Policia e Shtetit- OSHEE, vijon aksioni kundër vjedhësve të energjisë elektrike

533
Drejtoria e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me OSHEE, ka vijuar aksionin në gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Policisë së Shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat mbremjen e te hënës bën me dije se “Gjatë periudhës 03.08.2015 deri më 10.08.2015, në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 80 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta në 3.234 raste. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 18 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 18 autorë. Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 4 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë shpallur në kërkim 8 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 6 persona”.
“Po gjatë kësaj periudhe, janë ndërprerë 731 lidhje të abonentëve debitorë dhe 18 lidhje të paligjshme. Gjithashtu, janë kontrolluar 51 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit- OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.
Sigal