Ponari: “Të shtohen elementë të tjerë në formulën e sigurimeve”

    417
    Sigal

    Sigurimi i automjeteve, formule e re pagese sipas pikëve. Diferencimi për ata që kanë bërë aksidente

     

    Sigurimi i detyrueshëm i makinave nuk do të jetë më me tarifë fikse për të gjithë drejtuesit e automjeteve, por do të paguhet nisur nga referencat individuale. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka nisur punën për projektin e aplikimit të patentave me pikë, përfundimi i të cilit do të përcaktojë dhe një formulë të re të pagesës së sigurimit të detyrueshëm. Sipas kësaj formule, drejtuesit e automjeteve, që kanë bërë aksidente, do të paguajnë sigurim më të lartë. Kreu i Shoqatës së Siguruesve, Avni Ponari, shprehet se, shoqëritë e sigurimeve mbështesin këtë nismë dhe kërkojnë që të shtohen dhe elementë të tjerë në formulën e llogaritjes së sigurimeve. Aktualisht, agjentët e sigurimeve nuk kanë asnjë të dhënë nga organet kompetente për gjobat që kanë marrë shoferët, aksidentet apo dëmet që kanë shkaktuar. Me finalizimin e këtij projekti do të ketë një koordinim të saktë midis shoqërive të sigurimeve dhe institucioneve, me qëllim vlerësimin e riskut për çdo drejtues. Sipas shoqërive të sigurimit, kjo formulë rrit përgjegjësinë në qarkullim dhe ul ndjeshëm numrin e aksidenteve.