Po kur mësuesi rrihet, kush pushohet nga puna, zonja Nikolla!

    618
    Sigal

    Letër e Hapur ministres së Arsimit, zonjës Lindita Nikolla

    Para disa ditësh në vazhdën e nismave dhe projekteve për “t’i ardhur në ndihmë nxënësve” (dhe për të denigruar mësuesit) dolën para kamerave zyrtarë të MAS me projektin e ri “Kush rreh një nxënës, pushohet nga puna”. Fjala ishte për mësuesit apo edhe drejtorët e shkollave? Zonja Ministre, Ju dhe stafi juaj në MAS, vazhdoni nga zyrat tuaja, (ashtu si edhe paraardhësi juaj zoti Tafaj) të dënoni e denigroni mësuesin, misionin e tij fisnik, duke mos ndikuar mirë në edukimin e brezave, duke u hapur rrugën veseve nga shumica e nxënësve problematikë. Zonja Ministre, përse vazhdoni rrugën e ish-ministrit Tafaj, duke deformuar figurën e mësuesit, por edhe të drejtorit të shkollës kur e dini fare mirë që mungesa e respektit, edukatës, dhe disiplinës në mbi 90 për qind të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Durrës dhe gjithë Shqipërinë, ka ardhur pas “reformave dhe projekteve” që në 23 vjet, stafet e painformuar të MASH hartonin nga zyrat e dikasterit. Ju zonja Ministre ose nuk e njihni realitetin sot në shkolla, ose nuk e dini se, në shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm, falë “tolerancës dhe rregullave të reja” nxënësit vijnë pa libra, pa çanta shkolle, pa fletore, pinë cigare dhe hashash në muret rrethues dhe banjot e shkollave, flasin me fjalorin më banal para klasave dhe mësuesve madje edhe para drejtoreve te shkollave, ngrenë dorën, madje edhe qëllojnë mësues, bëjnë mungesa dhe nuk pyesin fare për shkollën. Falë ministrisë, nxënësit sot janë bërë me krahë, më të rëndësishëm se mësuesit e tyre, madje kanë nisur të na diktojnë ne edhe rregullat e punës tonë. Zonja Ministre, e dini se, qysh nga shtatori deri sot, në shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm, janë dhunuar mësues dhe mësuese, nga nxënës të klasave të 8 dhe të 9, e dini se ka arritur deri atje sa që, nxënësi apo grup nxënësish të fyejnë mësuesin apo mësuesen, drejtorin e shkollës, dhe të vijnë madje edhe me armë të ftohta në shkolla. Madje nxënësit huliganë tashmë kanë mësuar edhe të mbrohen duke u shprehur se, “ankohem tek ministria po qe se më përjashtoni”. Ne mësuesit dhe mësueset e shkollave të Durrësit, ju bëjmë thirrjen tonë logjike dhe profesionale të merrni masa serioze për të forcuar disiplinën në shkolla e cila prej vitesh po shthuret dhe degjeneron në banalitet, vetëm e vetëm pas “projekteve” rregulloreve dhe vendimeve të dikasterit që ju sot po drejtoni (nuk është vetëm faji juaj) për tolerancë pa kufij ndaj nxënësve. Në Durrës, “toleranca” e pakuptimtë që vjen nga dikasteri arsimit, ka vrarë me pistoleta nxënës në shkollat e mesme, kjo “tolerancë” ka arritur të rrahë mësues nga huliganët e shkollave që po shtohen dita-ditës, falë udhëzimeve dhe “projekteve” nga MAS. Ne mësuesit e Durrësit, ju bëjmë thirrje të mos denigroni më tej figurën e mësuesit, gjë, e cila ndodh vetëm në Shqipëri, ju bëjmë thirrje të forconi disiplinën në shkolla dhe të ngrini lart figurën e mësuesit, mjaft e dënuat mësuesin ne jemi edukuesit e brezave, por jo lecka dhe paçavuret e huliganëve që po gjejnë strehë në shkollat e vendit duke u mbështetur nga MAS. Në shkolla zonja ministre e kanë vendin ata që vijnë për të mësuar dhe për t’u edukuar, për t’u bërë njerëz të denjë për shoqërinë dhe komunitetin, pjesa tjetër e ka vendin në shkolla edukimi, ku ligji përcakton kritere dhe masa të tjera ndaj tyre. Do të ishte e jashtëzakonshme për ne të dilni para kamerave me një projekt që mbron mësuesin, që vlerëson mësuesin. Përse zonja Ministre e keni lënë mësuesin pa “Statusin e Tij”, sipas të cilit ne mësuesit kemi të drejtën ligjore të ankohemi ndaj çdo padrejtësie që na bëhet, ndaj çdo fyerje dhe akti tjetër që cenon figurën dhe dinjitetin tonë ? Tek e fundit, shkoni njëherë në ndonjë shkollë, dhe jepni një orë mësimi dhe atëherë do të bindeni sa efikase dhe sa të padrejta kanë qenë të gjitha vendimet, udhëzimet dhe projekte që favorizojnë vetëm nxënësin, dhe penalizojnë gjithmonë mësuesit. Ne jemi Ajka e Shoqërisë dhe Meritojmë më Shumë.

     *Mësues të shkollave 9- vjeçare dhe të Mesme