Po 2754 mjekët dhe infermierët e huaj që shërbejnë në Shqipëri, përse nuk merren në provim?

    513
    Sigal

    Në të 12 qarqet, zhvillojnë aktivitet 154 shërbime të huaja mjekësore me e pa licenca si klinika “kioska”, spitale “papafingo” e ambulanca “garsoniere”, që vetë-prezantohen me logo e medalje shkencore të huaja

    Nuk e kemi fjalën, se përse ata flasin shqip me dialekte “matjançe”, “korçarçe”, “lushnjarçe” dhe prezantohen si mjekë austriakë, as se përse flasin turqisht e prezantohen si mjekë amerikanë, as se përse flasin serbisht e prezantohen si mjekë francezë, as se përse flasin greqisht dhe prezantohen si mjekë kanadezë, gjermanë e austriakë, por shtrohet pyetja, se përse mjekët që shërbejnë në Shqipëri me qendra me “tabela” të huaja, nuk përfshihen në provim-testimin profesional..!?

    Bashkë me testimin profesional, do të bëhet edhe testimi i etikës së sjelljes, por në mungesë të literaturës konkrete të etikës së sjelljes, mjekët dhe infermierët “nxënës”, po lexojnë si “literaturë” librin “Si të sillemi, ç’zakone të ndjekim në familje, punë e shoqëri”, me autor Prof. Hamit Beqja, babanë e ministrit, botuar në tetor 1979, si “formë edukimi” moralo-politik prej Sektorit të Propagandës e Edukimit Marksist-Leninist të Komitetit Qendror të PPSH

     Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, në vijim të egoizmit të tij për të përligjur paaftësinë totale, drejtuese e menaxhuese në sektorin e shëndetësisë, për të cilat i është “varur këmbora”, ka nisur të bëjë lojëra me burimet njerëzore që shërbejnë në këtë sektor, duke shpikur e detyruar për veprim, marifete “lejfeniste”, tipike si ato që përdoren për të spostuar me “provim” konkurrentë tenderësh me emra OJF-sh e firmash private, gjë të cilën Beqja e ka “eksperiencë të mbarë pune”, ushtruar aktivisht edhe gjatë 8 viteve të ish-pushtetit të “armikut” Sali Berisha, kur fitoi 84 tenderë e 42 projekte në bashki, komuna, qarqe, prefektura, drejtori rajonale, shërbime publike, në shëndetësi, arsim, sigurime shëndetësore e shoqërore shtetërore, deri me 23 raste përfitimi shërbimesh farmaceutike ku në lojë ishin miliona dollarë. E kemi fjalën për provimin e mjekëve dhe infermierëve, ose “testimin”, siç e quajnë sot. Ministri “dru me pre” për nga punët e shëndetësisë, duket qartazi që e ka nisur dhe po e vazhdon këtë aventurë me mjekët e infermierët dhe me institucionet drejtuese ligjore të këtij sektori, me kapadaillëk e me prepotencë tipike sikur të jetë “pronar” i këtij sektori. “Do të bëhet provim dhe pikë!”. Ky është ultimatumi i ministrit Beqja. Edhe pse ditët e fundit ka pasur e vazhdojnë reagime nga personalitete të shkencës mjekësore, Urdhri i Mjekëve, profesorati, deri dhe peticioni me qindra firma që kundërshtojnë këtë testim si fyerje dhe pretekste për të përligjur të ashtuquajturën ‘reformë’, përsëri Beqaj nuk tërhiqet.

    Pazari “Beqja”/ 2754 mjekë e infermierë të huaj nuk do të merren në provim

    Gjersa ka dalë një urdhër ministror (shtetëror) për të detyruar mjekët dhe infermierët të japin provim profesional “pa dallim”, ky urdhër duhet zbatuar pa asnjë dallim për të gjithë ata që shërbejnë në sistemin e shëndetësisë që vepron në Shqipëri. Por ky urdhër, sipas modelit “Beqja” qenka detyrim vetëm për mjekët dhe infermierët shqiptarë që punojnë në sistemin publik. Ndërsa mjekët dhe infermierët e huaj e ata shqiptarë që shërbejnë në shërbim dhe me shërbim mjekësor shtetëror e privat në Shqipëri, nuk do të merren në provim! Përse të mos merren edhe këta mjekë e infermierë në provim, si e gjithë trupa mjekësore shqiptare, gjersa edhe këta janë pjesë e strukturës së shërbimit shëndetësor në Shqipëri e për më tepër, që nuk flitet për provim shkolle, por për testim profesional për ata që shërbejnë në terrenin mjekësor?! Mjekët dhe infermierët e huaj, që ushtrojnë shërbim mjekësor ambulator, klinikor, farmaceutik, okulistik, stomatologjik, urgjencë, këshillimor e spitalor, nuk do të merren në provim! Në Shqipëri veprojnë 154 institucione shërbimesh shëndetësore të huaja e vendase me e pa licenca, pa llogaritur klinikat “kioska”, spitalet “papafingo” dhe ambulancat “garsoniere” që kanë ngulur tabela me logo e medalje shkencore të huaja, me mjekë që mbajnë mbi tavolina kartëvizita me nga 40 grada shkencore, stamposur me firma e vula universitetesh e spitalesh nga e gjithë bota e që thuhet e thonë se janë profesorë grekë, italianë, turq, amerikanë, gjermanë, francezë, arabë, izraelitë, rusë, suedezë, egjiptianë, kanadezë, serbë, australianë, libianë, kroatë, maqedonas, bullgarë, rumunë, hungarezë, polakë, austriakë e deri me emra e simbole humanistësh e shenjtësh fetarë. Në këto qendra shërbimi mjekësor, siç na thanë (me hamendje) në Ministrinë e Shëndetësisë, shërbejnë afro 500 mjekë, specialistë e infermierë të huaj. Në fakt, në këto qendra mjekësore, shërbejnë 2754 mjekë, specialistë e infermierë të huaj. Nuk e kemi fjalën, se përse ata flasin shqip me dialekte “matjançe”, “korçarçe” e “lushnjarçe” dhe prezantohen si mjekë austriakë, as se përse flasin turqisht e prezantohen si mjekë amerikanë, as se përse flasin serbisht e prezantohen si mjekë francezë, as se përse flasin greqisht dhe prezantohen si mjekë kanadezë, gjermanë e austriakë, por shtrohet pyetja, se përse mjekët që shërbejnë në Shqipëri me qendra me “tabela” të huaja, nuk përfshihen në provim-testimin profesional “Beqja”!? Shtrohen dy pyetje: A janë pjesë e strukturës mjekësore shqiptare edhe këta, paçka se janë të huaj, ose në institucione me tabela të huaja? Gjersa edhe këta mjekë, ashtu si mjekët shqiptarë ushtrojnë profesionin dhe aktivitetin mjekësor në Shqipëri sipas Ligjit Nr. 9106, datë 17. 07. 2003 “Për Shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë” dhe sipas 13 ligjeve që rregullojnë çdo lloj shërbimi tjetër shëndetësor, përse të mos merren në provim, siç merren mjekët dhe infermierët shqiptarë? Fundja, provimi (sipas ministrit Beqja) bëhet për të parë nivelin profesional të shërbimit mjekësor… Por ja që sipas Beqajt, mjekët dhe infermierët e huaj nuk do të jenë pjesë e këtij provimi! A janë të aftë dhe a janë testuar teorikisht e profesionalisht këta mjekë e infermierë të huaj, ose shqiptarë që punojnë në spitale e shërbime të huaja, përpara se të licencoheshin për aktivitet e shërbime mjekësore, në Shqipëri?

    Ja 5 lidhjet e  ministrit Beqja me shëndetësinë…

    Ministri Ilir Beqja, akuzohet se nuk ka asnjë lidhje me sektorin e shëndetësisë, mbasi ai është diplomuar për “Informatikë”, duke punuar për shumë vite në Bankën e Shtetit dhe ka “eksperiencë pune” si aktivist i PS (sipas CV së tij, publikuar në faqen zyrtare). Në fakt, akuzat nuk qëndrojnë, mbasi ministri Ilir Beqja ka disa lidhje konkrete e të forta me shëndetësinë.

    1.  Lidhja e parë e tij është data 18 shkurt 1968, kur është lindur në maternitetin e Tiranës.
    2.  Lidhja e dytë është si pacient, mbasi në vjeshtën e vitit 2004, kur ishte Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, theu gjurin kur luante futboll me Erjon Braçen dhe nuk pranoi të trajtohej në spitalet e Tiranës, por me 32 mijë e 700 dollarë nga “Fondi special i trajtimit mjekësor të figurave të larta shtetërore”, u trajtua me 2 muaj në një spital amerikan në Shkup dhe me një muaj kavalishencë (relaksim) në një resort malor në Dibër të Madhe, duke shpërfillur dhe cilësuar shërbimin shëndetësor shqiptar “qelbësirë”, kur donin ta shtronin në spitalin ushtarak.
    3.   Lidhja e tretë me shëndetësinë është fakti që Ilir Beqja, qysh prej vitit 2002 e deri sot, nëpërmjet kompanisë së tij private, që tani nuk e administron ai, me që është ministër, por “gjyshja” e tij, Beqja vazhdon të ketë lidhje aktive me shëndetësinë, mbasi ka “menaxhuar” dhe po “menaxhon” me sukses disa shërbime në sektorin shtetëror e privat farmaceutik.
    4.  Lidhja e katërt e Ilir Beqjes me shëndetësinë është fakti që ai ka punësuar 257 miq e shokë në gjithë sistemin shëndetësor.
    5.  Lidhja e pestë e tij është fakti që prej 16 muajsh është emëruar dhe kapardiset si ministër i Shëndetësisë edhe pse nuk është mjek, edhe pse teoritë e tij për rilindjen e shëndetësisë janë “broçkulla”, edhe pse vendimet e marra prej tij janë “çorbë”…

    Mjekë e infermierë po lexojnë si “literaturë” provimi edhe librin e babait të ministrit, Prof. Hamit Beqjes: “Si të sillemi, ç’zakone të ndjekim në familje, punë e shoqëri”

     Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, janë 3720 mjekë dhe rreth 13 mijë infermierë e laborantë në të gjithë sistemin shëndetësor publik, që do t’i nënshtrohen testimit në të gjithë vendin. Platforma “Beqja” e provimit “Beqja” për mjekët dhe infermierët shqiptarë, do të bëhet në disa faza e drejtime. Përveç njohurive libreske teorike, të përfituara në universitete  e kurse dhe aftësive profesionale, 3720 mjekë dhe rreth 13 mijë infermierë e laborantë “nxënës” që do të ulen në tavolinat e provimit, do t’i nënshtrohen edhe një “provimi special” për t’u testuar “sjelljen”, ose siç i thotë “Rilindja”: Kodi i etikës në vendin e punës! Deri tani, ministri Beqja as ka shpërndarë dhe as ka rekomanduar “literaturë” për këtë aspekt të provimit. Në mungesë të literaturës konkrete të etikës së sjelljes, mjekët dhe infermierët “nxënës”, kanë gjetur një zgjidhje që mendojnë se do të bëjë efekt tek ministri Beqja. Ata kanë marrë dhe po studiojnë si literaturë për “tezat” e pjesës etike të provimit, librin “Si të sillemi, ç’zakone të ndjekim në familje, punë e shoqëri”, me autor Prof. Hamit Beqja, botuar në muajin tetor 1979, si “formë edukimi” moralo-politik, prej Sektorit të Propagandës e Edukimit Marksist-Leninist të Komitetit Qendror të PPSH, ku autori ishte anëtar. Sipas bisedave që po bëhen këto ditë në mjediset e spitaleve e klinikave, mjekët dhe infermierët e kanë përzgjedhur këtë libër “mënyre sjelljeje”, për të “përkëdhelur” ministrin Beqja, mbasi autori i librit është babai i tij. Mirëpo, mes mjekëve e infermierëve në moshë të re, janë hedhur dyshime, se ministri nuk e ka baba autorin e librit, mbasi ministri e ka mbiemrin Beqaj, ndërsa autori e ka Beqja! Por janë mjekët e vjetër, ata që i kanë bindur dyshuesit, se autori është babai i ministrit të Shëndetësisë…

    ——————————————————————

     15 pyetje drejtuar ministrit Ilir Beqja, lidhur me provimin e mjekëve

    1.  Si do të zhvillohet provimi, si provim shkolle, apo si verifikim aftësish profesionale konkrete sipas sektorëve?
    2.  Përse nuk publikohen pyetjet e provimit dhe a janë ato të ndërtuar mbi bazë leksionesh të viteve të studimeve universitare?
    3.  A do të bëhet ky testim sipas niveleve kualifikuese të mjekëve?
    4. A do të jenë profesionalisht me të aftë, “pedagogët” që do bëjnë provimin?
    5.  Po “pedagogët” që do drejtojnë provimin, a do merren në provim?
    6.  A do të jenë “nxënës” edhe profesorë-doktorët e mjekësisë shqiptare?
    7.  Cila është platforma finale e këtij provimi?
    8.  Nëse do ketë “nxënës” mjekë e infermierë ngelës në provim, a do të jenë më në punë, në shërbimin shëndetësor?
    9.  A do të quhet i paaftë për të kryer shërbim mjekësor të sigurt një mjek ose infermierë ngelës në provim?
    10.  A ka një plan “Beqja”, për të ngelur në provim 60% mjekë dhe 70% infermierë e për ti degdisur me punë në zonat rurale të qarqeve ku janë banorë?
    11.  A është ky provim mjekësh e infermierësh, një burim punësimi me përmbajtje “shpërblim” militantësh të “Rilindjes” në shëndetësi si “burim” votash përpara zgjedhjeve lokale?
    12.  A është ky provim, një hapësirë e plotë personale e juaja për të krijuar “klanin” e besuar e të përdorshëm klientelist, në sektorin e shëndetësisë shqiptare? 
    13.  Po drejtuesit e shëndetësisë, a do të merren në provim për aftësitë profesionale?
    14.  Nga cilët nivele përfaqësimi do të përbëhen komisionet e provimeve të mjekëve dhe infermierëve?
    15.  A do të jenë pjesë e komisioneve 44 drejtuesit e shëndetësisë në qarqe, rrethe e qytete që janë me profesione gjeologë, oficerë, inxhinierë pyjesh, elektrikë, ndërtimi e ujërash, mësues filloreje e violinistë?

    Ja 36 “lëndët” që do japin provim 16 mijë e 720 mjekë, infermierë e laborantë “nxënës”

     1.      Alergologji

    2.      Anatomi Patologjike

    3.      Anestezi-Reanimacion

    4.      Dermatologji

    5.      Diagnostikë me Imazhe

    6.      Endokrinologji

    7.      Gastro-Hepatologji

    8.      Hematologji

    9.      Kardio-Kirurgji

    10.  Kirurgji

    11.  Kirurgji Oro-Maxilo-Faciale

    12.  Laborator Klinik-Biokimik

    13.  Mikrobiologji

    14.  Mjekësi Familje

    15.  Mjekësi Interne

    16.  Mjekësi Ligjore

    17.  Mjekësi Transfuzive

    18.  Mjekësi Urgjence

    19.  Nefrologji

    20.  Neurokirurgji

    21.  Neurologji

    22.  Obsetrike-Gjinekologji

    23.  Okulistike

    24.  Onkologji

    25.  ORL

    26.  Ortopedi-Traumatologji

    27.  Pediatri

    28.  Pedodonti

    29.  Pneumologji

    30.  Psikiatri e femijëve

    31.  Psikiatri

    32.  Reumatologji

    33.  Kardiologji

    34.  Sëmundje Infektive

    35.  Shëndet Publik

    36.  Toksikologji

    Peticioni i mjekëve: Testimi është fyerje, denigrim, nuk e pranojmë!

      Reagimi i bluzave të bardha kundër testimit, së fundi është pasuar me një peticion ku qindra mjekë e infermierë nga gjithë vendi kanë firmosur, duke e quajtur testimin ‘fyerje’ dhe duke kërkuar anulimin e tij. Peticioni u drejtohet Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit, Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ministrit të Shëndetësisë, Kryetares së Komisionit Shëndetësisë, Parlamentit, Kryetarit të Komisionit të Arsimit, Republika e Shqipërisë dhe deputetëve… Ne, mjekët, kirurgët, stomatologët, farmacistët, infermierët, laborantët dhe profesionistët e tjerë të mjekësisë, profesione të rregulluara në ligj (Ligji 10/271 i vitit 2009), në vazhdim të debateve aktuale për sa i përket testimit të bluzave të bardha në rang vendi. Testim, certifikim dhe licencim që e kemi kryer në mënyrë të vazhdueshme nga të gjithë hallkat institucionale shtetërore përkatëse nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti, Urdhri i Mjekut, si dhe duke ndjekur edukimin në vazhdim. Ne si grupe interesi, kërkojmë që çështja e testimit të bluzave të bardha, referuar prononcimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, kjo e fundit të tërhiqet nga ky mision denigrues në radhë të parë për reputacionin dhe besueshmërinë e personelit mjekësor në popullate dhe së dyti denigrimin e bluzave të bardha nga Ministria e Shëndetësisë. Këto provokime denigruese ndaj profesionit tonë, jo vetëm kanë krijuar një shqetësim të pavend në radhët tona, por dhe një tensionim të panevojshëm dhe absurde, duke larguar vëmendjen nga problemet esenciale që ka shëndetësia jonë dhe  ndikuar për keq në një mënyrë apo tjetër, edhe në kujdesin mjekësor ndaj pacientit në rang vendi. Ne si profesionistë te mjekësisë me diploma, licenca dhe profesione të rregulluara në ligj, jemi kundër këtyre prononcimeve dhe proceseve non sens nga Ministria e Shëndetësisë. Këto nisma nga ministria përkatëse, jo vetëm qe nuk ka kapacitet e duhura të burimeve njerëzore (akademike, klinike, akreditimet, eksperienca…etj) për të ndërmarrë nisma të tilla, sikurse nuk ka asnjë lloj infrastrukture në tërësi për këto lloj projektesh mbarë kombëtare… Në vazhdim, bazuar në ligjin 10/217 (2009), për profesionet e rregulluar, profesioni i mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve janë profesione të rregulluara në këtë ligj, ushtrimi i këtyre profesioneve nuk mund të bëhet pa u diplomuar, certifikuar, dhe dhënë provimet përkatëse, dhe zotërimin e licencës kur individi i trajnuar, certifikuar, akredituar pajiset me licencë përkatëse për ushtrim profesioni… Ju vëmë në dijeni, që ky proces testimi është konsideruar i pavend, i kundërligjshëm dhe deri në denigrues për grupet e interesit dhe kanë gjetur mbështetjen e pothuajse të gjithë profesionisteve të mjekësisë, duke përfshirë edhe profesoratin e mjekësisë, dhe Urdhrin e Mjekut. Ju adresohemi si përfaqësues të vendit tonë, përfaqësues ligj-bërës, ligj-zbatues për kapërcimin e këtij shqetësimi, duke kërkuar sqarimet e nevojshme nga urdhëruesit e këtij testimi që ka krijuar një stres, shqetësim, denigrim deri në tensionim të panevojshëm në radhët e këtyre profesionistëve të mjekësisë në ushtrimin e profesionit të tyre fisnik-thuhet të tjera në peticionin e bluzave të bardha.