Portret i një studiuesi

    525
    Sigal

    Lilo Nuraj, veterani velçiot që guxonte të kërkonte ndryshim

    Lilo Nuraj iu përket atyre njerëzve, me një jetë interesante, tërë sakrifica e mundime në interes të të tjerëve, në interes të Atdheut. U lind më 18 maj 1914, në Velçë të Vlorës. Qe ndër të parët pjesëtarë që në fshat hyri në grupet e Lëvizjes derisa më 20 shkurt 1942 u bë më aktiv. Për aktivitet konkret dhe korrekt bëhet anëtar i Partisë Komuniste më 1943. Kurse në mars 1944 bëhet efektiv i Brigadës së 5 Sulmuese. Mbas çlirimit mbetet efektiv në Ministrinë e Brendshme. Mjaftuan 20 vjet në Tiranë që Lilo Nuraj të formohej dhe të demonstrohej si intelektual, të kapërcente shumë kufij që të tjerët jo vetëm si arrinin, por nuk i përfytyronin dot. Pa pyetur as familjen, pa ja kërkuar asnjë nomenklature, më 1965 del vullnetar deri më 1968 për të jetuar në vendlindjen e tij Velçë, në vendlindjen që ju përkushtua deri sa mbylli sytë dhe që me punën e tij la një trashëgimni që të tjerët e kanë zili.

    Mirënjohje brezash

    Ai ka mirënjohjen e brezave që ikën, e brezave që janë dhe të atij brezi që do të vij, sepse me punën e tij disavjeçare, nëpërmjet krijimtarisë së veprës “Toponimia dhe Antroponimia”, botuar pas vdekjes së tij, ai mendoi t’u vij në ndihmë të gjithë bashkëfshatarëve të tij, në fshat e jashtë tij, në Shqipëri apo Diasporë qofshin, sepse me këtë libër u bëri një dhuratë që do të jetoj gjatë, ose më mirë sa asgjë tjetër e shkruar deri më sot për Velçën. Ai me një punë kërkimore në 30 km2 mblodhi, studioi, ja bëri prezencë shkencës dhe brezave mbi 3000 toponime. Ai studioi për individë, familje, fise dhe fshat dhe ndërtoi Pemën gjenealogjike për gati 200 familje për një thellësi kohe 300 vjet. Asnjë tjetër se mori përsipër dhe shpreh bindjen se po të guxonte dikush ta bënte s’do ta realizonte më mirë se ai.

    Gjurmë të thella

    Xha Lilua erdhi në Velçë dhe punoi si argat në kooperativë pa marrë ditë pune. Një plantacion me ullinj që sot u thonë “Ullinjtë e xha Lilos” e kështu do të thonë për 500 vjet që rron ulliri. Një rezervuar uji në Presaran që i thonë “Rezervuari i xha Lilos” e kështu do t’i thonë dhe për sa kohë do të ketë tokë që kërkon vaditje. Në 200 e ca familje që kish Velça xha Lilua vente pa ftuar se po ta ftoje e të shpenzoje për të ai ta linte bukën në tavolinë. Dhe gjithë ditën që punonte, takonte njerëz të vjetër apo të rinj. Ju transmetonte. Isha mbrëmë te x, y, z dhe ndenjëm me muhabet deri vonë. Gjetëm kaq emra, gjetëm kaq breza, gjeta këngë, gjeta vaje, gjeta historinë e këtij apo atij burri. Më shpjegoi teknikën e përdorimit dhe përpunimit të gjineshtrës, të ngjyrosjes me frashër, me shegë, me arrë etj., etj. Pra e vinte kohën në funksion të qëllimit që i kish vënë vetes për t’ju shërbyer më vonë të tjerëve. Dhe kur e mbushte çantën me aq fletore e shënime, zhdukej nga terreni dhe vinte në shkollë. I fillonte nga e para dhe i hidhte në të pastër atë grumbull informacionesh që me të drejt ishin detyrë të punës së mirëfilltë kërkimore-shkencore. Bashkëpunëtorët e tij të zakonshëm ishin moshatarët si; Avdul Miftari, Muhamet Dhima, Rakip Xhemali, Begë Karafili, Musa Cane, Rushit Islami, Hasho Veseli, Kamber Qamili, Nexhip Hoxhaj e sa e sa të tjerë që jetuan deri 110 vjeç e që Lilo Nuraj diti t’i vjel sa asnjë tjetër.

    Mes intelektualëve të shquar

    Xha Lilua ca muaj në dimër e braktiste Velçën dhe kishte krijuar një vend tjetër po aq komod për punën dhe rrugën që kishte zgjedh. Ishte Biblioteka Kombëtare te Pallati i Kulturës në Tiranë. Aq e vërtet kjo saqë karrigia dhe tavolina ku ulej çdo ditë mori “tapinë” karrigia e të velçotit Lilo Nuraj. Aty studionte, shfletonte, kërkonte, debatonte përplasej dhe prapë shkruante. Ulej dhe kërkonte takim me Mahir Domin, Xhovalin Shkurtaj, Androkli Kostallarin. Grumbulloi literaturë që hedhin dritë 6000-8000 vjet për jetë njeriu në shpellat e prehistorisë së Velçës. Referohej dokumenteve të 1431-1432 të sanxhakut të Vlorës. Punoi për muzeumin e Velçës dhe arriti ta ringrinte atë. Shkroi e botoi për gati 30 dëshmorë e viktima të Velçës. Hidhte dritë mbi veprimtarinë e patriotëve si Selam Hasani, Ali Beqiri, Yzeir Ilazi etj., të cilët po i mbulonte pluhuri i kohës e që xha Lilua i pastronte si me furçë çdo ditë derisa i nxori në dritë. Aq e vlerësuar qe puna e tij që ka befasuar njerëz të shkencës dhe të artit  Ja ç’thotë njëri prej tyre, Moikom Zeqo: “Lilo Nuraj përtej vdekjes së tij është më me kuptim sesa ata të gjallë që vegjetojnë dhe s’bëjnë asgjë të dobishme për vendlindjen që është kombi ynë shqiptar. Ndriçojeni atë burrë se i bëni mirë vetes”.

    Çfarë kam lënë pa thënë!…

    Shumë gjëra të tjera episodike që e plotësonin portretin shumë dimensional të Lilo Nuraj si partizan, si oficer, si studiues, si intelektual, si i velçot dhe lab që ishte. Të tjerët le ta plotësojnë për t’i kthyer atij burri atë ndriçëm, atë portret të gjallë e të vërtetë që kishte, të evidentojnë frymën e gjërave të reja në mënyrën e të punuarit, të jetuarit në paqe që ai solli në Velçë. Shpirti yt xha Lilo i ngjan një qiriri të ndezur që digjet për mallin dhe dashurinë për vendlindjen tënde,Velçë. Prehu i qetë!

     

    Selim Ramazan Brahja, një jetë në shërbim të atdheut

    Presidenca e Shqipërisë organizoi më 23 korrik 2012 ceremoninë e dhënies së dekoratës “ Nderi i Kombit” patriotit dhe klerikut të shquar nga Sauku i Tiranës, z. Selim R. Brahja,  për kontribut të shquar në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe pjesëmarrje në Luftën Antifashiste. Ky vlerësim i lartë vjen i katërti ndër breza në familjen Brahja. Ramazan Brahja, babai i Selimit, i dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Medaljen e Artë  “Patriot i Pavarësisë” në vitin 1995. Selim Brahja, i dekoruar “Martir i Demokracisë” dhe “ Nderi i Kombit”. Jusuf Brahja, i biri i Selimit, dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Punës” dhe 2 medalje me titullin “Mjeshtri i Madh i Punës”  (1964, 1969). Lulzim Brahja, i biri i Jusufit, i dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Medaljen e Mirënjohjes etj. Familja Brahja është një familje autoktone tiranase e shquar në breza për vlera patriotike dhe kontributin e dhënë në ndihmë të çështjes shqiptare duke filluar që nga lëvizjet e para për pavarësi e deri në lëvizjet demokratike në ditët e sotme. Selim Brahja është një nga përfaqësuesit më të nderuar të familjes Brahja. Ai u lind në Sauk në 18.08.1883, si biri i atdhetarit Ramazan Brahja, i cili radhitet në listën e patriotëve të Tiranës në librin “Patriotizmi në Tiranë” të autorit Hafiz Ibrahim Dalliu, botim i vitit 1930. Studimet e larta i kreu në Stamboll për teologji në 1904. Më pas ka qenë Hoxha i Saukut dhe anëtar i Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Tiranës. Ai ishte anëtar i komitetit për ngritjen e flamurit të pavarësisë në 26 Nëntor në Tiranë. Në vitin 1916 hapi shkollën e parë shqipe në Sauk dhe e ktheu shtëpinë dhe xhaminë e ndërtuar nga babai i tij në ambiente për shkollën. Arrestohet nga xhandarmeria fashiste italiane në Tiranë në mars 1940 dhe burgoset. Selim Brahja është pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes në 1-2 gusht 1943 së bashku me Isa Toptanin, Ramazan Jaranin dhe Shefqet Ndroqin, si përfaqësues të Tiranës dhe nacionalizmit shqiptar. Pas kësaj ngjarje, ai vritet pabesisht në 31 gusht 1943, duke hyrë në xhaminë e Saukut nga një grup prej 7 -vetësh elementë komunistë. Sot, rruga kryesore e Saukut mban emrin “Selim Brahja” në vlerësim të aktivitetit të tij patriotik e atdhetar.