Poeti dhe publicisti që u bë burrë shteti

    773
    Sigal

    Sot mbushen 100-vjet nga lindja e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu

    Pas përmbysjes së regjimit komunist të tërheq vëmendjen fakti se figura e Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, ka qenë në mënyrë të pakrahasueshme vazhdimisht e pranishme në shtypin shqiptar. Fundi tragjik i ish-kryeministrit është njëra nga arsyet. Vrau veten (sipas versionit zyrtar) apo e vranë? Kjo është pyetja që vazhdon të bëhet dhe që ngjall diskutime të lloj-llojshme. Por duhet thënë se personaliteti i Mehmet Shehut ka qenë dhe vazhdon të mbetet tërheqës edhe në një sërë aspektesh të tjera, ku padyshim më interesantet janë ato të pjesëmarrjes së tij në Luftën e Spanjës dhe si një nga udhëheqësit më të shquar të Luftës Antifashiste.

    Por Mehmet Shehu ka dhe një dimension të njëmendët: Talentin në fushën e letrave, ku spikasin poezia dhe publicistika, për të cilat është folur më pak.

    Mehmet Shehu i ka shfaqur prirjet letrare në rininë e hershme të tij, ende pa i mbushur të 20 vjetët.

    Sot ne kemi në duar vetëm pak krijime të tij të mirëfillta letrare dhe publicistike, ku do të përmend poemën “Adelante kamaradas!”( Përpara shokë!), më saktë një fragment të kësaj poeme, rreth një të pestën e saj, që i kushtohet luftës së brigadave internacionale në Spanjë në vitet 1936-1939; kemi “Himnin e Brigadës së Parë Sulmuese”, kemi “Disa kujtime nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese” dhe “Lufta për çlirimin e Tiranës”, këto dy të fundit të shkruara më 1944 e të botuara më 1945, si edhe disa skica që lehtësisht mund t’i konsiderosh reportazhe, proza poetike apo edhe tregime të jetuara.

    Një analizë e plotë dhe e hollësishme për përmasat e figurës së Mehmet Shehut duhej të fillonte pikërisht nga kjo përmasë më pak e njohur e tij. Duke lexuar me vëmendje këto krijime që fatmirësisht i kanë shpëtuar asgjësimit, vërehen tiparet e ardhshme që u manifestuan thekshëm tek Mehmet Shehu. Letrari dhe publicisti, në këtë rast, janë pararendës të luftëtarit antifashist, komandantit ushtarak dhe burrit të mëvonshëm të shtetit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX.

    Vetëm për një krijim poetik të tij Mehmet Shehu nuk e ka fshehu autorësinë. Dhe ky krijim është Himni i Brigadës së Parë Sulmuese. Kjo mendoj se ka ngjarë për shkak se ky Himn ishte ndër këngët më të famshme partizane dhe të gjithë e njihnin autorin e saj qysh në zjarrin e luftës. Nga ana tjetër, nuk kemi dëshmi se ai shkroi poezi kur u ngjit në majat më të larta të pushtetit shtetëror dhe politik. Por, mund të hamendësohet se Mehmet Shehu e ka fshehur autorësinë e poezive të tij, pasi nuk i shkonte për shtat koncepti i kohës që i përcaktonte shkrimtarët dhe poetët si ndihmës të partisë. Ndërsa Mehmet Shehu nuk mund të ishte në të njejtën kohë edhe udhëheqës, edhe ndihmës…

    Sidoqoftë, kjo është vetëm një hamendje. Por, ndoshta mund të jetë edhe arsyeja se Mehmet Shehu, ndonëse u shfaq si një talent në letërsi, nuk e kultivoi më tej këtë talent, për shkak të angazhimeve të tij në fusha të tjera, po kurrsesi jo për mosrespekt ndaj letërsisë dhe njerëzve të letrave. Fakte të shumta konfirmojnë pikërisht të kundërtën, konfirmojnë atë që Mehmet Shehu lexonte jashtëzakonisht shumë, i ka dashur dhe i ka ndihmuar shkrimtarët dhe artistët, i kuptonte ndjenjat e tyre, e çmonte si rrallëkush artin që bënin…

     Kanë thënë për Mehmet Shehun

    “Formacioni luftues i cili rezistoi shumë mirë dhe që ishte në krye të të gjithë të tjerëve në përgatitje, në teknikë, në përvojë luftarake dhe në moral ishte Divizioni i Parë i Mehmet Shehut dhe, brenda atij Divizioni, ishte Brigada e Parë e hershme e tij”

    Reginald Hibbert, misionar anglez

    Mehmet Shehu, pesë vjet më i ri se Hoxha, ishte përgatitur si ushtarak. Ai ishte ushtaraku i ushtarakëve…. Shehu shkoi në shkollën amerikane profesionale të Tiranës të cilën e mbaroi në vitin 1932. Atje ai mësoi anglisht. Shehu kishte një damar romantik dhe shkruante poezi. Një nga këto poezi është botuar në revistën Laboremus të shkollës në dhjetor 1931. Fulci, i cili drejtonte shkollën në atë kohë, tha më vonë se dështimi i Shehut për të gjetur një punë në Ministrinë e Bujqësisë pas mbarimit të shkollës luajti një rol kyç në orientimin e tij drejt komunizmit. Ai shkoi në Itali dhe hyri në Akademinë Ushtarake të Napolit. U përjashtua nga shkolla për veprimtari komuniste dhe u kthye në Tiranë më 1936. Ishte 23 vjeç.

    Peter Lucas, “Misioni amerikan në Shqipëri”

    “Vetëvrasja misterioze e Shehut ngriti më shumë pikëpyetje se sa përgjigje… Hoxha e denoncoi Shehun me kaq furi sa dukej se kishte diçka më shumë se sa thuhej në deklaratën zyrtare. Konflikti mes Hoxhës dhe Shehut mendohet të jetë shkaktuar nga diferencat që ata kishin për politikën e jashtme shqiptare, prioritetet e saj ekonomike dhe problemin e Kosovës”.

    Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë, 17 dhjetor 1982

    Mehmet Shehu

     

    Adelante  Kamaradas!

    (Përpara shokë)

    -Fragmente nga poema-

     

    1.

    Atë natë shënëndreu – kur në borë e në tufan,

    Përmbi gërxhet e thepisur, nëpër shtigje me kallkan,

    Vargu ynë i vullnetarve gjarpëronte këmbë-e-duar

    Pirenejve për në Spanjë, – kurrë s’kam për ta harruar

                                                                                                    gjer në varr!…

     

                           2.

                            Shtatëdhjetë vullnetarë drejt kufirit ecim varg,

                           Detra, male kapërcyem, kemi ardhur që nga larg.

                           Unë vij nga Shqipërija – që përtej Adriatikut;

                           Gjithë bashkë po marshojmë lartë malit, drejt rrezikut –

                                                                                                      drejt në zjarr.

    3.

    Sonte bëhet njohja e parë: Ky –  puntor, ai – fshatar,

    Ja shkollari, ja bariu, tjetri është marinar,

    Po këtu mbi Pirenejtë si një trup i vetëm jemi,

    Se qëllim të njëjtë kemi, se e dimë ku po vemi –

                                                                                 dhe ç’na pret…

     

    4.

    Ne që lindëm në skëterrë, ne q’u rrritëm në mjerim

    Dhe s’na qeshi kurrë buza, zemra – ngjeshur hidhërim,

    Lamë prindër e fëmijë, gruan, fisin e shtëpinë,

    Lamë Atdhenë – çdo që kishim, kemi marrë arratinë –

                                                                                  me vullnet.

     

    5.

    Jo për vjedhje e grabitje, jo si ujk a si kusar

    Rendim fshehtas natën malit shtek-më shtek kaçak-firar,

    Po me qefinin në torbë shkojmë në luftë – në Spanjë,

    Tej, në frontin e Madridit, ku gjëmon top e mortajë –

                                                                                derdhet gjak…

     

    6.

    Që nga Roma e Berlini – ku valon flamur’i zi –

    Është turrur sot kuçedra gojë-hapur me furri,

    Përmbi Spanjën – Republikën ku kërkon të shuaj lirinë

    E ta mbjellë Spanjën varre, për t’ushqyer borgjezinë –

                                                                                që u mplak.

     

                 23.

                 Spanjë, Spanjë! Të përunjem… Sonte puth me dashuri

                Pragun tënd, siç putha dorën e sim’ëje kur tek ti

                Më përcolli e përlotur, e si dheun e Shqipërisë,

                Ku kam lerë, ku pashë dritën e ku nëna më dha sisë –

                                                                                               nënë e gjorë.

     

               24.

               Këtu te pragu betohem se jetën e bëj kurban

               Për të mbrojtur tyja, Spanjë, për liri e për vatan…

               Dhe nga plumbi n’u friksofsha – mos i vafsha nënës gjallë:

               Po u vrava, kërkom’ plagën jo në shpinë po në ballë –

                                                                                                     në krahnor!