piktorët fillestarë, që ata të botonin librin e tyre të parë apo të çelnin ekspozitën e fillimit, që do t’i bënin më vonë të njohur. Mjaft prej tyre ishin bërë shkrimtarë të dëgjuar e piktorë të suksesshëm dhe ai kishte prej tyre librat e tablotë me autograf, në të cilat mirënjohja e shprehur me sinqeritet të përdëllente.

    Veç atë ditë fundprilli ai ndihej tepër i tronditur. Në sallonin e tij kishte dëgjuar padashur diçka. që e kishte ngjethur të gjithin. Ndoshta ai që e kishte thënë nuk e njihte fare ose e njihte më mirë nga sa e njihnin njerëzit, që vinin dorën në zjarr për të.

    Kishte vite që ishte larguar nga politika. Këtë e kishte bërë me dorëheqje, sapo kishte burgosur atë gazetarin fatkeq, që kishte pasur fatin e mbrapshtë të kruhej me të. Ky akt, i pari deri në atë kohë, i pati dhënë shumë pikë. Ndoshta nga entuziazmi që shkaktoi ai, njerëzit nuk ishin kujtuar të pyesnin më tej se ku i gjeti ai paratë, për të nisur një biznes aq të madh me një partner të huaj. Kishte qenë  xhointvençëri  më i bujshëm i kryeqytetit, duke pasur parasysh sasinë e parave, që hidheshin në lojë. Fatmirësisht çdo gjë kishte kaluar normalisht dhe paratë e fillimit e kishin shtuar shumë herë veten e tyre, pa hasur kurrfarë pengese e pa i sjellë atij as më të voglin shqetësim.

    Dhe, pikërisht, atëherë, kur ai ndihej më i qetë e më i sigurt se kurrë që e kaluara e tij ishte përfundimisht e larë nga bardhësia e parasë dhe nga të mirat e panumërta që kishte bërë, kishte dëgjuar ato fjalë, që ia kishin përgjakur përfundimisht qetësinë hyjnore, me të cilën jetonte prej vitesh.

    Në pamje të pare, për atë që nuk i dinte hollë-hollë punët, këto fjalë nuk kishin ndonjë gjë të veçantë. Ato ngjanin me një trillim dashakeq për një njeri që ka pasuri e nder më shumë se të tjerët, falë fatit të tij të mbarë.

    “Ky sallon bukurie është ngritur mbi shëmtinë e pronarit të tij”,- kishte thënë njeriu i panjohur. “Këtu shumë gra kanë bërë e do të bëjnë kozmetikë,- kishte vazhduar ai, por ato kurrë s’kanë për ta marrë vesh se përtëritja e bukurisë së tyre vjen nga shëmtimi i tmerrshëm e fëlliqësia e llahtarshme e së djeshmes së këtij biznesmeni”.

    Pastaj ata të dy ishim larguar, si t’i kishte tretur hapësira e kaltër e fundprillit.  Ndoshta askush nuk e kishte dëgjuar thënien e tij ose dhe, po ta kishte dëgjuar, s’i kishte bërë fare përshtypje ajo gjë, por kush e bindte se ata… ata… s’do të flisnin kurrkund dhe me kurrkënd për këtë gjë.

    Fytyra e gazetarit të burgosur për shpërdorim të lirisë së shtypit, përpara se ai të jepte dorëheqjen nga posti i ministrit, iu shfaq përpara syve. Të gjithë pasurinë e tij do ta vinte në lojë, po të duhej, për ta mbyllur atë gojë që kishte thënë diçka të tillë, po ku ta gjente tani? Ja, dhe e gjente se nuk e kishte të vështirë ta kthente mbarë e prapë të gjithë kryeqytetin për t’i gjetur ata, por kush e siguronte se të tjerë njerëz nuk kishin në dorë fakte dhe dokumente, ku vërtetohej…

    Jo, jo, ai nuk mund ta besonte se paraja, krijesa e lindur nga njerëzit, për t’u shërbyer si skllave në jetën e tyre, por që shpesh i kthente ata vetë në skllevër të saj, tanimë ishte e pafuqishme ta shpëtonte. Nuk mundej ta besonte sepse i duhej të pohonte fundin e tij, që shpesh, nëpër ëndrrat e netëve të qeta, e trembte më shumë se çdo gjë tjetër. Si ishte e mundur që atë, që një njeri si ai e kishte lënë peng në pjesën e parë të jetës për paratë (dhe tek ajo përfshihej çdo gjë e mirë që kishte njeriu) të mos mundte që në pjesën tjetër të saj ta rifitonte, duke e blerë me para?

    Përfytyroi artistët, që ishin bërë të tillë  falë parave të tij, kur do të vinin ta takonin me një vështrim, që mund t’u falej vetëm… kriminelëve ordinerë, vjedhësve të rrugës, perversëve e të gjithë bashkë të ulërinin në kor: “ Ti, ti na i paske dhënë paratë për gjënë më të bukur e më të pastër?! Po ato paskan qenë të ndotura, të pista e pse jo të përgjakura. Merri paratë e tua të fëlliqura e na kthe autografet tanë! Ti nuk i meriton ata, se na ke përdhosur shpirtin, na ke përdhunuar në gjënë tonë më të shtrenjtë, si një mashtrues i paskrupullt!”.

    “Prill i mallkuar!,- tha nëpër dhëmbë. Si ma paske ruajtur një ditë të tillë, atëherë, kur jeta ime duhej të kishte paqe, qetësi e shenjtëri? Atëherë, kur unë duhej ta quaja të përjetshëm nderimin ndaj meje e do të largohesha nga kjo botë, si një Jezu Krisht i vogël, si një shenjtor i vërtetë? Pse, shenjtorët nuk mund të lindin dot prej së ligës? Po pse jo, djalli ta marrë?! Çdo gjë e bukur e botës lind nga gjiri i së pistës. Pse nuk bëhet atëherë një përjashtim për mua? Pse jeta tregohet kaq kokëforte dhe kapricioze? Pse,  xhanëm, pse???!!!”.

    Mblodhi fuqitë dhe mezi mundi të formojë numrin e telefonit të urgjencës.

                   3.   Kortezhi i lamtumirës

     Makina e shërbimit të varrimeve ndaloi përpara varrezave. Varri i heshtur priste i uritur të ngopej brenda pak çastesh me njeriun që do të hynte në gojën e hapur të tij. S’kishte rëndësi për të në ishte ai i madh apo i vogël, i dëgjuar apo i panjohur, i ndershëm a kriminel. Jo, atij s’i interesonte fare diçka e tillë. Me këtë gjë le të merreshin të gjallët. Ai nuk kishte asnjë lidhje me ta, përveçse u kujtonte atyre se vdekja i përgjonte në të gjitha lëvizjet që bënin dhe, sapo gjente rastin, frap i kapte me rrjetën e saj të padukshme.

    -Po si vdiq kaq papritur?-tha një burrë i veshur me një kostum gri e me një kravatë të kaftë. -Ai nuk para ishte ankuar ndonjëherë për shëndetin.

    -Dhe kur, pa, tani që punët po i vinin më mbarë e më mirë se kurrë ndonjëherë. I nderuar sa s’ka më në mes të të tjerëve, sepse ka bërë aq shumë për njerëzit, papritur shkon, sikur s’ka qenë kurrë në këtë botë!- shtoi një grua e përlotur, me një nishan në mjekër.

    I vdekuri, shtrirë në arkëmort, nuk i dëgjonte se ç’thoshnin për të, pasi, po t’i dëgjonte , do të ngrihej e do t’u thoshte: “ Të rrjedhur! Po ku i dini të gjitha ju, që flisni kështu? Ju dini vetëm ato që kini parë e dëgjuar e jo të tjerat, se, po t’i dinit të gjitha, ju do t’më linit të pagroposur buzë varrit e do të iknit të lemerisur si bagëtitë, kur u bie bisha”.

    Po ai nuk dëgjonte asgjë dhe njerëzit vazhdonin të hidhnin nga një dorë dhe mbi varrin e tij, të derdhnin lot e të thonin fjalë të mira për ish- pronarin e fabrikës së kozmetikës e sallonit të bukurisë, bamirësin e pashoq, mbështetjen e humbur të artistëve të rinj.

    Ishte më tepër se një lojë kapriçoze e fatit.

    Fundi i prillit derdhte pa kursim dritë dielli dhe aromë lulesh.