Policia helene nuk u jep emigrantëve shqiptarë që riatdheson

    414
    Sigal

    Skandal/ Policia e shtetit fqinj, dyshohet për implikim në trafikimin e klandestinëve nga Azia drejt vendeve të BE-së

    Dje në mesditë një autobus i policisë greke mbërrin deri te pikëkalimi i Postës Policore Shqiptare në Kakavijë dhe sjell mbi 35 emigrantë shqiptarë, të cilët i kishte mbledhur nga prefekturat e Athinës dhe Patrës. Policia shqiptare i merr “në dorëzim” shqiptarët në bazë të një liste që policia greke u dorëzon autoriteteve të Policisë Shqiptare të Kufirit.

    Policia greke nuk u jep emigrantëve shqiptarë pasaportat e tyre

    Ajo që na bëri përshtypje, meqë u ndodhëm rastësisht aty pranë, ishte se polici grek që i dha listën e emigrantëve shqiptarë autoriteteve të Policisë Shqiptare, përveç se listën, nuk dha asgjë tjetër, domethënë pasaportat e emigrantëve që solli në Kakavijë. Pyetëm disa emigrantë shqiptarë, përse i ktheu policia greke në Kakavijë. Ata që na folën, na pohuan se nuk kishin dokumente të emigrantëve. I pyetëm nëse kishin me vete pasaportat dhe ata thanë se “Po kishim pasaportat, por na i mbajti policia greke, duke na thënë që do t’i marrim te policia shqiptare, kur të na dorëzojnë”. Pyetëm oficerin e policisë që mori në dorëzim emigrantët shqiptarë nga policia greke. Por ai duke na parë me mosbesim, na tha që nuk është i autorizuar të na sqarojë asgjë dhe nëse kemi ndonjë pretendim për informacionin që kërkojmë, të drejtohemi te komandanti i Postës Policore të Kakavijës. Oficeri i policisë nuk u bind, edhe pse i dëftuam që jemi gazetarë dhe një informacion i tillë nuk është i klasifikuar, që duhet patjetër leje nga eprorët. Këmbëngulëm të mësonim nëse pasaportat e emigrantëve shqiptarë të kthyer nga Policia Greke, u dorëzuan tek Policia Shqiptare, meqë emigranti shqiptar na pohoi që policia greke u mori pasaportat atyre dhe u kishte thënë që ato do t’i merrnin në Kakavijë nga policia shqiptare, sipas ligjit.

    Polici shqiptar na pohon në konfidencë: Policia greke shumë herë u mban pasaportat shqiptarëve që kthen mbrapsht

    Një polic shqiptar, në konfidencë, duke dëgjuar debatin që bëmë me oficerin tonë dhe mohimin e tij, por duke na ndjekur edhe të gjenim komandantin e Policisë në Kakavijë, të cilin nuk e gjetëm, pasi vartësit e tij na thanë që është me shërbim (pa na thënë se ku, pavarësisht që pyetëm për të disatën herë të mësonim më shumë), na afrohet  dhe me zë të ulët, në konfidencë na pohon: Të gjithë këtu e dinë që Policia Greke në të shumtën e rasteve nuk u’a jep më pasaportat emigrantëve shqiptarë, kur ata i sjell në Kakavijë. Disa herë, vetë komandanti i Policisë së Kakavijës ka vajtur te policia greke dhe nuk ka mundur që t’i martë pasaportat e tyre. Më poshtë dialogu i plotë me policin: – Po si ka mundësi të ndodhë kjo? Policia greke e ka detyrim ligjor, që t’i dorëzojë pasaportat e shqiptarëve që sjell në Kakavijë, pasi ato janë dokument i shtetit shqiptar dhe jo kartë personale e emigrantit.

    – Këta drejtuesit e policisë greke të Kakavijës, i kanë thënë komandantit të Policisë së Kakavijës, apo edhe neve që ua kërkojmë ndonjëherë, që pasaportat i kanë drejtuesit e policisë së Prefekturave greke, që i nisin emigrantët dhe jo policia në Kakavijë. Atje ne nuk mundemi t’i kërkojmë dot. – Ju ua keni kërkuar pasaportat policisë greke me gojë, apo edhe me kërkesë zyrtare? – Patjetër që pasaportat ne si polici, u’a kemi kërkuar policisë greke në Kakavijë zyrtarisht, por këto shkresa i ka komandanti ynë i policisë. -Ju ia keni përcjellë këtë shqetësim Ministrisë së Brendshme? – Besoj se po. Po nuk mund të them gjë. As zyrtarisht dhe as me siguri të plotë. Bisedojeni me komandantin e policisë së Kakavijës, kur ai të kthehet.

    Përse heshtin Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë?

    Meqë komandanti i Policisë Shqiptare të Kakavijës mungoi tërë ditën dhe ndoshta shërbimi zyrtar mund të zgjatë edhe me ditë të tëra (askush nga policia jonë në Kakavijë nuk mund të na pohojë sa orë, ditë mund të zgjatë shërbimi i komandantit të tyre), me hamendësi besojmë se Ministria e Brendshme, por edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, janë në dijeni të plotë që policia greke nuk i sjell në Shqipëri pasaportat e emigrantëve shqiptarë që dorëzon në postat policore të kufirit. Shprehemi se “besojmë që të jenë në dijeni”, sepse nuk duam të besojmë që Ministria e Brendshme të mos ketë fare dijeni dhe policët dhe komandanti i Policisë Shqiptare në Kakavijë (nuk e dimë nëse i njëjti fenomen ndodh në Kapshticë, por nuk kemi as arsye që atje të ketë përjashtim nga Kakavija, d.m.th., në Kapshticë policia greke t’u dorëzojë pasaportat e emigrantëve shqiptarë që dorëzon) të jenë kaq të papërgjegjshëm sa të mos informojnë Ministrinë e Brendshme për këtë skandal flagrant të policisë greke, që nuk dorëzon pasaportat e emigrantëve shqiptarë, që sjell në Kufi. Atëherë, përse Ministria e Brendshme nuk e ka zgjidhur këtë shqetësim, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Brendshme greke? Përse Ministria e Brendshme nuk ka informuar Ministrinë e Jashtme shqiptare, që problemin ta zgjidhin edhe në rrugë diplomatike? Që policia greke të mbajë pasaportat e emigrantëve shqiptarë, edhe kur ata i dorëzon në pikat kufitare, si emigrant të paligjshëm, përbën skandal, sepse pasaportat janë dokument  zyrtar i shtetit shqiptar dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare, ato duhet t’i dorëzohen shtetit. Shteti shqiptar, edhe pse ka dijeni të plotë për këtë sjellje flagrante të shkeljes së ligjeve ndërkombëtare e marrëdhënieve ndërshtetërore Greqi- Shqipëri, hesht, duke mos mbrojtur të drejtën e shtetasve të vet nga shteti grek.

     Policia greke e implikuar në trafikun e klandestinëve nga Azia drejt Europës përmes Shqipërisë

    Policia greke dyshohet se është e implikuar në trafikimin e klandestinëve që kryesisht vijnë nga vendet e Azisë. Dyshime të forta hidhen rreth këtij skandali, për përfshirjen e një numri të konsiderueshëm të policëve të kufirit të Greqisë, në trafikimin e qenieve njerëzore, si pasojë e mbajtjes së pasaportave të shtetasve shqiptarë në mënyrë të jashtë ligjshme. Policia greke, pasi kthen emigrantët shqiptarë në pikën doganore të Kakavijës, atyre nuk u jep pasaportat, duke mos u dhënë asnjë sqarim. Mendohet se pasaportat e shtetasve shqiptarë, merren dhe më pas në këmbim të një shume të caktuar parash u jepen klandestinëve,të cilët kryesisht janë nga Siria dhe Libia, ku më pas këta të fundit i përdorin për tu futur në vendet e Bashkimit Europian. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur klandestinët janë kapur në vende si Italia, Franca, Belgjika dhe Gjermania, etj., me pasaporta shqiptare, ndonëse kryesisht i përkisnin vendeve të Lindjes së Mesme. Ky skandal duhet të vejë në lëvizje menjëherë shtetin shqiptar dhe ndërkombëtarët,pasi ky mekanizëm i përdorur nga Policia Greke për trafikimin e klandestinëve kryesisht nga Azia, ndikon në rritjen e numrit të klandestinëve të cilët kalojnë ilegalisht në vendet e Europës. Gjithashtu ndikon negativisht për vendin tonë, pasi luan rol në rritjen informale të numrit të azil kërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit të Europës.

     Petraq Barjami

     ****

    Policia ndalon 53 klandestinë në doganën e Hanit të Hotit

    Policia e qytetit të Shkodrës ka ndaluar dje 53 klandestinë të cilët tentuan të kalonin ilegalisht kufirin në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Mes klandestinëve të ndaluar në pikën doganore të Hanit Të Hotit, kishte edhe gra dhe fëmijë, ndërsa destinacioni i tyre ishin vendet e Bashkimit Europian. Klandestinët e ndaluar ishin kryesisht nga vende si Siria e Libia dhe kohët e fundit e kanë përdorur shpesh vendin tonë si transit për tu hedhur drejt vendeve të BE-së. Mënyra të cilën ata zgjedhin për të emigruar për një jetë më të mirë, është duke hyrë nëpërmjet Greqisë dhe më pas përdorin Shqipërinë për të kaluar ilegalisht në vendet fqinjë. Kalimi i klandestinëve nga vendet e Lindjes së Mesme drejt Europës përmes Shqipërisë po kthehet në një fenomen shqetësuese për vendin tonë. Nuk kanë qenë të pakta rastet ku Policia Shqiptare ka arritur t’i ndalojë dhe më pas të ndjekë procedurat përkatëse për riatdhesimin e tyre.

    Dorentina Hoxhaj

    ****
    Rrugët e Korçës ende të pasigurta, qarkullohet pa leje drejtimi, pa targa dhe të dehur, aksidentet vijojnë

     KORÇË – Rrugët e Korçës ende vijojnë të mbeten të pasigurta. Gjithnjë gjenden drejtues mjetesh që qarkullojnë ose pa leje drejtimi, ose pa targa. Nuk mungojnë as rastet e drejtimit të mjeteve në gjendje të dehur ose me shpejtësi tej normave të lejuara. Për pasojë, rastet e aksidenteve me plagosje ose me vdekje ende vijojnë. Kryesisht këta drejtues u përkasin moshave të reja 25-30 vjeç, por tek-tuk këtij kontingjenti, (në raste më të pakta), i bashkohet edhe mosha 40-45 vjeçare, që me sa duket, këta të fundit e kanë të vështirë të ndahen nga adoleshenca. Drejtues të tillë mjetesh u përkasin kryesisht qyteteve Korçë, Pogradec, Bilisht, Ersekë, ndërsa janë më të pakta rastet kur drejtuesit e mjeteve vijnë nga fshatrat. Gjithsesi, të gjitha këto i bëjnë rrugët të frikshme, pasi dikush që nuk ka aftësinë për drejtimin e mjetit, që udhëton i dehur ose me shpejtësi marramendëse, shndërrohet në fatalitet për jetën e këmbësorëve. Në të vërtetë, raste të tilla janë goditur vazhdimisht nga Policia e Qarkullimit Rrugor, vetëm gjatë muajit që lamë pas, u arrestuan 11 drejtues mjetesh, ndërsa u proceduan penalisht 4 të tjerë. (Këto të dhëna janë siguruar nga burime zyrtare). Por, megjithatë, ende ka drejtues mjetesh që kanë guximin të dalin në rrugë pa qenë të pajisur me dokumentacionin e nevojshëm dhe pa respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Ndërsa nuk kanë aspak kurajë të qëndrojnë në vendin e ngjarjes e t’i ofrojnë ndihmë të aksidentuarit. Këto janë raste të pakta, por që mund të sjellin humbje jete që mund të parandalohen.

    Pa leje drejtimi dhe pa targa

    Vetëm gjatë periudhës kohore në fjalë, u kapën 5 drejtues mjetesh të pa pajisur me lejen e drejtimit të mjetit, nga të cilat, dy raste u evidentuan në periferi të rrugëve të qytetit të Korçës, ku një prej drejtuesve, shtetasi I.XH, 30 vjeç, ishte pa leje drejtimi, pa targë të automjetit dhe i dehur, ndërsa tjetri, shtetasi A.B, 25 vjeç, u kap në brendësi të qytetit të Ersekës. Në dy rastet e tjera, drejtuesit e mjeteve vinin nga zona të ndryshme drejt qytetit të Korçës. Po kështu, një i dehur, 46 vjeç, me inicialet P.A, u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin “Land-Rover”, me targa AA 856 IR, në gjendje të dehur. Gjithashtu, kohët e fundit është vënë re dhe rritja e numrit të motoçikletave në qarkullim, ku këto të fundit po bëhen rrezik për jetën e njerëzve, kur nga vetë drejtuesit e tyre nuk respektohen rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas burimeve zyrtare, gjatë muajit shkurt u  arrestuan tre persona,  shtetasi K.L, 28 vjeç, banues në Pogradec, drejtonte një motoçikletë pa targa dhe pa qenë i pajisur me leje drejtimi, shtetasi G.P, 28 vjeç, drejtonte një motor pa targa dhe pa qenë i pajisur me leje drejtimi, dhe shtetasi R.U, 70 vjeç, drejtonte një “Çiklomotor ”, të markës “Dayang”, i cili për shkak të rrëzimit nga mjeti mbeti i aksidentuar.

    1 vdekje, 5 të plagosur

    Pra, si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, gjatë muajit që lamë pas, u shënua 1 vdekje dhe 5 të plagosur. Rastet janë këto, shtetasit:  Gj.S., 40 vjeç, drejtues i mjetit “BMW”, me targë AA 674 IR,  aksidentoi me vdekje shtetasen B.K, 48 vjeçe. Shtetasi Y. Sh, 43 vjeç, ndërsa drejtONTE mjetin tip “Benz” me targë KO 3871 B, pa leje drejtimi, aksidentoi shtetasin E.N., 21 vjeç. Shtetasi A. R, 42 vjeç, drejtues i mjetit “Volvo”, me targë KO 27 73 B, për shkak të qëndrimit të parregullt të mjetit të tij, shkaktoi përplasjen e një automjeti tjetër, ku mbeti e plagosur shtetasja S.P, 37 vjeçe. Një plagosje tjetër u shënua në afërsi të fabrikës së sallamit “FIX” përgjatë rrugës Bilisht – Korçë, ku mbeti i plagosur shtetasi A.D. Gjithashtu u arrestua shtetasi U. D, 47 vjeç , drejtues i mjetit “M-Benz”, me targë AA 735 GR,  banues në fshatin Cangonj, pasi  në unazën e qytetit të Bilishtit, aksidentoi shtetasin (këmbësor) K.M, vjeç 38. Ndërkohë, shtetasi me inicialet A.S, 76 vjeç, banues në lagjen 10 të Korçës u gjet i plagosur dhe i braktisur nga drejtuesi i mjetit që e kishte aksidentuar.

    Largimi nga vendi i ngjarjes

    Rrezik për jetën e njerëzve mbetet edhe shpejtësia. Madje për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, kanë ndodhur shpesh përplasje automjetesh. Një prej rasteve të tilla është ai i shtetasit Gj.G, 29 vjeç, i cili për shkak të përplasjes la të dëmtuara tri makina që gjendeshin të parkuara. Në të njëjtën situatë u ndodh edhe drejtuesi i mjetit tip “Benz” shtetasi K.DH, i cili u përplas me një automjet tjetër. Megjithatë, mbi të gjitha, tepër shqetësues mbetet fakti i largimi të drejtuesit të mjetit nga vendi i ngjarjes, ku lë pa i ofruar asnjë lloj ndihme personin që ka aksidentuar. Së paku ne kemi mundur të evidentojmë dy raste të tilla, ku autorët e ngjarjeve u zbuluan nga policia. Rasti i parë u zbulua nga forcat e Komisariatit të Policisë Devoll, i cili bëri të mundur identifikimin dhe shoqërimin  e automjetit me targa AA 697 AP, së bashku me drejtuesin e mjetit, J.U, 44 vjeç, pasi dyshohej të ishte mjeti që kishte lidhje me ngjarjen e ndodhur në lagjen 10 të Korçës. Ndaj drejtuesit të mjetit filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Largim nga vendi i aksidentit” neni 273 i Kodit Penal. Gjithashtu, policia e Korçës bëri të mundur zbulimin e autorit që kishte të bënte me një rast tjetër të largimit nga vendi i ngjarjes.

      Nga Vepror Hasani