Politikanët mashtrojnë Strasburgun për pronat

    405
    Sigal

    Qeveria, mungesë transparence rreth bisedimeve të Strasburgut me krerët e agjencive dhe të institucioneve për çështjen e pronave

    Problemi i pronës është bërë dhe dje objekt i diskutimeve në Parlament, shoqëruar me replika të ashpra mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Përveçse akuzave të ndërsjella, si gjithmonë fajtori mbetet jetim, asgjë të re nuk solli ky konfrontim. Kryeministri Rama nuk tha asgjë se për çfarë është folur, apo vendosur në Strasburg kur delegacioni me krerët e agjencive dhe të institucioneve për çështjen e pronave shkoi në fillim-mars në Strasburg për të diskutuar për çështjen e pronave. Asnjë transparencë nga ana e qeverisë për këtë takim, duke i lënë shteg të lirë mediave të aludojnë për përfundimet e tij. Ka qenë pikërisht një shkrim i publikuar në një nga të përditshmet e shtypit shqiptar e cila ka detyruar pronarët të bëjnë një takim me përfaqësuesin e Këshillit të Europës në Tiranë. Ky takim, sipas Agim Toros, Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës më të madhe të pronarëve “Pronësi me Drejtësi” ka sqaruar në një prononcim për “Telegraf” se përfaqësuesi i KiE-së i ka garantuar se nuk ka asnjë shtyrje afati për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës nga ana e Strasburgut. “Edhe me logjikë nuk mund të ketë shtyrje, pasi nuk mund të shtyhet asnjë vendim gjykate i formës së prerë, që ka afatet e ekzekutimit si dhe penalizimet në rast të moszbatimit të vendimit”, shprehet Toro.

    Më tej ai sqaron se “Qeveria shqiptare duhej që deri më datë 7 mars 2014, të kishte një plan veprimi për të zgjidhur 81 rastet e gjykuara (në fakt qeveria ka pasur 1 vit e gjysmë kohë për këtë), gjë për të cilën ne si pronarë nuk kemi asnjë dijeni, dhe këto duhet t’ia raportojë Gjykatës së Strasburgut deri më 2 maj.  Ndërsa do të jetë vetë Gjykata e Strasburgut e cila do të njoftojë individët që janë gjykuar, për të pyetur nëse janë dakord me propozimet e qeverisë apo jo. Në të kundërt Strasburgu do të shpallë vendimin e formës së prerë për  81 rastet e gjykuara. Ndërsa nëse problemi i pronës nuk gjen zgjidhje deri në atë datë, në marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe pronarëve, Gjykata e Strasburgut do të vijojë në gjykimin normal të të gjitha rasteve që i janë paraqitur pas datës 17 dhjetor 2012”.

    Ndërsa në qershor shqiptarët presin vendimin e BE-së për statusin, një nga pesë prioritete për t’i hapur rrugë integrimit në BE është pikërisht çështja e pronës. Me shumë gjasa duket se zgjidhja e kësaj çështjeje nuk e ka vullnetin e duhur as nga kjo qeveri, duke rrezikuar kështu statusin në qershor. Sipas pronarëve, “fatkeqësisht, asnjë qeveri deri më sot nuk ka pasur vullnet politik për zgjidhjen e çështjes së pronave. Ligji 7501 ishte zbatim, nga Ramiz Alia, i politikës së Katovicës që kishte për qëllim të ngatërrojë një popull dhe të mundësojë pasurimin e “elitave” në pushtet. Fatkeqësisht thelbi i kësaj politike anti-pronë dhe anti-pronar është zbatuar gjatë këtyre 20 viteve të fundit nga të gjitha forcat politike që kanë ardhur në pushtet”. Gjithashtu një reagim i natyrshëm vjen prej pronarëve edhe për “pendimet” e fundit të politikanëve për çështjen e pronave. “Pendimet” e radhës (Majko, Dokle, Berisha, Mediu….etj.) duhet të shoqërohen me masa konkrete që të bëhen të besueshme! Përndryshe mbeten lojë politike për të shtyrë pafund zgjidhjen e problemit të pronave” shprehen pronarët. Ndërsa sqarojnë se mjafton që politika të respektojë Nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës dhe problemi i pronës zgjidhet një herë e përgjithmonë.