Politika duhet t’i kthejë më shumë sytë nga Çamëria

    377
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet historiani çam Hajredin Isufi:Çamët në Greqi kanë humbur gjuhën e tyre të bukur

    Për Çamërinë kohët e fundit janë bërë shumë libra dhe janë bërë shumë Konferenca Ndërkombëtare nga Instituti i Studimeve për Çamërinë. Ajo që theksohet në të gjitha këto takime apo botime, është se ndaj Çamërisë është bërë një padrejtësi e madhe. Dëbimi i tyre nga toka ku kanë lindur dhe që ju përket atyre është një nga çështjet më të pashembullta në historinë e spastrimeve etnike. Një nga pretekstet e Greqisë për marrjen e këtij spastrimi etnik ishte se gjoja “çamët kishin bashkëpunuar me gjermanët” pretekst  që sot e kanë hedhur poshtë dhe vetë studiuesit grekë. Dhe pse qeverisë greke i janë bërë shumë kërkesa ato jo vetëm kanë rënë në vesh të shurdhët, por qeveria greke nuk lejon as gazetarët të bëjnë dokumentarë në trevën çame të Greqisë

     -Kur filloi spastrimi më i madh grek ndaj popullsisë shqiptare çame?

    -Pas revolucionit grek të vitit 1821 në Greqi filloi një spastrim etnik, filloi një reprezalje e egër ndaj çamëve në tokat e tyre në Greqi. Por jo vetëm ndaj çamëve, por ndaj të gjithë etnive të tjera që nuk kishin kombësi greke. Në këtë valë gjenocidi u përfshinë më shumë shqiptarët e Çamërisë, turqit e Thrakës, arumunët dhe hebrenjtë. Ky është një informacion shkencor që e paraqet në një libër studiuesja çame Blerina Sadiku. Çdo studiues në librin e saj do të gjejë një informacion shumë të pasur dhe të patrajtuar ndonjëherë. Ajo që trajtohet më qartë dhe me nota shumë të sakta është Konferenca e Paqes në Paris. Në këtë Konferencë përveç shumë problemeve të tjera doli në diskutim edhe çështja çame. Aty shkuan personalitete të shquara të Çamërisë që në atë kohë ndodheshin jashtë atdheut. Ata ishin një zë i fuqishëm për çështjen çame, një zë i fuqishëm për dramën çame. Mjafton të kujtojmë se këto personalitete të Çamërisë kanë arritur të komunikojnë dhe me Presidentin e SHBA Uillson. Ka letra lutje dhe një farë përgjërimi që të gjithë autoritetet ndërkombëtare të kthejnë kokën më shumë nga Çamëria, nga kjo krahinë me shumë plagë.

    -Çfarë mund të na thoni më shumë për lidhjen Shqiptare të Prizrenit?

    -Një çështje tjetër që trajtohet me shumë kujdes është Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ne kemi lexuar shumë artikuj në historiografinë shqiptare për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që është ezauruar shumë mirë nga studiues serioz, por ndryshe është kur ndalesh, në ngjarjet, episodet, apo figurat personalitete të Çamërisë që kanë kontribuar në këtë Lidhje. Çamëria nuk është një trevë pa emër dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka trajtuar me seriozitet çështjen e saj. Por ky interesim vazhdoi edhe nga figurat më të shquara të Shqipërisë së asaj kohe. Për këtë mjafton të kujtojmë se në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në Çamëri ka shkuar vetë Abdyl Frashëri. Mjafton të kujtojmë se në vitin 1912 Ismail Qemali ka qenë në zonën e Çamërisë dhe ka takuar shumë personalitete të shquara të Çamërisë. Mjafton të kujtojmë se në këtë kohë Çamëria kishte një çetë të saj dhe kjo çetë u inkuadrua apo iu bashkua çetave shqiptare që kërkonin Pavarësinë. Pra këtu ka një informacion shumë të pasur, me një bibliografi shumë të pasur, me referenca shumë të pasura të pasqyruara në mënyrë shumë shkencore. Një moment shumë i rëndësishëm për përpjekjet e personaliteteve të Çamërisë për hapjen e gjuhës shqipe për çeljen e shkollave për të mësuar këtë gjuhë të bukur. Duhet të kemi parasysh një gjë. Na vjen keq të themi se ajo zonë me atë natyrë aq të pasur sot, nga të gjithë ne është punuar shumë pak. Ndaj në këto momente shumë delikate të gjithë ne komuniteti çam, por edhe politika shqiptare dhe studiuesit duhet ti kthejnë më shumë sytë nga Çamëria martire. Dhe të punojmë për të me shumë seriozitet. .

    -Po për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe çfarë është bërë?

    -Çështja e përhapjes së arsimit të gjuhës shqipe në këtë trevë në një libër të Brikena Sadikut është paraqitur në mënyrë shumë të bukur. Por nga ana tjetër aty është vënë në dukje dhe diçka interesante që qeveritë shqiptare me dashje apo padashje, nga aftësia apo paaftësia, kanë marrë premtime se do të hapin shkolla shqipe në trevën e Çamërisë dhe nuk kanë hapur asnjë shkollë. Përkundrazi sa merrnin premtime se në Himarë, në Delvinë apo në zonat e minoritetit do të hapeshin shkolla greke, ngrihej kurs dhe në Çamëri nuk hapeshin shkolla. Në regjimin e Zogut në vitin 1937  çamët dhe legata shqiptare në Athinë kërkuan të dërgoheshin abetare në shqip në Çamëri. Nga shteti shqiptar u dërguan abetare, por qeveria greke vuri disa kufizime. Të hiqej nga abetarja fotografia e Naltmadhënisë Zog, të hiqej flamuri kombëtar shqiptar, të hiqej himni i flamurit. Qeveria e atëhershme tha amin dhe i dërguan abetaret shqipe në Çamëri, të cilat nuk u futën asnjëherë në shkollë. Duke lexuar këtë libër ne duhet të kthejmë kokën mbrapa dhe në këtë 100-vjetor t’i bëjmë pyetjen vetes se ç’kemi humbur dhe çfarë duhet të fitojmë, kur bëhet fjalë për çështjen kombëtare, kryesisht për çështjen çame.