Politikanët, sherr në Parlament me rastin e Shën Valentinit

    90

     

    Flasin: Braçe, Hysi, Xhaçka, Gjermeni, Ylli, Leskaj dhe Ahmetaj: Ku do ta festojnë deputetët e majtë Ditën e të Dashuruarve

    Në pamjen e parë duket si diçka e çuditshme. Ç’lidhje mund të kenë vallë 140 parlamentarët shqiptarë, me Shën Valentinin. Ata që i besojnë vetëm dollarit dhe euros, si mundet vallë t’i përulen një ndjenje kaq të fortë njerëzore siç është emocioni i dashurisë tronditëse. Si mundet vallë që të tundohen e të rrinë pa gjumë, duke menduar për partneren e zemrës, ata që në shumicën e rasteve mund t’i lerë pa fjetur, vetëm takimi i nesërm me sekserët, apo partnerët e tenderave? Por përgjigja në mbrojtje të tyre është tepër e thjeshtë, sepse jo të gjithë politikanët, janë njëlloj. Ka prej tyre që janë artistë, poetë apo piktorë, por ka edhe ekonomistë, apo juristë të cilët mund t’i bëjnë një avokati të shkëlqyer zemrave. Vërtet shumica e tyre mund të krahasohen me Don Kishotin, por ka edhe prej atyre që fare mirë mund t’i bashkëngjiten krahasimit me Romeon e Zhulietës. Pastaj, nuk duhet të harrojmë se edhe Don Kishoti dashuronte Dylqinjën, me një elektricitet të tillë shpirtëror, saqë sa herë që kujtonte të dashurën, Don Kishoti e godiste fort Rosinantin e tij, gati sa të fluturonte. Por për hir të së vërtetës duhet thënë se, Shën Valentini është festa e të gjithë njerëzve, në të gjithë globin, pavarësisht nga ndasitë politike, apo gjinore. Kështu, që edhe në këtë ditë, Berisha me Ramën do të ulin shpatat e metalta të politikës dhe do të bëjnë gati varësen e floririt për t’ua dhuruar bashkëshorteve. Por në fakt, politikanët shqiptarë, më 14 Shkurt kanë seancë parlamentare dhe në vend që të përkëdhelen me njerëzit e tyre të dashur, ata do të zihen me kundërshtarët politikë, duke e çuar dëm, shenjtërinë e kësaj dite. Ne bashkëbiseduam dje, me disa prej politikanëve shqiptarë, të cilët kundrejt pyetjeve tona, na dhanë këto përgjigje, për të cilat i falënderojmë.

    Erion Braçe: Nuk e festoj Shën Valentinin

     Zoti Braçe, çfarë dhurate do të bëni për Shën Valentinin?

     Erjon Braçe: Ç’janë këto që më thua? A jeni në terezi ju, me këto pyetje apo jo? Këto janë pyetje të kota për mua, sepse unë nuk bëj dhurata të tilla, për Shën Valentinin.

    Doni të thoni se nuk e keni festuar asnjëherë?

    Sapo ua thashë më duket. Këtu ka shumë probleme me të cilat mund të merreni dhe Shën Valentini është gjë tjetër.

    Vasilika Hysi: Pas Parlamentit, në festë.

     Zonja Hysi, ku do të shkoni me rastin e Shën Valentinit?

     Vasilika Hysa: Në Parlament. Ju e dini besoj, se më 14 Shkurt kemi seancë parlamentare. Ishallah, mbarojmë shpejt që të kthehem në shtëpi e të festoj me të familjarët një ditë mirësie, që është simbolika e mirëkuptimit dhe ngrohtësisë njerëzore.

    Çfarë dhurate do të bëni për Shën Valentinin?

    Kjo është surprizë dhe mbetet diçka personale.

    Çfarë dhurate prisni të merrni në këtë festë?

    Për këtë nuk duhet të më pyesni mua!

    Eglantina Gjermeni: Dhuratat janë personale

     Zonja Gjermeni, cila është dhurata që do të bëni për Shën Valentinin?

    Eglantina Gjermeni: Shën Valentini është një festë botërore, por në aspektin e deklarimit të dhuratave, kalon tek çështjet shumë personale. Dhe askush nuk ka dëshirë të zbulojë surprizat, se pastaj nuk quhen më surpriza. Unë do të bëj padyshim dhurata, por dhuratat që do bëjmë nuk deklarohen, e ca më tepër, nuk mund të publikohen në gazetë.

    Si do ta nisni ditën më 14 shkurt?

    Dita do të fillojë me një aktivitet që do organizojmë në kuadrin e ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas. Besoj se kjo është një simbolikë e gjetur dhe shumë e nevojshme për sensibilizimin e shoqërisë.

    Olta Xhaçka: 14 Shkurti, dita kundër dhunës ndaj grave

     Ç’mendoni për festën e Shën Valentinit?

    Olta Xhaçka: Për mua, dita e sotme është dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave. Dhe kjo gjë ka një rëndësi të madhe për të gjitha gratë e vendit tonë. Ndërsa gjëra e tjera, janë të parëndësishme për mua.

    Çfarë dhurate do të merrni apo do të jepni për Shën Valentinin?

    Kjo pyetje duhet bërë në fund të 14 Shkurtit dhe jo përpara tij.

    Valentina Leskaj: Nuk flas për këto gjëra.

     Zonja Leskaj, çfarë është për ju festa e Shën Valentinit?

    Valentina Leskaj: Do ishte më mirë të më merrni ndonjë mendim, për  zhvillimet politik dhe jo për këto gjëra.

    Ju nuk e festoni Shën Valentinin?

    Nuk dua të shprehem gjatë për këto histori.

    Arben Ahmetaj: Dhurata i kam bërë me kohë

     Zoti Ahmetaj, ku do të jeni për drekë, në ditën e Shën Valentinit?

    Arben Ahmetaj: Sot do të jem në Parlament dhe ky është aktiviteti më i rëndësishëm për mua. Dhuratat i kam bërë me kohë për Shën Valentinin.

    Doni të thoni se ajo kohë ka kaluar tanimë?

    Kemi punë të tjera më të rëndësishme, për të bërë, para se të mendojmë për një varëse apo dhuratë tjetër.

    Fidel Ylli: Një tufë lule për Jozefinën

     Zoti Ylli, a festohej Shën Valentini në diktaturë?

    Fidel Ylli: Shën Valentini nuk e mendoj se festohej në kohën e diktaturës. Të gjithë bashkëkohësit e dikurshëm mund ta konfirmojnë këtë gjë. Padyshim, kishte edhe përjashtime.

    Po sot çfarë dhurate, do të bëni?

    Unë, nuk e kam familjen këtu, por do t’i çoj gruas dhe fëmijëve nga një tufë me lule. Në Tiranë, do t’i çoj një tufë me lule edhe Jozefinës, që ta kalojë sa më mirë Shën Valentinin.

    Taulant Balla: Me këtë krizë të qeverië, do agjerojmë

     Zoti Balla, ku do ta hani drekën e Shën Valentinit?

    Me këtë krizë ku e ka futur qeveria vendin, sot, të gjithë shqiptarët duhet të agjerojnë dhe jo të festojnë. Unë i pari kam për ta bërë këtë gjë.

    Doni të thoni se nuk do të jepni dhurata për festën?

    E merrni vesh ju, se Shqipëri nuk ka festë, por një traumë të rëndë qeverisëse. Për çfarë feste flisni, kur listat e bukës po shtohen dita ditës.