Poliklinika e Specialiteteve “pushtohet” nga pacientët

    1480
    Vëzhgimi i ditës së premte nga Gazeta “Telegraf” është fokusuar tek Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, e cila përballet çdo ditë me një numër të madh pacientësh, të cilët vijnë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet. Shtimi i numrit të pacientëve pranë kësaj Poliklinike për shkak të problematikave të stinës, por jo vetë, dhe mungesa e mjekëve për të përballuar këtë fluks pacientësh, për shkak se më shumë se gjysma e personelit të mjekëve janë më pushime, ka bërë që situata në këtë Poliklinikë të mos jetë aspak e qetë dhe mjaft shqetësuese, sa i përket radhëve te gjata për marrjen e shërbimit. Radhët e gjata fillojnë që në dyert e kësaj Poliklinike për të vazhduar më pas edhe në brendësi, ku pavijone të veçante hasin probleme në lidhje me dhënien e shërbimit. Kjo gjendje është e tillë prej disa javësh, kjo e gjitha për shkak të mungesës së mjekëve në pavijone të ndryshme, të cilët detyrojnë pacientët të sorollaten korridoreve të kësaj qendre shëndetësore çdo ditë. Numri i pacientëve është me qindra çdo ditë, por shërbimi nuk iu ofrohet të gjithëve brenda një dite nga kjo Poliklinikë për shkak të shërbimit me orar që kjo qendër ofron për të gjithë. 

    Pacientët në radhë për orë të tëra në disa nga pavijonet e Poliklinikës së Specialiteteve Nr 3

    Radhë të gjata pacientësh, nga fëmijët deri tek moshuarit, të cilët presin me orë të tëra për të bërë një analizë, për të marrë një përgjigje, apo dhe për të bërë një vizitë. E rënduar paraqitet gjendja tek Dermatologjia, ku radhët e personave që prisnin, ishin me dhjetëra. Kjo situatë në këtë pavijon ishte në këtë gjendje prej më shumë se një jave, kjo sepse mjekët Dermatolog kanë ikur me leje dhe shërbimi për qytetarët ofrohej vetëm nga një mjek. I pyetur se pse njerëzit janë të detyruar te presin në radhë, ai shprehet se: “Kjo gjendje është e tillë për gati 10 ditë, kjo sepse mjekët e tjerë kanë ikur me leje, dhe do të kthehen ditën e hënë”, shprehet mjeku i vetëm dermatolog, i cili është i detyruar të presë me qindra pacientë, kjo sepse kolegët e tij janë me leje. E njëjta situatë në këtë Poliklinikë ishte dhe tek Reumatologjia, ku shumica e pacientëve që ishin të detyruar të prisnin në radhe, i përkisnin moshës së tretë. E pakënaqur nga shërbimi i kësaj Poliklinike, një pensioniste shprehet: “Të gjithë kanë ikur me leje, duke mos menduar se ne duam shërbim edhe në verë, jam pensioniste 67 vjeç dhe kam që në orën 9 që pres, por siç dhe vetë e shikoni, radhët janë të gjata. Do pres dhe një orë nëse më vjen radha do vizitohem, nëse jo, jam e detyruar të vij përsëri nesër, shprehet e indinjuar e moshuara për Gazetën “Telegraf”. 
    Mungesa e shërbimit në disa pavijone në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, detyron pacientët të shkojnë tek privati
    Përveç radhëve që nuk kanë fund në këtë poliklinikë, pacientët janë të detyruar të drejtohen drejt klinikave private. I tillë është rasti i një zonje të re, e cila shprehet: “Kam ardhur këtu për të bërë një Mamografi, por nuk e kam gjetur hapur zyrën. Kam pyetur infermieret, dhe më kanë thënë për të mos u vonuar, sepse nuk dihet kur vjen mjeku, shko bëje tek një klinikë tjetër. E detyruar shkova të bëj Mamografinë dhe Ekon tek materniteti dhe rikthehem përsëri këtu për të parë se çfarë problemi kisha. Në momentin që vij dhe takoj doktorin më thotë: “nuk e bëjmë dot kontrollin e kësaj Mamografie, por shko tek klinika ku keni bërë Mamografinë për të marrë një përgjigje, nëse nuk të jep një përgjigje, paraqitu sërish këtu në datën 31 gusht”, dhe unë shprehet zonja, jam e detyruar të vij në datën 31 gusht për të marrë një përgjigje, kur doktori duhet të ma jepte në moment. Jam e zhgënjyer nga sjellja dhe shërbimi në këtë Poliklinikë, shprehet zonja, e cila prej tre ditësh vizitonte korridoret e kësaj Poliklinike. Kjo është gjendja që e kësaj Poliklinike, e cila çdo ditë lodh pacientët nëpër korridore, vetëm se personeli mjekësor është me pushime. 
    Sigal