Posta Shqiptare zbardh mashtrimin dhe vjedhjen që u bëhej qytetarëve shqiptarë

    379
    Sigal

    Skandali/ CEZ t’u kthejë paratë, e vjelura për së dyti, qytetarëve që kanë paguar faturat e energjisë në zyrat postare!

     Posta Shqiptare zbardh mashtrimin dhe vjedhjen, që u bëhej qytetarëve shqiptarë me pagesat e energjisë elektrike. Ndërprerja e energjisë nga CEZ qytetarëve, të cilët sistemi i nxirrte debitorë ndaj tij, duket se ka qenë të padrejta dhe abuzive. Shumë prej qytetarëve ankoheshin për këto ndërprerje të energjisë me pa të drejtë, pasi sipas tyre ata i kishin bërë pagesat në zyrat e Postës Shqiptare. Edhe pse në librezat e qytetarëve ishte vendosur firma edhe vula e punonjësit të postës, punonjësit e CEZ nuk e merrnin për bazë këtë dokument dhe vepronin duke u ndërprerë atyre dritat deri në shlyerjen e debisë. Kështu, shumë qytetarë, të detyruar nga rrethanat, paguanin për së dyti konsumin e energjisë, pasi nuk shikonin alternativë tjetër. Qytetarët shqiptarë ndihen të frustruar nga shteti amë, i cili i vjel për së dyti detyrime të cilat i kanë shlyer më parë. Jo më parë se një javë, Posta Shqiptare denoncoi 7 ish punonjës të saj në Fier, pasi kishin përvetësuar pagesat e energjisë elektrike të bëra nga qytetarët pranë këtij institucioni, duke zbardhur në këtë mënyrë skemën e vjedhjes së qytetarëve shqiptarë nga punonjës të postës shqiptare në të gjitha filialet e saj. Porse me gjithë zbardhjen e të vërtetës, askush nuk ka sqaruar qytetarët, të cilët kanë paguar për së dyti faturat e kripura të CEZ, pasi në të kundërt penalizoheshin me mungesën e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre, (edhe pse ata e vërtetonin këtë fakt me vulat dhe firmat në librezat e dritave), sesi do të procedohet më tej. Në këtë mënyrë, duket se është CEZ tashmë debitore përkundrejt qytetarëve shqiptarë. CEZ duhet t’u rikthejë mbrapsh qytetarëve paratë e paguara për së dyti dhe t’ua kërkojë ato abuzuesve të vërtetë.

     Auditimi i Postës, nisur nga ankesat e konsumatorëve

    Kështu disa ditë më parë Posta Shqiptare informoi se ka denoncuar në Prokurorinë e Fierit shtatë ish-punonjës të saj. Për shkak të ankesave të qytetarëve, Posta Shqiptare ngriti një grup auditi dhe zbuloi abuzimet e punonjësve me shumat e derdhura nga qytetarët për pagesat e energjisë elektrike, duke i përvetësuar ato. Në këtë mënyrë Posta Shqiptare, përveç vendimit për shkarkimin e tyre nga puna, i ka kallëzuar ata penalisht edhe në Prokurori. Duke parë ankesat e klientëve, që dilnin debitor në CEZ, megjithëse në librezë ishte vendosur firma edhe vula e punonjësit të postës, filiali i postës Fier ngriti një grup pune për të bërë një kontroll në këto zona. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se një pjesë e tyre rezultonin të ishin të vërteta.  Grupi i punës i ngritur në filial po vazhdon punën dhe në zonat e tjera, ku ka dyshime për shpërdorim detyre nga punonjësit duke patur parasysh edhe ankesat që vijnë nga qytetarët. Nga verifikimet e bëra deri më tani grupi i punës i ngritur në filial konstatuan se ish punonjësit kanë shpërdoruar detyrën duke mos i arkëtuar një pjese të lekëve nga faturat e energjisë, duke i lënë qytetarët debitorë ndaj CEZ. Në këtë kuadër, Posta Shqiptare informon qytetarët se ka rritur në mënyrë të ndjeshme forcën e saj kontrolluese dhe ka zbuluar qindra raste në të gjithë Shqipërinë, ndaj të cilave janë marrë masa administrative dhe janë kaluar për ndjekje penale pranë organeve kompetente.

    CEZ, debitore ndaj qytetarëve shqiptarë

    Ndërsa ish-punonjës të Postës Shqiptare janë nën akuzat e abuzimeve me pagesat e energjisë duke i përvetësuar ato (falë auditit të Postës Shqiptare), qytetarët shqiptarë ndihen akoma më të paqartë dhe të pasigurt. Deri më tani asnjë drejtues i CEZ nuk është deklaruar për këtë ngjarje dhe as t’u kërkojë falje publike qytetarëve, të cilëve u kanë kërkuar të shlyejnë detyrime të cilat i kishin paguar më parë, apo për më tepër t’u garantojë atyre kthimin deri më një të parave të tyre. Por faktet janë kryeneçe dhe ato tregojnë dhe një herë abuzimet që bëhen me qytetarët shqiptarë nga administrata që paguhet me taksat e tyre. Është tashmë CEZ debitore ndaj klientëve të saj dhe ata me të drejtë presin një reagim zyrtar nga ky institucion që tashmë është nën administrimin e shteti shqiptar.

     Ledjana Saliu