Poliklinika e Specialiteteve 3 në Tiranë mbipopullohet nga pacientët

    1134
    Në Poliklinikën Nr. 3 në Tiranë vazhdojnë të jenë prezente radhët në disa pavijone për shkak të turneve me anë të të cilave operon stafi mjekësor i kësaj Poliklinike. Por kjo problematikë nuk shkaktohet vetëm për shkak të radhëve, por edhe për shkak mungesës së mjekëve, të cilët kanë marrë leje, të cilët nuk i ka zëvendësuar askush, duke bërë që shërbimin për pacientët ta ofrojë vetëm një mjek për një pavijon. Radhëve në këtë Poliklinikë nuk iu kanë shpëtuar as personat e moshës së tretë, të cilët janë të detyruar të presin në radhe edhe pse numri i pacientëve ka qenë mjaft i lartë. Operimi i shërbimit në këtë Poliklinikë, cilësohet si një problem nga ana e pacientëve, të cilët pavarësisht moshës apo kushteve shëndetësore, janë të detyruar të respektojnë radhën. 
    Pavijoni i Reumatologjisë “pushtohet” nga radhët e pacientëve

    Situata në këtë Poliklinikë paraqitet më e rënduar në pavijonin e Reumatologjisë, ku numri i pacientëve të cilët janë të detyruar të presin në radhë është mjaft i lartë. Sipas pacientëve kjo situatë në këtë Poliklinikë është e tillë thuajse çdo ditë në pavijone të ndryshme. Por situata ka qenë mjaft e rënduar në këtë pavijon ditën e premte, ku numri i pacientëve që prisnin në radhë që orët e para të mëngjesit shkonte deri në 40 persona. Pacientët shprehen se operimi i punës në këtë pavijone me turne rëndon gjendjen e tyre dhe se nuk merret asnjë masë për të shtuar numrin e mjekëve, as atëherë kur numri i pacientëve është i lartë, duke bërë që këta të fundit të presin në radhë deri në ndërrimin e turnit, situatë kjo, e cila është mjaft e lodhshme për ta. Në pritje marrjen e shërbimit, në këtë Poliklinikë nuk kanë munguar dhe debatet e krijuara mes pacientëve për shkak të mos respektimit të radhës. Situata nuk paraqitej aspak e qetë dhe në pavijonin e Radiologjisë, ku dhe në këtë pavijon radhët ishin prezent, por problem tjetër në këtë pavijon ishte dhe mungesa e filmave për të marrë ekon, problematikë, e cila bënte që përgjigjet të mos çoheshin tek mjeku specialist, por të shiheshin me anë të kompjuterit brenda kësaj zyre. 
    Pritja në radhë e pacientëve, fenomen në shumë qendra spitalore në kryeqytet
    Problematikat e radhëve të gjata nëpër qendrat spitalore nuk mungojnë as në spitalet e tjera të kryeqytetit, duke u bërë një shqetësim serioz për pacientët, të cilët janë të detyruar të shkojnë disa herë në një qendër spitalore për të mbaruar procedurat. Situata është bërë problematike dhe për shkak të largimit të mjekëve me leje, të cilët kanë lënë vendet bosh, duke operuar me më pak nëpër pavijone të ndryshme në spitalet e kryeqytetit. Të prekur nga këto radhë janë vetëm pacientët, të cilët sorollaten korridoreve të spitaleve për të marrë shërbimin mjekësor. Problematik sa i përket numrit të pacientëve të cilët janë të detyruar të presin në radhë paraqiten disa qendra spitalore si QSUT-ja, Spitali Ushtarak, qendra spitalore në Kamzë, si dhe në disa Poliklinika të tjera në kryeqytet, të cilat përballen çdo ditë me një fluks të madh pacientësh.
    Sigal